Rasti 1
Z. Aliriza Beshi dhe z. Sergei Panchuk ushtrojnë profesionin e nderuar të noterit. Njëri prej tyre është noter në Prizren, rreth 20 km nga Shqipëria, ndërsa tjetri është noter në Vladivostok, qyteti skajor i Federatës Ruse i ndodhur rreth 12,000 km nga Shqipëria.
Dokumentet e hartuara dhe të lëshuara nga këta noterë kanë vlerë të plotë juridike në Shqipëri, me një dallim: dokumentet e njërit prej noterëve pranohen pa asnjë formalitet shtesë, ndërsa dokumentet e noterit tjetër duhen dërguar fillimisht në kryeqytetin e shtetit të origjinës për t’u pajisur me vulën “Apostille”, përndryshe ato nuk kanë asnjë vlerë juridike në Shqipëri. Sipas jush, cilat dokumente pranohen pa vulë apostille në Shqipëri: a) dokumentet e noterit të Prizrenit, apo b) dokumentet e noterit të Vladivostokut?
Rasti 2
Një tregtar nga kryeqyteti i Çekisë, Praga, dhe një tregtar nga Gjakova vendosin ta zgjerojnë biznesin përkatës duke hapur një degë në Tiranë.
Të dy duhet të aplikojnë për leje qëndrimi dhe regjistrim biznesi në Shqipëri dhe duhet t’u sjellin autoriteteve shqiptare dokumente të ndryshme nga vendi i tyre i origjinës, si psh. dëshminë e penalitetit, certifikata personale, vërtetime për pagesën e taksave, ekstraktin e biznesit, etj.
Sikurse më lart, njëri prej tregtarëve mund t’i sjellë të gjitha këto dokumente në Tiranë menjëherë sapo t’i marrë nga shteti i origjinës, ndërsa tregtari tjetër vetëm pasi t’i marrë dokumentet nga autoritetet vendase dhe t’i dërgojë ato në zyrën kompetente për vulën apostille të shtetit të tij. Sipas jush, cilat dokumente pranohen pa vulë apostille në Shqipëri: a) dokumentet e tregtarit nga Gjakova, apo b) dokumentet e tregtarit nga Praga?
Përgjigjja e arsyeshme dhe përgjigjja juridike e pyetjeve të mësipërme do duhej të ishte e njëjtë. Në fakt përgjigjja e arsyeshme është “a”, ndërsa përgjigjja juridike është “b”.
Pse u krijua vula apostille, dhe pse duhet hequr
Sistemi i vulës apostille ka hyrë në fuqi në vitin 1961 si nevojë për të konfirmuar vlefshmërinë (ose për të bërë “legalizimin”) e dokumenteve publike të lëshuara në një shtet të caktuar (A), të cilat do të përdoreshin në një shtet tjetër (B). Dokumentet për të cilat bëhet fjalë janë ato të lëshuara nga një autoritet publik i shtetit A, si p.sh. certifikatat e lindjes, martesës, vdekjes, dëshmi trashëgimie dhe dënimi, vendime gjyqësore, vërtetime pronësie, diploma, licensa, ekstrakte të shoqërive tregtare, autorizime dhe akte noteriale në përgjithësi, vërtetime të pagesës së taksave dhe çdo vërtetim tjetër.
Përpara vitit 1961, sistemi i legalizimit të dokumenteve publike të shtetit A që do të përdoreshin në shtetin B ishte tejet burokratik, i pastandardizuar dhe joefikas. Shtete të ndryshme kishin kërkesa të ndryshme, si p.sh. konfirmimi i dokumentit përmes konsullatave, prefekturave e zyrave nga më të ndryshme.
Më 5 tetor 1961 u nënshkrua Konventa mbi heqjen e kërkesës për legalizimin e dokumenteve të huaja, përmes së cilës shtetet anëtare krijuan vulën apostille dhe morën përsipër të njohin vlefshmërinë e çdo dokumenti të huaj të vulosur me të, pa nevojën e ndonjë formaliteti shtesë.
Disa shtete nënshkruese të Konventës vendosën “rezervë” kundrejt ndonjë anëtari tjetër të Konventës, pasi për arsye të ndryshme preferonin sistemin e vjetër të legalizimit para-Apostille. Ky ishte rasti i Greqisë, Italisë, Spanjës, etj., të cilat vendosën rezervë ndaj Shqipërisë.
