Biseda | Maqedonia e Veriut

Doroti Pačkova: Është mirë që jemi të zemëruara

Nga - 30.12.2020

Rebelja që lufton për prindërit vetushqyes flet rreth vështirësive dhe ëndrrave të tyre.

Natyrisht, viti 2020 do të mbahet mend për pandeminë — për frikat dhe paqartësinë, ngujimet dhe masat shtrënguese, si dhe konfliktet e vështirësitë personale që kemi tejkaluar ndërsa jemi përpjekur të pajtohemi me mungesën e imponuar të lirive.

Megjithatë, as në kohë të këtilla, rebelët e rajonit nuk janë strukur në heshtje.

Ata kanë refuzuar të heqin dorë nga protesta ose ngritja e zërit në publik, nga luftërat ligjore ose mënyrat e ndryshme të ushtrimit të demokracisë në praktikë — nga beteja për të drejtat dhe liritë e të gjithëve. Të patrembur, ata kanë vazhduar t’i sfidojnë njerëzit në pushtet duke kërkuar llogari dhe mbi të gjitha ndryshim.

Për të ditur më shumë se çfarë i motivon qytetarët e rajonit të dalin në ballë të luftës kundër padrejtësive të ndryshme, K2.0 ka identifikuar gjashtë rebelë që jetojnë rreth nesh në rajon. Ata janë njerëzit që janë të vendosur kundër absurditeteve të jetës në Ballkan dhe vazhdojnë të luftojnë, edhe pse shpeshherë duket se shanset nuk janë në favorin e tyre dhe ballafaqohen me kërcënime e sulme.

Natyrisht, ka shumë rebelë të tjerë meqë arsyet për rebelim janë të pafundme. Por ata që kemi zgjedhur për këtë varg shkrimesh përbëjnë një grup të larmishëm individësh dhe çështjesh; njerëz që kanë bërë një hap përtej, kanë mobilizuar të tjerët dhe kanë gjetur një mënyrë për të arritur ndryshim në fushat e tyre përkatëse.

Doroti Pačkova është eksperte në studime gjinore, lëndë të cilën e ligjëron në Kolegjin Amerikan në Shkup. Ajo është kryetare e organizatës “Edna može!” (“Gruaja mundet!”), e para dhe e vetmja organizatë e këtij lloji në Maqedoninë e Veriut, që punon për të drejtat e nënave vetushqyese dhe përmirësimin e statusit të tyre. Intervistën e zhvilluam në përputhje me të gjitha rekomandimet kundër COVID-19.

Doroti Pačkova është mbrojtëse e palodhur e të drejtave të njeriut e cila fokusohet në të drejtat e nënave vetushqyese në Maqedoninë e Veriut. Foto nga arkivi personal i Doroti Pačkova-s.

K2.0: Cilat janë problemet kyçe të prindërve vetushqyes në Maqedoninë e Veriut dhe a ka ndryshuar situata përgjatë viteve, që kur keni filluar të punoni në këtë fushë?

Doroti Pačkova: Organizata e shoqërisë civile “Edna može!” ka inspiruar nënat vetushqyese të bëhen bashkë në lëvizje, pa synuar ta formalizojmë punën tonë. Sidoqoftë, duke parë çështjet e rënda të portretizuara në zgjidhjet sistematike joekzistuese, legjislacion, apo në cilëndo masë apo politikë që merret me grupin tonë, kuptuam se nuk mund të arrijmë asgjë si grup joformal; nuk mund të zbatojmë asnjë nga ndryshimet për të cilat avokojmë.

Ishte e vështirë të qasemi në institucione, të arrijmë te njerëzit në pozita të pushtetit dhe të vendimmarrjes. Të gjitha dyert ishin të mbyllura për ne. Për këtë arsye vendosëm të bëhemi pjesë e sistemit të cilin dëshirojmë ta ndryshojmë, dhe të rritemi nga një grup joformal në organizatë të specializuar të shoqërisë civile që lufton për barazi gjinore dhe mundësi të barabarta.

Qëllimi i aktiviteteve tona është avancimi i statusit të vajzave dhe grave nga grupe të shumta të margjinalizuara. Sidoqoftë, fokusi ynë mbetet te prindërit vetushqyes.

Nuk kishim asgjë kur filluam. E ndërtuam bazën e punës sonë, e analizuam situatën, filluam të bëjmë vizita studimore në vende të huaja dhe krahasuam ligjet e tyre me ligjet tona. Të gjithë këtë e bëmë në mënyrë që të fitojmë një pamje të qartë të mangësive dhe të kuptojmë pse komuniteti ynë është në gjendje kaq dëshpëruese.

Të gjitha që jemi mbledhur rreth kësaj organizate jemi të lodhura nga gjithçka ― nga ky anormalitet dhe nga normalizimi i anormalitetit.

Çështja kryesore ende mbetet injoranca e shtetit, mungesa e përfshirjes, solidariteti dhe empatia joekzistuese e atyre të cilët marrin vendime. Vërehet, gjithashtu, mungesa e ekspertëve të cilët punojnë dhe hulumtojnë për këtë temë. Andaj, ne jemi specializuar vetë, akademikisht dhe praktikisht, përmes punës sonë në terren.

Mendoj se tani të gjithë na njohin se kush jemi si organizatë. Nuk ka gra apo nëna vetushqyese në këtë shtet të cilat nuk na kanë kontaktuar në një pikë kur janë ndier se është mbushur kupa. Të gjitha që jemi mbledhur rreth kësaj organizate jemi të lodhura nga gjithçka ― nga ky anormalitet dhe nga normalizimi i anormalitetit.

Në fillim, problemi gjithashtu kishte të bënte me mobilizimin e anëtarëve, sepse grupi ynë është lënë anash shumë herë, privatisht, publikisht dhe institucionalisht. Nuk ka mbështetje nga sistemi, shoqëria, apo mjedisi. Sidoqoftë, tani kemi krijuar një bazë anëtarësh me mbi 5,000 gra, dhe anëtare të reja aplikojnë gjatë gjithë kohës.

Ana e mirë është se gjatë viteve të fundit jemi mbështetur nga institucione ndërkombëtare që punojnë për barazi gjinore dhe të drejta të njeriut, kështu që tani kemi shtatë punonjës. Në fillim nuk e kishim këtë lloj mbështetjeje; duhej të kapërcenim limitet tona. Organizata jonë është rritur në mënyra të shumëfishta, andaj tani jemi bërë nismëtarë të ndryshimit.   

Çfarë keni arritur të ndryshoni me aktivitetet tuaja deri tani?

Çështja e parë ishte se nuk kishim të drejtë të flasim, ta themi atë që mendojmë, ta identifikojmë një problem, të themi që e gjithë kjo është jonormale. Ne deshëm ta ndryshojmë nivelin e pjesëmarrjes së grave nga grupi ynë në vendimmarrje.

Në fillim bashkëpunimi ishte i shtirur. Na ftuan ta vizitojmë parlamentin, qeverinë dhe autoritetet lokale, por këtë e bënë ashtu që ne të heshtnim. Arsyetimi është se nuk duhet të revoltohemi pasi ata na kanë ftuar. Tani, niveli i pjesëmarrjes është më ndryshe. Ata na ftojnë në Sobranje [kuvendi maqedon], ku merren vendimet. Ne e kemi të drejtën të marrim vendime, të reagojmë. Me rritjen e organizatës dhe ekspertizës sonë, u rrit edhe ndikimi dhe qasja në burime për grupin tonë.

Cilat janë problemet konkrete të cilat i keni zgjidhur deri tani?

Deri në vitin 2014 nuk kishte masa nga të cilat përfitonin prindërit vetushqyes. Sot kemi arritur të ndryshojmë diçka.

Për shembull, në çerdhe kemi arritur ta sigurojmë regjistrimin falas për fëmijët e prindërve vetushqyes të cilët marrin pagë nën mesatare. Ky lloj i mbështetjes është shumë i rëndësishëm, veçanërisht kur shumë gra bëhen nëna vetushqyese gjatë periudhës kur fëmijët e tyre janë ende shumë të vegjël. Kjo është periudha më e vështirë, sepse shumë prej tyre nuk kanë qasje në tregun e punës. Kjo masë është vendosur prej vitit 2017.

Qëllimi ynë është të mos trajtohemi si kategoritë e tjera sociale — përkundrazi — ne dëshirojmë ta individualizojmë qasjen për shkak të strukturës së ndryshme familjare.

Po atë vit, zhvilluam një pilot hulumtim në komunën qendrore të Shkupit. Pastaj vendosëm kontakt me kryetarin e komunës. Kjo rezultoi në lirim të prindërve vetushqyes nga pagesa e shërbimeve ushqimore gjatë klasës, si dhe nga aktivitetet jashtëshkollore gjatë ditëve të rregullta të shkollës. Kështu, mësimi i gjuhëve të huaja, sportet — të gjitha këto shpenzime arrijnë vlerën rreth 200 euro në muaj. Tani, prindërit vetushqyes mund të kursejnë rreth 100 euro në muaj.

Qëllimi ynë është t’i miratojmë të njëjtat masa në të gjitha komunat e Shkupit, por edhe në nivel vendi.

Gjithashtu kemi siguruar privilegje për fëmijët e prindërve vetushqyes të cilët regjistrohen në universitet. Nëse zakonisht një vit shkollor kushton 2,000 euro, fëmijët tanë paguajnë 1,000 euro. Pasi familja ka vetëm një burim të të ardhurave, është mëse logjike që ata të kenë mundësi ta paguajnë gjysmën e shumës.

Qëllimi ynë është të mos trajtohemi si kategoritë e tjera sociale — përkundrazi — ne dëshirojmë ta individualizojmë qasjen për shkak të strukturës së ndryshme familjare. Është mirë që gratë kanë qasje në masat e mirëqenies sociale, ndihma ekzistuese financiare që paguhet derisa fëmija është tre vjeç. Dhe ka kuota të ndryshme.

Nëse një gruaje nga një familje e “rregullt” i kërkohet të përmbushë kritere të caktuara në mënyrë që të ketë qasje në ndihmën ekzistuese financiare dhe sociale, ose ndihmën minimale të garantuar, për nënën vetushqyese ka rrethana lehtësuese për ta pranuar këtë ndihmë. Ky është rezultat i avokimit tonë.   

Organizata Edna može! nuk e ka ndalur punën as gjatë pandemisë. Ata ndihmuan anëtarët e tyre në nevojë, dhe po ashtu avokuan për të drejtat e tyre. Foto nga arkivi personal i Doroti Pačkova-s.

Njëjtë, pagesa për fëmijë, pagesa për shkollë, pagesa për prindër ― të gjitha këto janë pjesë e një mekanizmi të ndryshëm ashtu që qendrat për punë sociale të mund ta përcaktojnë nëse gratë mund të përfitojnë nga këto masa apo jo.

Është mirë që tani kemi një koeficient të ri për ta llogaritur relevancën e masave nga të cilat mund të përfitojnë familjet e prindërve vetushqyes. Para kësaj, na kanë llogaritur si pjesë të një komuniteti më të gjerë ku nënat vetushqyese jetojnë — sepse një pjesë e madhe e grave jetojnë — në një komunitet me prindërit, gjyshet, gjyshët, dhe/apo familjen e gjerë. Ata i marrin parasysh të ardhurat e gjithë familjes ku jeton gruaja. Kjo ishte një pjesë e çmendurisë nga e cila kemi arritur të mbijetojmë. Nëse do t’na kërkonin të kalonim sërish nëpër atë situatë, do t’u thosha: Jo, nuk mundem.

Dua të them se nismat tona të përgjithshme avokuese u përqendruan në lëvizjen e gjërave dhe tani aktualisht po punojmë në funksionalizimin e masave që kanë të bëjnë me ne. Hapi i radhës është përsosja e tyre në mënyrë që të arrijmë një popullatë më të gjerë nga grupi ynë.

Përveç problemit institucional të cilin po e luftoni, a përballeni me probleme edhe nga ana tjetër, nga gratë? Në fillim thatë se ka pasur pak rezistencë, mosbesim. Cili është qëndrimi aktual i nënave vetushqyese ndaj jush, ndaj shtetit, dhe statusit të tyre në shoqëri?

Mendoj se ende mbetet shumë për t’u bërë në këtë fushë, sidomos me situatën e krijuar nga COVID-19. Në fillim, ishim plotësisht të tronditura dhe menduam se do të kalonte shpejt, por nuk është duke përfunduar siç kishim shpresuar. Andaj, u desh të zhvillonim mekanizma adaptimi.

Sidoqoftë, gratë ishin të vetëmotivuara ― fatkeqësisht për shkak të vuajtjes së cilës i ishin ekspozuar. Jemi të lodhura nga gjithë çfarë ka ndodhur deri tani.

Në zyrën tonë, me mbështetjen që kemi pranuar dhe për shkak se kemi ndërmarrë hapa radikalë në fillim të situatës me COVID-19 dhe karantinës, ishim të gjithë të pranishëm në të gjithë shtetin. I vizituam të gjitha fshatrat dhe qytetet.

Është mirë që jemi të zemëruara. Nuk mund të pranojmë diçka jonormale si normale, duke shkelur të drejtat tona themelore të njeriut.

