Pikëpamje | Danimarka

Burgjet e stërmbushura të Danimarkës

Nga - 10.02.2022

Derdhen në Kosovë.

Ndonëse të dyja vendet më parë kanë pasur pak lidhje me njëra-tjetrën, në fund të dhjetorit Danimarka dhe Kosova u shfaqën së bashku kryetitujt global. Pothuajse 800 qeli boshe të burgjeve të Kosovës i kishin rënë në sy Danimarkës. Titujt thoshin: “Danimarka do t’i dërgojë të burgosurit në Kosovë”.

Bëhej fjalë për marrëveshjen e nënshkruar më 21 dhjetor për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në një qendër paraburgimi afër Gjilanit, 50 kilometra në juglindje të Prishtinës. Të 300 të burgosurit do të jenë posaçërisht shtetas të vendeve të treta të dënuar me dëbim nga Danimarka në fund të afatit të tyre të burgut.

Në këmbim, Kosova pritet t’i marrë 200 milionë euro për një periudhën 10-vjeçare. Paratë janë caktuar për energjinë e gjelbër dhe reformat në sundim të ligjit. Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, i ka quajtur investimet “shumë të nevojshme” dhe ministri danez i Drejtësisë, Nick Hækkerup, ka pohuar se “të dyja vendet do të përfitojnë prej kësaj”.

Por ideja e drejtimit të një kolonie penale për një vend të BE-së i ka shqetësuar shumë kosovarë dhe pavarësisht besimit të qeverisë daneze, marrëveshja u vu nën një analizë të ashpër edhe në Danimarkë. Çfarë po ndodh me Danimarkën dhe sistemin e saj të burgjeve që i shtyri ata t’i dërgojnë të burgosurit e tyre në një nga vendet më të varfra të Evropës?

Probleme në parajsë?

Danimarka dhe fqinjët e saj nordikë janë të njohur për cilësinë e lartë të jetës, sistemet e shkëlqyera arsimore dhe dispozitat bujare të mirëqenies sociale. Si rezultat, mund të duket befasi që sistemi i burgjeve të Danimarkës është rrëmujë.

Sipas Peter Vedel Kessing, një studiues i lartë në Institutin Danez për të Drejtat e Njeriut (DIHR), “Nuk është prioritet në shumë shtete. Ata priren të mos i japin përparësi ndërtimit të burgjeve. Duan që t’i shpenzojnë paratë për diçka tjetër”.

“Kanë burgje shumë të vjetra”, tha ai. “Nuk i ofrojnë kushtet e duhura”.

Në fund të vitit 2020, Shërbimi Danez i Burgjeve dhe Lirimit me Kusht (Kriminalforsogen) raportoi se sistemi i burgjeve kishte kapacitet për t’i mbajtur 4,073 të burgosur. Mesatarisht, gjatë një kohe në vitin 2020 ishin 4,085 të burgosur, duke bërë që të tejkalohet paksa kapaciteti.

Një raport i janarit 2020 nga Statistikat Vjetore Penale të Këshillit të Evropës (SPACE) thotë se Danimarka kishte 4,140 të burgosur, kurse kapacitet kishte për vetëm 4,035 persona. Zyrtarët e burgjeve kanë krijuar më shumë hapësirë ​​për të burgosurit me koston e furnizimeve bazë dhe hapësirës së përbashkët.

Sipas një raporti të DIHR nga nëntori i vitit 2021, “shumë burgje i kanë mbyllur dhomat apo klasat e përbashkëta për të siguruar numër të mjaftueshëm të qelive”. Raporti po ashtu përmend shndërrimin e palestrave, dhomave të vizitave dhe zyrave në qeli burgu.

Në Danimarkë, çdo i burgosur supozohet ta ketë qelinë e tij. Por në burgje si ai i Nykøbing, një qytet 130 kilometra në jug të Kopenhagës, tani ka dy të burgosur për çdo qeli, sipas një raporti nga Shërbimi Danez i Burgjeve dhe Lirimit me Kusht.

Tani, në vend të gërryerjes së mëtejshme të hapësirave të përbashkëta, të burgosurit do të dërgohen 2000 kilometra larg.

Raporti përfshinte një parashikim për vitin 2022, ku presin të jenë 7.9% mbi kapacitet. Kriminalforsogen ashtu edhe media e njohur daneze Jyllands Posten kanë parashikuar mungesën e mundshme prej 1000 hapësirash për të burgosurit deri në vitin 2025 nëse nuk gjenden zgjidhje të përhershme.

Tani, në vend të gërryerjes së mëtejshme të hapësirave të përbashkëta, të burgosurit do të dërgohen 2000 kilometra larg. Në mesin e shqetësimeve tjera, shumë danezë kanë vënë në dukje se marrëveshja do t’i shkelë të drejtat e vizitës së të burgosurve, pasi do të bëhet shumë më e vështirë për familjet dhe miqtë e të burgosurve t’i vizitojnë ata në Kosovën lindore.

“Nëse papritur do të duhet ta vizitosh babanë tënd në Kosovë, kjo nuk do të jetë e mundur për shumicën dërrmuese. Si fëmijë 3-vjeçar, nuk do të mund të udhëtosh për në Kosovë herë pas here, dhe i burgosuri, natyrisht, nuk do të mund të vijë tek fëmija”, gazeta daneze Politiken citoi Mette Grith Stage, një avokate mbrojtëse që përfaqëson shumë të pandehur që po e luftojnë deportimin. “Kjo do të thotë se të deportuarit humbin kontaktin me familjet e tyre”.

Për t’i mbuluar shpenzimet e parashikuara prej 200 milionë euro përgjatë një dekade, qeveria daneze së fundmi njoftoi se synon t’i rrisë taksat e paketave televizive. Njoftimi shkaktoi reagime të hidhura tek disa danezë.

Në një seancë dëgjimore në fillim të shkurtit, drejtori për komunikim i organizatës Danish Media Distributors, Ib Konrad Jensen, tha, “Është ide e shkëlqyer ta shkruash në fund të faturës [së televizionit]: ‘Kjo është pagesa juaj për shërbimin e burgjeve të Kosovës”.

Kërkohet ndihmë 

Jo vetëm që ka mungesë të hapësirës në sistemin penal, Danimarka po ashtu ka pasur probleme me punësimin e mjaftueshëm të rojeve të burgut dhe mungesën e madhe të personelit viteve të fundit.

Raporti i vitit 2020 nga Këshilli i Evropës tregoi se Shqipëria ka një përqindje më të lartë të rojeve të burgjeve në raport me të burgosurit sesa Danimarka. Krahasimi u vu në pah nga mediat daneze si përpjekje për ta theksuar cilësinë e dobët të burgjeve daneze shikoni se në çfarë niveli jemi, që nënkuptonte se edhe Shqipëria i ka punët më mirë.

Zyrtarët e burgut nuk u pajtuan me krahasimin. “Shqipëria sigurisht se është një vend i shkëlqyeshëm”, citohet të ketë thënë Bo Yde Sørensen, kryetar i Federatës Daneze të Burgjeve, në një artikull të gazetës Berlingske, “por zakonisht nuk është një [vend] me të cilin i krahasojmë institucionet tona thelbësore shoqërore”.

Media e tjera daneze kanë bërë krahasime përçmuese me vendet e Ballkanit si formë për t’i theksuar problemet në sistemin e tyre të burgjeve. Në burgun Nyborg që ndodhet në ishullin Funen, media daneze V2 raportoi se cilësia e punës është më e dobët se ajo e Bullgarisë, duke deklaruar se “mesatarisht, një zyrtar burgu në Nyborg merret me 2.8 të burgosur”, ndërsa “në krahasim, në një burg mesatar të Bullgarisë, mesatarja është 2.4”.

Por siç duket, edhe në Danimarkë sistemi ka probleme me mirëmbajtjen e kushteve.

Pritshmëritë e ulëta të përhapura rreth kushteve të burgjeve në Ballkan në mesin e mediave daneze dhe institucioneve të burgjeve vënë në pikëpyetje garancitë se qeveria daneze është serioze për të siguruar se të burgosurit e tyre në Gjilan do t’i kenë kushtet që u takojnë sipas ligjit danez.

Por siç duket, edhe në Danimarkë sistemi ka probleme me mirëmbajtjen e kushteve. Në burgun Vestre në Kopenhagë, të burgosurit mbyllen në qelitë e tyre gjatë natës pasi nuk ka mjaftueshëm roje për t’i mbikëqyrur gjatë ndërrimit të natës. Të burgosurve në Danimarkë supozohet tu lejohet një shkallë e lartë e lirisë së lëvizjes brenda objektit të burgut, edhe gjatë natës.

“Nuk është sekret që Shërbimi Danez i Burgjeve dhe Lirimit me Kusht është në një situatë shumë të vështirë. Ka më shumë të burgosur dhe më pak roje burgu se kurrë më parë, dhe kjo krijon sfida dhe bën shumë presion mbi punonjësit tanë”, citon Berlingske të ketë thënë Sørensen.

