Blogbox | Shtëpi

Lamtumirë Kosovë!

Nga - 14.06.2023

Sistemi shëndetësor i rënduar në Kosovë po më shtyn të largohem.

Gjendem në një udhëkryq, përballë një vendimi sfidues që po më konsumon. Është dilemë që kërkon shqyrtim të kujdesshëm dhe analizë. Pyetja është nëse duhet të qëndroj në vendlindje apo të zhytem në të panjohurën dhe ta kërkoj një jetë të re diku tjetër.

Shumë kosovarë/e gjenden para kësaj zgjedhjeje; zakonisht emigrimi i tyre ushqehet nga ndjenja se në Kosovë mungojnë mundësitë. Por ky s’ishte rasti për mua.

Teksa jam rritur, nuk kam pasur shumë. Familja ime mezi e ka përballuar jetesën dhe ne shpesh mezi ia dilnim t’i plotësonim nevojat elementare. Por kam qenë i vendosur të bëja diçka nga vetja dhe punova shumë për ta ndërtuar një jetë të suksesshme. Jam krenar për atë që kam arritur në karrierën time si inxhinier softuerësh. Gjatë këtij rrugëtimi kam marrë mbështetje dhe udhëzime nga mësimdhënës/e të përkushtuar/e në shkollë të mesme dhe profesorë/e universiteti, përfshirë njërin që më ndihmoi ta gjeja punën time të parë teksa isha ende në studime.

Kjo ndoshta s’është historia e zakonshme e dikujt që po tenton të largohet nga vendi. Pavarësisht sfidave, shumë mundësi më janë ofruar në jetën time dhe gjithmonë kam punuar për të përfituar nga ato. Por edhe kjo ka ardhur me çmim. Më është dashur të jem larg familjes në disa raste për shkak të punës, megjithëse ata më kanë mbështetur gjithmonë. Madje kam humbur shoqëri për shkak të stresit në karrierë. Punës sime i kam kushtuar orë të panumërta, shpesh duke harruar që koha po shkon, deri në një moment të rëndë në vitin 2017, kur u diagnostikova me një emboli pulmonare. Sot ende i barti pasojat.

Kjo është arsyeja pse po e shqyrtoj mundësinë të shkoj jashtë vendit. Që atëherë jam i shqetësuar për të ardhmen time sepse Kosova nuk e ofron mbështetjen shëndetësore apo infrastrukturën, që më nevojitet për t’u marrë me shqetësimet afatgjata shëndetësore. Nuk ia besoj dot jetën time sistemit shëndetësor këtu, neglizhenca e të cilit tashmë i ka sjellë pasoja të rënda shëndetit tim.

Jetoj me frikën e vazhdueshme se do të sëmurem dhe nuk do të kem kujdesin që më nevojitet. Është një frikë që ka qëndruar me mua qe një kohë të gjatë, dhe, me kalimin e kohës po shkon vetëm duke u bërë më e fuqishme. S’mund ta përballoj ta trajtoj si të mirëqenë shëndetin tim dhe nuk mund të vazhdoj të jetoj me këtë frikë që rri e varur në kokën time.

Tani jam para pikëpamjes ta lë Kosovën dhe të filloj nga zero në një vend që ka sistem shëndetësor më të besueshëm. Jam i gatshëm të rrezikoj dhe ta përqafoj të panjohurën në kërkim të sigurisë dhe qetësisë shpirtërore të nevojshme për të jetuar i lumtur dhe i përmbushur. Lamtumirë Kosovë!

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla përmes MidJourney

 

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?

  • 14 Jun 2023 - 17:40 | Leonars:

    Qfare do qoft vendimi qe ke marre dhe qe planifikon ta bësh, BEJE !!! Te rral jan njerzit me karakter universal siq ke ti Gazi, Je nje person me nuanca te forta per vendime te jetes, deri me tani ja ke dal, dhe ti gjithmon do t’ia dales !! Qdo gje eshte e shkruar keshtu ( koduar ) Respekte per ty Shoku yt Leo

KOMENTO