Kemi shpërndarë pako ushqimore, produkte higjienike, vitamina, shtesa për gratë ashtu që ta mbijetojnë periudhën dyjavore të izolimit në shtëpitë e tyre, të mbyllura me fëmijët. Ishte gjë e mirë që i publikuam të gjitha, pasi besimi i grave në organizatën tonë u rrit. Ato fituan guxim më të madh për të folur, dhe ishin çdo herë e më të zemëruara me shtetin, gjë që është mirë.

Është mirë që jemi të zemëruara. Nuk mund të pranojmë diçka jonormale si normale, duke shkelur të drejtat tona themelore të njeriut. Jam e lumtur kur jemi të zemëruara me padrejtësitë. Është një shenjë që jemi të gjallëruara dhe të etura për një jetë më të dinjitetshme; që ende besojmë në një shoqëri të ardhme më të mirë. Aktualisht, në zyrën tonë kemi disa ekspertë dhe secili prej tyre mund ta çojë ekspertizën e vet përpara, duke na udhëhequr drejt arritjes së qëllimeve të organizatës sonë.

Çfarë ka shpërfaqur koronavirusi? Çfarë keni identifikuar apo zbuluar si problem? A ka ndonjë çështje për të cilën shoqëria nuk ishte e vetëdijshme, që ishte e mbuluar, të cilën koronavirusi e nxori në sipërfaqe?

Për shembull, grupi me të cilin punojmë i nënshtrohet rrezikut të përditshëm e të vazhdueshëm në gjendjen e zakonshme ekzistuese. Në kohë krizash, si kjo e tanishmja, problemet tona bëhen më transparente; të gjitha mangësitë e situatës ku përpiqemi të funksionojmë si duhet janë më të dukshme.

E kishim çështjen e punësimit dhe qasjes në tregun e punës për shkak të mundësive të pamjaftueshme të kujdesit ndaj fëmijëve në institucione publike, në çerdhe dhe shkolla; nuk kishte mjaftueshëm qendra ditore. Tani, me krizën e koronavirusit, edhe më shumë gra janë të papuna. Është edhe më vështirë ta krijosh balancin ndërmjet punës dhe jetës, të jesh prind vetushqyes për një, dy apo më shumë fëmijë. Mendoj se trysnia ndaj institucioneve është rritur sepse jemi më të fuqishme si organizatë dhe si individë.

Edna može! është rritur gjithashtu për shkak të trysnisë së shtuar nga baza e anëtarësisë sonë që nuk ka ekzistuar deri tani. Më herët, ishin 10 gra që mundoheshin të arrinin rezultate. Tani kemi anëtare të cilat flasin zëshëm kur diçka nuk është në rregull.

Gratë na sygjeruan të organizojmë protesta, të hyjmë në Kuvend, t’i marrim fëmijët tanë në parlament. Kurrë më herët nuk kemi qenë kaq kreativ si grup.

Edhe pse jam koleksioniste e gjërave të ndritshme, duhet t’i gjejmë gjërat e errëta në mënyrë që t’i ndriçojmë.

Kriza theksoi të mirën dhe të shëmtuarën. Është gjë e mirë që jemi këtu për ta mbështetur njëra-tjetrën në situata tërësisht kritike. Kjo ka sjellur një të mirë, e që është se tani mund ta praktikojmë solidaritetin.

Jam krenare me ekipin tim i cili nuk është ndalur së punuari, duke rrezikuar për një ideologji e cila na bashkon dhe na çon përpara. Ne i respektojmë të gjitha rekomandimet për mbrojtje por nuk do të ndalojmë së vepruari. Për shkak të rritjes së numrit të gjërave të këqija në gjendjen e jashtëzakonshme, vëllimi i punës sonë është trefishuar.

Varfëria, mjerimi ekzistencial, mungesa e mundësive dhe pabarazia, çështjet e tregut të punës, mungesa e mbështetjes nga komuniteti, të gjitha këto janë të dukshme dhe kanë arritur pikën e vlimit. Edhe pse jam koleksioniste e gjërave të ndritshme, duhet t’i gjejmë gjërat e errëta në mënyrë që t’i ndriçojmë.

Përkundër nismave tona avokuese, në vazhdimësi hasim kriza të ndryshme, rezistencë ndaj ndryshimit. Ka ende njerëz të shkolluar akademikisht të cilët punojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe që publikisht mohojnë ekzistencën e nevojave të ndryshme të disa grupeve.

Mund të them se e kishim një rast që do të ishte qesharak po të mos ishte aq tragjik. Një kolege nga një organizatë tjetër, e cila prezantoi problemet dhe sygjeroi zgjidhjet në prani të ministrit, mohoi përpjekjet tona sepse nuk e konsideronte veten si pjesëtare të grupit që është i prekur nga varfëria. Ajo theksoi se nuk ka diçka të tillë si feminizimi i varfërisë. Në një moment kyç, një ministër refuzoi ta pranonte ekzistimin e ekspertëve gjinorë si profesion.

Doroti Pačkova e përshkruan veten si “koleksioniste të gjërave të ndritshme” të cilat i gjen në errësirë. Foto nga arkivi privat i Doroti Pačkova-s.

Nuk dua t’i listoj të gjitha gjërat sepse do të mund ta botoja një biografi ashtu që gjeneratat e reja të mbajnë mend — të mos harrojnë — dhe të jenë falënderuese për mundësitë që po krijohen në një botë të re. Sepse ne jemi të dërrmuara nga injoranca, dija e njëanshme, sipërfaqësorja, dhe banalizimi i jetëve njerëzore.

E shoh se rinia moderne e ka farën e ndryshimit në vetvete; shoh shpresë në potencialin e tyre.  Një shembull rrezatues janë studentët e mi të cilëve u ligjëroj studime gjinore dhe të cilët dinë t’më bëjnë të qaj me gjërat e bukura që thonë. Shembull rrezatues është edhe ekipi i organizatës Edna može! Nuk është e lehtë, por ne nuk do të dorëzohemi.

Kjo më jep mundësi të marr frymë thellë, m’i mbush arteriet, dhe më shtyn të vazhdoj tutje — përkundër të gjithave.

A ka ende rezistencë shoqërore? A ka ndryshuar diçka? A janë seksizmi dhe mizogjinia ende të pranishme?

Mendoj se përderisa ne jemi fuqizuar, të gjithë ata që na kanë kundërshtuar janë bërë më të dobët, apo duket se nuk duan më të dalin kundër nesh. Megjithatë, mizogjinia dhe seksizmi janë problematike dhe prekin më të dobëtit ndër ne.

Sidoqoftë, ne jemi organizatë që mbrojmë në të dobëtit dhe më të cenueshmit. Andaj, kemi krijuar një mundësi online për raportimin e diskriminimit. Forma është e qasshme në faqen tonë dhe mund të përdoret në cilindo rast; më pas ne veprojmë në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Diskriminimit.

Qeveria ka ndryshuar dhe tani e kemi një ministre të re të punës dhe politikave sociale. Në çfarë shkalle ishte aktive ministrja e kaluar dhe a ka arritur diçka? A është ministrja e tanishme bashkëpunuese sa u përket kërkesave tuaja?

Thënë të drejtën, ministrja e mëparshme [Mila Carovska] veproi si balsam për shërimin e të gjitha plagëve, në krahasim me regjimin e kaluar. Ajo e lehtësoi qasjen tonë në institucione dhe ne i besuam plotësisht sepse menduam se ishte person i vetëdijshëm për kushtet tona. Sidoqoftë, në fund të mandatit të ministers nga e cila prisnim aq shumë, vetëm sipërfaqja ishte prekur në disa pika. Pak gjëra u zbatuan. Me plot kuptimin e fjalës, këta janë hapa buburrecësh.

Edhe ministrja e re [Jagoda Šahpaska] ishte më herët anëtare e grupit parlamentar për politika sociale dhe punë. Sa herë që organizojmë diskutime publike, ne komunikojmë me këtë grup. Më herët, ishin të hapur për komunikim dhe ndoshta tani kanë nevojë për kohë që të përshtaten me situatën e re; nuk e dimë nëse kjo është e qëlimshme apo e paqëllimshme. Ne duam t’i japim pak më shumë kohë, por ata duhet të punojnë në zgjidhjen e problemeve tona.

Ata duhet ta dinë, si të gjithë të tjerët në pozita të pushtetit, se duhet t’i përmbushin detyrimet e pozitave në të cilat janë falë nesh ― qytetarëve. Këto pozita u ofrojnë përfitime, por edhe përgjegjësi; ne presim diçka nga ta dhe ata duhet të punojnë fort. Nuk kërkojmë asgjë tjetër ― thjesht ta bëjnë punën për të cilën janë zgjedhur.K

Imazhi i ballinës nga arkivi privat i Doroti Pačkova-s.

  • PËR AUTORIN/EN Sonja Stojadinović
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO