Blogbox | Rinia

Hera ime e parë në aeroplan pas liberalizimit të vizave

Nga - 27.12.2024

Krejt çka kemi ëndërruar dhe më shumë.

Vitin e kaluar na u dha lajmi. Pas 25 vitesh, më në fund do të mund të udhëtonim në zonën Shengen pa kufizime. Por të them të vërtetën, unë dhe shoqja ime e ngushtë ishim shumë skeptike. Në fund të fundit, jeta në peizazhin politik të Kosovës na ka mësuar se asgjë s’është e sigurt.

Të dyja gjithmonë e kemi dashur udhëtimin. Është një nga gjërat që na lidhi edhe më shumë. Dhe po them të udhëtimin, por në fakt po e mendoj idenë e udhëtimit. Dikur rendisnim të gjitha vendet që do t’i shihnim së bashku dhe vendet që do t’i eksploronim, por disi, të dyja mendonim se ishte thjesht një ëndërr. Madje, njerëzit më thoshin se nuk do të ndodhte kurrë, sepse jetonim në Kosovë dhe se udhëtimi është privilegj i rezervuar vetëm për njerëzit në Perëndim.

Dhe kjo deri diku ishte e vërtetë. Jo të gjithë ata që jetonin në Perëndim kishin para mjaftueshëm për të udhëtuar dhe për ta parë botën, sigurisht, por nëse do t’i kishin ato, nuk do të kishin nevojë të shqetësoheshin për pjesën tjetër. Pasaportat e tyre janë më të fuqishme.

Në anën tjetër, ne në Kosovë jetonim në një vend të izoluar. S’ishte e pamundur të udhëtoje nga Kosova, por koha që ta merrte kjo gjë, ishte torturuese. Ishte po ashtu shumë e kushtueshme dhe vetëm nëse ishe i/e pasur, përndryshe nuk ia vlente të aplikoje për vizë, edhe nëse planifikoje ta shëtisje Evropën vetëm me një çantë shpine.

Praga, e lënë në gjysmë

Para disa vitesh patëm mundësinë të studionim për gjashtë muaj në një nga qytetet më të bukura të Evropës, në Pragë. Në çastin kur morëm emailin tonë se ishim pranuar, filluam t’i planifikonim të gjitha gjërat që do t’i bënim dhe vendet që do të shihnim: urën “Charles”, Kështjellën e Pragës, Bibliotekën e bukur Kombëtare të Klementinumit, Orën Astrologjike dhe shumë më shumë.

Shkuarja atje, megjithatë, s’ishte proces aq i lehtë. Ndonëse do të shkonim përmes programit të shkëmbimit studentor dhe aplikuam për vizë studentore, procedura e aplikimit ishte e vështirë. Përveç të gjitha dokumenteve që duhej t’i dorëzonim dhe shpenzimeve shtesë, duhej të shkonim deri në Shkup për të aplikuar, sepse përpunimi i vizave bëhej nga ambasada çeke në Shkup dhe jo ajo në Prishtinë. Dhe edhe kur ishim përgatitur në të gjitha aspektet, na u desh të prisnim edhe dy muaj të tjerë për të marrë përgjigje nga ambasada.

Gjithsesi, vendosëm që të mos e lejonim këtë të na zbehte emocionet dhe me atë ndjenjë frymëzimi, me viza studentore në dorë, filluam ta planifikonim një udhëtim pranveror nga Praga për në Itali. Pak dinim se fati kishte plane të tjera për ne.

Kur u kthyem nga programi ynë i shkëmbimit, ndiheshim si të bllokuara, ashtu si shumica e të rinjve e të rejave në Kosovë.

Disa javë pasi arritëm më në fund në Pragë, bota u izolua. Familjet tona të shqetësuara na telefononin, duke na lutur të ktheheshim para se të bëhej tepër vonë. Udhëtimi në Itali nuk do të ndodhte, qyteti për të cilin ishim kaq të emocionuara u shndërrua në një qytet fantazmë dhe ligjëratat tona, që fillimisht do të mbaheshin në hapësirat e bukura të Universitetit “Charles”, tani mbaheshin online — por Praga ishte po aq e bukur si kurrë më parë.

Ishim të vendosura që as pandemia COVID-19 s’do të mund ta prishte këtë. Disi, pa gjithë zhurmën e qytetit dhe turmat turistike, Praga dukej edhe më e bukur. Të ecje nëpër rrugët bosh, ta kaloje urën “Charles”, vetëm ne dyja, e bëri përvojën edhe më personale. Na dukej sikur e kishim Pragën vetëm për vete.

Kur u kthyem nga programi ynë i shkëmbimit, ndiheshim si të bllokuara, ashtu si shumica e të rinjve e të rejave në Kosovë. Ishte qesharake, në njëfarë mënyre, sa të izoluara ndiheshim kur u kthyem në Kosovë. Teknikisht, gjithë kohën në Pragë e kishim kaluar të izoluara, por ndiheshim të lira atje. Ndoshta ishte mendimi se kufizimet do të ishin të përkohshme, ndërsa izolimi i vendit tonë dukej i pafund, pasi nuk ishim të sigurta se kur do të mund të udhëtonim lirshëm përsëri.

Romë, ja ku po vijmë

Por pastaj, vitin e kaluar morëm lajmin dhe gjithçka ndryshoi. Do të mund të udhëtonim pa viza. Janari i vitit 2024 erdhi dhe njerëzit nisën të fluturonin, të udhëtonin apo të vizitonin të afërmit në të gjithë Evropën. Shoqja ime e ngushtë dhe unë vendosëm të prisnim pak përpara se t’i planifikonim udhëtimet tona, sikur të siguroheshim fillimisht nëse të tjerëve do t’u shkonte gjithçka mbarë. Shpejt, nisëm të përgatiteshim edhe ne.

Zgjedhja e Italisë si destinacion nuk mori shumë kohë, por zgjedhja e qytetit ishte pak më e vështirë. Kryeqyteti, ndonëse pak klishe, dukej si përzgjedhja më e natyrshme. Meqenëse do ishte hera jonë e parë në Itali, Roma plotësoi të gjitha kushtet: tërheqjen romantike dhe artistike, arkitekturën e mrekullueshme, historinë e lashtë dhe motin e ngrohtë. Rezervuam fluturimet, organizuam akomodimin dhe bëmë një listë të gjithçkaje që donim të bënim, që përbëhej nga:

  •  Ecje
  •  Ecje
  •  Ecje

Ka njerëz që ankohen për aeroportin dhe se sa i lodhshëm është procesi i fluturimit, por për mua, të fluturoja prapë dhe ta vizitoja një qytet të ri ishte ngazëllyese. Fluturimi ishte i shkurtër dhe shkoi shpejt. Ishim të lumtura dhe të stresuara në të njëjtën kohë.

Edhe pse e dija që s’kishte kuptim, frikësohesha aq shumë sa më dukej se çdo moment mund të na ndalonin dhe të na kthenin mbrapsht.

Vazhdova të mendoja për të gjitha gjërat që mund të shkonin keq. Edhe pse e dija që s’kishte kuptim, frikësohesha aq shumë sa më dukej se çdo moment mund të na ndalonin dhe të na kthenin mbrapsht, sepse ndoshta nuk kishim respektuar të gjitha protokollet, apo ndoshta rojet kufitare nuk ishin të informuar dhe nuk do ta njihnin pasaportën, ose ndoshta do të kërkonin më shumë dokumente — mjete financiare, sigurimin, akomodim, biletën kthyese — dhe nëse ndonjëra mungonte, nuk do të na lejonin të kalonim.

S’e kontrolloja dot veten. Isha mësuar aq shumë me izolimin, saqë fakti që kjo tani ishte e mundur më dukej si ëndërr. I thashë shoqes sime se nuk mund ta lija veten të gëzohesha dhe ta pranoja se po ndodhte me të vërtetë derisa të shkojmë në hotel. Mbërritëm pak para mesnatës, u paraqitëm te recepsioni, paguam taksën e qytetit dhe shkuam direkt në dhomën tonë. E lehtësuar që pjesa e vështirë kishte mbaruar dhe ia dolëm me suksese, mora frymë lehtë. U shtrimë të flinim, por asnjëra nga ne nuk mundi të flinte. Të buzëqeshura, folëm për gjithçka që do të shihnim dy ditët e ardhshme derisa na zuri gjumi.

Ishte ende dimër kur e vizituam, por Roma ishte e ngrohtë dhe me diell. Me motin në anën tonë, nisëm rrugëtimin. Teksa ecnim drejt qendrës së qytetit, e gjetëm veten duke u ndalur te katedralet dhe kishat e rastësishme, apo veprat e arti në qoshe të fshehura.

Siç mund të pritej, na ra të dëgjonim tek flitej në shqip, kështu që, na dukej si të ishim kthyer në shtëpi.

Pikërisht jashtë hotelit tonë, e patëm pamjen e Porta Maggiore. Me një shëtitje të shkurtër 40-minutëshe më vonë, ndodheshim në Koloseum. Ecëm pak më shumë dhe rrënojat romake dhe pallati “Quirinal” na përshëndetën. Të gjitha vendet e tjera të bukura i hasëm rastësisht. Shkallët Spanjolle, Katër Shatërvanët, shatërvani “Trevi”. Qyteti është thjesht plot histori dhe art dhe thjesht s’kishte vend të gabuar.

Pjesa ime e preferuar, përtej artit dhe arkeologjisë? Madhësia e krejt qytetit dhe hapësirat e gjelbra të gjera, diçka që mund ta shtojmë edhe në Kosovë. Siç mund të pritej, na ra të dëgjonim tek flitej në shqip, kështu që, na dukej si të ishim kthyer në shtëpi.

Gjatë kthimit, askush nuk na i kërkoi pasaportat dhe nuk kërkoi viza. Skanuam biletat, morëm vulën në pasaporta dhe kjo ishte e gjitha. Por këtë herë, kur u kthyem, kishim tjetër ndjenjë. Ishim kthyer në Kosovë, por tashmë po bënim plane për udhëtimet tona të ardhshme. Kush e dinte se ëndrrat mund të realizoheshin?

Krejt rrugët çojnë në…

Së shpejti, do të fluturoj nga Prishtina në një qytet tjetër të Evropës me shoqet e mia të ngushta, gati për aventurën tonë të radhës, duke pritur me padurim t’i eksplorojmë bukuritë e një kulture të re.

Sa i përket pyetjes “A do t’ia rekomandoja dikujt tjetër”, u kërkoj lexuesve/eve të K2.0 të më japin pak kohë. Do të udhëtoj edhe pak dhe do të kthehem prapë te ju, me një listë të të gjitha vendeve më të mira për t’i parë dhe gjërave për t’i bërë.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.