Blogbox | Qeveria

Hapja e të dhënave

Nga - 25.07.2020

Duhen të dhëna të hapura dhe të qasshme në Kosovë.

Vitin që shkoi, si student shkëmbimi në Finlandë e përjetova vetë se si duket një shoqëri liberale, e hapur dhe e digjitalizuar. U befasova kur pashë që çdo shërbim publik ishte në internet dhe vetëm një klikim larg; sasia e informacionit në dispozicion të publikut ishte mahnitëse.

Një shok ma rekomandoi portalin qeveritar të të dhënave të quajtur opendata.fi, të zhvilluar nga Agjencia Finlandeze Digjitale dhe e Shërbimeve të të Dhënave të Popullsisë. Ky portal ofron një gamë të të dhënave të hapura nga gjashtëmbëdhjetë kategori: qeveri dhe shoqëri, shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë, transport, etj., të mbledhura në një format të thjeshtë dhe të lexueshëm, të qasshëm për përdorim kurdo.

Një nga detyrat që m’i dhanë profesorët në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Häme ishte të paraqes një rast të suksesshëm të përpjekjeve të një vendi për të hapur të dhënat. Ndërsa shleftoja faqen e tyre të internetit, u frymëzova të bëja kërkime të ngjashme për vendin tim Kosovën dhe të shoh se çfarë ka bërë qeveria në lidhje me hapjen e të dhënave dhe bërjen e tyre të qasshme për publikun.

Çka janë të dhënat e hapura?

Është ideja që të dhënat duhet të jenë të disponueshme falas për çdo qytetar për çfarëdo qëllimi; mundësia për t’i ripërdorur të dhënat pa kufizime të të drejtave të autorit ose patentave, dhe për t’i ribotuar sipas dëshirës. Shembujt përfshijnë të dhënat e regjistrimit të popullsisë, hartat, apo edhe të dhënat në kohë reale për vendndodhjet e autobusëve / trenave.

Që nga fillimet e veta më 1942, kur disa shkencëtarë vendosën t’i bëjnë gjetjet e tyre të hapura për diskutim dhe analiza, ka pasur shqetësime për privatësinë e të dhënave dhe ato shqetësime janë veçanërisht të përhapura me rritjen e përparimit teknologjik.

Sidoqoftë, të dhënat e hapura nuk duhet t’i përfshijnë, dhe zakonisht nuk i përfshijnë, informatat personale të individëve. Të dhënat e hapura janë të strukturuara, të verifikuara dhe duhet t’u përmbahen rregulloreve përkatëse të një vendi të veçantë përpara publikimit; referenca ndërlidhëse dhe ndërlidhja e disa bazave të të dhënave dhe grupeve të të dhënave është zgjidhja më e thjeshtë për t’u mbrojtur nga shqetësime të tilla.

Vende të ndryshme nëpër botë kanë nisur partneritete që synojnë hapjen e qeverive. Partneriteti i tillë më domethënës është Partneriteti i Qeverisë së Hapur (OGP), i filluar në vitin 2011, me tetë shtete themeluese dhe gjithsej 78 shtete anëtare që janë zotuar për Deklaratën e Qeverisë së Hapur. Fatkeqësisht, Kosova nuk është anëtare e OGP-së për shkaqe politike, edhe pse ka bërë përpjekje për të reformuar dhe digjitalizuar administratën publike.

Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të dhëna të hapura si pjesë e reformës së administratës publike nisën në fillim të vitit 2014, kur u zotua të hartojë dhe zbatojë Planin Kombëtar të Veprimit si përkushtim për t’iu bashkuar Partneritetit të Qeverisë së Hapur, megjithatë nuk u pranua.

Përpjekje të ndryshme janë përqendruar në promovim të pjesëmarrjes qytetare, rritje të transparencës dhe forcim të integritetit në institucione publike.

Megjithëse kjo paraqiste pengesë të madhe, Ministria e Administratës Publike (MAP) në vitin 2015 filloi zbatimin e Nismës për të Dhëna të Hapura menjëherë pasi qeveria miratoi Kartën Ndërkombëtare të të Dhënave të Hapura, e cila delegon punën e Planit Kombëtar të Veprimit dhe miratimin e Portalit Kombëtar të të Dhënave të Hapura.

