Disa vjet më parë, isha pjesë e një delegacioni shkrimtarësh nga Maqedonia (tani Veriore) që po merrte pjesë në një panair të mirënjohur libri në një nga ish-republikat jugosllave. Aty ishte një shkrimtar shqiptar i përfshirë në delegacionin zyrtar. Ai dhe unë ishim pjesë e një paneli, por nuk mbaj mend se për çfarë bëhej fjalë. Ishte diçka politike.
Në atë kohë, ne sapo kishim larguar sundimin e Gruevskit, Revolucioni Shumëngjyrësh kishte përfunduar dhe ishim plot shpresë dhe energji (kjo tash është zhdukur). Si rezultat, të gjitha panelet letrare që përfshinin maqedonasit ishin gjithmonë disi politike.
Moderatori i bëri panelit një pyetje në lidhje me marrëdhëniet mes shkrimtarëve maqedonas dhe shqiptarë dhe rolin e tyre në kapërcimin e dallimeve nacionaliste. Shkrimtarja e parë që e trajtoi pyetjen i ngriti supet me një rrudhje vetullash patronizuese. Ishte miqësore me moderatorin, dhe ndoshta mosha dhe statusi i saj — standarde të rëndësishme nga e kaluara jonë — e lejuan atë të sillej kështu. Sidoqoftë, pyetjes mbeti t’i përgjigjej kolegu im shqiptar.
Përgjigja e tij më mahniti. Atë vit, Ministria e Kulturës kishte mbështetur botimin dhe përkthimin e një libri të tij në gjuhën maqedonase, shpjegoi ai. Ai shprehu kënaqësi për këtë, duke e cituar atë si një shenjë të zhvillimeve pozitive midis maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë në vend.
Po flasim për një shkrimtar të njohur mbi moshën 50 vjeç, i cili, në vendin e tij në Maqedoni, kishte botuar libra të shumtë në gjuhën shqipe. Nuk ishte aspak i mërzitur që u desh kaq shumë kohë që krijimtaria e tij të botohej në gjuhën maqedonase, ose që një shumicë e madhe e popullsisë deri më tani nuk kishte qasje në librat e tij.
Nuk mund të them se nuk e kuptoj kolegun tim, tani mik, dhe mungesën e tij të zemërimit. Në fund të fundit, ky ishte një zhvillim pozitiv në kuptimin politik dhe letrar, dhe ai zgjodhi të ishte optimist, ndoshta edhe realist për këtë. Por ishte një gjë tjetër që më shqetësonte. E gjithë kjo më bëri të kuptoj përsëri se sa ngulfatëse është marrëdhënia e maqedonasve me shqiptarët: miku im po vepronte në përputhje me atë që maqedonasit e shohin si sjellje të duhur për një shqiptar.
Kjo është ajo çfarë duhet të bëni për t'u konsideruar shqiptar "i mirë". Jo si ata "të tjerët", siç thonë njerëzit këtu. Jo si ata që "shkojnë shumë larg".
Do të shtoj se kjo nuk vlen vetëm për Maqedoninë, por edhe për vendet e tjera ish-jugosllave, ku shqiptarët shihen si diçka që nuk përket, diçka e rrezikshme, diçka që duhet zbutur.
Prandaj, sjellja e duhur për shqiptarët është të sillen sikur të mos jenë vërtet shumë shqiptarë. Kjo do të thotë të flasësh gjuhën zyrtare të vendit pa theks shqiptar, të mos ngritësh çështjen për diskriminim sistemik kundër shqiptarëve etnikë, të mos e përmendësh kurrë të kaluarën, të mos flasësh shqip në publik, të mos e ekspozosh në asnjë mënyrë flamurin shqiptar, dhe natyrisht, të mos jesh fetar, përveç ndoshta kur është koha për festën e shpërndarjes së bakllavasë.
Kjo është ajo çfarë duhet të bëni për t’u konsideruar shqiptar “i mirë”. Jo si ata “të tjerët”, siç thonë njerëzit këtu. Jo si ata që “shkojnë shumë larg”.
