Deri tash mbase ju ka rënë të dëgjoni termin “SLAPP” — Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (nga anglishtja Strategic Lawsuits Against Public Participation) — pasi ka dalë shpesh në lajme gjatë vitit të kaluar.
Muajin që shkoi, aktivistja e zëshme deçanase Shpresa Loshaj u padit nga kompania e hidroenergjisë KelKos për deklaratat që i ka bërë publikisht rreth veprimeve të kompanisë në Grykën e Deçanit. Ky rast gjyqësor vjen më pak se një vit pasi një aktivist tjetër u padit ngjashëm në korrik 2020.
Të dytë janë akuzuar për shpifje, por aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë thënë se këto raste janë përpjekje flagrante për të frikësuar aktivistët dhe gazetarët të cilët ngrisin zërin kundër të fuqishëmve dhe janë kërcënim ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.
Pse konsiderohen këto raste si diçka strategjike dhe si dallojnë nga cilido rast tjetër i shpifjes? A nuk e kanë kompanitë të drejtën të përdorin mjetet e sistemit të drejtësisë? Si mund të kontribojnë paditë SLAPP në largimin e hapësirës për gazetarët dhe aktivistët? Dhe çfarë mund të bëhet rreth tyre?
Për të mësuar më shumë rreth kësaj dhe më shumë, dëgjoni episodin e fundit të Kontekstit të moderuar nga redaktorja jonë kontribuese Cristina Marí. Për të shpalosur elementet thelbësore të rasteve SLAPP kemi biseduar me Flutura Kusarin, juriste e së drejtës së medias dhe këshilltare ligjore te Qendra Evropiane për Liri të Shprehjes dhe Shtypit, dhe Megi Demollin, drejtoreshë e Lëvizjes FOL.K
Autore: Cristina Marí / K2.0.
Të ftuara:
- Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias dhe këshilltare ligjore te Qendra Evropiane për Liri të Shprehjes dhe Shtypit
- Megi Demollin, drejtoreshë e Lëvizjes FOL
Miksimi i zërit: Studio 11.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Produksioni: Dibran Sejdiu / K2.0.
Ky podkast është realizuar në kuadër të projektit ‘’Angazhimi qytetar’’, që financohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian.