Blogbox | Ambienti

Bëhu ndryshimi që dëshiron ta shohësh

Nga - 09.08.2021

Si mund të kontribuojë diaspora për një Kosovë më të pastër.

Vendi ynë është vend i bukur. Bukuria e tij na rrethon, nga natyra e mrekullueshme deri tek njerëzit miqësorë. Kur luhet muzika jonë lehtësisht humbim veten duke vallëzuar dhe kur shërbehen ushqimet dhe ëmbëlsirat shqiptare, del jashtë fëmija brenda nesh. Të gjithë jemi pjesë e asaj që ia vlen të çmohet në vendin tonë. Sidoqoftë, jemi gjithashtu pjesë e diçkaje shumë larg nga e bukura.

Megjithë bukuritë e shumta, vendi ynë përballet me sfida që e rrezikojnë të ardhmen e tij. Shumë nga to janë të shkaktuara nga njeriu, të krijuara nga të njëjtit njerëz që e quajnë këtë tokë shtëpi. Për fat të mirë, duke e pranuar këtë, gjithashtu mund të bëhemi pjesë e zgjidhjes. Ne mund të jemi ndryshimi.

Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë dhe është dëmtuar nga problemet e mëdha mjedisore. Shkalla e papunësisë po rritet në vazhdën e pandemisë dhe zgjidhjet për ndotjen, mbeturinat dhe degradimi mjedisor po marrin edhe më pak vëmendje se sa më parë. Adresimi i këtyre sfidave urgjente kërkon përpjekje kolektive, nga qytetarët, mërgimtarët dhe institucionet shtetërore.

Ndotja e ajrit paraqet një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut për shëndetin. Kostoja e vlerësuar ekonomike e lidhur me vdekshmërinë nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit në Kosovë është midis 160 dhe 310 milionë dollarë, e barasvlefshme me 2.5 deri në 4.7% të bruto prodhimit vendor në vitin 2016.

Një problem tjetër i madh mjedisor është hedhja dhe menaxhimi i mbeturinave. Ndonëse është e vërtetë që Kosovës i mungon menaxhimi i duhur i mbeturinave, infrastruktura bazë për depozitimin e duhur të mbeturinave të rregullta është e arritshme për shumicën.

Përkundër kësaj, pak hapësira në Kosovë janë kursyer nga hedhja e mbeturinave. Derisa mbeturinat degradojnë, gazi, kimikatet dhe mikro-grimcat lëshohen në ajër, tokë dhe ujë, duke ndikuar kështu negativisht si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët, duke e rritur më tej faturën e shëndetit.

Diaspora ka po aq influencë për të ndikuar dhe për të sjellë ndryshime si çdo banor vendas.

Si një ekonomi e bazuar kryesisht në shërbim dhe konsum, Kosova ishte veçanërisht e ndjeshme nga goditja e COVID-19 si dhe pasojat e turizmit më të ulët ishin veçanërisht të forta. Numri i vizitave të mërgatës në atdhe u përgjysmua dhe vendi pësoi një rënie prej 7% të aktivitetit ekonomik. Këto janë probleme të mëdha për një komb të vogël në zhvillim.

Një gjë është e qartë, diaspora ka po aq influencë për të ndikuar dhe për të sjellë ndryshime si çdo banor vendas. Shumë prej nesh që udhëtojmë në Kosovë çdo verë vijmë nga vende më të pasura, ku shtrirja e këtyre problemeve është shumë më e vogël. Ne posedojmë njohuri të vlefshme se si t’i luftojmë këto sfida. Mund të kontribuojmë në zgjidhje thjesht duke iu përmbajtur parimeve të njëjta me të cilat jetojmë në vendet tona të banimit.

Këtu janë disa përkujtues ose sugjerime të vogla sesi mund të sjellësh ndryshime, për ta bërë një Kosovë ku bukuria e vendit ruhet, zhvillohet dhe shijohet nga shumë breza që do të vijnë. Dhe gjithçka fillon me ty — bëhu ndryshimi që dëshiron ta shohësh!

Blej produkte vendore

Duke blerë produkte të prodhuara në vend, ti e stimulon ekonominë e vendit. Hapen ose mbahen vende të punës, komuniteti forcohet dhe njerëzit lulëzojnë dhe rriten. Për më tepër, prodhimet vendore zvogëlojnë transportin e lidhur me mallrat tua dhe kështu lëshojnë më pak gazra serë në ajër.

Sugjerim: Kërkoje flamurin e Kosovës tek produktet ose kërko alternativa vendore.

Mos hedh mbeturina

Sigurohu që ta lësh secilin vend ashtu siç e ke gjetur. Idealja do të ishte që të gjitha vendet të gjindeshin të pastra, por për fat të keq edhe në malet më të larta të Rugovës mund të gjesh mbeturina të shpërndara. Gjithmonë merri mbeturinat me vete dhe hidhi në koshin e dedikuar për to. Kujto se për bishtat e cigareve duhen deri në 10 vjet për t’u dekompozuar kurse qeset plastike, deri në 1.000 vjet.

Sugjerim: Nëse mund të mbash pako plot me ushqime dhe sende të tjera gjatë një ngjitjeje, sigurisht që mund ta marrësh edhe një qese të zbrazët me vete derisa ta gjesh koshin e mbeturinave.

Investo në artikuj të ripërdorshëm

Një zgjidhje e lehtë për të mos hedhur mbeturina është thjesht ta zvogëlosh numrin e mbeturinave që i krijon. Në vend që të përdorësh qese plastike të destinuara për një përdorim, investo në çanta ekologjike. Dhe jo vetëm që mbajnë mallra më të rënda, por ato mund të ripërdoren shumë herë. Konsideroje gjithashtu përdorimin e një shishe qelqi për ujë.

Sugjerim: Investo në një çantë të ripërdorshme, ndoshta mund ta blesh një nga një artist vendas ose grupi vendas i preferuar?

Lëre makinën në shtëpi

Shrytëzimi i transportit publik dhe ecja kur është e mundur do t’i zvogëlojë mbingarkesat dhe rrjedhimisht edhe emetimet e automjeteve që e degradojnë cilësinë e ajrit. Veçanërisht gjatë verës, dielli dhe nxehtësia mund t’i transformojnë ndotësit kryesorë të ajrit në ndotës sekondarë që mund të jenë edhe më toksikë për mjedisin. Ndoshta nuk është gjithmonë opsion, por shfytëzimi i përbashkët i makinave, autobusi ose thjesht ecja do të të lejojë ta lësh makinën dhe stresin në shtëpi. Pjesa më e mirë është se në shumë raste do të të kursejë kohë dhe para, duke i mbështetur edhe bizneset vendore.

Sugjerim: Planifikoje udhëtimin tuaj të ardhshëm me një planifikues udhëtimesh mbarëkombëtar.

Veprimet individuale shtohen. Kujdesuni për vendin që e quani shtëpi. Bëhuni ndryshimi që dëshironi të shihni!

Ule nevojën për energji elektrike me qymyr

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Kosovë buron nga dy termocentrale qymyri, Kosova A dhe B, që lëshojnë mijëra tonë ndotës të rrezikshëm të ajrit çdo vit, duke kontribuuar konsiderueshem në ndotjen e ajrit. Ule përdorimin e energjisë elektrike kur është e mundur dhe ndihmo në uljen e nevojës për energji elektrike me qymyr si dhe rrezikun e mungesës së energjisë. Fike kondicionerin kur nuk je në shtëpi dhe TV-në kur je duke darkuar. Zhurma e zvogëlon ndjenjën tonë të shijes dhe e bën më të vështirë zhvillimin e një bisede.

Sugjerim: Përdor pajisje vetëm kur është e nevojshme dhe ndali ato kur të kesh mbaruar.

Mos e harro thënien e vjetër, pikë – pikë bëhet det. Ose në gjermanisht, Kleinvieh macht auch Mist. Dhe në anglisht, many a mickle makes a muckle. Kujdesu për vendin që e quan shtëpi. Veprimet individuale shtohen. Ti mund të ndihmosh në përmirësimin e gjërave për bashkatdhetarët e tu. Bëhu ndryshimi që dëshiron ta shohësh!

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.