Në vitin 2018, MAP nxori Raportin e Vlerësimit të Gatishmërisë për të Dhëna të Hapura, i cili ofron një përmbledhje të statuskuosë së të dhënave të hapura në Kosovë. Ky raport, ndër informacione dhe qëllime të tjera të vlefshme në fushën e të dhënave të hapura publikoi disa hapësira digjitale ku qytetarët mund të marrin informacione specifike. Ndër to ishte Banka Qendrore e Kosovës, Agjencia për Shoqërinë e Informacionit dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 

Sidoqoftë, disa gjetje tregojnë se këto uebfaqe nuk janë të ndërtuara në sisteme të forta informacioni dhe se do të zhvillohen më tej. Deri më tani Kosova ka nënshkruar direktiva, është zotuar për plane veprimi, ka vlerësuar kapacitetet dhe ka krijuar Portalin Kombëtar të të Dhënave të Hapura, ku mund të gjenden disa grupe të të dhënave.

Megjithatë, nismat e shoqërisë civile për të dhëna të hapura në Kosovë filluan shumë më herët; përpjekje të ndryshme janë përqendruar në promovimin e pjesëmarrjes qytetare, rritjen e transparencës, forcimin e integritetit në institucione publike dhe vëzhgimin e performancës shtetërore që nga viti 1999.

Instituti Demokratik i Kosovës dhe Kapitulli i Transparency International në Kosovë (1999) filluan përpjekjet për t’i fuqizuar qytetarët për të kërkuar transparencë dhe përgjegjshmëri publike dhe për t’u angazhuar në hartimin e politikave.

Më 2005, bashkë me organizatën Çohu, fokusi i së cilës është rritja e transparencës për shpenzimet qeveritare, Instituti GAP, një think tank e përfshirë në bërjen e politikave publike, filloi të ofrojë të dhëna të hapura për buxhetin e shtetit, ndër të tjera.

Në vitin 2012, portali online Kallxo.com i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), i cili ka për qëllimin të hulumtojë korrupsionin në Kosovë dhe fusha që variojnë nga analiza financiare për paratë publike të shpenzuara, qasja në dokumente publike dhe monitorimi i zgjedhjeve.

Open Data Kosovo ka disa projekte për të dhëna të hapura, fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimin e TIK-ut, të shoqëruar me zhvillimin e zgjidhjeve digjitale të bazuara në të dhëna. Organizatat e shoqërisë civile vazhdimisht kontribuojnë në hapjen e të dhënave.

Sidoqoftë, përpjekjet e tyre duhet të shoqërohen me nismat e qeverisë për të ofruar shërbime më të mira për publikun dhe për të prezantuar praktika të mira përmes përpjekjeve të përbashkëta.

Përpjekjet e qeverisë për hapjen e të dhënave të veta      

Raporti i vitit 2016 nga UNDP për Rolin e të Dhënave të Hapura për Zhvillim të Qëndrueshëm sugjeronte që megjithëse Kosova themeloi një portal të hapur të të dhënave më 2015, ai është joefikas për shkak të numrit të ulët të grupeve të të dhënave dhe përditësimeve të rralla, e gjithë kjo vetëm një vit pas implementimit.

Kosova mbetet prapa hapjes së të dhënave të qeverisë për shkak të transformimit të dobët të infrastrukturës së saj ligjore dhe politike.

Ngjashëm, një raport nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara në vitin 2019 thoshte se portali ekzistues është funksional, por “cilësia e të dhënave të regjistruara duhet të përmirësohet që platforma të jetë e dobishme”. Raporte të tilla hedhin poshtë idenë se Kosova ka krijuar një platformë plotësisht funksionale dhe gjithashtu pretendojnë se “ndërsa ekziston legjislacioni për qasje të barabartë në shërbime, ai nuk zbatohet në mënyrë sistematike”.

Sipas Indeksit Global të të Dhënave të Hapura, Kosova renditet si 0% e Hapur, përsa i përket përqindjes së grupeve të të dhënave që janë plotësisht të hapura siç përcaktohet nga përkufizimi “I hapur”. Kosova renditet në vendin e 58-të në krahasim me vendet e tjera të listuara, përfshirë të tjerët në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, Kosova shënon vetëm 26% në pyetjet e peshuara. Kjo nënvizon mungesën e grupeve të mjaftueshme të të dhënave, licencave të hapura, formateve të lexueshme nga makineritë dhe kapacitetin e të dhënave për t’u shkarkuar me shumicë — gjë që i bën të dhënat e hapura iluzion në Kosovë.

Për më tepër, Kosova mbetet prapa hapjes së të dhënave të qeverisë për shkak të transformimit të dobët të infrastrukturës së saj ligjore dhe politike, siç theksohet në raportin e vitit 2015 nga Instituti Riinvest. Për shkak të “udhëzimeve të papërcaktuara të ligjeve ekzistuese në Kosovë për sa i përket shpalosjes dhe shpërndarjes së të dhënave, në krye të një niveli të ulët të pranisë në internet dhe nevojës për trajnim të vazhdueshëm të punonjësve të organeve publike, veçanërisht të punonjësve të ngarkuar me menaxhimin e të dhënave, informacionit dhe përmbajtjes në internet”, përfundon raporti.

Gjetjet tregojnë se në Kosovë ekzistojnë prirje të shumta që parandalojnë suksesin e progresit aktual të të dhënave të hapura. Njëra është mungesa e një personeli të aftë në sektorin publik; kjo është arsyeja pse Georges Labreche themeloi Open Data Kosovo si një vend ku rinia mund të trajnohet në sektorin e teknologjisë, ndër programet e tjera të trajnimit.

Një çështje tjetër duket se rrjedh nga përqëndrimi në shumë pak grupe të të dhënave dhe mbledhja e pasaktë e të dhënave. Për të shmangur këtë, qeveria duhet të sigurojë që mbledhja e të dhënave të bëhet vazhdimisht nga burime të ndryshme, rregullisht, dhe jo në mënyrë episodike.

Sipas Fondacionit Open Knowledge, ka pasur përparim në hapjen e të dhënave në Kosovë, përfshirë publikimin e pjesshëm të të dhënave në një format digjital. Për më tepër, ligji për të drejtat e autorit në Kosovë ofron mundësinë e vendosjes së dokumenteve publike në sferat e lira të disponueshme. Me mekanizma thelbësorë mund të bëhet ndryshim i madh. Njohuritë digjitale të shoqëruara me nxitjen nga shoqëria civile dhe organizatat mbikëqyrëse mund të prodhojnë rezultate të mahnitshme.

Çka mund të përmirësohet?

Një shembull suksesi që Kosova do të mund ta ndiqte është Finlanda. Mund të tingëllojë e njëanshme kur e sugjeroj këtë, por imagjinoni të shkoni në një vend të huaj për herë të parë, të ndërtoni jetën tuaj për gjashtë muaj dhe të mos e keni asnjë problem gjatë rrugës. Kjo është ajo që Finlanda do të thotë për mua me pak fjalë. Mezi mund ta imagjinoja që një shoqëri e tillë e digjtalizuar mund të ekzistonte, ku mund të merrja çdo lloj ndihme që më duhej nga një kërkim i thjeshtë në internet.

Lloji i të dhënave që është interesant për audiencat e reja nuk është domosdoshmërisht interesant për audiencat tjera.

Sasia e burimeve të hapura dhe e informatave që mund t’u qasesha nga faqet e internetit të komunës dhe nga portali qeveritar finlandez ishte e jashtëzakonshme. A më duhej të shkoja në zyrën e gjendjes civile për të marrë një numër të identitetit finlandez? Gjeta vendndodhjen, dokumentet e nevojshme dhe formularin e aplikimit — të gjitha në internet. Nëse do të doja të shkoja në një udhëtim me autobus, informacionet për linjën e autobusit, çmimet, bileta dhe pagesa ishin të gjitha në portal. Të dhënat e hapura bëhen për çdo audiencë atje, pavarësisht nëse je turist, qytetare e moshuar, student, ose thjesht po kërkon informata në ndonjë fushë që të intereson.

Një përvojë tjetër që ia vlen të ndahet është kur pata reaksion alergjik të papritur në fund të nëntorit 2019. Sado i shqetësuar që isha për shëndetin tim, nuk shqetësohesha për informatat lidhur me spitalin, llojin e shërbimit mjekësor, tarifat, faturat nga posta dhe terminet në dispozicion për gjendjen time shëndetësore. Në kategorinë Shëndeti në portalin finlandez të të dhënave të hapura mund t’i gjeni të gjitha këto informacione dhe më shumë, shumë lehtë.

Në Kosovë, dy komuna kanë uebfaqe: Prishtina dhe Gjakova. Por, jam i sigurt që nuk do të hasja në këto faqe në qoftë se nuk do ta kisha hulumtuar temën; kjo do të thotë që faqet e internetit ekzistuese nuk i arrijnë audiencat siç duhet. Edhe kur i shfletoja këto faqe në internet, vëreja se të dhënat nuk janë gjithëpërfshirëse për sa i përket moshës, nivelit arsimor dhe niveleve të ndryshme të angazhimit politik të qytetarëve.

Kjo pasi, siç përmendet nga OECD në raportin për Angazhimin e të Rinjve në Qeveri të Hapur, të dhënat e hapura duhet të synojnë edhe audiencat (e reja) me nivel relativisht të ulët të angazhimit politik dhe që janë votues të ardhshëm. Lloji i të dhënave që është interesant për audiencat e reja nuk është domosdoshmërisht interesant për audiencat tjera. Ndërsa analistët politikë mund të kërkojnë të dhëna se ku po shkojnë paratë e taksave, në varësi të nivelit të arsimit, disa njerëz mund të mos jenë të prirur të kërkojnë ku po shpenzohet buxheti, ose të kuptojnë skedarët e komplikuar me informata financiare për projekte specifike.

Nuk kam si të mos mendoj se Finlanda i trajton të dhënat e hapura si pasuri.

Çfarë disave mund t’u pëlqejë, dhe më duhet ta përfshij veten këtu, janë të dhënat në lidhje me kanalet ekzistuese të angazhimit të të rinjve, bursat, informatat mbi atë që qeveria po bën për ta bërë jetën tonë më të mirë dhe të dhënat që janë të kuptueshme ose të paktën kanë një shpjegim më të thjeshtë se pse janë të rëndësishme për publikun.

Ndërsa është e vërtetë që faqet e internetit ekzistuese në Kosovë kanë grupe të të dhënave, dështimi për të krijuar përmbajtje të integruar, në kohë, interesante dhe tërheqëse për faqet e internetit të të dhënave të hapura është i përhapur. Të kuptuarit se disa faqe në internet janë krijuar për audiencë specifike nuk duhet të fshehë faktin që Portali Kombëtar i të Dhënave të Hapura është krijuar për çdo vizitor, pavarësisht nga profesioni, mosha, interesat dhe niveli arsimor.

Për shkak se Kosova është vend multietnik, komunitetet joshumicë në Kosovë kanë nevojë për qasje në të njëjtat të dhëna si unë. Përkrahja e këtyre faqeve në internet dhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e përfshirjes në një shoqëri të hapur janë thelbësore dhe të rëndësishme për një qeveri që do t’i mësojë brezat e rinj që do të udhëheqin në të ardhmen e afërt.

Sot, ndërsa e shkruaj këtë blog nga rehatia e shtëpisë sime në Gjilan, nuk kam si të mos mendoj se Finlanda i trajton të dhënat e hapura si pasuri, ashtu si guidat i përdorin informatat për malet dhe monumentet historike si vlerë për t’i argëtuar udhëtarët.

Por, unë gjithashtu mendoj se ideja ime për Finlandën nuk do të ishte e vërtetë nëse qeveria e tyre s’do t’i përkrahte projektet që i shndërrojnë politikat në procese pragmatike dhe efektive. Unë besoj se kjo është ajo që u mungon shumë vendeve në zhvillim dhe një nga mësimet më të mira të nxjerra nga përvoja ime është rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë midis qytetarëve, qeverisë dhe sektorit joqeveritar (përfshirë sektorin privat) në formimin e një shoqërie të zhvilluar. T’i kesh mekanizmat kryesorë me të njëjtat synime dhe objektiva në mendje është thelbësore për performancë të suksesshme.

Kosova mund të ndjekë të njëjtët hapa. Ministria e Administratës Publike duhet të emërojë ndërmjetësuesit e duhur për të vendosur praktika të përparuara teknologjikisht dhe të mbështesë “ndërveprimin e informacionit dhe mundësinë e përdorimit të të dhënave të hapura”. Kjo mund të arrihet përmes përditësimeve të shkallëzuara dhe fleksibile në portal që lehtësojnë shfrytëzimin e të dhënave. Për më tepër, në përputhje me planin e veprimit në vlerësimin e gatishmërisë së të dhënave, “qeveria duhet të sigurojë më shumë grupe të të dhënave në platformën e saj të hapur të të dhënave”.

Forcimi i prokurimit dhe administrimit të të dhënave është thelbësor sepse kjo do të çojë në krijimin e portfoleve që përmbajnë praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra. Një burim që Qeveria mund ta përdorë është Open Data Kosovo, përmes ofrimit të trajnimeve për punëtorë të pakualifikuar.

Hapat e ardhshëm

Një ndarje e qartë e roleve dhe përgjegjësive midis të gjitha agjencive dhe palëve të interesuara të përfshira në hapjen e të dhënave qeveritare është thelbësore. Një koordinim mbarëkombëtar nënkupton një ndarje të roleve në Kosovë midis Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Administratës Publike, përfshirë Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit, ministritë e tjera të linjës, përfaqësuesit e sektorit TIK dhe përfaqësuesit nga OJQ-të. Mbulimi i mediave për të përhapur vetëdijen dhe për të rritur njohuritë e publikut për rëndësinë e hapjes së të dhënave është gjithashtu thelbësor.

Është thelbësore që përpjekjet e Kosovës drejt të dhënave të hapura të nxiten nga fakti që transparenca rrit besimin dhe angazhimin e publikut, besueshmërinë e qeverisë dhe promovon inovacionin.

Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë gatishmëri dhe angazhim politik për të siguruar që çdo agjenci qeveritare do t’ia sigurojë grupet e të dhënave të tyre qeverisë për portalin e hapur të të dhënave rregullisht dhe në një format të lexueshëm nga makineritë. Nuk duhet vetëm t’i fusin të dhënat dhe të mendojnë se një titull i paqartë është i mjaftueshëm për ta plotësuar kutinë “përditësimi i të dhënave”. Komitetet drejtuese për të dhëna të hapura duhet të avancojnë politikat ekzistuese dhe të monitorojnë zbatimin përmes komunikimit të rregullt dhe shkëmbimit të informacionit.

Pjesëmarrësit e tjerë do të lehtësojnë rritjen e nismës së hapjes së të dhënave duke ofruar këshilla dhe udhëzime për mbulimin e mediave për ta mbajtur publikun të përditësuar dhe për ta vetëdijësuar për reformat e të dhënave të hapura që po ndodhin. Së fundmi, një vlerësim i reformës është thelbësor për të parë suksesin e tij dhe kjo fazë duhet të përfshijë mekanizmat e nevojshëm për përgjegjshmëri, qëllimi i vetëm i së cilës është mbikëqyrja e reformës në mënyrë që të mos ketë “mospërputhje legjislative, buxhetore, administrative dhe rregullatore”.

Prandaj, si entuziast i të dhënave të hapura, besoj se kur ekziston vullneti, ekziston edhe mënyra. Unë mendoj se përveç synimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në nisma ndërkombëtare për të dhëna të hapura, është thelbësore të zbatohen politika të brendshme si dëshmi që intervenimet aktuale nuk janë premtime të pakuptimta.

Reformat e rekomanduara të politikave dhe praktikave do të sigurojnë që një aleancë ndërqeveritare të funksionojë dhe partneriteti me akterë të tjerë, përfshirë shoqërinë civile dhe sektorin privat, të forcohet. Është thelbësore që përpjekjet e Kosovës drejt të dhënave të hapura të nxiten nga fakti që transparenca nxit besimin dhe angazhimin e publikut, besueshmërinë e qeverisë dhe promovon inovacionin. Qytetarët, veçanërisht rinia, tani janë më të arsimuar se si të përfshihen në jetën e tyre politike — dhe kjo përfshin gjithashtu të drejtën për të hyrë në të dhëna të hapura nga institucionet që i qeverisin ata.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • PËR AUTORIN/EN Diar Ramadani
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO