Pikëpamje | Franca

Çka nënkuptojnë zgjedhjet franceze për Ballkanin?

Nga - 22.04.2022

E djathta franceze me qëndrim të njëjtë me nacionalizmin serb.

Votuesit francezë që do ta hedhin votën e tyre në zgjedhjet presidenciale të së dielës së 24 prillit mund të mos e dinë se prej këtyre zgjedhjeve ndikohet edhe e ardhmja e Ballkanit.

Gara e së dielës do t’i ketë dy kandidatë me qasje krejt të ndryshme ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit. Njëri është presidenti aktual, Emmanuel Macron, i cili ka kërkuar që Ballkani të integrohet në një BE të zgjeruar. Tjetra është Marine Le Pen, e partisë së ekstremit të djathtë Rassemblement National (në shq. Tubimi Kombëtar) e cila e ka vënë në dyshim pozicionin e Francës brenda Evropës e edhe vetë ekzistencën e disa shteteve ballkanike.

Si president i Francës në pesë vitet e fundit, Macron ka insistuar për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e shteteve të Ballkanit në të. “Ai është pjesë e pikënisjes së strategjisë kombëtare franceze për Ballkanin që ekziston për më shumë se katër vjet”, tha një këshilltar politik francez, i cili ka punuar në Ballkan tash e disa kohë. “Dhe po ashtu, këtë e ka bërë prioritet të presidencës franceze në Bashkimin Evropian”.

Macron, i cili për momentin është favorit për ta fituar garën, e ka bërë aspekt kryesor të presidencës së tij, një BE më të fortë. Si liberal ekonomik i qendrës së djathtë, pjesa më e madhe e presidencës së tij ka qenë e përqendruar në reformat në tregun francez të punës, të cilat kanë çuar në uljen e papunësisë në vend, por që kanë pasur rezultate të pabarabarta.

Për dallim, partia e Le Pen, Rassemblement National, prej kohësh ka qenë euroskeptike.

Në zgjedhjet e vitit 2017, partia e saj bëri thirrje që Franca të dilte nga BE, ndonëse tani nuk argumenton për një “Frexit”, siç bënte më parë. Në fakt, planprogrami i saj pothuajse nuk e përmend fare Evropën, megjithëse argumenton për një “aleancë të kombeve” evropiane dhe kontrolle më të rrepta identifikimi në kufijtë francezë. Kjo do të ishte në kundërshtim me rregulloret evropiane.

Brenda vendit është e njohur për qasjen e saj ksenofobike ndaj imigrimit dhe Islamit; ajo ka deklaruar se do t’i ndalojë gratë që mbajnë mbulesë në qoftë se bëhet presidente.

Jashtë vendit, partia e saj ka lidhje të forta me regjimin e Victor Orban në Hungari dhe mbështet kërkesën e tij për një BE më pak të bashkuar.

Deri në shkurt me pushtimin rus të Ukrainës, partia e Le Pen nuk ngurronte ta theksonte afërsinë e saj me liderin rus Vladimir Putin.

Nëse Le Pen zgjidhet, do ta mbyllte derën për çdo anëtarësim të ri, thotë Joseph Krulic, gjykatës i lartë i Gjykatës Kombëtare për të Drejtën e Azilit dhe historian i Ballkanit.

Euroskepticizmi i Le Pen shkon paralelisht me lidhjet e partisë së saj me Rusinë. Partia e Le Pen ka huazuar para nga një bankë ruse, të cilat ende nuk i ka kthyer dhe ka thënë se shpreson për një afrim midis NATO-s dhe Rusisë “sapo të përfundojë lufta Rusi-Ukrainë”.

Deri në shkurt, me pushtimin rus të Ukrainës, partia e Le Pen nuk ngurronte ta theksonte afërsinë e saj me liderin rus Vladimir Putin. Një fotografi e saj dhe e presidentit rus duke shtrënguar duart madhëroi broshurat të fushatës së saj, të cilat partia më vonë i shkatërroi.

Qëndrimi i ekstremit të djathtë për Kosovën

Dy kandidatët po ashtu kanë qasje shumë të ndryshme ndaj Kosovës.

Kosova prej kohësh ka qenë një vend me interes për partitë e ekstremit të djathtë të Francës. Rivali i djathtë i Marine Le Pen, Eric Zemmour, i cili fitoi 7% të votave në raundin e parë dhe tani u ka bërë thirrje votuesve të tij të votojnë për Le Pen, prej kohësh e ka përmendur Kosovën si një shembull të teorisë së tij të ekstremit të djathtë dhe ksenofobisë të “zëvendësimit të madh”: mendimi se evropianët e bardhë po dominohen nga myslimanët dhe njerëzit me ngjyrë.

Në librin e tij, “Franca ende s’e ka thënë fjalën e fundit”, Zemmour i kushton një kapitull të tërë Kosovës, të cilin e përdor si mundësi për t’i shtyrë përpara teoritë ksenofobike për të ardhmen e Evropës. Gjithashtu përdor edhe citate rreth fjalëve “vend” dhe “pavarësi” kur i referohet Kosovës.

Serbët e krishterë ortodoksë, shkruan ai, “janë tani vetëm 5%, janë dëbuar nga kryeqyteti i Prishtinës dhe janë kufizuar në enklava, qytetarë të izoluar të dorës së dytë, kur nuk persekutohen, bien martir, përndiqen në tokën e të parëve të tyre”. Vendin e krahason me Seine Saint-Denis, departamenti në veri-lindje të Parisit që ka një popullsi të madhe myslimane. “Kosova është e ardhmja e Seine-Saint-Denis; Seine-Saint-Denis është e ardhmja e Francës.

Sipas Balkan Insight, këtë mesazh e kanë shpërndarë edhe anëtarët e partisë së Le Pen. Partia e saj ka lidhje me Solidarité Kosovo, organizatë franceze që punon “në shërbim të të krishterëve që shtypen” në Kosovë dhe që ka lidhje me një numër grupesh të ekstremit të djathtë në Francë dhe Serbi.

Anëtarët e partisë edhe në mënyra të tjera e kanë shfaqur mbështetjen e tyre për nacionalistët serbë.

Këtë janar, anëtarët e partisë morën pjesë në një ceremoni zyrtare për festën publike të ndaluar të Ditës së Republikës Srpska në Banja Luka, në Bosnje dhe Hercegovinë, duke shfaqur mbështetje për synimet politike gjithnjë e më të hapura separatiste të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik. Pas vizitës, një deputet shkroi në Twitter se ai dhe kolegët e tij kishin ardhur për “paqe dhe për respekt për identitetet e grupit”.

Kjo dinamikë mund të formësojë marrëdhëniet franceze me Ballkanin në vitet në vijim.

“E djathta ekstreme është mjaft e pranishme në Ballkan, pasi rrjetet evropiane të së djathtës ekstreme ushqehen nga rrjedhjet e dezinformatave që vijnë nga Rusia dhe në fakt kalojnë përmes Serbisë”, tha këshilltari politik.

Edhe përtej zgjedhjeve, retorika e krahut të djathtë ka implikime të gjera për kosovarët.

Ideja se Kosova përfaqëson “zëvendësimin” e të krishterëve me myslimanët është një narrativë që mund të gjendet në propagandën ruse dhe serbe, thekson Pauline Soulier, e cila studion nacionalizmin në Ballkan në Universitetin e Bordosë.

“Mund ta imagjinojmë se nga pikëpamja e ekstremit të djathtë, Kosova perceptohet si një krijim i NATO-s”, tha Florent Marciacq, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Qendrës Austro-Franceze për Përafrimin në Evropë, duke nënkuptuar neverinë tradicionale të së djathtës ekstreme për organizatën mbrojtëse, e cila perceptohet si mjet i imperializmit amerikan.

Por nuk ka gjasa që, si presidente, Le Pen të mund të ndërmarrë hapa për ta tërhequr njohjen e vendit nga Franca, e cila do të ishte shumë e ndërlikuar politikisht dhe zor e vlefshme për të, sipas këshilltarit politik.

Edhe përtej zgjedhjeve, retorika e krahut të djathtë ka implikime të gjera për kosovarët.

Për momentin, Franca po bllokon skemën e kosovarëve për marrjen e vizave të BE-së, diçka që banorët e shteteve të tjera të Ballkanit tashmë e kanë, thotë Marciacq, ndoshta nga frika e reagimeve negative politike. Ai thekson se, “përderisa Franca nuk heq kundërshtimin e saj ndaj liberalizimit të vizave, po e krijon përshtypjen se është e pambrojtur ndaj populizmit”.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

KOMENTO