Ky artikull u botua fillimisht në serbisht në Peščanik. Është përkthyer dhe ribotuar nga K2.0 me lejen e tyre.
Qeveria e Serbisë vendosi të shpallë ditë zie të mërkurën, më 27 shtator. Në njoftim, qeveria shkurt thekson se vendimi është marrë për shkak të “ngjarjeve tragjike në Kosovë dhe Metohi”. Ata nuk përmendin se cilat ngjarje tragjike. A e konsideron qeveria tragjike që një polic kosovar është vrarë apo që sulmuesit serbë janë vrarë në aksionin e mëp policor? Apo të dyja? Nuk e dimë me siguri sepse qeveria nuk e ka specifikuar shprehimisht. Qeveria u bëri thirrje medieve dhe organizatorëve të ngjarjeve publike që t’i përshtatin aktivitetet e tyre të mërkurën me protokollin e zisë, në mënyrë që “të tregojnë respekt për ata që vdiqën në Kosovë dhe Metohi”. Së bashku me natyrën etnocentrike të administratës lokale, ky shumës nënkupton se pritet që pikëllimi të rezervohet për viktimat serbe.
Si u bë që një ditë zie e shpallur nga qeveria serbe për të mbajtur zi për serbët e vrarë është gabim, e potencialisht edhe e rrezikshme?
Para së gjithash, sipas gjithçkaje që kemi dëgjuar në tri ditët e fundit, edhe pala serbe edhe ajo shqiptare pajtohen se çfarë ndodhi së fundi në Kosovë nuk ishin aspak “ngjarje tragjike”, por kriminale, të cilave policia e Kosovës iu përgjigj duke nisur një kërkim për dorasit. Ne shohim informacione kundërthënëse dhe mospërputhje sa i përket faktit nëse krimet e grupit të serbëve të Kosovës përbëjnë “vetëm” vrasje dhe armëmbajtje pa leje apo nëse flasim për krime më të rënda, përfshirë terrorizmin. Një çështje e diskutimeve e mospajtimeve është niveli i vetëdijes dhe përfshirja e mundshme e Serbisë në ngjarjet e fundit. Megjithatë, është përtej çdo dyshimi se ky grup serbësh ka bërë diçka që është e paligjshme si në ligjin serb, ashtu edhe në atë kosovar, dhe në ligjet e çdo vendi tjetër.
Prandaj, viktimat e kombësisë serbe (për të përdorur terminologjinë e qeverisë serbe) janë, në rastin më të mirë, vrasës ose në në rastin më të keq, terroristë. E megjithatë, publiku i ndezur serb nuk sheh asgjë të keqe që i gjithë vendi mban zi për vdekjen e njerëzve të tillë. Përkundrazi, në tri ditët e fundit, qeveria është thirrur të marrë një pozicion për ngjarjet e fundit në Kosovë pikërisht duke shpallur ditë zie.