Përgjatë shtatë viteve të fundit, Dejana Stosic, 26-vjeçare, banon me qira në kryeqytetin e Serbisë, pasi u zhvendos nga një qytet i vogël në jug të vendit. Sostic së fundmi u punësua në një punë me pagë më të lartë, si koordinatore në një kompani private në Beograd, megjithatë kostoja e jetesës për të vazhdon të mbetet e lartë dhe, pavarësisht kësaj, ajo nuk planifikon ta lirojë banesën në të cilën jeton aktualisht.
“Më merr një orë e gjysmë që të shkoj në punë, por nuk e përballoj dot të zhvendosem më afër zyrës, e cila ndodhet në njërën nga lagjet më të shtrenjta të Beogradit”, tha ajo. “Prej disa vitesh, më shumë se gjysma e pagës më shkon për faturat dhe qiranë”.
Para disa vitesh, Ministria e Hapësirës, një organizatë joqeveritare me bazë në Beograd, me specializim në zhvillimin urban, krijoi një hartë me burim të hapur, e cila mbledh njoftime për qiradhënie dhe shitje në tregun e Beogradit dhe i krahason me pagat mesatare dhe mediane. Në një situatë të ngjashme me atë të Stosic janë edhe shumë të tjerë. Në shumicën e pjesëve të Beogradit, harta aktualisht paraqitet me ngjyrë të kuqe, që nënkupton se banimi është larg të qenit i përballueshëm.
Stosic u shpreh se tash e një kohë ëndërron ta blejë një banesë të veten.
Së fundmi, Qeveria e Serbisë prezantoi një skemë të huadhënies për qytetarët e moshës nga 20 deri në 35 vjeç, që planifikojnë të blejnë pronë për herë të parë. Teksa parapagimi është vetëm një për qind, për t’u kualifikuar në fillim një qytetari i nevojitej një kontratë afatgjate, ndërsa për të papunët kërkohej një garantues. Pas pati shumë pakënaqësi, Qeveria e Serbisë e ndryshoi ligjin në maj, duke lejuar që edhe ata me kontrata të përkohshme të aplikojnë me të njëjtat kushte si të papunët, pra me një garantues. Ky ndryshim i ligjit tani ia mundëson Stosic t’i plotësojë kriteret për këtë skemë, duke tejkaluar pengesën që paraqiste mungesa e kontratës afatgjate.
Aktualisht, sipas Numbeo, një bazë të dhënash me burim të hapur, që ofron të dhëna lidhur me koston e jetesës në mbarë botën, marrja me qira e një banese me një dhomë gjumi në qendër të Beogradit sillet nga 600 deri në 1.200 euro. Në periferi të kryeqytetit serb, çmimet për një banesë me një dhomë gjumi, sillen nga 300 deri në 650 euro. Në këto shifra nuk përfshihen kostot e shpenzimeve mujore të faturave.
Eurostat e përkufizon banimin e përballueshëm si kosto e banimit që nuk e kalon 40% e të ardhurave të disponueshme të një familjeje. Sipas Marko Aksentijevic, nga Ministria e Hapësirës, kjo përfshin koston e qirasë apo këstin e kredisë hipotekare dhe faturat mujore.
Paga mesatare në dhjetor të vitit 2024 ishte 837 euro, sipas Entit Statistikor të Serbisë. Megjithatë, shumë punëtorë fitojnë më pak. Një pasqyrim më i saktë i të ardhurave tipike është paga mediane, pika e mesme në shpërndarjen e pagave, një shifër që tregon të ardhurat mesatare dhe thekson pabarazinë ekonomike. Në dhjetor të vitit 2024, paga mediane në Serbi ishte 677.60 euro.
“Kjo nënkupton se një familje prej tre anëtarësh, me dy paga mediane në Beograd, mund të shpenzojë deri në 400 euro për qira dhe fatura, pa qenë barrë financiare”, tha Aksentijevic. Megjithatë, banesat që aktualisht ofrohen me këtë çmim apo më pak në kryeqytetin serb janë “kryesisht garsoniere”, shton ai. “Ata detyrohen të zgjedhin mes banimit në një hapësirë të ngushtë apo të paguajnë më shumë sesa mund ta përballojnë. Situata është shqetësuese”.