Të shkuarit shumë larg
Shumë larg. Kjo frazë përdoret gjithashtu në gjuhën maqedonase për të nënvlerësuar feministet ose njerëzit nga komuniteti LGBTI të cilët kanë shkuar “shumë larg” me kërkesat e tyre për barazi. Dhe kështu u trondita kur u gjenda e qortuar nga aleatet feministe dhe LGBTI për mbështetjen e një aktivisti të ri shqiptar për të drejtat e njeriut, i cili është i zëshëm për diskriminimin kundër shqiptarëve etnikë.
Më thanë disa njerëz, sikur të isha krejtësisht e çmendur — dhe natyrisht që konsiderohem e pacipë, jam një grua, prandaj me sa duket duhet të kem nevojë për udhëzime — që të ruhem nga ky person sepse ai kishte shkuar “shumë larg”. Si? Ai kishte diskutuar publikisht identitetin e tij etnik. I pëlqente Dua Lipa. Vuri në dyshim nismën e fundit Rama-Zaev-Vuçiç “Ballkani i Hapur”. Shkroi postime në gjuhën shqipe, gjuhën e tij amtare. E pafalshme.
Dikush mund të mendojë se bota letrare do të ishte një arenë ku paragjykime të tilla mungojnë, ose të paktën, janë të fshehura. Oh, por mendoni përsëri. Fatkeqësisht, institucionet letrare kombëtare në vendet ish-jugosllave kanë tendencë të strehojnë një numër të madh nacionalistësh, dhe akademitë kombëtare të arteve dhe shkencave nuk bëjnë përjashtim.
Do ta theksoj një rast nga i cili jam akoma e skandalizuar. Ishte qershor i vitit 2020, faza e parë e pandemisë. Derisa virusi po përhapej dhe vendi po mbyllej, paniku dhe pafuqia e popullsisë etnike maqedonase u shndërrua në tërbim nacionalist pasi ata filluan t’i fajësojnë shqiptarët etnikë për përhapjen e virusit. Në mungesë të komunikimit fizik, ku një shaka e tillë e papërgjegjshme do të ishte shkëmbyer parëndësishëm në kafene, ndjenja përfshiu mediat sociale maqedonase.
Shqiptarofobia ishte dhe është aq e pranishme në shkolla, media, rrugë dhe shtëpi saqë është normalizuar.
Në një moment, një shkrimtare e njohur, kritike, ish profesoreshë e letërsisë botërore dhe anëtare aktuale e Akademisë së Arteve dhe Shkencave dhe — merreni me mend — nënkryetare e degës maqedonase të PEN International (anëtarët ndërkombëtarë të së cilës përfshijnë Svetlana Alexievich, Orhan Pamuk dhe JM Coetzee) publikoi cicërimën [tweet] me rimë, “Cenata na soživotot ja plakjame so životot”, ose në shqip, “Çmimin e bashkëjetesës sonë e paguajmë me jetën tonë”. Nënkuptimi ishte se në këmbim të durimit të supozuar të maqedonasve ndaj shqiptarëve, shqiptarët do të na vrisnin (maqedonasit etnikë). Ndërsa unë dhe një numër njerëzish të tjerë folëm kundër kësaj cicërime, vetëm disa shkrimtarë të tjerë na u bashkangjitën.
Gruaja që shkroi cicërimën është e rëndësishme në Maqedoninë e Veriut, dhe përveç frikës për të folur, besoj se shumë shkrimtarë të tjerë etnikë maqedonas ndihen njësoj si ajo. Shqiptarofobia ishte dhe është aq e pranishme në shkolla, media, rrugë dhe shtëpi saqë është normalizuar. Kështu, institucionet nuk ndërmarrin asnjë veprim kundër shpërthimeve të tilla. Akademia ku ajo bën pjesë nuk tha gjë dhe shumica e anëtarëve të bordit të PEN-it maqedonas nuk donin të ndërmerrnin ndonjë veprim kundër saj, pavarësisht faktit se ajo i shkeli dukshëm nenet e organizatës.
Sa i përket shkrimtares së shquar, tha se cicërima e saj ishte personale, pastaj fshiu llogaritë e saj në Facebook dhe Twitter. Kurrë nuk kërkoi falje. Unë, në anën tjetër, u dënova privatisht dhe u qortova për sjelljen time të padisiplinuar, sikur të isha një vajzë e vogël që i kishte lagur pantallonat në klasë.
Dështimi në thyerjen e barrierave
Festivali i Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë është një tjetër çështje e madhe në skenën letrare maqedonase. Është një festival i vjetër, që mburret me një sërë mysafirësh dhe laureatësh të famshëm ndërkombëtarë (këtë vit është Carol Ann Duffy). Festivali zhvillohet në Strugë, një qytet i bukur në bregun e Liqenit të Ohrit që është i përzier etnikisht, afërsisht gjysmë maqedonas, gjysmë shqiptar.
Më kujtohet disa vjet më parë duke ndenjur në një restorant me poetin e famshëm serbo-amerikan Charles Simic dhe drejtorin e atëhershëm të festivalit. Duke punuar në festival si vullnetare 17 ose 18 vjet më parë, më erdhi në mendje se asnjë nga leximet nuk u përkthye në shqip, megjithëse programi zyrtar ishte gjithmonë në maqedonisht, anglisht dhe gjuhën amtare të poetit.
E pyeta drejtorin pse asgjë nuk u përkthye në shqip. Atij iu duk e pamundur. Nuk kishte vend për shqipen, tha ai, dhe natyrisht, festivali ishte maqedonas, siç ishte vendi dhe gjuha zyrtare. Nëse shqiptarët jetonin në qytet, sugjeroi ai, ata gjithsesi duhet të dinë maqedonisht.
Ekziston një mur kaq i fortë dhe i qëndrueshëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve këtu saqë letërsia nuk është topi rrënues që do ta shembë atë.
Sot, këtu është bërë pak përparim, megjithëse ka qenë mjaft mesatar dhe frikacak, si fillim. Që nga viti 2019, hapja dhe mbyllja e festivalit bëhen gjithashtu në gjuhën shqipe, por edhe në frëngjisht. Nuk ka kuptim, përveçse për të qetësuar sipërfaqësisht maqedonasit se është një gjë gjuhësore, dhe jo një gjë politike.
Mendoj se gjërat mund të ndryshojnë, siç më sugjeroi shoku im shkrimtar disa vjet më parë në atë panair libri. Në vitin 2019, botuesi im theksoi se mund të aplikonim për mbështetje nga Ministria e Kulturës për përkthimin e librit tim Burri Im në shqip. Të dytë kishim dëshirë që libri të dilte në një gjuhë që flitet aq shumë në shtëpi dhe në të gjithë rajonin, por nuk kishim arritur ta merrnim vëmendjen e shtëpive botuese në Shqipëri apo Kosovë.
Kështu që morëm grantin dhe e bëmë vetë. Ndihej sikur po hapnim terren të ri. Pastaj libri, i përkthyer nga Kreshnik Ajdini, doli dhe shiti 16 kopje të mëdha në Shkup, krahasuar me gjashtë të shtypurat e shitura në gjuhën maqedonase, me një të shtatë rrugës.
Burri Im është një nga librat e paktë letrarë vendas që ka botime vendase në gjuhën shqipe dhe maqedonase (nuk duket se ka shumë kërkime mbi këtë çështje), por duket sikur askujt nuk i intereson. Ekziston një mur kaq i fortë dhe i qëndrueshëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve këtu saqë letërsia nuk është topi rrënues që do ta shembë atë.
Në përgjithësi jam person shpresëdhënës dhe optimist. Përndryshe, do ta kisha lënë shumë kohë më parë vendin tim. Besoj në ndryshim dhe besoj në njerëzit që jetojnë këtu. Sidoqoftë, për çdo lloj ndryshimi që të ndodhë, ne duhet të mbajmë paragjykimet tona, si dhe realitetin e së kaluarës dhe të tashmes. Kohët e fundit po lexoja Real Estate, një kujtim nga shkrimtarja britanike Deborah Levy, në të cilin ajo citon Gloria Steinem disa herë, “E vërteta do t’ju lirojë, por së pari do t’ju zemërojë”. Dhe unë mendoj se është koha për pak zemërim.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.