Mbase përgjigja e duhur ndaj pyetjes se çka do të ndërroja në Kosovë, do të ishte një pyetje tjetër: A ka ndonjë gjë që në fakt nuk do doja ta ndërroja në Kosovë? Tash për tash, do të zgjedh një gjë –– sistemin e edukimit.
Kosova ka operuar me sistemin e njëjtë të edukimit që prej kohës kur prindërit e mi ishin në shkollë dhe tash, prindërit e mi janë në të pesëdhjetat e tyre. Ata mësuan në të njëjtin sistem si unë pas lufte dhe si kushërira ime që tash është në klasën e parë. Mënyra se si ne marrim edukim është krejt e thjeshtë: mësimdhënësi flet, ti lexon dhe as që mendon të bësh pyetje apo të provosh të korrigjosh informatat e pasakta që mësimdhënësi mund t’i thotë apo gabimet që ai mund t’i bëjë.
Sa isha duke u rritur, mendoja që kjo ishte mënyra se si duhet të mësosh, por kjo gjë u bë problem kur shkova në fakultet dhe nuk doja që askush të ma thirrte emrin apo të dilja përpara të gjithëve për ta thënë mësimin fjalë për fjalë.
Duket sikur askush nuk u brengos deri pas rezultateve të PISA, ku ne dolëm pothuajse të fundit. Zilja ra, por ra tepër vonë. Gjenerata të panumërta kaluan nëpër këtë sistem pa u edukuar dhe e njëjta vazhdon edhe sot. Janë bërë 22 vjet që prej kur ka përfunduar lufta dhe 14 vjet prej që është shpallur pavarësia dhe për arsim është bërë tepër pak, për të mos thënë asgjë. Në këtë rrafsh ka edhe ndasi gjeografike. Qytetet e mëdha qëndrojnë pak më mirë, në krahasim me fshatrat.
Riprodhimi, të drejtat themelore të njeriut, të drejtat LGBTIQ nuk përmenden fare. Ende mësohet se HIV/AIDS vjen nga homoseksualët. Nuk mjafton vetëm të dimë shkrim-lexim, edukimi është përtej kësaj. Na duhet ta kuptojmë botën përreth dhe ta sfidojmë atë, jo vetëm ta lexojmë dhe ta pranojmë siç është.
Na duhet angazhim i mirëfilltë dhe i hapur nga të gjithë. Sindikatat e arsimit na ‘kërcënojnë’ për çdo vit me greva, duke kërkuar paga më të larta për mësimdhënësit e asnjëherë cilësi më të mirë të mësimdhënies, apo sistem më të mirë arsimor.
Mënyra se si funksionon sistemi është e ngulitur aq thellë në kokat tona saqë merret si e mirëqenë, si diçka që nuk ndryshohet. E si mund të ndryshohet sistemi kur mësimdhënësit vazhdojnë të krijojnë analfabetë funksionalë? Këta analfabetë funksionalë i kthehen më pas sistemit dhe vazhdojnë të krijojnë analfabetë tjerë funksionalë. Zingjiri është aq i gjatë sa që na duhet punë e vazhdueshme dhe sistematike për ta këputur atë.
Si mund ta bëjmë këtë?
Duhet të fillojmë nga një gjë e thjeshtë, rekrutim i mësimdhënësve bazuar në meritë. Duhet të ketë testim dhe garë të drejtë kur bëhet fjalë për aplikimet në punë dhe rekrutimin e mësimdhënësve të rinj. Duhet të heqim dorë nga praktika që dikussh që e ka të afërm drejtorin e shkollës apo i ka punët mirë me një politikan –– e merr punën.
Dhe këtë ndryshim, ndër të tjera, Kosova ka nevojë ta nisë sa më parë. Anipse ka ndryshime të thella që nevojiten, si rishikimi i teksteve shkollore, trajnimi i mësimdhënësve për metodologji të reja të punës me ç’rast do hapej udhë për krijimin e një ambienti mësimor ku ka ndërveprim dhe komunikim të hapur ku nuk ka marrëdhënie autoriteti, por barazi dhe ku mendimi ndryshe në vend se të ndrydhet, inkurajohet, integrimi i mësimeve për të drejtat e njeriut nëpër kurrikula në nivel më të thellë e jo vetëm në disa faqe që kapërcehen si të parëndësishme, përmirësimi i vetë kushteve dhe infrastrukturës në të cilën mësohet. Radha e ndryshimeve të nevojshme është e gjatë, e barazia në mënyrën e rekrutimit mund të jetë një fillim i mbarë drejt këtyre ndryshimeve. Kështu, zingjiri i gjatë i riprodhimit të sistemit të vjetër do niste të zvogëlohej.
Pasojat e sistemit të moçëm arsimor kemi filluar t’i vërejmë dhe këto pasoja vetëm se do të rëndohen në të ardhmen. Për ta parandaluar një katastrofë akademike, ndryshimi duhet të bëhet sot, jo në 5 vitet e ardhshme, por sot. Duhet të veprojmë sot, që të mos fundosemi në një humnerë akademike.
Kur inkurajohen e krijohen gjenerata të përgatitura në nivel akademik, përfiton e gjithë Kosova. E ardhmja nuk lejon riprodhim të sistemeve të vjetra. Në një botë të udhëhequr nga zhvillimet teknologjike tashmë është e dhimbshme që neve na duhet të flasim ende për një sistem arsimor ku nuk diskutohet riprodhimi e të drejtat themelore të njeriut. Bota po ecë përpara dhe askush nuk do ndalet për të na pritur.
Imazhi i ballinës : Arrita Katona / K2.0