Një njoftim për media nga Fængselsforbundet shpërfaq nevojën e tyre me terma të rreptë: “Merrni shembull vitin 2015. Në atë kohë kishte 2500 zyrtarë për 3400 të burgosur. I bie 1.4 të burgosur për një zyrtar. Tani raporti është dy me një. Dy mijë zyrtarë për 4200 të burgosur”.

Si përgjigje për problemet e personelit, burgjet daneze kanë përdorur vetëm mbylljen dhe kyçjen e dyerve.

“Mënyra për ta shmangur dhunën dhe për të pasur atmosferë sa më të mirë në burgje”, tha Kessing, studiuesi i DIHR, është “që të kemi një lidhje midis burgut, të burgosurit dhe personelit të burgut”.

“Por për shkak të rënies së numrit të [rojeve], nuk kanë më kohë të krijojnë lidhje” tha ai.

Kosova është zgjidhja

Për t’i tejkaluar këto sfida, Danimarka duket se ka marrë shembull nga fqinji i tyre Norvegjia, e cila u ballafaqua me probleme të ngjashme në vitin 2015. Atë vit Norvegjia dërgoi 242 të burgosur në Holandë për t’i zgjidhur problemet e mbipopullimit. Por në vitin 2018 qeveria norvegjeze vendosi të mos e rinovojë marrëveshjen përballë ankesave që lidhen me rehabilitimin dhe juridiksionin.

Tani Danimarka nuk i ka hedhur sytë nga Holanda, por tek njëri nga vendet më të varfra në Evropë, si një hapësirë mbajtëse për të burgosurit e tyre që së shpejti do të deportohen.

“E ardhmja juaj nuk qëndron në Danimarkë, kështu që, as dënimin tuaj nuk do ta kryeni këtu”, tha në një fjalim Ministri i Drejtësisë Nick Hækkerup, duke e pasqyruar retorikën në rritje të Danimarkës kundër imigracionit.

Kur të dënuarit të fillojnë të mbërrijnë në Gjilan në vitin 2023, burgu do të drejtohet nga autoritetet daneze, duke shkaktuar huti të mundshme se juridiksioni i cilit vend do të jetë në fuqi, ngjashëm si problemi i Norvegjisë me Holandën.

Avokatët danezë si Mette Grith Stage kanë shprehur shqetësimin për këtë marrëveshje dhe janë skeptikë se ligjet penale të Danimarkës do të zbatohen tërësisht në sistemin e burgjeve të Kosovës.

Në një intervistë për DR, transmetuesin publik të Danimarkës, Ministri i Drejtësisë Hækkerup tha: “Burgu duhet të mbikëqyret nga menaxhmenti danez që duhet të trajnojë punonjësit vendorë, prandaj jam i sigurt se burgjet do të jenë në përputhje me ligjin dhe standardin danez. Duhet të shikohet më shumë si një pjesë e sistemit danez të burgjeve që ndodhet në Kosovë”.

A dëshiron populli i Kosovës të përfitojë nga një koloni penale për vendet më të pasura?

Deklaratat publike të Danimarkës gjatë gjithë aferës kanë përmendur shpesh “prezencën e tyre të rëndësishme” në Kosovë, megjithatë, Danimarka është i vetmi vend skandinav që nuk ka një ambasadë në Prishtinë. Ambasada daneze në Vjenë, e cila mbikëqyr punët në Ballkan, ia ka transferuar atë punë zyrës së një avokati në kryeqytetin e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, për shkak të detyrimeve të Danimarkës në NATO, 10,000 trupa danezë kanë shërbyer në KFOR që nga viti 1999, dhe aktualisht 30 trupa danezë janë në Kosovë. Në vitin 2008, Danimarka ishte po ashtu njëri nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës.

Edhe pse thonë se e shohin Kosovën si të barabartë, vetë fakti që Danimarka po merr autoritet në burgjet e Kosovës legjitimisht mund të shihet si minim i sovranitetit të Kosovës. Kur të burgosurit norvegjezë u dërguan në Holandë, burgu vazhdoi të ishte nën autoritetin holandez.

Por përveç shqetësimeve rreth juridiksionit, standardeve të burgut, të drejtat e vizitës dhe kostos, ka pyetje më të mëdha morale. A dëshirojnë njerëzit e Danimarkës të operojnë me objektet e burgjeve jashtë vendit për emigrantët e tyre të burgosur? Dhe a dëshiron populli i Kosovës të përfitojë nga një koloni penale për vendet më të pasura? Qeveritë e Danimarkës dhe të Kosovës po thonë po, por çfarë thotë populli?

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

KOMENTO