Blogbox | Luftë

Baba, më duhet të urinoj

Nga - 14.11.2023

Nga përmbledhja “Momenti kur filloi lufta për mua”.

Nuk e nxjerr as edhe një zë, as edhe kur fshikëza t’i ngjan një tullumbaceje plot me ujë. Je i rrethuar nga burra shtatmëdhenj që vazhdimisht flasin. Tre nga ata janë pranë teje, një është përpara. Kundërmojnë në deodorantin me të cilin tezja jote e palëvizshme i dëbon macet. Nuk mund të përfshihesh në bisedë, sepse babai yt është shofer, ndërsa shoferi është kryesori. Krahas kësaj, para nisjes të ka thënë që të mos shtrosh pyetje dhe të mos japësh përgjigje që përfshijnë më shumë se një fjalë. Bota jote është tkurrur deri në atë masë saqë në të zënë vend vetëm urdhërat e babait. Përveç kësaj, vitet nuk të lejojnë që të kuptosh deri në fund për çfarë ata flasin. Kjo për ty as që ka rëndësi, sepse je tepër i ngarkuar me fshikëzën e fryrë. Shikon nga dritarja dhe përfytyron tek e zbraz rezervuarin nga uji i valë, i verdhë e i ndenjur. Pyet veten kur do vijë ai çast që të ndaloni. Por, vetëm kaloni me vrull midis livadhesh bosh. Në pjesë të izoluara janë mbjellë perime, hasni shtëpi të rralluara, të ngritura në më shumë kate. Pemët kalojnë nxitimthi dhe e ndëpresin imazhin për pak kohë. Përsëri livadhet, përsëri shtëpitë. 

Nuk sheh asgjë të pazakontë, diçka që ta përkujton luftën, përveç një letargjie të përgjithshme që mbulon çdo fshat nëpër të cilin ke kaluar gjatë jetës tënde. Pastaj shfaqet një objekt i madh montazhi nga alubondi, si të jetë ndërtuar gabimisht në atë vend ose të jetë zbritur nga gjithësia. Ndonjëherë shfaqen edhe njerëz. Përgjojnë nga çarjet dhe me shikim i përcjellin makinat që kalojnë. E dinë që do të zbrisni nga rruga nëse keni nevojë për ta. Sinqerisht, nuk të pëlqen ai ambient, nuk të pëlqejnë shokët e babait, të cilët të shtypin me pafytyrësi tek flasin. Vë re diçka rrëqethëse në zërat e tyre të vrazhdë. Megjithatë, ndjehesh më i sigurt tek vozitesh me babain dhe teksa mendimet t’i ndrydh ai ujë i ndenjur në fund të barkut. Ia lë babait që të ketë frikë për ty. Megjithëse, babai nuk ka frikë. Sepse i ngjan një fajkoi të urtë, symprehtë, me kthetrat rreth timonit. Të gjithë e dëgjojnë, sepse e ka fjalën kryesore. Jo vetëm për shkak të pronësisë mbi timonin. Ai është edhe kontraktor i tregtisë me makina. Nuk jeni të vetmit njerëz nga Mali i Zi që bleni makina nga vendi që e ka pësuar një luftë. Për ty lufta as që ka filluar, e tashmë ke dëgjuar që ajo ka marrë fund. Vetëm një herë bën zë se duhet të urinosh. Kjo është e gjitha që thua gjatë udhëtimit. Ato pesë fjalë. Baba, më duhet të urinoj. Pastaj pllakos një çast heshtjeje të plotë dhe pret që të dilni nga kthesat. Kur dilni në çelnajë, babai frenon pa fjalë dhe të tërheq vërejtjen që të mos e kalosh bankinën. Ke një dëshirë të papërmbajtshme që t’i shikosh minat nga afër, të paktën vendin ku janë groposur, por asnjëherë as që i afrohesh bankinës. Urinon në magjistrale, nën tension mos kalon atypari ndonjë makinë. Shpreson të mos shfaqet kurrë. Babai i bie burisë të ta bëjë me dije që të nxitosh. Ky është babai yt, figurë e ngrysur pas timonit. Komunikon me shikim dhe tinguj që i ka në dispozicion në afërsinë e përbashkët. I mbyll të dy sytë, sepse currili shkon më shpejt, dhe me terrin e zgjat vetminë. Derisa më në fund të mos ia behë një tingull. Nuk i hap sytë. Gumëzhima e motorit rritet, pastaj e dëgjon përplasjen e dyerve. E di se do të detyrohesh ta heshtësh justifikimin tënd para rrëkesë së sulmeve. Policët e marrin në pyetje babain, ndërsa ty as që të vënë re fare. Je tepër i ri për të thënë çfarëdo gjëje të rëndësishme. Prezantohen si uniforma blu qëllimmirë që do t’ju çojnë deri te tregu, edhe pse e dinë se rrugën e keni të njohur tepër mirë. Pastaj dashamirësinë e tyre e arkëtojnë me marka metalike.

Tregu është i pafund, me biliona makina të parkuara përreth të cilave përbirohen njerëzit si nepërka. Të dhemb barku sepse nuk e ke zbrazur fshikëzën deri në fund, por babai hesht. Nga syri i hirtë i dalin shkëndija. Ia ke hequr disa marka prej xhepit. E përcjell dhe i skanon reagimet. Përpiqesh të kuptosh si bëhet tregtia kur të rrethojnë hienat. E tund kokën kur edhe ai e tund. E dëshmon lidhjen tuaj të gjakut me veprime të kopjuara. Babai ta përkëdhel shpinën, sepse je djalë i mirë, sepse ke mësuar të heshtësh, sepse bën gjithçka ashtu si do ai. Tani edhe makinat i blen me të. Ato do të jenë edhe makinat tua, edhe pse nuk mund të dalësh nga ato kur ti do. Por edhe ti dikur do të bëhesh baba dhe do të thuash që kishte të drejtë. Ecni nëpër grumbullin plot hekurishte, si të ishit në palcën e një përplasjeje të madhe, në kulmin e anekdotës për shpërbërjen e botës. Në atë kaos në dukje të parrugëdalje, arrini rastësisht te kafeneja me tendën e shpartalluar të bërë nga pjesë të trafikës. Quhet Kopshti Veror. Ti i njeh kopshtet tjetërfare. Nga monologu i shkurtër i babait mëson se kafeneja nuk ka tualet, por shfaqen ca njerëz dhe të çojnë në vendin ku zbrazen zorrët. U je ekspozuar shikimeve që lëshohen deri te pikëpjekja midis këmbëve tua. Je i shtangur si një statujë guri. Nën zë e komentojnë lafshën në penisin tënd. Shtangesh si dy statuja prej guri. Pastaj shpërthejnë në gaz dhe t’i rrahin krahët.

Kthehesh dhe e shikon babain të rrethuar nga shokët e tij. Me britma ua urojnë mirëseardhjen njerëzve që vijnë nga vise të largëta. Ata janë pjesërisht më të shumtë në numër, në fytyra u rri diçka që e përfytyron se do të mund të ishte përbuzje. Megjithatë, të duket se kanë një qëndrim miqësor ndaj jush. Tregtinë me makina ilagale e kishe imagjinuar ndryshe. Territorin që e kishte shkretuar lufta e përjetoje ndryshe. Nuk e di saktësisht si, por supozimi qe larg nga buzëqeshjet e shtirura, shtrëngimit të fortë të duarve dhe shkëmbimit të parave nën dorë. Shkoni me ta në një çeltinë ku ju presin katër makina të mbuluara me mushama. Kur shfaqen shenjat, të vjen mirë që në muajt e ardhshëm do të vozitesh në audi. Të gjithë në shkollë do të të respektojnë edhe më shumë. Vazhdojnë të të mos kushtojnë vëmendje, si të ishe nje hardhucë që rrezitet në gur. Por, kjo nuk të intereson. Babai yt vërtet e di çfarë është puna. Je krenar që ndodhesh afër tyre dhe që pikërisht babait tënd i drejtohen me respekt të thellë. I tillë do të jesh edhe ti, sapo të rritesh. Shtrëngimi i duarve është ende në fuqi. E ke të qartë se puna është kryer. Shokët zënë vendet e tyre, secili nga ata futet në një makinë dhe largohen nga kanë ardhur. E shikoni tymin të ngritet prapa furive të zeza. Punëdhënësit thonë ta pini nga një para se të largoheni, ta përmbyllni punën deri në fund. Ktheheni në kopshtin veror, por miqtë propozojnë që të ecni pak më tutje. Beson se kjo është një përmbledhje rregullash që duhet çuar deri në fund. Njëri nga burrat, ai me shikimin më të errët e nxjerr një tufë me fotografi. Nuk sheh asgjë në to, por ndryshimi i shprehjes së fytyrës të babait të thotë se diçka me rëndësi po ndodh në atë moment. Mos e ngadalësoni ecjen, vetëm vazhdoni në heshtje. Kopshti veror dhe tregu i hekurishteve tani janë larg nga ne. Babai atëbotë për herë të parë e thotë që ti je i biri i tij dhe që e ke edhe një vëlla dhe dy motra. Njerëzit vazhdojnë të të mos shohin, vetëm të mënjanojnë dhe të tregojnë të presësh aty, në bregoren me bimësi të lartë. Shikon si largohen prej teje teksa një bullungë nga stomaku të ngjitet drejt grykës. E shikon tek e rrethojnë babain saqë mezi e shquan kokën e tij. Buzët i dridhen teksa me lëvizjet e duarve përpiqet të shpjegojë diçka. Syrin e ka të lagësht, dhe e ndjen frikën e tij. Së shpejti, frika të kaplon edhe ty, sepse e dëshmon lidhjen tuaj të gjakut. Qëndron i shtangur si një kallam dhe beson se ashtu zhvillohet tregtia. Asnjeri nuk flet asgjë. Dëshiron ta braktisësh atë vend të qirë. Dëshiron ta braktisësh planetin, po nuk e di si. Është e vështirë ta bësh hapin e parë. Pasi e bën këtë, vija e dhembjes ta çan barkun. Ai me shikimin e errët e godet me shpullë babain. Pastaj, këtë e bëjnë edhe të tjerët. Dhe ai është në tokë. E përcjell trajektoren e babait, ecjen e pacak këmbadoras për disa metra, teksa shuajt ia shtyjnë kokën drejt truallit. Dëshiron te ndjesh dhembjen e babait, por nuk funksionon. Atëbotë e godasin më fort, për aq kohë sa ai me shikimin e errët nuk pëshurret mbi të. E shikon currilin e tij tek shuhet dhe ndjehesh i lehtësuar. Të kalojnë pranë dhe të falënderojnë për punën e kryer me sukses.

Voziteni në heshtje. Terri është kapur poshtë majave të bjeshkëve. Voziteni ngadalë. Ato livadhe dhe shtëpi pranë të cilave keni kaluar me shpejtësi sot, tani shihen më qartë. Në fasadat e shtëpive i vë re vendet ku kanë përfunduar gelerët. Mund t’i numërosh vrimat. Nga të çarat më nuk nxjerr kokën njeri. Era fërshëllen dhe e anon lehtë pjesën e përparme të makinës. Dëshiron ta pyesësh babain për shumë gjëra, por as atëherë nuk nxjerr zë. Babait nuk i pëlqen kur i shtrojnë shumë pyetje, ndërsa pritjet për shpjegimin e tij i shtyn për një jetë tjetër. Të shikon shkurt në retrovizor dhe përpiqet ta imponojë pamjen e një skifteri që nuk ekziston më. Mendimet i zhvendos te makina gjermane, te qindra kuaj fuqi mbi të cilat së shpejti do të kalërosh sa më larg nga telashet. Nuk arrite të shikosh nëse makina ishte e pajisur me ulëset prej lëkure dhe me ngritëset elektronike  të xhamave. Edhe pa to do të jesh tipi kryesor në shkollë dhe të gjithë do shikojnë gjatë drejt teje tek të sjellin në shkollë. Edhe një herë rrugës për në shtëpi do të mendosh çfarë kishte në ato fotografi dhe çfarë kishte bërë babai yt. Pastaj do të ndalosh. Atij do t’i dalë përsëri një sqep i mprehtë dhe do t’i shtrijë krahët e rikuperuar. Pastaj do të përgjojë e përgjojë, gjithnjë derisa të mos bjerë me elegancë nga shkrepi për ta rrëmbyer atë që ka mbetur nga bota.

 

Imazhi i ballinës: Anka Arsenić

Ky rrëfim është shkëputur nga “Momenti kur filloi lufta për mua”, që është përmbledhje e rrëfimeve të shkurtra, fillimisht të botuara në serbisht, kroatisht dhe boshnjakisht, që të kontribuojnë në një kulturë më gjithpërfshirëse të të kujtuarit. Rrëfimet janë shkruar nga autorë/e të shquar nga vendet e ish-Jugosllavisë, të cilët/at i përgjigjen pyetjes së thjeshtë të kujtimeve të tyre në vitet e trazuara gjatë të të ‘90-ave. Përkthimi në shqip përfshin tri rrëfime të shkrimtarëve/eve nga Kosova dhe është botuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe forumZFD në Serbi. Redaktorët/et janë Vladimir Arsenić, Ana Pejović dhe Anton Berishaj.

  • PËR AUTORIN/EN Stefan Bošković
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO