Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, shoqëria civile ka shërbyer gjithnjë si një prej shtyllave esenciale në orvatjet për të ndërtuar një demokraci të shëndoshë. Natyra e kësaj shoqërie civile ka qenë e debatuar gjerësisht, por një prej përbërësve kryesor në dy dekadat e fundit — të ngritur në ligj dhe në praktikë — kanë qenë organizatat joqeveritare (OJQ-të).
Si pjesë e të drejtës kushtetuese të lirisë për t’u organizuar, çdo individ gëzon të drejtën për të formuar një kolektiv bashkë me individë të tjerë dhe për të vënë themelet e një organizate me misionin për t’i shërbyer komunitetit, prej së cilës përfiton shoqëria në përgjithësi.
E drejta për të formuar OJQ është aktualisht e mbrojtur dhe rregulluar me Ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, të miratuar më 2011. Por, ligji është aktualisht në proces të ndërrimit, gjë që po shkakton mosmarrëveshje dhe debat të ashpër.
Shumë organizata joqeveritare thonë që një numër i amendamenteve të propozuara për ligjin e ri, për të cilët thuhet se kanë kaluar pa u vërejtur, janë kundërkushtetuese dhe ngërthejnë në vete fuqinë për të lëvizur themelet e tërë sektorit të shoqërisë civile.
Krejt kjo çështje ka arritur pikën ku Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka përdorur të drejtën e tij për të mos nënshkruar projektligjin, të cilin e ka kthyer prapa në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim të mëtutjeshëm.
Nga këto zhvillimet e fundit, K2.0 mëton të shpjegojë se çfarë është puna me projektligjin e ri, përse ka shkaktuar kaq shumë diskutime dhe çfarë po bëhet në tentimet për të mos lejuar që të marrë plotfuqinë e ligjit.
Përse po punohet për të hartuar ligjin e ri?
Procesi për të bërë një ligj të ri për këtë fushë, kishte nisur rreth tre vite më parë, me qëllimin për të rregulluar disa aspekte që kanë të bëjnë me sigurinë shtetërore dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, të cilat nuk ishin si duhet të rregulluara në ligjin që është në fuqi aktualisht.
Anëtarë të organizatave të ndryshme, që ishin pjesë e grupeve punuese gjatë procesit të hartimit të ligjit të ri, thonë që projektligji të cilin Qeveria e kishte miratuar dhe ia kishte dërguar Kuvendit, ishte ndër më të mirët në rajon. Ishte në përputhshmëri të plotë me praktikat dhe udhëzimet e institucioneve ndërkombëtare dhe do të siguronte funksionimin e duhur të një prej sektorëve më të rëndësishëm në një shoqëri demokratike.
Deri këtu nuk duket që ka diçka kontraverse…
Projektligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në janar të vitit 2018, para se të merrte aprovimin në parim të Kuvendit në mars. Pasi u diskutua nga komisionet parlamentare relevante përmes amendamenteve, për shqyrtim të dytë në Kuvend u kthye më 7 nëntor 2018 dhe u aprovua sërish. Pastaj u dërgua tek Presidenti për nënshkrim sipas procedurës.
Mirëpo, pas kërkesave të një grupi të OJQ-ve, duke përfshirë organizatat që ishin pjesë e punës për hartimin e ligjit, Presidenti vendosi që një pjesë e draft-ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe përdori kompetencën e tij për ta kthyer prapa në Kuvend më 23 nëntor 2018. Ndër të tjera, Presidenti përfshiu në dosje një dokument shpjegues të detajuar për secilin nen që konsiderohet problematik dhe bashkangjiti propozimet se si duhen rregulluar ato.
(Për shpjegim të procesit se si bëhen ligjet në Kosovë, lexoni kutinë e verdhë në fund të këtij artikulli).
Përse OJQ-të lobuan te Presidenti që të mos nënshkruhet ligji, kur disa prej tyre kishin qenë të përfshira në hartimin e tij në fillim?
Problemi është që projektligji i aprovuar për herë të dytë në nëntor, përmbante 36 amendamente shtesë për dallim prej versionit origjinal. Amendamentet ishin shtuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Shumë organizata të shoqërisë civile thonë që këto amendamente ishin futur pa konsultime apo njoftime të duhura procedurale.
Ekspertë nga OJQ-të kosovare, kishin qenë aktivisht të përfshirë në procesin për bërjen e ligjit të ri, kështu që natyrshëm ishin shqetësuar kur kishin parë që ligji të cilin e kishin bërë bashkë me ekspertë të tjerë ndërkombëtarë, ishte “mbushur” me shumë amendamente, të cilët vlerësohen që e kanë bërë ligjin më jofunksional dhe vështirë të zbatueshëm — madje në disa pjesë edhe të rrezikshëm.