Aksentijevic shpjegon se shumica e njerëzve që punojnë në sektorin civil, arsim dhe në industritë e shërbimit, ku pagat shpesh janë nën mesatare, nuk mund ta përballojnë të jetojnë afër vendeve të tyre të punës.

Ministria e Hapësirës, një organizatë joqeveritare me bazë në Beograd, me specializim në zhvillimin urban, krijoi një hartë me burim të hapur, e cila mbledh njoftime për qiradhënie dhe shitje në tregun e Beogradit dhe i krahason me pagat mesatare dhe mediane.
Pandemia COVID-19, e ndjekur nga lufta në Ukrainë, ka rritur ndjeshëm koston e jetesës dhe ka përkeqësuar krizën e vazhdueshme të banimit në Evropë.
“Çmimet e qirasë në Beograd u rritën ndjeshëm në vitin 2022, duke shënuar një rritje deri në 50% për më pak se një vit. Kjo rritje u shkaktua kryesisht nga ardhja e mijëra qytetarëve rusë, të cilët u larguan nga vendi i tyre pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më shumë se tre vite më parë”, tha për K2.0 agjencia City Expert, njëra nga më të mëdhatë në tregun e patundshmërive në Serbi. Pas kësaj rritjeje të menjëhershme, çmimet ranë gradualisht gjatë dy viteve në vijim: rreth 20% në vitin 2023 dhe edhe 10% të tjera në vitin 2024.

Në shumicën e pjesëve të Beogradit, banimi është larg të qenit i përballueshëm. Fotografia: WikiCommons.
Me rritjen e çmimeve të banesave dhe qirave, banimi po bëhet një barrë gjithnjë e më e rëndë financiare në të gjithë Ballkanin Perëndimor, një rajon që ka përjetuar disa nga rritjet më të mëdha të çmimeve në Evropë gjatë pesë viteve të fundit.
Në qytete si Beogradi, Tirana dhe Prishtina, kostoja e qirasë, së bashku me koston shpenzimeve mujore, po i afrohet, madje edhe po e tejkalon, pagën mesatare mujore. Hendeku në rritje mes kërkesës dhe ofertës vazhdon të nxisë rritjen e çmimeve të pronave të paluajtshme dhe qirave, duke e bërë banimin gjithnjë e më të papërballueshëm, sidomos për të rinjtë dhe për ata që janë pjesë e grupeve të cenueshme socio-ekonomike.

Viteve të fundit, Prishtina ka përjetuar zgjerim të pakontrolluar urban. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Kosovarët po shpërngulen drejt zonave urbane të papërballueshme
Viti i kaluar shënoi një moment të rëndësishëm në zhvillimin urban të Kosovës. Për herë të parë, shumica e popullsisë, apo 50.2%, jetonin në zona urbane, krahasuar me vetëm 38% në vitin 2011, sipas të dhënave të UN-Habitat, programi i Kombeve të Bashkuara për vendbanimet njerëzore dhe zhvillim urban të qëndrueshëm.
“Kjo përfaqëson ndryshim të madh drejt jetesës urbane dhe pasqyron ndryshime më të gjera socio-ekonomike që po ndodhin në të gjithë vendin”, tha për K2.0 Besnike Koçani, këshilltare për planifikim hapësinor dhe urban në UN-Habitat.
Lufta e viteve 1998–1999 në Kosovë pati ndikim të madh në qasshmërinë në banim. Sipas Koçanit, 40% e shtëpive u shkatërruan apo u dëmtuan rëndë. Si pasojë, një pjesë e madhe e popullsisë rurale u shpërngul në qytete në kërkim të strehimit.
“Si rezultat, peizazhi i banimit përjetoi një rritje të madhe të ndërtimit pa leje, veçanërisht gjatë fillimit të viteve 2000. Kjo ndodhi kryesisht për shkak të mbikëqyrjes së dobët institucionale dhe mungesës së planifikimit hapësinor”, tha Koçani.
