Blogbox | #CkaKishaNdërru

Diskutoni pa kufij

Nga - 16.02.2022

Mendimi kritik është parakusht për një shoqëri të lirë.

Jam lindur dhe rritur në Kosovë. Pas përfundimit të studimeve Master, vendosa ta sfidoj veten edhe më shumë dhe shkova në Gjermani. Në fillim, mendoja se do të ishte qëndrim një-vjeçar, por qyteti i Hamburgut vazhdon të jetë vendbanimi im tash e katër vjet. Përpos ndërrimit të vendbanimit, ndërroi shumëçka tjetër, përfshirë këtu këndvështrimin prej të cilit e shoh Kosovën tash dhe gjërat që do doja të ndërrojnë në të.

Pas largimit nga Kosova, hera e parë dhe më e fuqishmja kur u përballa me diçka krejtësisht të re dhe fillimisht habitëse për mua, ishte padyshim jetesa me një familje gjermane, në një metropol si Hamburgu. 

E formësuar ashtu që gjërat t’i kuptoj sipas ideve e mendimeve fikse, përbrenda narrativave mbizotëruese për ato gjëra, që shpeshherë ishin të ngushta, të jetuarit në këtë rreth të ri bëhej përvojë çdo ditë e më interesante. Më së shumti kurreshtjen ma ngjallte qasja në biseda e njerëzve përreth. Më dukej sikur secili mjeshtërisht shtjellonte çështjet dhe problemet e ndryshme. Mendimi i tjetrit respektohej e bashkëbiseduesit qëndronin mendjehapur dhe kritikë përgjatë tërë bisedës.

Këtë qasje nuk më ka rastisur ta dëgjoj aq shpesh sa jetoja në Kosovë. Po e banalizoj e po them se edhe bisedat mes fëmijëve më dukeshin më cilësore në krahasim me disa debate televizive në vendin tonë. Shkathtësia e të menduarit në mënyrë kritike dhe inkurajimi që i bëhet këtij të fundit, vazhdojnë të jenë disa prej gjërave më të bukura dhe domethënëse për mua në vendbanimin tim të ri.

E këtë normalisht që do doja ta shihja edhe në Kosovë. Korniza e imponuar e të menduarit dhe të kuptuarit të çështjeve përreth është pikërisht ajo që do dëshiroja të sfidohej në Kosovë e rrjedhimisht, ajo që do dëshiroja të ndërrojë sa më parë. 

Disa ide për ndryshim

Mendimi jo-kritik dhe idetë fikse, të pashqyrtuara mjaftueshëm rreth ngjarjeve apo grupeve përreth nesh ende dominojnë nëpër institucionet edukativo-arsimore, shtetërore, media e me gjasë edhe më të madhe në shtëpinë e secilit prej nesh. Shpeshherë dëgjojmë deklarata pa dëshmi, arsyetime jologjike, shqyrtime të njëanëshme të temave apo edhe dyshime në të dhënat që nuk janë në vijë me idetë apo bindjet tona. 

Për të thënë më thjesht, çdo gjë që nuk përputhet me atë që veç e dimë si të vërtetë shpesh konsiderohet si e pasaktë apo e pavërtetë. Nuk ka gatishmëri për të dëgjuar anën tjetër, apo për të kërkuar dije të reja e aq më pak për të pranuar se mbase ajo që e kemi besuar si të vërtetë, nuk qëndron. Mbrojtja e fuqishme e bindjeve tona kështu bëhet njësi matëse e vlerës sonë në shoqëri, prandaj edhe kjo mbrojtje vazhdon të praktikohet edhe më shumë. Në shumicën e rasteve kur dikush zgjedh ta tejkalojë këtë praktikë dhe të mendojë ndryshe, bie pre e paragjykimit shoqëror.

Për ta ndryshuar këtë praktikë dhe për të nxitur të menduarit kritik, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm luan familja, qysh në zhvillimin e hershëm të fëmijës. Në dinamikat familjare, duhet që sidomos prindërit apo kujdestarët të shfaqin interesim dhe të mos shpërfillin mendimet ndryshe apo sfiduese të fëmijëve, pavarësisht moshës së tyre. Fëmijëve dhe të rinjve u duhet një rreth që u beson dhe i mirëkupton, në mënyrë që të zhvillojnë këtë aftësi.

Nevojitet një sistem ku fëmijëve u jepet harta, por nuk u tregohet rruga.

Në anën tjetër, arsimi cilësor dhe të menduarit në mënyrë kritike janë të pandashme nga njëra-tjetra. Rinisë në Kosovë duhet t’i krijohen mundësitë që të shtjellojnë përtej librave që veç ndodhen në kurrikulat shkollore, madje këto të fundit duhet të rishikohen. Arsimimi duhet të shkojë përtej thjesht të lexuarit. 

Në institucionet arsimore në Kosovë mungon ende mundësia për qasje në burime të ndryshme informacioni, apo burime të besueshme informacioni. Po ashtu, mungojnë trajnimet që inkurajojnë nxënësit apo studentët që të kërkojnë të dhëna që ua sfidojnë bindjet dhe i njohin me dije të reja. Assesi nuk mund të lihet anash edukimi medial, si një prej agjentëve kyç përmes së cilave përhapen të dhënat, mësohen sjelljet dhe krijohen bindjet. 

Si pedagoge me përvojë mund të them me mjaft siguri se një transformim i thellë i sistemit edukativo-arsimor në Kosovë është i domosdoshëm në mënyrë që nxënësit në Kosovë të mësojnë të shohin përtej të vërtetave që na servohen. Nevojitet një sistem ku mësimdhënësi është bashkëlojtar e jo udhëheqës. Nevojitet një sistem ku fëmijëve u jepet harta, por nuk u tregohet rruga. Ku ata dinë ta kërkojnë dhe gjejnë rrugën vetë.

Kjo do sillte pavarësi mendimesh dhe shoqëri të lirë demokrate. Besoj se secili prej nesh ka pasur raste kur nuk i është respektuar mendimi apo edhe kemi rënë pre e paragjykimeve shkaku i të menduarit më ndryshe. 

Unë personalisht do e përmendja emancipimin e gruas, temë që ende vazhdon të mbetet e ndjeshme në disa vende në Kosovë. Ka ndodh shpeshherë që nuk kam mund të përfundoj bisedën shkaku i bindjeve të ngushta patriarkale të palës tjetër. Ndoshta vazhdoj të gjykohem për mendimet e mia në këtë aspekt edhe sot. Por, nuk do të ndaloj së kërkuari. Për mua bindjet e ngushta e të pandryshueshme nuk janë mençuri as vlerë. 

Ju lutem sfidoni ato! Sfidoni temat tabu, lexoni, analizoni dhe diskutoni pa kufij!

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0