" Është bërë njëfarë kontrabandimi i amendamenteve që e kanë ndërru komplet ligjin nga versioni që ka ardhur prej qeverisë".
Dren Puka, KCSF
Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile (KCSF), me mbështetjen e 77 organizatave të tjera, i shprehu shqetësimet te Zyra e Presidentit përmes një letre dërguar më 15 nëntor, pak ditë pasi ligji tashmë kishte kaluar për herë të dytë në Kuvend. Dren Puka nga KCSF, thotë që deputetët të cilët votuan në favor të miratimit të ligjit për herë të dytë në nëntor, mund të kishin qenë të painformuar si duhet për problemet që krijojnë amendamentet shtesë, të përfshira në minutën e fundit.
“Mund të themi që është bërë njëfarë kontrabandimi i amendamenteve që e kanë ndërru komplet ligjin nga versioni që ka ardhur prej qeverisë”, thotë Puka.
Po tingëllon se diçka është bërë tinëzisht. Çfarë ka në ato amendamente që po i shqetësojnë kaq shumë organizatat joqeveritare?
Ankesa nga OJQ-të drejtuar Presidentit, përfshinte edhe një analizë të detajuar ligjore për amendamentet shtesë. Aty thuhet që disa prej amendamenteve përmbajnë më shumë problematikë të natyrës gjuhësore dhe teknike, ndërkohë që disa të tjerë janë thellësisht problematike.
Megjithëse kanë vërejtje dhe shqetësime për shumë amendamente, theksi vihet në veçanti te “shkatërrimi i parimit jo për përfitim” dhe “mundësisë që u jepet institucioneve që të mbyllin në mënyrë arbitrare cilëndo OJQ”.
Kjo po tingëllon shumë serioze! Le t’i marrim gjërat me radhë…
Amendamenti 31 prek Nenin 41.2, që rregullon atë se kush mund të trashëgojë asetet e një OJQ-je që mbyllet; fjalisë “ndonjë OJQ-je tjetër të regjistruar në Republikën e Kosovës” ia shton frazën “ose institucioneve”.
Organizatat kanë paralajmëruar që dyfjalëshi “ose institucioneve” krijon hapësirë të madhe për interpretime të ndryshme dhe si pasojë mund t’ua mundësojë OJQ-ve që të transferojnë pasurinë tek çdo subjekti që konsiderohet institucion publik apo privat.
Kjo do të thotë që një OJQ e cila në çfarëdo mënyre ka grumbulluar para ose pasuri të natyrës tjetër, mund të transferojë lehtësisht paratë te çdo institucion — duke përfshirë ato private — vetëm përmes një vendimi nga anëtarët apo bordi i drejtorëve.
Shqetësimi është që kjo gjë del kundër parimit bazik që thotë se OJQ-të nuk punojnë për të përfituar, por për të realizuar qëllimet ose misionet në funksion të së mirës së përgjithshme publike.
Si do të dukej kjo në praktikë? Tek kush do të ndikonte më së shumti?
Organizatat e shoqërisë civile kanë tërhequr vërejtjen që problemi kryesor qëndron në faktin që një numër i organizatave që funksionojnë si institucione mikrofinanciare janë të regjistruara zyrtarisht si OJQ.
Institucionet mikrofinanciare janë “banka të vogla”, të cilat lulëzuan pas luftës në Kosovë duke përdorur kryesisht donacione nga jashtë në tentimin për të dhënë fonde përmes kredive të vogla me kamata të ulëta. Megjithatë, në praktikë shpesh ka ndodhur pikërisht e kundërta.
Ky ndryshim në ligj do t'ua lejonte institucioneve mikrofinanciare që të transferojnë ligjshëm paratë nga llogaritë e tyre në "institucione" të tjera, duke përfshirë ato private.
Puka thotë që huatë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare arritën vlera të larta të interesit, madje deri në 40 përqind dhe përgjatë viteve, këto institucione kanë mundur të grumbullojnë shuma të mëdha parash përmes kredive të cilat i kthenin qytetarët. KCSF-ja ka përllogaritur që shuma totale që posedojnë institucionet financiare të regjistruara zyrtarisht si OJQ është rreth 160 milionë euro.
Deri më tash, këto para që janë në pronësi të organizatave të regjistruara si OJQ nuk kanë mundur të përdoren për përfitim personal apo të çfarëdo natyre tjetër. Por, ky ndryshim në ligj do t’ua lejonte institucioneve mikrofinanciare që të transferojnë ligjshëm paratë nga llogaritë e tyre në “institucione” të tjera, duke përfshirë ato private.
“Nëse këta amendamente miratohen, çdo OJQ mund të bëjë debakël të paparë me pronat e tyre dhe krejt do të ishte e ligjshme”, thotë Puka. “Projektligji i ri lë shumë hapësirë për keqpërdorime dhe jo vetëm për institucione mikrofinanciare, por dëmton edhe tërë sektorin sepse ua mundëson OJQ-ve që të keqpërdorin pasurinë e tyre”.
Puka shpjegon që Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim për këtë çështje bazuar në principet e njëjta. Më 2013, Gjykata Kushtetuese nuk kishte lejuar transferimin e veprimtarisë së institucioneve mikrofinanciare të regjistruara si OJQ në shoqëri aksionare.
Krejt kjo duket si recetë për korrupsion! Si shpjegohet shqetësimi i dytë — t’i lejohet qeverisë t’i mbyllë OJQ-të nuk duket shumë demokratike…
Kjo lidhet me amendamentin 30 që prek Nenin 41.1.2. Në këtë amendament, termi “paaftësi për të paguar” është zëvendësuar me termin “joaktiv”, që përbën bazë për të mbyllur një OJQ.
Paaftësia paguese është pamundësia e një organizate për të kryer pagesat e nevojshme — pra ka tërësisht karakter financiar. Në sistemin gjyqësor të Kosovës, kjo është e definuar qartë në Ligjin për Falimentimin si “procedura e falimentimit në të cilën nuk ka asete të mjaftueshme për të paguar në tërësi të gjitha shpenzimet administrative dhe kërkesat prioritare”.
Në anën tjetër, fjala “joaktiv” ka domethënie krejtësisht tjetër dhe mund të interpretohet në shumë mënyra, duke lënë kështu hapësirë të madhe që institucionet publike të mbyllin secilën organizatë në mënyrë arbitrare, madje edhe pa vendim të gjykatës.
Analiza e shoqërisë civile drejtuar Presidentit argumenton që kjo pjesë jep mundësi për “vendime arbitrare” dhe del kundër të drejtës kushtetuese për asociim. Madje, një normë e tillë do të ishte e pazbatueshme pasi që nuk ka bazë se si të matet nëse një organizatë është aktive apo jo.
Duket që kjo lë shumë fuqi në duart e shtetit, sidomos pasi shumë nga këto organizata përmes punës së tyre kërkojnë përgjegjësi nga institucionet shtetërore. Çfarë amendamente po kërkojnë OJQ-të që të përfshihen në ligj?
Esencialisht, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që të miratohet ligji në versionin që ishte aprovuar nga Qeveria, pra projektligji pa 36 amendamentet që ishin shtuar nga Komisioni për Administratë. Ata thonë që ai version do ta bënte Kosovën me një ligj shumë progresiv dhe në përputhje me standardet evropiane.
Organizatat po udhëzojnë deputetët që të mbështesin amendamentet e dërguara në Kuvend përmes Presidentit, të cilët kundërshtojnë 36 amendamentet të cilat shihen si shumë të dëmshme.
A duhet të presim një ndryshim të votës, duke marrë parasysh që ishin po këta deputetë që votuan në favor të amendamenteve problematike në leximin e dytë të projektligjit në nëntor?
Që kur ligji kaloi në Kuvend për herë të dytë, përfaqësuesit e OJQ-ve kanë mbajtur një numër takimesh me deputetët dhe grupet e ndryshme parlamentare, duke tentuar që t’u japin sa më shumë informacione për versionin e ligjit që u votua në Kuvend në nëntor.
Pasi Presidenti e ktheu projektligjin në Kuvend, Komisioni për Administratë mbajti një mbledhje më 12 dhjetor, në të cilën shqyrtoi sërish projektligjin. Megjithë amendamentet e dërguara nga Presidenti që ishin marrë nga shoqëria civile, Komisioni sërish votoi që amendamentet problematike të mbeten në ligj, edhe pse Presidenti dhe OJQ-të thonë që ato bien në kundërshtim me Kushtetutën.
Pas mbledhjes së Komisionit, KCSF nxori një njoftim ku thuhej që gjatë takimit disa prej deputetëve, në veçanti kryetari i Komisionit, Nait Hasani, përdori fjalë fyese, argumente gjysmake dhe manipuloi faktet para anëtarëve që përfaqësonin shoqërinë civile në takim.
OJQ-të janë të shqetësuara që sapo ligji të hyjë në fuqi, miliona euro do të transferoheshin menjëherë nga institucionet mikrofinanciare të regjistruara si OJQ në duar private brenda pak orësh.
Përkundër faktit që disa deputetë të Komisionit argumentuan që disa dispozita të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe që kundërshtimet e shoqërisë civile janë të bazuara, kërkesat e OJQ-ve u hodhën poshtë me pesë vota kundër, katër për dhe një abstenim.
Votat kundër erdhën nga Nait Hasani (PDK), Milaim Zeka (NISMA), Adem Mikullovci (LVV), Imet Rrahmani (LDK) dhe Albert Kinolli (6+), ndërsa në favor të rekomandimeve të Presidentit ishin Xhevahire Izmaku (PDK), Rasim Selmanaj (AAK), Arban Abrashi (LDK) dhe Shqipe Pantina (PSD). Valon Ramadani (LVV) abstenoi, ndërsa Jasmine Živković (Lista Srpska) mungoi në mbledhje.
Fushata informuese e bërë nga OJQ-të ka vazhduar që atëherë përmes takimeve të ndryshme, por organizatat e shoqërisë civile ende janë të shqetësuara që amendamentet e dëmshme mund të miratohen në seancë plenare në Kuvend.
Kur do të votojnë deputetët këtë ligj?
Lexim i tretë dhe përfundimtar i këtij ligji po mbahet këtë javë. Debati parlamentar ishte mbajtur në seancën plenare të Kuvendit të mërkurën (30 janar), mirëpo nuk kishte mjaftueshëm deputetë në sallë për votim. Kuvendi do të mbajë seancën e radhës të shtunën, më 2 shkurt, por disa pika të tjera të rendit të ditës janë para ligjit për OJQ-të.
Cfarë ndodh nëse projektligji me amendamentet e diskutueshme miratohet përfundimisht nga deputetët?
Nëse miratohet në Kuvend për herë të tretë, ligji nuk mund të dërgohet më për miratim te Presidenti, por do të hynte në fuqi pas 14 ditësh.
KCSF dhe organizatat e tjera mbështetëse të kësaj iniciative kanë bërë të ditur që para se ligji të hyjë në fuqi, pra brenda dy javësh, ata do të tentojnë që të prezantojnë argumente të mjaftueshme dhe të dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese përmes Avokatit të Popullit. Gjykatës Kushtetuese do t’i kërkohej që të vendoset një masë e përkohshme në mënyrë që të mos lejohet transferimi i parave nga institucionet mikrofinanciare të regjistruara si OJQ, ndërkohë që shpenzohen të gjitha rrugët ligjore për të parandaluar këtë veprim.
Nëse kjo nuk mund të bëhet, OJQ-të janë të shqetësuara që sapo ligji të hyjë në fuqi, miliona euro do të transferoheshin menjëherë nga institucionet mikrofinanciare të regjistruara si OJQ në duar private brenda pak orësh.K
Si bëhet një ligj i ri
Çdokush që mund të propozojë ligj të ri duhet fillimisht ta hartojë një draft. Entitetet që kanë të drejtë ta bëjnë këtë janë Zyra e Presidentit, qeveria, komisionet parlamentare, grupet parlamentare, një grup me së paku gjashtë deputetë nga çdo parti politike, ose një grupim me më shumë se 10 mijë qytetarë.
Pasi propozuesi e dërgon draft-ligjin — të shkruar në shqip, serbisht dhe anglisht — në Kuvend, një komision përgjegjës caktohet nga Kryesia për ta shqyrtuar. Pastaj projektligji dërgohet për votim në parim në një seancë plenare të Kuvendit dhe nëse kalon, u dërgohet komisioneve të ndryshme parlamentare të cilët shqyrtojnë projektligjin nen për nen.
Shqyrtimi kryesor i një ligji në Kuvend bëhet në lexim të dytë, pasi komisionet ta kenë përfunduar shqyrtimin e të gjitha neneve. Nëse nuk merr votat e nevojshme në seancë plenare, zakonisht të shumicës së thjeshtë, projektligji mund të dërgohet për shqyrtim të tretë nga komisionet relevante — gjë që ndodh rrallë. Nëse kalon këtë fazë dhe miratohet sërish në Kuvend për herë të tretë, ligji dërgohet për nënshkrim nga Presidenti.
Pasi ta pranojë ligjin e miratuar nga Kuvendi, Zyra e Presidentit ka për detyrë që të sigurohet që të gjitha nenet janë në përputhje me dispozitat dhe frymën kushtetuese. Nëse është kështu, pas nënshkrimit nga Presidenti, dokumenti bëhet zyrtarisht ligj pas 14 ditësh me publikimin në Gazetën Zyrtare.
Nëse Presidenti vlerëson që ligji apo disa pjesë të tij bien ndesh me parimet ose nenet e Kushtetutës, ligji mund të kthehet prapa në Kuvend. Në këtë rast, komisionet relevante e marrin sërish në shqyrtim ligjin para se ta dërgojnë për një lexim të tretë në një seancë plenare.
Nëse ligji votohet pozitivisht në seancë plenare për herë të tretë, kësaj radhe drafti nuk i dërgohet më Presidentit, por bëhet automatikisht ligj pas 14 ditësh.
Foto kryesore: Creative Commons License.
*Shënim i Redaktorit: Vazhdimi i seancës së Kuvendit në të cilën u planifikua të votohet projektligji është shtyer për 11 prill.