Më poshtë është një fragment nga “Minaret në male: Një udhëtim në Evropën Muslimane” nga Tharik Hussain, botuar në korrik të vitit 2021 nga Bradt Guides. Gjatë librit, Hussain dhe familja e tij udhëtojnë në Ballkan, duke ndjekur gjurmët e kronistit osman të shekullit të XVII, Evliya Celebi.
Kur Evliya vizitoi varrin e Muratit I, nuk i la përshtypje. Udhëtari osman përshkruan sesi ai dhe mbrojtësi i tij i rangut të lartë, në fakt, duhet të kalojnë nëpër jashtëqitje, dhe kur rroba elegante e Melek Pashës njolloset nga jashtëqitjet njerëzore, është kulmi. Thuhet se pashai fluturon i tërbuar, i neveritur nga gjendja e varrit të njërit prej sulltanëve të tyre më të mëdhenj. Ndërkohë, nipi i tij Evliya thekson se varri i vrasësit të Muratit, nga ana tjetër, është “i ndezur me llamba me xhevahir dhe aromatizuar me qelibar dhe misk” dhe mbikëqyret nga priftërinjtë që mirëpresin vizitorët. Arsyeja pse ‘të pabesët’ vijnë dhe kryejnë nevoja këtu, shpjegon Evliya, është sepse nuk ka njeri që t’i ndalojë.
Duke e dëgjuar këtë, pashai kërkon që varri të pastrohet dhe i punëson vendasit që ta bëjnë këtë menjëherë. Jashtëqitja largohet me lopata, hapet një pus, mbillen pesëqind pemë frutore dhe ndërtohet “një mur i lartë me një portë të lartë” rreth mauzoles që as edhe “njerëzit mbi kalë të mos mund të hynin”. Tyrbeja (türbe) është e mobiluar brenda me qilima mëndafshi dhe llamba të zbukuruara, qirinj janë ndezur dhe është spërkatur me ujë trëndafili. Melek Pasha pastaj e punëson një familje që të jetojë atje si kujdestare, duke ua ndërtuar atyre shtëpinë dhe duke u paguar atyre një pagë vjetore. Varri më në fund është i denjë për një mbret.
Evliya dhe pashai i tij mund të jenë larguar që dje, e tillë ishte gjendja e paprekur e varrit të Muratit kur arritëm atje nga Novi Pazari. Një portë e zezë prej hekuri u hap në një oborr të rrethuar nga muri prej guri i pashait. Përkundër dy autostradave të zëna që gjëmonin gjatë rrugës për në Prishtinë, kishte një ajër qetësie dhe paqeje brenda terreneve të mauzoleut. Një qen bardh e zi u ul me gjuhën jashtë në hijen e pemëve të reja frutore në një lëndinë të pastruar në mënyrë të përsosur.
Gurët e shtruar me ngjyrë gri çonin në një vilë të bardhë që nuk do të dukej jashtë vendit nën një diell toskan. Një pllakë ari thoshte se kjo ishte ‘Ndërtesa Selamlik’ apo ‘Shtëpi Kulturore dhe Promovuese’, e ndërtuar në vitin 1896 dhe e restauruar nga ATBK, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim. Shtëpia u ndërtua si një ndërtesë vizitorësh menjëherë pasi vendi u rinovua nga Sulltan Abdulmejidi I. Pas kësaj, varri me sa duket u restaurua edhe një herë nga osmanët para se të binte nën mbikëqyrjen e autoriteteve jugosllave të cilët gjithashtu kryen një restaurim.
Varri i Muratit ishte përsëri në një gjendje që i shkonte për shtati një mbreti – atij që mund të ishte gjyshi i Evropës myslimane.
Një portë e dytë çoi në perimetrin historik të mauzoleut të Muratit. Çdo gjë këtu dukej e pacenuar si dhe freskët e pastruar. ATBK e kishte marrë me forcë stafetën nga Evlija dhe Melek Pasha; varri i Muratit ishte përsëri në një gjendje që i shkonte për shtati një mbreti – atij që mund të ishte gjyshi i Evropës myslimane.
Kur Murati I, sulltani i tretë i Perandorisë atëherë të re Turke, ra në vendin ku ishim në vitin 1389, ai e kishte marrë fuqinë e tij të re rajonale në një kontinent të ri, kishte rrëmbyer territoret e lakmuara bizantine dhe i kishte kthyer osmanët në një triumf ndërkombëtar. Zgjerimi i Muratit e vendosi perandorinë në rrugë, gjatë dy shekujve të ardhshëm, për t’u bërë dinastia më e madhe myslimane që bota kishte parë ndonjëherë.