Zonat urbane të Kosovës u mbingarkuan, duke u mbizotëruar nga ndërtesa shumëkatëshe, të cilat shpesh u ndërtuan pa shqyrtuar kapacitetin infrastrukturor apo rregullat e planifikimit urban. Kjo çoi në një zgjerim të pakontrolluar urban, në rritjen e presionit për shërbimet publike dhe thellimin e pabarazive zhvillimore mes komunave. Disa zona, veçanërisht Prishtina, kanë përjetuar një tjetër bum ndërtimi viteve të fundit. Sipas të dhënave që UN-Habitat i ndau me K2.0, numri i përgjithshëm i njësive të banimit është rritur për 41.3%, nga 412.000 në vitin 2011, në 583.000 në vitin 2024. Njëkohësisht, numri i shtëpive dhe banesave të pabanuara pothuajse është dyfishuar, duke u rritur nga 99.808 në vitin 2011 në 182.849 në vitin 2024.

Prishtina po përjeton një bum ndërtimi, që karakterizohet nga ndërtesa shumëkatëshe, të cilat shpesh ndërtohen pa marrë në konsideratë kapacitetin e infrastrukturës apo rregullat e planifikimit urban. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.
Kjo rritje e numrit të banesave të pabanuara lidhet ngushtë me diasporën e madhe që ka Kosova, me qindra mijëra qytetarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, veçanërisht në Evropën Perëndimore. Shumica e diasporës investojnë në patundshmëri në vendlindje, si planifikim për pension në të ardhmen, formë e sigurisë financiare, apo si kontribut në trashëgiminë e familjes. Megjithatë, këto prona shpesh mbesin të pabanuara për pjesën më të madhe të vitit, pasi pronarët e tyre i shfrytëzojnë vetëm gjatë pushimeve apo vizitave gjatë verës. Ndërkohë që ky lloj investimi nxit aktivitetin ndërtues, ai po ashtu çrregullon tregun e banesave, duke zvogëluar qasshmërinë në banim dhe duke ndikuar në rritjen e çmimit të pronave.
Sipas të dhënave të Numbeo, marrja me qira e një banese me një dhomë gjumi në Prishtinë kushton nga 225 euro në periferi, e deri mbi 300 euro në qendër të qytetit. Njoftimet për qira në faqet e agjencive si Re/Max Kosova dhe Infinity Property tregojnë se banesat me një dhomë gjumi nën 300 euro janë pothuajse të rralla. Një banesë me tri dhoma gjumi zakonisht kushton mbi 300 euro në periferi dhe mbi 600 euro në zonat qendrore të qytetit.
Një person me pagë mesatare në Kosovë duhet të punojë dy muaj të plotë, pa shpenzuar asgjë tjetër, vetëm për ta përballuar koston e një metri katror të një prone.
Nuk ka të dhëna zyrtare se sa janë rritur çmimet e patundshmërive në Kosovë gjatë viteve të fundit. “Sipas vlerësimit tim, rritja gjatë këtyre viteve ka qenë mes 20 dhe 30%”, tha për K2.0 Driton Tafallari, ekspert i banimit dhe zhvillimit urban. Pasi ka analizuar prirjet e pagës mesatare dhe çmimeve të pronave, Tafallari shpjegon se një person me pagë mesatare në Kosovë duhet të punojë dy muaj të plotë, pa shpenzuar asgjë tjetër, vetëm për ta përballuar koston e një metri katror të një prone.
“Kjo është pothuajse dyfish më shumë sesa koha që i duhet një qytetari të BE të punojë, për ta përballuar blerjen e një metri katror”, tha Tafallari.
Edhe pse mungojnë të dhënat zyrtare, është e qartë se çmimet e patundshmërive në Kosovë janë rritur ndjeshëm. Në vitin 2014, një banesë prej 64 metrash katrorë në “Rrugën B” mund të blihej për 720 euro për metër katror. Sot, çmimi mesatar në të njëjtën lagje tejkalon 1.300 euro për metër katror.
Teksa disponueshëria e banesave në Kosovë është përmirësuar, përballueshmëria mbetet shqetësim i madh, dhe jo i vetmi. Koçani thekson se mungesat në infrastrukturë janë të përhapura, si në zonat me leje ndërtimi, ashtu edhe në ato pa leje ndërtimi, duke përfshirë probleme me ujësjellësin, kanalizimin, rrymën dhe transportin.
Në mesin e vendeve të rajonit, Kosova renditet me pagën mesatare më të ulët, me të ardhura dukshëm nën standardet rajonale. Të dhënat e fundit zyrtare, nga dhjetori i vitit 2024, tregojnë një pagë mesatare neto prej 552 eurosh. Shqipëria renditet mes Beogradit dhe Prishtinës, për sa i përket nivelit të të ardhurave, ku të ardhurat mujore mesatare janë rreth 30% më të ulëta krahasuar me Serbinë dhe 37% më të larta krahasuar me Kosovën.

Ashtu si Prishtina, edhe Tirana po përjeton bum ndërtimi. Fotografi: Atdhe Mulla.
Të jetosh me prindërit nga nevoja, jo nga zgjedhja
Shqipëria po përballet me një krizë të ngjashme banimi, ku qiratë janë rritur ndjeshëm dhe pagat nuk kanë lëvizur, duke e bërë jetesën e pavarur gjithnjë e më të paarritshme për shumë të rinj e të reja. Pavarësisht ndërtimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të shpejtë urban, kostoja e papërballueshme e banimit mbetet pengesa kryesore, veçanërisht në kryeqytet.
Për Emre Berishën, një 25-vjeçar që punon si taksist në Tiranë, kjo nënkupton të jetojë me prindërit në shtëpinë e familjes, si 70% e të rinjve shqiptarë. Teksa përshkon pranë fasadave shumëngjyrëshe të Tiranës, ai ndan pikëpamjen e tij të zymtë: “Nuk e di nëse ndonjëherë do të mund të jetoj i vetëm. Paga ime do të duhej të dyfishohej që kjo të ishte e përballueshme”, tha Berisha.
Marrja me qira e një banese me një dhomë gjumi në Tiranë mund të kushtojë nga 500 deri në 900 euro në muaj, ndërsa një banesë me të njëjtat kushte, jashtë zonave kryesore të kryeqytetit, kushton nga 350 deri në 500 euro, sipas Numbeo. Këto çmime, të cilat nuk përfshijnë shpenzimet mujore të faturave, e tejkalojnë dukshëm pragun prej 40% të të ardhurave mujore që përdoret për ta përkufizuar banimin e përballueshëm.
“Teorikisht, mënyra e vetme që të mos vazhdoj të jetoj me prindërit është të martohem dhe të marr një kredi bankare”, tha Berisha.
Tirana, Prishtina dhe Beogradi janë qendrat ekonomike të vendeve përkatëse, duke tërhequr një numër të madh të rinjsh që zhvendosen atje për të studiuar dhe për mundësi më të mëdha punësimi. Për dallim nga Berisha, shumë prej tyre nuk kanë banesa familjare në këto qendra urbane dhe detyrohen të jetojnë me qira. “Mosposedimi i një banese, bashkë me çmimet e larta, e bën shumë të vështirë jetesën për ta”, tha Teuta Nunaj-Kortoçi, ekonomiste nga Shqipëria.
“Teorikisht, mënyra e vetme që të mos vazhdoj të jetoj me prindërit është të martohem dhe të marr një kredi bankare”, tha Berisha, duke iu referuar barrës që një kredi e tillë i vendos një individi, e cila bëhet më e përballueshme kur ndahet mes dy personash.
Përtej kredive të zakonshme bankare, Berisha ka pak gjasa të përfitojë edhe nga skema e kredive të buta në Shqipëri për çiftet e reja të martuara. Kjo skemë, e nisur në vitin 2018 dhe e rishikuar në vitin 2020, vazhdon të përqendrohet ekskluzivisht në mbështetjen e çifteve, megjithatë është përballur me kritika të shumta për mosefikasitet dhe mbulim të pamjaftueshëm. Në vitin 2025, Bashkia e Tiranës mbështeti rreth 1.200 çifte që të kenë qasje në banimin social. Për t’i përmbushur kriteret, familjet duhet të vërtetojnë se nuk posedojnë pronë banimi apo nëse banesa e tyre aktuale nuk i plotëson standardet minimale.
Kërkesa për këtë skemë është shumë më e lartë se kapaciteti i saj. Mes viteve 2018 dhe 2022, vetëm 2.652 nga 7.645 aplikime janë miratuar — më pak se gjysma, sipas të dhënave zyrtare.

Tirana po zgjerohet me ritëm të shpejtë, por bashkë me të po thellohet edhe kriza e banimit. Fotografia: Atdhe Mulla
Edhe Stosic në Beograd ka një përvojë të ngjashme. “Blerja e një prone ende më duket mision i pamundur. Ndoshta, nëse martohem dhe kam fëmijë, do të mund të kualifikohem për një kredi për çifte”, tha Stosic.
Në Serbi, Parlamenti së fundmi miratoi ndryshime në ligjin për skemat e kredive të subvencionuara për qytetarët e moshës nga 20 deri në 35 vjeç. Pavarësisht statusit të punësimit, blerësit e parë të pronave mund të aplikojnë për kredi të subvencionuara nga shteti deri në 100.000 euro. Depozita minimale është vetëm një për qind, ndërsa afati i kthimit të kredisë mund të arrijë deri në 40 vjet. Pas miratimit të ligjit, pati mijëra aplikime, gjë që bëri që disa ekspertë të ekonomisë ta kritikojnë skemën si të paqëndrueshme.
Ekzistojnë edhe dy lloje të tjera të kredive për banim për çiftet që e kanë të vështirë për të blerë prona, dhe që të dyja përqendrohen te qytetet dhe fshatrat e pazhvilluara. Në vitin 2021, Ministria e Mirëqenies Rurale (MMR), lansoi një skemë të vogël grantesh, duke ofruar 10.000 euro për familjet që dëshirojnë të blejnë shtëpi në zonat rurale. Kjo mundësi është e hapur për personat nën moshën 45 vjeçare, përfshirë çiftet e martuara apo në bashkëjetesë, prindërit e vetëm dhe fermerët e rinj. Aplikantët duhet të jenë qiramarrës dhe të kenë diplomë në mjekësi, farmaci, bujqësi, mjekësi veterinare ose të angazhohen në zeje apo punë të përshtatshme për jetën në fshat.
Në Kosovë, aktualisht nuk ekzistojnë skema të dedikuara posaçërisht për banimin e të rinjve. Megjithatë, në dhjetor të vitit 2024, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për Banimin Social dhe të Përballueshëm. Ky ligj vendos bazat për një strategji kombëtare tetëvjeçare për banimin dhe propozon krijimin e Agjencisë për Banim në Kosovë, e cila do ta mbikëqyrë dhe përqendrojë zbatimin e ligjit. Ligji parashikon nisma për banim të përballueshëm, përfshirë subvencione për blerjen e banesave, me fokus të veçantë te të rinjtë, të cilët përfshihen në mesin e 17 grupeve të identifikuara. Gjithashtu, ligji zgjat përfitimet nga banimi social për ata që nuk mund t’i përballojnë çmimet e tregut, duke kufizuar qiranë në maksimum 30% të të ardhurave familjare. Të rinjtë përfshihen për herë të parë si kategori përfituese, ndonëse ligji ende nuk parashikon masa konkrete për ta.
A mund të ofrojë zgjidhje banimi social?
Në Evropën Perëndimore, banimi social nuk u dedikohet vetëm familjeve me të ardhura të ulëta, por edhe qytetarëve me të ardhura të qëndrueshme, si një mënyrë për t’i ndihmuar të hyjnë në tregun e pronave të paluajtshme. Situata është krejtësisht ndryshe në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. Pavarësisht rritjes së numrit të personave që përballen me vështirësi financiare për të siguruar banim, numri i kufizuar i banesave sociale në këto vende u rezervohet pothuajse ekskluzivisht grupeve më të cenueshme. Edhe në këto raste, listat e pritjes mbeten të gjata.
Në Shqipëri, njësitë e banimit social janë tejet të pakta dhe ndahen kryesisht për familjet në asistencë sociale. Banesat sociale, publike dhe private, përbëjnë vetëm 0.1% të fondit total të banimit, sipas një raporti të vitit 2014 nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën, njëherësh analiza më e fundit e qasshme lidhur me këtë temë. Në Serbi, shteti zotëron vetëm 0.5% të tregut të pronave të paluajtshme, duke i ofruar këto njësi për qira ose për shitje me çmime të subvencionuara.
Ashtu si në Shqipëri dhe Serbi, banimi social në Kosovë synon t’u ofrojë mbështetje qytetarëve që janë më të cenueshëm në aspektin ekonomik dhe social.
Serbia e hoqi termin “banim social” nga korniza e saj ligjore në vitin 2016, me miratimin e Ligjit për Banimin dhe Mirëmbajtjen e Ndërtesave, duke e zëvendësuar atë me konceptin e “mbështetjes për banim”. Ky koncept përfshin banesa sociale që jepen me qira për familjet me të ardhura të ulëta, me çmime të subvencionuara, ndonëse qiramarrësit duhet t’i mbulojnë vetë shpenzimet mujore të faturave. Për shumë persona, veçanërisht për punëtorët sezonalë dhe ata të paregjistruar, edhe këto fatura janë të papërballueshme, duke i detyruar shpesh të hyjnë në borxhe dhe duke i ekspozuar ndaj rrezikut të dëbimit, sipas organizatës A11, një nismë me bazë në Beograd që merret me të drejtat ekonomike dhe sociale.
Edhe pse banimi social mbetet i orientuar drejt grupeve të cenueshme në aspektin ekonomik, numri i njerëzve që kanë nevojë për mbështetje po rritet. Sipas Ministrisë së Ndërtimit të Serbisë, vetëm 10% e popullsisë e shtresës më të pasur mund të blejë ose të marrë me qira banesa, pa u ballafaquar me vështirësi financiare.
“Prandaj, është e qartë që shteti duhet t’i ofrojë ndihmë shtresave më të gjera të popullsisë, dhe jo vetëm atyre që jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira”, shton Aksentijevic.
Në Kosovë, banimi social menaxhohet nga komunat dhe ende nuk është shndërruar në një program të centralizuar në nivel kombëtar. Që nga viti 2003 deri në vitin 2024, shumica e komunave kanë ndërtuar ose ndarë objekte të veçanta të dedikuara për banim social. Sipas të dhënave nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), aktualisht 20 komuna zbatojnë programe të banimit social, të gjitha të bazuara në të njëjtin model: ndërtesa të ndara ku banojnë vetëm përfituesit e kësaj skeme.

Në Kosovë, ndërtesat e veçanta ku banojnë ekskluzivisht përfituesit e asistencës sociale mbeten modeli dominues. Fotografia: Fatlum Jashari.
Ashtu si në Shqipëri dhe Serbi, banimi social në Kosovë synon t’u ofrojë mbështetje qytetarëve që janë më të cenueshëm në aspektin ekonomik dhe social. Megjithatë, shumë të tjerë, të cilët kanë paga që mjaftojnë sa për ta mbuluar jetesën, nuk arrijnë ta përballojnë blerjen e një prone, duke e bërë këtë mundësi gjithnjë e më të paarritshme. Mungesa e banesave komunale dhe sociale nuk është sfidë vetëm në Ballkanin Perëndimor, por përfaqëson një shqetësim në rritje edhe në vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Sipas të dhënave të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), vetëm 8% e stokut të banesave në dispozicion në BE klasifikohet si banim social. Në vitin 2022, 69% e popullsisë së BE jetonte në banesa në pronësi, ndërsa 31% jetonte me qira.
Si është situata në vendet e tjera evropiane?
Mes viteve 2015 dhe 2023, çmimet e banesave në BE u rritën mesatarisht me 47%, ndërsa kostoja e qirasë u rrit me 18%, sipas të përditshmes së majtë në Greqi, “Efsyn”. Teksa në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor nuk është protestuar lidhur me banimin viteve të fundit, qytetarët në disa vende të BE kanë dalë në rrugë, duke kërkuar veprime nga qeveritë për ta adresuar krizën e banimit.
Në prill të vitit 2025, Spanja përjetoi disa nga protestat më të mëdha, ku mijëra njerëz marshuan në më shumë se 40 qytete, duke kërkuar baraspeshim më të mirë mes turizmit dhe kushteve të banimit për banorët. Protestat filluan sërish para sezonit turistik të verës, veçanërisht në zona me kërkesë të lartë si Ishujt Kanarie, ku qytetarët u bënë thirrje autoriteteve ta ndalojnë rritjen e çmimeve të banimit. Autoritetet spanjolle po punojnë për ta adresuar krizën.
Në vitin 2023, Spanja miratoi një ligj për banimin, i cili krijoi një sistem referimi kombëtar për çmimet e qirasë. Ky sistem ofron të dhëna lidhur me kostot e qirasë në secilën zonë dhe përfshin masa si përfitime tatimore për pronarët që ofrojnë qira të përballueshme. Në zonat e identifikuara si me frekuentim të lartë, pronarëve me portofol të madh të pasurive u ndalohet të lidhin kontrata të reja, që tejkalojnë çmimin referues të përcaktuar për atë zonë. Megjithatë, kjo krizë nuk po ndodh vetëm në Spanjë.
Teksa shumica e vendeve evropiane përballen me vështirësi në sigurimin e banesave me çmime të përballueshme, Austria përmendet shpesh si model për politikat e saj të banimit komunal.
Rritja e çmimeve të qirasë dhe pronave në Greqi ka qenë burim i pakënaqësisë publike për më shumë se një dekadë. Një faktor kyç është mungesa e banesave të disponueshme për banorët, gjersa turizmi vazhdon të dominojë si njëri nga shtyllat kryesore ekonomike të vendit. Me çmimet e pronave që prekën kulmin në vitin 2024, mundësia për banim të përballueshëm duket gjithnjë e më e largët. Sipas gazetës Efsyn, rreth një e treta e banorëve grekë shpenzon më shumë se 40% të të ardhurave të disponueshme për banim.
Teksa shumica e vendeve evropiane përballen me vështirësi në sigurimin e banesave me çmime të përballueshme, Austria përmendet shpesh si model për politikat e saj të banimit komunal. Vjena ka ndërtuar banesa komunale për më shumë se 100 vjet. Ky program u prezantua nga Partia Socialdemokrate e Austrisë (SDP), pas transformimit të Vjenës në një shtet federal të pavarur në vitin 1922. Fillimisht, financimi u sigurua përmes shitjes së obligacioneve qeveritare, ndërsa më pas u mbështet nga të ardhurat komunale, përfshirë një taksë progresive të veçantë për pronarët dhe taksa mbi mallrat luksoze, të njohura gjerësisht si “taksa Breitner”, e prezantuar nga këshilltari financiar Hugo Breitner.
Programi u ndërpre vetëm përkohësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mes viteve 2004 dhe 2019, Vjena ndërtoi 220.000 apartamente në më shumë se 2.300 ndërtesa komunale. Sot, rreth gjysmë milioni banorë të Vjenës, nga një popullsi prej rreth dy milionësh, jetojnë në këto njësi. Ata përfitojnë nga qiratë me çmime të ulëta, me një mesatare prej vetëm 6.67 euro për metër katror, një çmim ky i paimagjinueshëm për shumicën e qytetarëve në BE dhe Ballkanin Perëndimor.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.
Klauzolë: Ky artikull u financua nga Rrjeti PULSE, një nismë gazetareske ndërkufitare që përqafon një qasje bashkëpunuese ndaj prodhimit redaktorial.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.