Mu para katër vjetësh, gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të majit, një spin doctor i mirënjohur në Kroaci po e dominonte një bisedë të drejtuar nga një grup gazetarësh, përfshirë edhe veten time, dhe profesionistësh të marrëdhënieve me publikun në një kafene të Zagrebit. Nuk ishte e befasishme që ishte ulur në krye të tavolinës: në qoftë ndokush i suksesshëm, atëherë ishte ky njeri. Kjo figurë e shpuri në pushtet kryetarin e Partisë Socialdemokrate (SDP) Zoran Milnović dhe kryeministrin nga Unioni Demokratik Kroat (HDZ) Andrej Plenković; fushatat e të dyve janë mbështetur në makinën e tij propaganduese.
Ai është mbase i vetmi person që do të kishte pasur guximin të dilte me sloganin “Vjerodostojno” (“Besueshmërisht”) për fushatën e HDZ-së — një parti politike e dërguar në gjyq për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës me qëllim të pasurimit të thesarit të partisë dhe të xhepave të anëtarëve. Edhe pse është dukur si tallje për njeriun e rëndomtë — kur kihet parasysh edhe fakti që HDZ-ja vetëquhet “partia supreme e Kroacisë” me ndihmën e marketingut të vazhdueshëm politik — zgjedhësit kroatë nuk janë merakosur shumë për këtë punë. Kështu, HDZ-ja ia doli të fitonte zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 përkundër një dënimi nga gjykata.
Gjatë bisedës me grupin, ai fliste me nënçmim për suksesin relativ që ka pasur Platforma Možemo! (“Mundemi!”) në zgjedhjet lokale para katër vjetësh. Them “relative” sepse në atë kohë, vetëm një grusht aktivistësh që u bashkuan me koalicionin e gjelbër-të majtë kanë arritur të hyjnë në Kuvendin Qytetës të Zagrebit dhe “sukses” për faktin që ia kanë dalë në rend të parë.
“Kjo është hera e parë dhe e fundit. Do të digjen sa hap e mbyll sytë”, kishte thënë me vetëbesim, duke ia ngulur sytë një personi që kishte pasur guximin e mjaftueshëm t’i thoshte se nuk është ashtu dhe se trendet globale ishin në favorin e tyre e kështu me radhë. “Ata s’kuptojnë asgjë”, kishte thënë spin doctor-i, duke u dhënë fund diskutimeve të mëtutjeshme — ai ishte një njeri që kishte ndërtuar fushata të suksesshme si për konservatorët e socialdemokratët, ashtu edhe për liberalët e popullistët, përfshirë Milan Bandić-in, kryetarin e ndjerë të Zagrebit, i cili ka qenë zyrtari që ka shërbyer më së gjati — nga viti 2000 deri në vdekjen e tij në 2021.
Marrja e mësimeve
Kjo hyrje e gjatë është e rëndësishme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet më të fundit lokale në Kroaci më 16 maj, si dhe për mbështetjen thuajse të plotë që i është dhënë platformës Možemo! në Zagreb. E udhëhequr nga Tomislav Tomašević, platforma po ashtu arriti rezultate të forta në disa qytete të tjera sikur Spliti, Dubrovniku dhe Karlovaci. Sidoqoftë, qytetet ku asnjë kandidat nuk ka marrë 50% të votave do të shkojnë në balotazh, përfshirë edhe Zagrebin.
Platforma politike Možemo! përbëhet nga: Zagreb je naš (“Zagrebi është yni”), Nova ljevica (E Majta e Re) and Zelena alternativa (Alternativa e Gjelbër) — OraH, parti që i përkasin spektrit të majtë dhe që përbëhen nga njerëz që kanë qenë aktivistë në sfera të ndryshme për një kohë të gjatë para se të hynin formalisht në politikë.
Sa u përket zgjedhjeve lokale, Tomašević nga Možemo! ka fituar 147,631 vota — më shumë se që ka marrë ndonjëherë Milan Bandić, sherifi shumëdekadësh i Zagrebit — dhe për pak nuk ka fituar rundin e parë. Vetëm HDZ-ja ia ka dalë të marrë më shumë vota se ata, por ajo ka ndodhur në kohën e luftës gjatë viteve të 90-ta kur kryetari i qytetit nuk është zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, por nga Kuvendi Qytetës. Përveç kësaj, kandidati kryesor në atë kohë ishte autoriteti i padiskutueshëm Franjo Tuđman, presidenti i vendit.
Në vitet e fundit, teksa partitë e mëdha kanë qenë të preokupuara me skandale të shumta që i kanë shtyrë të merren vetëm me vetveten, aktivistët — karrierat e të cilëve zakonisht janë asociuar me protesta ku janë përpjekur të mbrojnë interesin publik me sukses të diskutueshëm — mësojnë nga shembujt e njerëzve të tjerë dhe shqyrtojnë me zell teoritë politike për të kuptuar se çfarë duhet të bëjë Možemo! dhe si duhet të veprojë sa u përket ndryshimit politik dhe angazhimit.
Përkushtimi i Platformës Možemo! i ka sjellë asaj afirmimin e votuesve dhe kështu kanë marrë shtatë ulëse parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të fundit. Kjo u ka dhënë platformë akoma më të madhe për të paraqitur pikëpamjet e tyre, për të luftuar për transparencë dhe kundër klientlizmit, si dhe për të udhëhequr një fushatë të fuqishme kundër korrupsionit dhe nepotizmit; përpos kësaj, aktivistët mbajnë anën ideologjike të politikave të gjelbra dhe të majta, si dhe kanë respekt të pathyeshëm për trashëgiminë antifashishte. Dhe ata kanë vazhduar të jenë të zëshëm edhe përmes ulëseve të pakta në Kuvendin Qytetës të Zagrebit, edhe në terren.
Ata janë kudo, gjë që mbase ilustrohet më së miri nga fakti që Tomašević ka folur në Kuvendin e Zagrebit 550 herë në katër vitet e fundit, ndërsa kundërshtarët e tij politikë dhe — siç e quan vetë — antipoda e krahut të djathtë Zlatko Hasanbegović ka folur vetëm 20 herë.
Hap pas hapi dhe ditë mbas dite, votuesit jo vetëm që po i afirmojnë përpjekjet e tyre, por edhe kanë filluar t’ua kthejnë shpinën partive të mëdha.
Anëtarët e Partisë Socialdemokrate (SDP) grinden mes vete tash e shumë vjet dhe shpenzojnë energji që do të duhej ta përdornin për ta ruajtur kontrollin mbi partinë. Ka gjasë se politikat që mbështet SDP-ja nuk janë më të qarta as për ta. Tash pasi s’kanë pasur ndonjë sukses domethënës në nivelin lokal, ata gjenden në një situatë ku do të detyrohen t’ia shtrijnë dorën Platformës Možemo!, meqë asaj i duhet vetëm një ulëse më shumë për të pasur shumicën absolute në këtë legjislaturë. Çdo gjë tjetër përveç kësaj do të përbënte vetëvrasje dhe do ta përshpejtonte rrugëtimin e tyre drejt asgjësimit.
Si partia qeverisëse kombëtare, HDZ-së po ashtu nuk i vete aq mirë, edhe pse kanë fituar në shumicën e qyteteve dhe kështu kanë siguruar ndikim edhe në të ardhmen. Sidoqoftë, ata do të kenë shumë sfida.
Kryeministri Andrej Plenković detyrohet të shkarkojë ndonjë ministër herë pas herë për shkak të skandaleve dhe moçalit të korrupsionit ku lundron partia e vet. Për më shumë, ka gjithashtu presion të madh nga krahu i djathtë e truplidhur i HDZ-së që Plenković orvatet ta margjinalizojë, ndërsa gjithçka përkeqësohet nga pandemia e koronaviruit; varësisht nga nevojat politike, mjaft shpesh shpallet fitore ndaj pandemisë para mbylljes së përsëritur të kafeneve dhe ndalimit të tubimeve publike. Prapëseprapë, këto ndalime vendosen sipas parimit të vjetër: Perëndive u lejohet ajo që s’i lejohet bagëtisë; në këtë rast, njerëzve me pushtet u lejohet të bëjnë gjëra që njerëzive të rëndomtë nuk u lejohen.
Kthesë nga e majta
Suksesi i Možemo! është vërtet mbresëlënës. Sikur ngadhënjimi i Davidit mbi Goliatin. Ose sikur një film i vjetër western: kur kaubojët më të dobët nga qyteza mundin mujsharët më të fuqishëm nga ferma fqinje.
Kroatët i kanë thënë “mjaft” kotësisë politike dhe elitave që kanë për qëllim të vetëm ruajtjen e pozitave dhe përfitimin nga pronat publike dhe shoqërore, siç kanë qenë deri vonë. Të preokupuar me vetveten, sikur spin doctor-i që u përmend në hyrje, ata nuk kanë kuptuar se çfarë po ndodh. Ata nuk kanë pikasur se po vjen diçka e madhe që do t’i mënjanojë nga skena politike një herë e përgjithmonë.
Ngjarje të tilla dihet se ndodhin në Evropën Perëndimore, ku është e natyrshme që partitë politike të duken dhe të zhduken pa ekzistencën e një duopolie të të ashtuquajturave parti të djathta (HDZ) dhe të majta (SDP), siç është rasti në Kroaci. Partitë e radhës së tretë shkëlqejnë herë pas here, por drita u shuhet shumë shpejt.
Në zgjedhjet e fundit, agjenda progresive e gjelbër e Možemo! është përkrahur nga kryetarë progresivë e të gjelbër të qyteteve, përfshirë kryetarin e Budapestit Gergely Karácsony, kryetarin e Insbrukut Georg Willi, si dhe kryetarin e Grenoblës Éric Piolle. Ata u kanë bërë thirrje zgjedhësve përmes videoporosive të votojnë për Tomašević dhe për cilësi më të mirë të jetës në zonat urbane, duke marrë parasysh ndryshimin klimatik dhe sfidat e tjera të shekullit të 21-të.
Nuk është fshehtësi fakti që Možemo! merr për shembull partinë spanjolle Podemos (“Mundemi”) dhe Ada Colau-n, gruan e parë kryetare të Barcelonës që po e udhëheq qytetin e vet me parimet e pjesëmarrjes qytetare. Ajo është popullarizuar përmes punës së saj si aktiviste dhe si bashkëthemeluese e zëdhënëse e “Platformës për Njerëzit e Ndikuar nga Hipotekat (Platforma de Afectados por la Hipoteca) nga viti 2009, duke luftuar dëbimin banesor në Barcelonë.
Ashtu sikur njerëzve të krahut të djathtë në Spanjë nuk u ka pëlqyer kthesa nga e majta në vendin e tyre, as homologët e tyre në Kroaci nuk kanë begenisur këtë kthesë në vend. Menjëherë pas daljes së rezultateve erdhën edhe kritika nga një këngëtar i krahut të djathtë që bën këngë të buta dhe kushtrime patriotike Miroslav Škoro, i cili për një grimë ia doli në rundin e dytë me Tomašević-in. Muzikanti pohonte se Možemo! nuk është në të vërtetë një koalicion mes së majtës dhe të gjelbrës, por një organizatë e skajit të majtë që nuk bën kurrsesi të marrë pushtetin. Kjo është një dyftyrësi, sidomos kur kihet parasysh se është thënë nga bashkëpronari i dikurshëm i një parkingu spitalor që është njohur për çmimet më të larta në Zagreb.
Për më shumë, Škoro shpresonte se do të mund t’i zhvlerësonte anëtarët e Možemo! duke i quajtur mercenarë të “Sorosit” që mbështeten me donacione anonime, “thithës të parave publike” dhe “aktivistë të rrezikshëm”. Këto pretendime janë mjaft të ngjashme me ato që dëgjonin avokuesit liberalë nga njerëzit e krahut të djathtë në vitet e 90-ta në Kroaci.
Prandaj nuk është çudi se ka sjellje të tillë; frika e bën ujkun më të madh sesa është në të vërtetë. Dhe Tomašević-i e Možemo! po njoftojnë për gjëra të mëdha.
Koalicioni deklaron se do të bëjë një rishikim të hollësishëm të aktivitetit biznesor në nivelin e qytetit, ndërprerjen e kontratave të pafavorshme, shkarkime në pozitat e larta të qytetit dhe një ridiskutim i politikës së punësimit. Ata njoftojnë për një rikthim të rregullit, kurse kjo gjë nuk u pëlqen shumë njerëzve.
Në fund të fundit, në mënyrë që të kenë sukses në përpjekjet e tyre do t’u duhet shumë urtësi dhe pak fat. Mbështetësit e tyre do të presin ndryshime të shpejta, por është shumë lehtë të digjesh në një shoqëri të zhytur në korrupsion. Është vërtetuar se e dinë se çfarë duhet të bëhet. Tash ka mbetur të na tregojnë se si do t’ia dalin.
Imazhi i ballinës nga Nina Đurđević dhe Možemo!