Për shumë vite, politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është karakterizuar nga ndrojtja, mungesa e konsistencës dhe paaftësia. Në Samitin e Selanikut të vitit 2003, BE-ja trumbetoi se “E ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”. Sot ky premtim është i zbrazët.
Lodhja nga zgjerimi dhe një krizë e brendshme ekzistenciale kanë bërë që qëndrimi i BE-së ndaj rajonit të bëhet gjithnjë e më i çrregullt; zotimet retorike për anëtarësim vazhdojnë të bëhen, gjersa akterët e fuqishëm përbrenda BE-së punojnë aktivisht për ta ndaluar procesin.
Kjo u ilustrua qartësisht në Shqipëri më 28 shtator kur Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit të BE-së, deklaroi se “e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE-së”, duke i thënë po ashtu Maqedonisë së Veriut, “Ju do të jeni pjesë e BE-së. Pyetja nuk është nëse, por kur”.
Në të njëjtën ditë, Reuters raportoi se në një dokument të brendshëm të BE-së shkruhet se BE-ja “nuk mund të pajtohet më të ofrojë garanci për anëtarësimin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor” për shkak të rezistencës midis qeverive të shteteve anëtare kyçe. Mungesa e një strategjie koherente të BE-së jo vetëm që degradon përpjekjet e saj për ta paraqitur veten si një fuqi globale, por gjithashtu mbjell paqëndrueshmëri në rajon. Kjo askund nuk është më e dukshme sesa në rastin e Kosovës dhe Serbisë.
Targat
Ndezja e fundit e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë shkon përtej targave. Vendimi i qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje për zbatimin e masave reciproke është, sipas çdo standardi objektiv, plotësisht legjitim. Asnjë shtet që respekton vetveten nuk do t’i toleronte aranzhimet e mëparshme, dhe kritika ndaj Kosovës rreth mbrojtes së të drejtave të saj sovrane është thjesht hipokrite.
E kritikuar nga disa si një eskalim, vendosja e njësive speciale të policisë së Kosovës në kufi ishte veprimi minimal që çdo shtet do të ndërmerrte kur përballet me një sfidim të sovranitetit të tij të brendshëm, posaçërisht në një rajon me një histori të tensioneve ndëretnike siç është veriu i Kosovës. Sulmet e mëvonshme të zjarrvënies dhe granatave kundër qendrave të regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan e legjitimuan më tutje praninë e policisë.
Përgjigja e Serbisë ndaj vendimit të Kosovës, megjithatë, ishte e paarsyeshme. Presidenti Vučić vendosi automjete të blinduara në kufirin Kosovë-Serbi, urdhëroi avionët luftarakë dhe helikopterët sulmues që të patrullojnë në qiell, madje kërcënoi NATO-n. Ai gjithashtu e refuzoi propozimin e BE-së për zgjidhjen e krizës dhe inkurajoi kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe ta refuzojnë një zgjidhje kompromisi të propozuar nga KFOR-i e pranuar nga qeveria e Kosovës. Në vend të kësaj, ai preferoi t’i inkurajojë protestuesit serbë që të vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Megjithëse një marrëveshje për zgjidhjen e krizës u arrit më 30 shtator, përgjigja e Vučić ndaj incidentit edhe një herë shfaqi natyrën e tij të vërtetë.
Autoritarizmi i Vučić-it
Ekziston një politizim i qartë prapa kërcënimeve të Vučić-it. Me zgjedhjet e pranverës së vitit 2022 që po afrohen në Serbi, ai dëshiron ta portretizojë veten si burrë i fortë për ata serbë që vazhdojnë të kapen pas projektit të “Serbisë së Madhe” të Millosheviqit. Por këtu ka më shumë sesa thjesht gjuetia cinike e votës; Vučić dhe qeveria e tij në thelb janë sektare.
Vučić i takon një grupi të veçantë të nacionalizmit serb i cili i portretizon shqiptarët në Kosovë si “pushtues” dhe nuk e pranon të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet i pavarur. Vučić e ka vlerësuar Milošević-in si “një udhëheqës të madh serb që padyshim kishte synimet më të mira”, dhe ka mohuar se forcat serbe morën pjesë në masakrat në Kosovë ndërsa varre masive vazhdojnë të zbulohen në Serbi. Kryeministrja e tij Ana Brnabić gjithashtu ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë. Hiç më larg se javën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë shfaqi një film që lavdëronte Brigadën “heroike” të 125-të të Motorizuar, një njësi ushtarake që supozohet të ketë qenë e përfshirë në krime lufte gjatë luftës në Kosovë.
Për më tepër, Vučić kultivon hapur marrëdhënie të ngushta me regjimet autoritare në Rusi, Kinë dhe ngjashëm. Për shkak të sundimit të tij gjithnjë e më autoritar, renditja e Serbisë në indekset e demokracisë ndërkombëtare ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2006. Tani është një “demokraci me të meta“, e renditur vetëm si “pjesërisht e lirë“.
Megjithatë, siç thekson hamendësisht Freedom House, “Përkundër këtyre tendencave, vendi ka vazhduar të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Paradoksi është rrëqethës. Si kaloi mbështetja e BE-së ndaj regjimit më toksik në Ballkanin Perëndimor?
Të dyja palët
Pas zbatimit të reciprocitetit për targat dhe shpërthimit pasues të tensioneve në Kosovën veriore, një numër zyrtarësh të lartë të BE-së iu drejtuan solemnisht “të dyja palëve” t’i ulin tensionin. Këtu përfshihen Joseph Borrell, Oliver Varhelyi dhe Charles Michel. Duke i pasur parasysh faktet në terren, këto deklarata janë dukshëm të pasinqerta.
Fajësimi i “të dyja palëve” është një taktikë e përdorur nga ata që nuk duan ta thonë të vërtetën. Është përdorur në fillim të viteve të 90-ta kur politikanët perëndimorë me turp zgjodhën të fshiheshin pas gënjeshtrës se të gjithë luftëtarët në Bosnje ishin njësoj fajtorë. Shpesh është përdorur në kontekstin e situatës në Palestinë dhe është shprehje famëkeqe e Presidentit Trump si përgjigje ndaj dhunës së kryer nga milicitë e krahut të djathtë në Charlottesville në vitin 2017.
Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, shtysa pas këtyre deklaratave është një vendosmëri kolektive për të mbajtur marrëdhënie të mira me udhëheqësit autoritarë të Serbi. Kjo nuk është vetëm e turpshme dhe e padrejtë, është e rrezikshme. Vučić sigurisht mirëpret zhvillimet që krijojnë përshtypjen e një ekuivalence morale mes Serbisë dhe Kosovës; për aq gjatë sa “të dyja palët” inkurajohen ta “lënë të kaluarën pas” dhe të krijojnë “bashkëjetesë paqësore”, ai dhe regjimi i tij mund të vazhdojnë t’i anashkalojnë çështjet e dëmshpërblimeve dhe njohjes.
Duke e ndjekur vetëdijshëm frikën e Perëndimit se Serbia do të bëjë aleancë me Rusinë nëse nuk ftohet në BE si pre, Vuçiç ka arritur të përfshihet në dialogun “Prishtinë-Beograd” pa dashur ta trajtojë seriozisht fajin e Serbisë për dhunën që forcat e saj kryen në Kosovë në vitet e 90-ta. Lloji i qyqarllëkut që shohim në deklaratat e BE-së për “të dyja palët” e ka inkurajuar Vuçiqin të vazhdojë të shkaktojë paqëndrueshmëri rajonale dhe ta minojë lirinë e medias dhe demokracinë brenda Serbisë.
Tensioni i pashmangshëm
Kërcënimi më i madh ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkan nuk vjen nga një Kosovë e pavarur, demokratike dhe e etur për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO-n, por nga qeveria gjithnjë e më autoritare, militariste në Beograd. Deri më sot, BE-ja e ka qetësuar këtë regjim në kurriz të idealeve dhe kredibilitetit të vet dhe në dëm të Kosovës.
Derisa kjo dinamikë ka qenë e dukshme për më shumë se një dekadë, ka qenë gjithmonë e paqëndrueshme. Zgjedhja e fundit e qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje i dha fund qëndrimit vetëshkatërrues të mbajtur nga qeveritë e mëparshme në Kosovë, të cilat u pajtuan me prioritizimin e interesave të Serbisë nga BE. Çfarë arriti politika e mëparshme ndaj BE-së dhe Beogradit? Vizat jo, asnjë njohje, asnjë perspektivë të anëtarësimit në BE. Duke pasur parasysh këtë, a ishte befasuese zgjedhja e popullit të Kosovës së një qeverie që thirrte për ndryshim?
Siç premtoi, qeveria e re po ndërmerr hapa për ta korrigjuar narracionin mbizotërues dhe për ta trajtuar qeverinë serbe ashtu siç është, dhe jo ashtu siç i pëlqen BE-së të pretendojë se është. Kjo natyrisht ka shkaktuar dhe pa dyshim do të vazhdojë të shkaktojë tensione mes dy shteteve dhe shqetësim në Bruksel, por cila është alternativa? Të qenit pjesë e bisedimeve të pafundme, të pafrytshme, në të cilat statusi i Kosovës si shtet as nuk njihet? Të qëndruarit në heshtje derisa BE-ja mbyll sytë ndaj mohimit të Serbisë të agresioni të së kaluarës në Kosovë, autoritarizmit të saj të përshkallëzuar, përpjekjeve të saj të vazhdueshme për të provokuar paqëndrueshmëri brenda Kosovës dhe fushatës së saj për ta minuar statusin e saj ndërkombëtarisht?
Kosova duhet të bëjë më shumë sesa të kërkojë nga të tjerët që ta njohin atë si shtet të pavarur; duhet të sillet si e tilë. Qëndrimi i ri ndaj Serbisë — siç ilustrohet nga politika e targave — është manifestim i prekshëm i kësaj sjellje e cila duhet mirëpritur, veçanërisht nëse ekspozon natyrën frikacake të politikës së BE-së ndaj rajonit.
Imazhi i ballinës: ZKM