Sidoqoftë, për qytetarët e shteteve të cilat nuk vendosën rezerva ndaj njëra-tjetrës, sistemi i legalizimit Apostille përbënte progres të ndjeshëm në krahasim me sistemin e mëparshëm.
Disa shtete shkuan edhe më tej në thjeshtimin e ndërveprimit të qytetarëve të tyre duke hyrë në marrëveshje dypalëshe me njëra-tjetrën për të hequr krejtësisht detyrimin për apostillim, pra duke njohur dokumentet e njëra-tjetrës pa asnjë kusht.
Sipas Ministrisë së Jashtme Shqiptare, Shqipëria ka marrëveshje të tilla me Rusinë, Hungarinë, Çekinë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Këto marrëveshje, të cilat nuk munda t’i gjej online, me siguri janë nënshkruar gjatë periudhës komuniste kur shtetet ne fjalë kishin marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi.
Në disa raste është raportuar gabimisht në media se detyrimi i apostilles është hequr edhe ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë, etj., ndërkohë që në fakt është hequr vetëm rezerva që këto të fundit kishin vendosur ndaj Shqipërisë në Konventën e vitit 1961, duke kaluar nga sistemi para-Apostille në sistemin Apostille.
Pra, aktualisht Shqipëria ka marrëveshje dy-palëshe për heqje të vulës apostille vetëm me Rusinë, Hungarinë, Çekinë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Kjo do të thotë që dokumentet publike të lëshuara nga këto shtete njihen në Shqipëri pa nevojën e ndonjë formaliteti shtesë (me përjashtim të përkthimit). Kjo shpjegon qëndrimin e autoriteteve shqiptare ndaj dokumenteve të lëshuara në Vladivostok dhe në Pragë.
Edhe anëtarët e Bashkimit Evropian e kanë hequr sistemin Apostille ndërmjet njërit-tjetrit përmes Rregullores nr. 2016/1191 të 6 korrikut 2016 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit (Neni 4).
Ndërkaq Kosova, që është gjithashtu anëtare e Konventës nga viti 2016, nuk ka lidhur asnjë marrëveshje për heqjen e vulës apostille me ndonjë shtet të caktuar. Kjo do të thotë që çdo dokument publik i lëshuar në Shqipëri, sikurse në çdo vend tjetër, duhet të ketë vulën apostille në mënyrë që të përdoret në Kosovë.
Duhet pranuar se në praktikë, shumica e autoriteteve kosovare si Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, gjykatat apo zyrat e gjendjes civile — ndryshe nga kolegët e Republikës së Shqipërisë — i pranojnë dokumentet shqiptare edhe pa apostille. Kjo është një praktikë e lavdërueshme, megjithatë ajo i lë qytetarët shqiptarë në mëshirën e disponimit të zyrtarit që kanë përballë në Kosovë.
Gjithashtu, në fund të ditës një praktikë e tillë nuk është në përputhje me rregullat juridike të zbatueshme, të cilat kërkojnë që çdo dokument i huaj të jetë i apostilluar. Rrjedhimisht, edhe nëse dokumenti nuk refuzohet aty për aty, ekziston gjithmonë rreziku që veprimi juridik të vihet në pikëpyetje me vonë prej ndonjë auditi apo kontrolli që do të sillte pasoja negative si për qytetarin, ashtu dhe për zyrtarin.
Domosdoshmëria e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
Në vitin 2020, vërtetësia e dokumenteve të huaja mund të verifikohet përmes sistemeve moderne të shkëmbimit të informacionit ose mënyrave të tjera. Kjo është akoma më e vërtetë për shtete si Kosova dhe Shqipëria, të cilat kanë shkëmbime domethënëse thuajse në çdo fushë.
Rrjedhimisht, detyrimi për apostillimin e dokumenteve është një burokraci e tepruar që nuk ka arsye të ekzistojë as në teori e as në praktikë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Andaj do të ishte e udhës që në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive, që është njoftuar se do të mbahet në pjesën e dytë të shtatorit, të nënshkruhet më në fund marrëveshja për heqjen e detyrimit të apostilles.
Formulimi i marrëveshjes mund të bazohet në marrëveshjet aktuale që Shqipëria ka me vendet ish-komuniste dhe/ose mund të frymëzohet nga rregullorja e BE-së e cituar më lart, duke shënuar kështu edhe një progres të vogël në fushën e përafrimit të legjislacionit me BE-në.
Sido që ta shohësh, nuk ka më asnjë pretekst për mos hequr këtë burokraci të pakuptimtë që duhej hequr vite më parë.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.