Më 11 mars 1981, në menzën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, u thye një pjatë mbi tavolinë. Kjo vepër shpërthyese erdhi si pasojë e keqtrajtimit shumëvjeçar dhe kushteve të tmerrshme të jetesës. Vepra e vogël e protestës ndezi një varg ngjarjesh që çuan në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Shumë familje në Kosovë kanë rrëfime prej demonstratave: një i ri ose e re që del nga shtëpia për t’iu bashkuar protestave masive plot gjallëri që mësyjnë ndryshimin, mbase të padijshëm për forcën dhe rrezikun të cilave iu nënshtrohen, e mbase edhe jo. Rrëfimet barten prej njërit brez në tjetrin si cohë të qepura me shqyrtime të vogla që ndihmojnë për ta rivënë sensin e pushtetit.
Në vitet e vuajtjes që erdhën pas 1981-ës, disa figura u dalluan si vendimtarë në shtegun e Kosovës drejt shtetësisë. Zahir Pajaziti, Fehmi Agani dhe Ibrahim Rugova iu bashkuan Skënderbeut duke u përjetësuar në qendrën e Prishtinës.
Nën sytë vigjilentë të çlirimtarëve, Prishtina ka gëzuar pavarësinë dhe i ka përballuar shtrëngimet e lidershipit në dështim e sipër. Shtegu drejt vetëqeverisjes së efektshme është penguar dhe bllokuar shpeshherë nga interesat e një minoriteti politik që vazhdon të pasurohet.
Vetëm disa ditë më parë doli një videoincizim telefonik i një protestuesi që tërhiqet zvarrë dhe rrihet pasi guxon të shprehë kundërshtim ndaj formimit të një qeverie të re. Ish-kryekëshilltari ligjor i UNMIK-ut Alexander Borg Olivier ka reaguar me shqetësim ndaj këtij zhvillimi.
Meqenëse ka punuar edhe si këshilltar ligjor i Presidentit Hashim Thaçi, ai tha se këshilla e tij e tanishme do të ishte që Kushtetuta e Kosovës implikon nevojën për zgjedhje.
Ç’është ende më brengosëse, Olivier theksoi “mungesën e kulturës politike” në Kosovë, qëndrim që është sa shqetësues, aq edhe i paqartë.
Në videon e shkurtër shihen figura trupmëdha pa shenja që ndjekin protestuesin. Kur e kapin dhe e godasin, një kalimtare ndërhyn fizikisht dhe e lut ta lëshojë. Një akt i vogël proteste.
Mbroni statujat
Këto zhvillime nuk besoj të kenë qenë befasuese për shikimin vigjilent të heronjve të bronztë të Prishtinës. Gjatë 20 viteve të fundit kanë qenë dëshmitarë të shumë turbullirave politike me radhë. Por pas anashkalimit të zgjedhjeve publike, duket se nuk mund të duronin më dot.
Nëse, siç thuhet, arti i mirë është politik, atëherë kjo u mishërua javën e kaluar në Prishtinë.
Ata që u zgjuan në mëngjes në Prishtinë të martën mund të kenë vërejtur se u janë mbyllur sytë statujave. Prapa kësaj proteste të mprehtë qëndron artistja Flutura Zymi.
Ajo shpjegoi veprën e saj si art bashkëkohor të shndërruar në realitet. “Këto monumente janë ngritur për t’i nderuar heronjtë tanë të rënë dhe çdo herë që kalojmë pranë tyre i kujtojmë sakrificat që sot na lejojnë të jemi të lirë. Nuk dua që ata të shohin se çfarë po ndodh, më vjen turp”.
Ndonëse vepra guximtare e Fluturës ka gjasë t’i frymëzojë kalimtarët, Alexander Borg Olivier hedh fjalën te një shqetësim në rritje. “Mungesa e kulturës politike” është një lloj akuze e rëndë për një vend që ka popullatën më të re në Evropë.
A do rinia ta krijojë një kulturë politike?
Te një pjesë e madhe e rinisë së Kosovës ekziston një ndjenjë dëshpërimi që ka precipituar larg zhvillimeve politike. Shumë prej tyre nuk janë të gatshëm të përfshihen në një proces që shpesh i shpërfill.
Në vitin 2016, një studim i financuar nga USAID-i i quajtur “Roli i Rinisë në Entitetet Politike” u krye në Kosovë. Në përfundim ka citime nga anëtarët e organizatave të shoqërisë civile që thonë se “roli i krahëve rinorë në entitetet politike është në përgjithësi vetëm simbolik”.
Më tej thotë se “përshtypja e përgjthshme për krahun rinor është se janë struktura të krijuara për të rekrutuar anëtarë të rinj dhe për të sjellë votues për entitetin politik, kurse kanë fare pak e në mos hiç ndikim në proceset e vendimmarrjes”.
Gjetjet e bëjnë të qartë se përfshirja e rinisë inkurajohet vetëm për të joshur votues, duke hequr çdo lloj mundësie të ndikimit nga qytetarët e rinj të Kosovës.
Në prill të vitit 2019, zyra e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Kosovë paraqiti rezultatet e studimit të saj mbi rininë. Puna e tyre përpiqet të japë dëshmi rreth perceptimit dhe opinioneve të rinisë kosovare. Studimi theksoi se shumica e shqetësimeve kryesore të Kosovës janë korrupsioni (81%), rritja e varfërisë në shoqëri (74%) dhe padrejtësia shoqërore (68%).
Ky studim po ashtu ka gjetur se vetëm 10% e të rinjve kosovarë mendojnë se interesat e tyre përfaqësohen “mirë” në politikën kombëtare. Si rezultat, vetëm 13% të rinisë e konsiderojnë veten si të interesuar për politikën në përgjithësi.
Këto gjetje ilustrojnë sensin e frustrimit që e ndien rinia e Kosovës, por ata gjithsesi nuk e shpërfillin mundësinë e ndryshimit. Duket se, nëse dëgjon me mjaft vëmendje, rinia e Kosovës po ofron ide.
Arti si katalizator i protestave
Flutura Zymi shpjegoi se vepra e saj nuk kishte qenë fillimisht ide e vetja. Ajo kishte dëgjuar disa të rinj duke folur për të kur u kishte kaluar pranë dhe, për hir të tyre dhe të një brezi të tërë në Kosovë, ajo deshi ta sillte këtë ide në jetë. Ajo po ashtu ka shprehur falënderim për ata që kanë ofruar ndihmë praktike, mbase duke nënkuptuar se ka vullnet për ndryshim.
Në javët e fundit kemi parë njerëz në botë duke u bërë pjesë e protestave, në përpjekje për ta ndihmuar në procese të domosdoshme që besojnë se mund të sjellin ndryshim. Ka pasur orvatje fizike dhe simbolike prej njerëzve që mundohen ta bëjnë të tyren. Në javën e fundit ka pasur përpjekje të vogla por të shënueshme në Kosovë; këto akte të vogla të protestës mund të kenë ndikime revolucionare.
Flutura Zymi thotë: “Unë ia kushtoj këtë vepër djalit dhe brezit të tij, të cilët kurrë nuk duhet të heqin dorë për një botë më të mirë dhe të drejta të barabarta për të gjithë”.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.