“Ishte sikur u zgjuam në një botë tjetër, ku gjithçka ishte bërë pluhur. Nuk mund ta shihnim, por mund ta ndjenim, ta merrnim frymë… gjithë atë pluhur. U zvarritëm për të dalë, bashkë me gruan, nëpër rrënojat e dhomës. Ishte krejt terr dhe nuk mund të merrnim frymë. Mund t’i dëgjonim bërtitjet e kafshëve nga jashtë kur po mundoheshim me dalë prej aty duke përdorur duart; kur preknim diçka, ndryshonim drejtimin, gjithmonë duke kërkuar boshllëk. Nuk e di si zbritëm deri në katin e parë.”
Besim Bardhi, fermer rreth të 60-ave nga Bubqi, një zonë rurale në Shqipërinë qendrore, tregon drejt hapësirës ku gjendej kati i dytë i shtëpisë së tij, e cila u shkatërrua ndërsa ai ishte duke fjetur. Një llambadar varet i paprekur nga tavani, një kujtim solemn mbi rrënojat poshtë tij – plot blloqe betoni, dyer të thyera dhe mobilie.
Bardhi dhe familja e tij janë në mesin e mijëra njerëzve të prekur nga tërmeti shkatërrues i magnitudës 6.4 që e shkundi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit, kur shumica ishin në gjumë. Pjesa qendrore e vendit dhe zonat bregdetare përkatëse morën goditjen kryesore, me 51 viktima, më shumë se 300 të lënduar, disa në gjendje serioze, dhe mijëra prona të dëmtuara, të shkatërruara dhe të pabanueshme.
Besim Bardhi dhe bashkëshortja e tij ishin duke fjetur në katin e dytë të shtëpisë së tij në fshatin Bubq kur goditi tërmeti. Foto: Ervin Qafmolla / K2.0.
Fermeri dhe bashkëshortja e tij, të dy të padëmtuar fizikisht nga ngjarja, tani janë duke fjetur në një tendë, të cilën ua siguruan ekipet e shpëtimit dhe e kanë ngritur në një fushë në afërsi. “Jemi të lumtur që mbijetuam”, thotë ai duke buzëqeshur.
Ai thotë që shtëpia ku jetonte ishte fryti i punës së gjithë jetës, e ndërtuar pjesërisht falë kontributit të djalit dhe vajzës së tij, të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali.
Disa prej ndërtesave në afërsi duken të padëmtuara. I pyetur nëse e ka ndërtuar vetë shtëpinë e tij të madhe apo ka punësuar ndonjë arkitekt apo inxhinier, Bardhi mohon duke tundur kokën. “Kjo u ndërtua në vitet e 90-a”, thotë ai. “Nuk kishte gjëra të tilla atëherë, nuk kishte kërkesa apo kontroll nga autoritetet — nuk kishte autoritete.”
Shqipëria përjetoi kontroll absolut shtetëror mbi jetën ekonomike, politike dhe sociale për 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, kur Enver Hoxha dhe regjimi i tij morën pushtetin dhe e mbajtën me dorë të hekurt, duke qenë përgjegjës për atë që komentuesit e vlerësojnë si diktatura më e ashpër komuniste në Ballkan.
Me rënien e regjimit komunist në 1991, institucionet dhe sundimi efektiv i ligjit përjetuan gremisje të menjëhershme, dhe njëlloj ndodhi edhe me praninë e përgjithshme të shtetit. Një ekonomi e tregut kaotike dhe e lirë për të gjithë u ngrit mbi rrënojat e sistemit të vjetër.
Bardhi kujton sesi ricikloi tullat e vjetra nga një ndërtesë e braktisur e cila ishte pronë shtetërore, dhe mori rërë nga lumi në afërsi për të ngritur katin e parë. Kati i dytë u ndërtua në vitet në vijim. Tani ka mbetur vetëm një grumbull rrënojash dhe pluhuri.
Ndërtimi ‘bone vet’
Teksa vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar familjet në Shqipëri me strehim të përkohshëm, është duke u kryer edhe një proces i vlerësimit të dëmeve.
Pjesa më e madhe e vëmendjes së mediave është fokusuar në qytetin bregdetar të Durrësit dhe qytezën e Thumanës në afërsi, meqë këto dy zona pësuan më së shumti viktima. Sidoqoftë, shkatërrimi është i dukshëm anembanë komuniteteve rurale në pjesën më të madhe të Shqipërisë qendrore, përfshirë këtu kryeqytetin, Tiranën.
Nuk ka viktima të regjistruara në Bubq apo në fshatrat në afërsi. Megjithatë, kur sillesh me veturë në këtë zonë dhjetëra e dhjetëra shtëpi të dëmtuara dhe të pabanueshme shfaqen anës rrugëve gjysmë të zbrazura.
Një fermer tjetër, Mark Doda, shikon nga dy pulat që i kanë mbetur, të cilat arritën të mbijetojnë bashkë me një lopë të vogël. Edhe shtëpia e tij është shkatërruar, por ai as nuk e përmend atë.
“Ishte ndjenjë e çuditshme kur i nxorra kafshët nga rrënojat, sikur po nxirrja trupa të njerëzve, jo të kafshëve”, thotë ai.
Babai i tij i moshuar rri i mbështetur në një dru, duke pohuar me kokë dhe me fytyrë të zymtë.
Përballë shtëpisë së tyre të vjetër dhe të shkatërruar është një ndërtesë e re dykatëshe e papërfunduar. Familja i ndërtoi vetë të dyja. “Por kemi përdorur më shumë material tek e reja, kështu që ka pasur vetëm disa shenja të dëmit”, shpjegon Doda.
Shtëpia të cilën e ndërtoi vetë Mark Doda u shkatërrua nga tërmeti, por shtëpia e dytë të cilën janë duke e ndërtuar i pësoi vetëm disa dëme të vogla. Foto: Ervin Qafmolla / K2.0.
Asnjë prej fermerëve të intervistuar në disa fshatra të Shqipërisë qendrore nuk kujtojnë të kenë pasur vizita nga autoritetet për të kryer kontroll të sigurisë dhe të integritetit strukturor të ndërtesave.
Elian Stefa, arkitekt i bazuar në Tiranë, i cili ka vizituar disa prona të dëmtuara, thotë që materialet e përdorura për ndërtime në zona rurale, posaçërisht në vitet e para të tranzicionit të Shqipërisë pas fundit të regjimit komunist, nuk duhet të përdoren për ndërtesa të banimit të përhershëm.
“Është fatkeqësi, por këto ndërtesa që duken të forta në kushte normale shkatërrohen në kriza mjedisore”, thekson ai. “Teknikat ‘bëje vetë’ të kësaj arkitekture vernakulare mund të përdoren për të përmbushur nevoja të përkohshme, por jo si zgjidhje afatgjata”.
Fajësia personale
Shkatërrim ka edhe në zona të zhvilluara urbane. Në qytetin e Durrësit, disa ndërtesa të banimit, përfshirë këtu disa me 10 apo më shumë kate, janë planifikuar për shembje për shkak të dëmeve të mëdha strukturore.
Përveç standardeve të papërshtatshme të ndërtimit, ndërhyrjet njerëzore mund të jenë pjesërisht përgjegjëse.
Në një rast, pasi shembja e katit të parë të një ndërtese me disa kate rezultoi në vdekjen e dy personave, pronari i një lokali në katin përdhes është nën hetime nga autoritetet nën dyshimin që i ka dëmtuar katër shtylla kryesore për të krijuar më shumë hapësirë për biznesin e tij.
Disa hetime tjera po zhvillohen sipas autoriteteve, por asnjë arrestim nuk është raportuar deri tani.
Shifrat e qeverisë që janë përditësuar së fundmi tregojnë që në përgjithësi janë më shumë se 1,100 shtëpi të shkatërruara anembanë Shqipërisë dhe rreth 5,500 që janë dëmtuar rëndë Gjithashtu janë rreth 560 ndërtesa të banimit që janë dëmtuar rëndë, si dhe 28 shkolla të dëmtuara.
Mijëra ndërtesa janë dëmtuar shumë apo janë shkatërruar krejtësisht nga tërmeti, duke bërë që më shumë se 3,000 njerëz të evakuohen zyrtarisht. Foto: Ervin Qafmolla / K2.0.
Kryeministri Edi Rama ka thënë që prej burimeve të ndryshme kanë mbledhur disa miliona euro në donacione pas apeleve për ndihmë nga qeveria dhe organizatat e tjera.
Në një deklaratë tjetër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ofruar 87 milion euro si fond ndihme për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues.
Por ndonëse procesi i vlerësimit ka filluar, ende nuk janë eksploruar plotësisht pasojat e vërteta të tërmetit, përfshirë këtu dëmet financiare dhe financimin e nevojshëm për rindërtim.
Ekspertët që kanë marrë pjesë në takimet e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, një organ ad-hoc i drejtuar nga Kryeministri Rama, kanë paralajmëruar që kostoja përfundimtare mund të jetë disa qindra miliona euro.
Miliona euro janë dhënë donacion prej burimeve të ndryshme prej kur ka ndodhur tërmeti javën e kaluar, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ofruar një fond të lehtësimit në vlerë 87 milion euro. Foto: Ervin Qafmolla / K2.0.
Në të njëjtat takime, Rama ka dhënë paralajmërime të forta për firmat e ndërtimit, duke i nxitur t’i adresojnë mangësitë apo të ballafaqohen me pasoja.
“Ata që i kanë ndërtuar… të shkojnë t’i riparojnë ose të përgjigjen para ligjit dhe të shkojnë në burg. Se nuk ka mundësi të riparojmë [ne si qeveri] pallate që kanë shfaqur dëme të rikuperueshme se janë bërë gabime në zbatim [gjatë ndërtimit]”.
Ndërkohë, mbi 3,200 njerëz janë evakuuar dhe akomoduar në hotele dhe strehimore të përkohshme, përfshirë këtu disa qindra që kanë gjetur strehim në Kosovën fqinje, ndërkohë që autoritetet dhe organizatat kërkojnë të përmbajnë kaosin pas tërmetit dhe t’i adresojnë nevojat bazike të atyre që kanë humbur gjithçka.K
Foto kryesore: Ervin Qafmolla / K2.0.