Murati vdiq këtu gjatë Betejës së Kosovës. Armiqtë e tyre atë ditë u udhëhoqën nga princi serb Lazar, Mbreti Tvrtko i Bosnjës, Vuk Branković (dhëndri i Lazarit), princi vllah Mircea i Madh dhe një numër princash shqiptarë. Ata që u rreshtuan me osmanët përfshinin Konstandinin, princin bullgar Kostendil, disa princër serbë që ishin rivalë të Lazarit dhe një numër princash turkumanësh të Anadollit.
Evliya çuditërisht pohon se Murati i vrau 700,000 të pafe, por historianët besojnë se në betejë në total ishin rreth një e pesta e këtij numri ushtarësh. Gjatë përleshjes, aleatët evropianë fillimisht kishin epërsinë, dhe vetëm kur Branković dezertoi, batica u kthye në favor të ushtrisë së udhëhequr nga myslimanët. Është e paqartë nëse Murati vdiq para ose pas shpalljes së fitores, por pas vdekjes së tij ishte djali i tij Bajaziti ai që u bë sulltani i ardhshëm osman dhe thuhet se ka ndërtuar mauzoleumin origjinal këtu në këtë fushë për babanë e tij martir.
Pjesa e brendshme e varrit të Sulltan Muratit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Si vdiq Murati është një burim polemikash, me një mori mitesh dhe legjendash që shfaqen menjëherë pas kësaj. Evliya na ofron një nga versionet më evokuese: fitorja ishte shpallur tashmë dhe, derisa Murati endet në fushën e betejës, ‘një i mosbesimtar i pafat me emrin Koblaki’ u ngrit nga ushtarët e vdekur të kundërshtarëve dhe e vrau Muratin para se të përpiqej të ikte me kalë. Ushtarët osmanë e ndoqën atë, por nuk mundën ta rrëzojnë, derisa një grua e moshuar tha se ata duhet ta godisnin tek thundrat e kalit. Kur një shigjetar veproi kështu, Koblaki u rrethua dhe iu pre fyti.
Evliya thotë se veshkat, mëlçia dhe zemra e sulltanit u hoqën për të përgatitur trupin e tij për transport në Bursa dhe u varrosën në vendin ku tani qëndron kjo tyrbe. Kjo ishte struktura e parë osmane në Kosovë dhe u bë një vend pelegrinazhi.
Murati, pra, ishte arsyeja pse Islami erdhi në Evropë për herë të dytë. Ironikisht, kjo po ndodhte pikërisht kur komuniteti nga ardhja e parë po shtyhej jashtë Evropës. Muslimanët ishin shfaqur në Spanjë qysh në vitin 711 duke gjetur një shoqëri të lulëzuar të bazuar në ekzistencën ndër-fetare, atë që strehonte të krishterët dhe hebrenjtë – diçka që edhe osmanët do ta imitonin. Por, brenda shekullit të ardhshëm, pranisë myslimane spanjolle do t’i vinte fundi kur qyteti i fundit mysliman i Granadës në Spanjën jugore u pushtua nga monarkët katolikë, Isabella I e Castiles dhe Ferdinandi II i Aragonit në vitin 1492. Shumë nga spanjollët hebrenjë të dëbuar (Sefardik) do të hynin në territoret osmane. Kjo nënkuptonte se fitorja e Muratit siguroi praninë e vazhdueshme të muslimanëve dhe hebrenjve sefardikë në Evropë; diçka që mbetet edhe sot e kësaj dite.
Ne hymë në grupin e dytë të portave për të gjetur ‘faltoren rrezatuese’ të Evliya-s ‘të sulltanit martir, Ghazi Khudavendigar’ (adhurues i Zotit) pothuajse saktësisht siç e kishte përshkruar ai: i rrethuar nga disa varre të rëndësishme në një kopsht të mirëmbajtur, me trëndafila që lulëzonin. Më mbresëlënësi nga këto kishte gurë varri të gjatë e të hollë me mbishkrime dhe baza delikate persiane të frymëzuara nga modelet greko-romake.
Pyesja veten nëse pema e lashtë ishte një nga ato që mbollën Evliya dhe Meleku; sigurisht, dukej mjaft e vjetër.
Dy gra me funde të gjata dhe bluza pa mëngë hynë para nesh dhe u përshëndetën nga një grua e moshuar me një shami koke të modeluar. Ajo ishte ulur në një karrige para një shtëpie të vogël në të djathtë të oborrit të brendshëm, trashëgimi e kujdestarëve që Melek Pasha kishte punësuar për t’u kujdesur për varrin. Familja e gruas ishin pasardhës të një Haci Ali nga Buhara, të cilit iu dha puna në mes të shekullit të XIX.
Varri i Sulltan Muratit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Pashë dy gratë teksa vunë disa para në dorën e pasardhëses të Haci Aliut. Ajo i mori paratë dhe i nxiti të shkonin majtas drejt hyrjes së tyrbes, duke u dhënë udhëzime në një gjuhë që nuk e kuptonim. Nxora disa para nga portofoli dhe bëra të njëjtën gjë. Gruaja, duke kuptuar se nuk flisnim shqip, na çoi drejt derës së varrit, pranë së cilës qëndronte një pemë e lashtë e përkulur nga vitet. Pema, dukej qartë se është e rëndësishme, pasi tani po mbështetej nga dy shtylla të trasha metalike. Pyesja veten nëse ishte një nga ato që mbollën Evliya dhe Melek; sigurisht dukej mjaft e vjetër.
Vajza ime Amani po e shikonte me qëllim dhe më pa duke tundur kokën. Ngjitja në pemë ka qenë gjithmonë një nga gëzimet e saj më të mëdha. Jemi me fat që jetojmë pranë Epping Forest në periferi të Londrës dhe, si fëmijë, të dyja vajzat kishin aty pemët e tyre të preferuara. Shpesh, ato do të zhdukeshin, të pajisura me nga një libër, kështu që për rreth gjysmë ore apo me shumë, vetëm një fytyrë e vogël e mbuluar pjesërisht nga një titull Jacqueline Wilson ishte e dukshëm përmes degëve dhe gjetheve.
Vajza ime tjetër Anaiya po shikonte gjithashtu diçka – macen banore të varrit. Ajo u ul poshtë, duke e ledhatuar macen e hollë të zezë me një gjethe të rënë, ashtu siç kishim rënë dakord – pa e prekur. Asnjëra prej tyre nuk ishte entuziaste për të hyrë te varri, kështu që duke i lënë aty ku mund t’i shihnim, unë dhe gruaja ime Tamara u drejtuam brenda për në tyrbe.
Tamara e ngriti kokën dhe vërtet u trondit. "Nuk jam e sigurt për këtë", pëshpëriti ajo teksa doli jashtë.
Edhe Murati ishte i martuar me një Tamara; Kera Tamara, vajza e perandorit mesjetar bullgar, Ivan Aleksandër. Murati kërkoi dorën e saj për martesë për të garantuar paqen midis dy perandorive. Ishte praktikë e zakonshme në ato ditë që sundimtarët të martoheshin me gra nga familje të tjera sunduese dhe t’i forconin lidhjet e tyre, por historia e Tamarës është interesante për dy arsye: së pari, sepse Tamara nuk u konvertua në Islam dhe u lejua të mbetet një e krishterë praktikuese; dhe së dyti, sepse martesa e saj mbahet mend në folklorin bullgar si një sakrificë që ajo bëri për popullin e saj. Varri i Tamarës është gjithashtu në Bursa, pranë varrit të dytë të burrit të saj.
Tamara dhe unë hymë në një verandë të vogël përmes një sërë dyerve xhami. Brenda, dukej si një serë e vogël; një numër i madh i bimëve të bukura djersiteshin në ngrohtësinë e krijuar nga rrezet briliante të diellit që kalonin nëpër xham. Kjo përfshinte ngjitjen e trashë të dredhkës rreth hyrjes së zbukuruar me kujdes në dhomën kryesore. Flamuri i kuq i Turqisë ishte varur në një cep të verandës dhe nën të ishin shalle që gratë t’i vendosnin mbi kokën e tyre. Derisa Tamara vuri një mbi kokën e saj, unë pashë një grua që i vinte rreth varrit të madh të purpurt të Muratit, ashtu siç bëjnë myslimanët rreth Qabes. E lajmërova Tamarën, e cila ngriti kokën dhe dukej vërtet e tronditur. Mbetëm; asnjëri prej nesh nuk kishte parë ndonjëherë diçka të tillë në ndonjë nga vendet myslimane që kishim vizituar më parë. Kjo e vendosi Tamaran në situatë më të pakëndshme se mua, sepse menjëherë pas kësaj ajo vendosi të largohej.
Minaret në male: Një udhëtim në Evropën myslimane nga Tharik Hussain. Foto: Arkivi i Bradt Guides.
“Nuk jam e sigurt për këtë,” pëshpëriti ajo tek sa dilte jashtë.
Amani më vonë do të më thoshte se ishte pamja e fytyrës së nënës së saj ajo që e shtyu të hynte brenda. Ajo hyri pikërisht kur gruaja po mbaronte rrotullimin rreth sarkofagut prej druri të Muratit.
Gruaja pastaj u ul në krye të varrit nën çallmën e madhe të bardhë. Koka e saj ishte e mbështjellë me një nga shallet e huazuara, por krahët e saj mbetën të ekspozuar në një jelek pa mëngë. Ndërsa ajo ishte ulur duke recituar nën zë, kujdestarja e moshuar u kthye me një triko dhe disa libra nga të cilat mund të recitonte.
Jam rritur duke i parë të gjitha llojet e akteve të nderimit që kryheshin në faltoren e Shah Jalal në Bangladesh.
Unë dhe Amani ecëm nëpër dhomë. Mbi ne kupola e tyrbes kishte trëndafilin më të bukur të pikturuar nga i cili varej një llambadar; ishte i rrethuar me mbishkrime arabe dhe një model lulesh të kuqe dhe ari. Drita hynte nga dritaret në të katër muret dhe i vura re shenjat ushtarake të ditëve të mëvonshme të Perandorisë Osmane që vareshin në njërën prej tyre.
“Pra, kjo është arsyeja pse nëna u tremb pak”, pëshpëriti Amani ndërsa u kthyem në dritën e ndritshme të diellit.
“Po, sigurisht që nuk ishte ai lloj rituali që kisha pritur të shihja në një varr të një sulltani”.
“Faltoret më trembin pak”, tha Tamara ndërsa u drejtuam për në makinë.
Njohja e Tamarës me Islamin kishte çuar në rinjohjen time me fenë. Kjo ishte përmes llojit konservator të Islamit të njohur si Salafizëm, i cili u bë i njohur në Arabinë Saudite rreth shekullit të XIX dhe predikon një ‘kthim’ të mirëfilltë, pa kompromis në një Islam puritanik dhe ‘të pacenuar’. Përkrahësit e tij besojnë se ky version i Islamit është mënyra se si feja u praktikua nga Profeti dhe brezi i parë i muslimanëve në shekullin e VII, dhe në fakt edhe mënyra e saktë dhe e vetme për të praktikuar Islamin. Salafizmi i sheh shenjtorët, nderimin e varreve dhe faltoret si heretike, ndoshta kjo është edhe arsyeja pse hapësira të tilla e bëjnë Tamaran të ndjehet jo rehat.
Kurse unë, nga ana tjetër, jam rritur duke i parë të gjitha llojet e akteve të nderimit që kryheshin në faltoren e Shah Jalal në Bangladesh. Në fakt, historitë e Muratit dhe Shah Jalal kishin disa paralele. Të dy ishin me origjinë turke dhe u vlerësuan për sjelljen e Islamit në një rajon ku shumë myslimanë vendas mbeten mirënjohës për këtë. Të dy e kishin arritur këtë duke marrë pjesë në një betejë epike – Shah Jalal ishte me mbretin vendas hindu, Gour Gobind. Edhe pse njëri kishte ardhur si misionar dhe tjetri si sulltan, me kalimin e kohës të dy burrat ishin bërë shenjtorë për shumë njerëz. Për këtë arsye disa njerëz erdhën te varri i Muratit, si ata të Shah Jalal në Sylhet, me ide shumë të ndryshme se si t’i bënin nderime personit edhe sulltan edhe shenjëtor.
Bradt Guides u ofron lexuesve të Kosovo 2.0 zbritje prej 25% për librin “Minaret në Male”. Për ta shfrytëzuar zbritjen tuaj, vizitoni bradtguides.com/shop dhe shkruani kodin KOSOVO2.0 në arkë. Oferta vlen deri më 31 dhjetor 2021.
Imazhi i Ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.