Në vitin 2014, palestinezët në Gazë përballeshin me sulme të reja nga ushtria izraelite. Atëbotë, Vetëvendosje (VV), lëvizje politike opozitare në Kosovë, ishte në kulmin e mobilizimit politik. Ky mobilizim u ndërtua kryesisht kundër korrupsionit endemik të elitës politike në Kosovë dhe qasjes (si) koloniale — siç e quanin ata — të strukturave të intervencionizmit liberal në Kosovë.
Gjatë luftës së vitit 2014 në Gazë, VV lëshoi një deklaratë ku dënonte dhunën e Izraelit, ku, pos tjerash, theksonte se: “Shqiptarët e kanë shumë të qartë se çka do të thotë të jesh një popull i pushtuar, i shtypur dhe i dhunuar nën rrezikun e shfarosjes nga toka jote”. VV dhe udhëheqësi i saj, tash kryeministri Albin Kurti, s’ishin të pavëmendshëm ndaj dhunës sistematike dhe koloniale izraelite në Gazë, duke tërhequr paralele mes kosovarëve dhe palestinezëve, të cilët i ishin ekspozuar dhunës së gjatë nga Serbia dhe Izraeli, respektivisht. Njësoj, i kushtonin vëmendje praktikave të intervencionizmit perëndimor në Kosovë apo sistemit të mandatit britanik në Palestinë — i referuar gjithashtu si “tutela e kombeve të përparuara”.
Deklaratat e solidaritetit tani janë larguar nga arkivi digjital i VV, teksa qeveria aktuale e Kurtit në Kosovë, e njohur për retorikën e saj anti-koloniale dhe të barazisë, ka qenë plotësisht e heshtur lidhur me gjenocidin në Gazë.
Deklaratat e solidaritetit tani janë larguar nga arkivi digjital i VV, teksa qeveria aktuale e Kurtit në Kosovë, e njohur për retorikën e saj anti-koloniale dhe të barazisë, ka qenë plotësisht e heshtur lidhur me gjenocidin në Gazë. Krejt çka mbijetoi nga ato arkiva solidariteti janë disa fotografi të tek-tuk dhe kujtesa e atyre që u prekën nga to.
Në vitin 2014, VV publikoi një deklaratë me titull “Kundër dhunës dhe masakrave mbi palestinezët në Rripin e Gazës”. Deklarata që atëherë është hequr nga arkivi digjital i VV, por është shkrepur përmes pamjes së ekranit.
Gjersa deklaratat e tjera të VV prej asaj kohe mund të gjenden ende në uebfaqen e tyre, largimi i deklaratave që ndërlidhen me Palestinën dhe marrëdhëniet e kaluara konfrontuese të VV me ambasadorët/et e ShBA në Prishtinë është ashiqare i qëllimtë. Arkivi i VV është pastruar në mënyrë selektive dhe të përshtatshme për ta nga uebfaqja, bashkë me dëshmitë e atyre veprimeve politike. Këto të dyja, nuk janë krejtësisht të rastësishme apo të pa lidhura.
Kosova dhe Palestina
Më shumë se 38,000 palestinezë/e janë vrarë nga ushtria izraelite gjatë nëntë muajve të fundit. Në mediet (kryesisht) perëndimore, është bërë zakon — nëse jo e obliguar — të vihet në kontekst ky numër i vdekjeve, duke iu referuar sulmit të Hamasit kundër qytetarëve/eve izraelitë/e në tetor të vitit 2023. Është e rëndësishme të përmendet se sulmet e vazhdueshme të regjimit izraelit ndaj palestinezëve/eve — duke shkelur ligjet ndërkombëtare dhe konventat e luftës — janë thjesht zgjatim i pushtimit më të gjatë në kohët bashkëkohore dhe kolonializmit të kolonëve të Izraelit. Ky pushtim filloi dhe u përhap shumë përpara se të ekzistonte Hamasi.
Për shumë kosovarë/e, palestinezët s’janë të huaj. Janë vëllezërit dhe motrat tona, njerëz që kosovarët/et i njohin nga historitë e përbashkëta të spastrimeve post-osmane, të takimit me ta në Haxh, të njohjes së njëri-tjetrit dhe përpjekjeve të njëri-tjetrit.
Gjenocidi më i fundit ka rezultuar në një lëvizje masive popullore pro Palestinës në të gjithë botën, si dhe në rajonin e Ballkanit. Në Kosovë, solidariteti me marshimet, protestat dhe leximet e poezive për Palestinën nuk janë ngjarje me të cilat njerëzit lidhen vetëm për shkak të së kaluarës së tyre të afërt, por edhe sepse historia e Kosovës nuk është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Palestinës. Për shumë kosovarë/e, palestinezët s’janë të huaj. Janë vëllezërit dhe motrat tona, njerëz që kosovarët/et i njohin nga historitë e përbashkëta të spastrimeve post-osmane, të takimit me ta në Haxh, të njohjes së njëri-tjetrit dhe përpjekjeve të njëri-tjetrit. Në fakt, kryeministri i parë i qeverisë jetëshkurtër gjithëpalestineze, e krijuar në Rripin e Gazës në vitin 1948, Ahmed Hilmi Pasha, ishte me origjinë shqiptare. Një komunitet i vogël shqiptar jeton në Jerusalem dhe Akre.
Përgjatë gjysmës së parë të shekullit XX, autoritetet, fillimisht serbe dhe më vonë jugosllave, u angazhuan në projekte koloniale përmes kolonëve në Kosovë, nëpërmjet të ashtuquajturave reforma agrare, të cilat përfundimisht çuan në shpërnguljen e qindra mija shqiptarëve, që migruan kryesisht në Turqi dhe në hapësirat dikur osmane. Si palestinezët, të cilëve iu desh të largoheshin për t’iu krijuar hapësirë sionistëve të sapoardhur, për ta krijuar shtetin e premtuar të Izraelit, shumica shqiptare në Kosovë — e përshkruar si “strukturë e tmerrshme demografike” nga elitat serbe të asaj kohe — u desh të hiqej për t’i krijuar vend “tokës së shenjtë serbe”.
Njësoj si kolonët serbë e trajtuan kolonizimin e Kosovës si kthim i drejtë në zemrën e imagjinuar të Serbisë, kolonializmi i kolonëve sionistë bazohet në kthimin në tokën e premtuar; të dyja të strukturuara dhe të inkurajuara në rrënojat e Perandorisë Osmane. Për më tepër, kosovarët/et dhe palestinezët/et ndajnë të njëjtën telashe post-osmane, duke u racizuar si myslimanë dhe të prapambetur, si dhe duke qenë pre e projekteve të dhunshme koloniale ripushtuese të mbështetura nga evropianët.
Gjersa lufta e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës preku nivele të reja në vitin 1999, ishin intelektualët palestinezë, si Ghada Karmi që në atë kohë shkroi për ngjashmëritë mes dhunës izraelite dhe serbe, kundër palestinezëve dhe shqiptarëve të Kosovës, përkatësisht.
Për shumë kosovarë, pavarësisht këtij solidariteti, mbetet fakt se Palestina nuk e ka njohur Kosovën. Në dhjetor të vitit 1999, vetëm një gjysmë viti pas përfundimit të luftës në Kosovë, ish-udhëheqësi palestinez, Jaser Arafat, e ftoi Slobodan Milošević në festimet e krishtlindjeve ortodokse në Betlehem. Përveç kësaj, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, autoritetet palestineze gjithashtu janë shprehur kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata si UNESCO. Mirëpo, këto duket se janë bërë arsyetime dhe fajësime të përshtatshme për shumë politikanë/e dhe intelektualë/e kosovarë/e. Narrativa e zakonshme që është rishfaqur nëntë muajt e fundit në sferën publike të Kosovës është se palestinezët — ose arabët — ndryshe nga izraelitët, nuk u rreshtuan krah Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë, kryeministri i Kosovës Kurti dënoi sulmet, duke reaguar në rrjetin social X:
Që atëherë, vetë Kurti dhe anëtarët e qeverisë së udhëhequr nga VV kanë heshtur ndaj brutalitetit të qeverisë izraelite në Gazë. Në fund të janarit 2024, Kurti mori pjesë në një ceremoni përkujtimore për viktimat e Holokaustit, të organizuar nga ambasada izraelite në Prishtinë. Është logjikisht dhe politikisht e pabesueshme, nëse jo moralisht problematike, që i njëjti kryeministër të refuzojë ta njohë ose ta komentojë dhunën e tanishme gjenocidale të shtetit izraelit ndaj palestinezëve.
Herën e fundit që dëgjuam Kurtin të fliste për Izraelin ishte në qershor të vitit 2024, kur nënshkroi marrëveshjen për liberalizimin e vizave ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, me ministrin e brendshëm izraelit, Moshe Arbel. Heshtja është e pazakontë duke pasur parasysh qëndrimin e zëshëm të Kurtit për luftën në Ukrainë.
Kësisoj, aleancat politike dhe ideologjike për një shtet si Kosova, formësohen nga fuqizimi apo finalizimi i shtetësisë së papërfunduar apo të munguar.
Qëndrimi i qeverisë së Kosovës ndaj Palestinës — apo, thënë më mirë, ndaj Izraelit — është i favorshëm për statusin e saj politik. Kosova ende mbetet shtet i papërfunduar, duke mos qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, i vetmi institucion që garanton pjesëmarrjen në shoqërinë e shteteve të pavarura. Kësisoj, aleancat politike dhe ideologjike për një shtet si Kosova, formësohen nga fuqizimi apo finalizimi i shtetësisë së papërfunduar apo të munguar. Megjithatë, këto aleanca nganjëherë janë krejtësisht raciste.
Për shembull, qeveria e Kosovës ishte krejt e qartë në qëndrimin e saj pro-ukrainas pas agresionit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kurti, në mënyrë sistematike kanë tërhequr paralele ndërmjet krimeve të Rusisë dhe Serbisë, luftërave të tyre hibride në Kosovë dhe Ukrainë, si dhe viktimave të dhunës seksuale në të dy vendet.
Në vitin 2022, duke argumentuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci e përfundoi fjalimin e saj me “Slava Ukraini”, duke shfaqur, edhe një herë, qëndrimin e Kosovës. Teksa shumica e shteteve perëndimore dhe evropiane, nisën një mbështetje të përbashkuar për Ukrainën, Kosova u përpoq të kapej në të njëjtën valle, duke shpalosur një flamur gjigant ukrainas, me mbishkrimin “Slava Ukraini” në hotelin ikonik “Grand” në Prishtinë.
Krejt kjo mbështetje, pavarësisht faktit që Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në fakt, tradicionalisht, për shumicën e elitës politike ukrainase, rasti i Kosovës është shumë më i ngjashëm me Krimenë, sesa me Ukrainën. Duke mbajtur këto standarde të dyfishta, Kurti — ashtu si pjesa më e madhe e elitës politike dhe intelektuale në Kosovë — vazhdon t’i mirëmbajë të njëjtat hierarki dhe racializime, që krijohen dhe realizohen nga Perëndimi.
Në nëntor të viti 2023, një grup aktivistësh/esh shpalosën një flamur të ngjashëm palestinez në hotelin “Grand” në Prishtinë, ngjitur me atë ukrainas. Flamuri palestinez u largua me shpejtësi nga Policia e Kosovës. Ky veprim u zhvillua disa orë para ndeshjes së futbollit të burrave mes Kosovës dhe Izraelit, e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 15 tetor 2023, por u shty pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor 2023.
Heqja e flamurit palestinez shpërfaq dy frika të strukturave aktuale politike në Kosovë. Së pari, flamuri palestinez i ndërlikoi përllogaritjet gjeopolitike të Kosovës, pasi për elitën politike në Kosovë, flamuri palestinez dërgon mesazh të gabuar në Brukseli, Berlin dhe Washington dhe mund ta dëmtojë “rrugën evropiane” të Kosovës. Së dyti, flamuri palestinez rrezikon t’i racializojë kosovarët si subjekte jo të bardhë dhe myslimanë: rrjedhimisht si jo-evropianë dhe përfundimisht të padëshirueshëm për “familjen evropiane”.
Në njërën anë, qoftë kur elita politike e Kosovës mbështet hapur Ukrainën — një shtet që nuk e njeh Kosovën — ose kur hesht lidhur me bombardimet e civilëve në Gazë, publiku i Kurtit — njësoj si për paraardhësit e tij — nuk janë votuesit/et e tij në Kosovë. Përkundrazi, janë politikanët dhe teknokratët në Bruksel dhe Washington, nga të cilët, struktura udhëheqëse e Kosovës beson se varet legjitimiteti i vet. Nga ana tjetër, duket se më shumë se një lëvizje për të fuqizuar sovranitetin e Kosovës, heshtja e VV për Palestinën vë në pah paaftësinë e vet për ta kuptuar dekolonialitetin përtej leximeve të Karl Marx, pikat e dobëta të teorisë së të cilit ndaj hemisferave të ngjyrës, gjinisë dhe seksualitetit, janë ekspozuar prej kohësh dhe janë rikuperuar lehtësisht për ta mbajtur një diskurs në dukje të majtë, por në fund të fundit që përmban politika raciste dhe reaksionare.
Dimensioni amerikan
VV erdhi në pushtet me një fitore të thellë në shkurt të vitit 2021, pasi qeveria e parë nën udhëheqjen e Kurtit u rrëzua pas një mocioni mosbesimi, të orkestruar nga administrata e Donald Trump, në mes të pandemisë COVID-19. Qeveria që erdhi pas mocionit, e mbështetur nga ShBA, u dërgua pastaj në Washington, për ta nënshkruar një marrëveshje “normalizimi” me Serbinë, në të cilën të dy vendet u pajtuan t’i hapnin ambasadat në Jerusalem; për Serbinë, kjo nënkuptonte zhvendosjen e ambasadës ekzistuese nga Tel Avivi, ndërsa Kosova do të hapte ambasadën e saj në Jerusalem, pas njohjes reciproke me Izraelin. Kosova hapi ambasadën në Jeruzalem në mars të vitit 2021, ndërsa Serbia shpejt u tërhoq nga zotimi i saj dhe në tetor 2021, njoftoi se nuk do ta zhvendoste ambasadën e vet, ndonëse që atëherë ka hapur një zyrë tregtare në Jerusalem.
Fakti që “normalizimi” i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës duhej të negociohej përmes njohjes së ndërsjellë të okupimit të Jerusalemit nga Izraeli, reflekton se si angazhimi ndaj projektit sionist është një mënyrë tjetër, në të cilën politika e jashtme e ShBA i dallon miqtë nga armiqtë. Pas mocionit të parë të mosbesimit, Kurti e kuptoi se secili mendim kundërshtues ndaj ShBA, me shumë gjasa do ta largojë atë.
Opozita, e vetëdijshme për historinë e ndërlikuar të Kurtit me ambasadorët/et dhe administratat e ShBA, ka provuar ta karakterizojë atë si kinse anti-amerikan — një etiketim që dikur mund të shkaktonte lehtësisht zgjedhje në Kosovë.
Karshi ShBA, në mandatin e tij të dytë, Kurti ka zhvilluar diçka, që administratorët kolonialë serbë tentuan ta rrënjosnin te subjektet e tyre shqiptarë: strahopoštovanje, apo respektin e bazuar në frikë. Opozita, e vetëdijshme për historinë e ndërlikuar të Kurtit me ambasadorët/et dhe administratat e ShBA, ka provuar ta karakterizojë atë si kinse anti-amerikan — një etiketim që dikur mund të shkaktonte lehtësisht zgjedhje në Kosovë.
Karakteristikë përcaktuese e VV dhe Kurtit ishte kritika e tyre e hapur ndaj intervencionizmit liberal dhe ndërkombëtar në Kosovë, duke argumentuar se si Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, po vepronte si strukturë koloniale në Kosovë apo, se si Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, e kishte kthyer Kosovën në një vend eksperimental, për të provuar modele të ndryshme të shtetndërtimit liberal. Ndonëse dëshmitë për këto atribuime janë larguar nga faqja e internetit e VV, shumicës i kujtohen mbishkrimet e tyre murale: UNMIKKOLONIALIZMI në zyrat e UNMIK në Prishtinë ose EULEKSPERIMENT, një mbishkrim i kudondodhur në Kosovë.
Kritika e vazhdueshme dhe e artikuluar mirë e VV nuk mbeti pa u vërejtur as nga strukturat e intervencionzimit liberal në Kosovë. Ambasada e ShBA në Prishtinë, ishte veçanërisht e shqetësuar për retorikën e VV dhe Kurtin, si figurë politike në zhvillim. Për shembull, në shkresat diplomatike të vitit 2007 të bëra publike nga Wikileaks, atëbotë ambasadorja e ShBA në Kosovë, Tina Kaidanow shkroi se arrestimi i Kurtit — pas protestave të dhunshme të 10 shkurtit 2007, ku policia rumune e OKB vrau dy protestues të VV —ishte “lajm i mirë për Kosovën” dhe se Kurti përbënte “rrezik për arratisje dhe rrezik për sigurinë publike”.
Në vitin 2011, VV u bë parti politike dhe garoi në zgjedhjet e atij viti. Një ditë para zgjedhjeve, ambasadori i atëhershëm i ShBA në Kosovë, Christopher Dell, vizitoi selitë e partive politike për t’iu uruar atyre një proces të drejtë dhe demokratik. Kur gazetarët e pyetën nëse planifikonte ta vizitonte edhe VV, Dell deklaroi shkurt “nuk i kam takuar dhe nuk do t’i takoj”, duke u dërguar mesazh votuesve të Kosovës se cilat parti politike kishin bekimin e ShBA, një përpjekje e nënkuptuar për ndikimi tek votuesit.
Pasi u bë pjesë e kuvendit në vitin 2014, VV shtroi pyetje vazhdimisht për përfshirjen e Dell në kontratën e dyshimtë të autostradës, me vlerë 800 milionë euro të konsorciumit amerikano-turk Bechtel-Enka. Të njëjtat akuza u raportuan nga The Guardian atë vit. Në vitin 2013, aktivistët/et e VV u përpoqën ta pengonin ambasadoren tjetër të ShBA, Tracy Ann Jacobson, të hynte në Kuvendin e Kosovës, duke u akuzuar se i mavijosën krahun e saj të djathtë. Aktualisht, në faqen e VV nuk mund të gjendet asnjë gjurmë e ndonjërës prej këtyre ngjarjeve, përfshirë letrën bindëse që i dërguan ambasadores së ShBA, duke i kujtuar rëndësinë e protestave në demokraci, duke përfshirë Occupy Wall Street në ShBA.
Teksa Kurti është përpjekur ta ledhatojë administratën amerikane në mandatin e tij të dytë, zyrtarët/et amerikanë/e kanë bërë përpjekje të mëdha për ta vënë në pikëpyetje atë si “partner” të besueshëm dhe për t’i bërë presion të mëtejshëm qeverisë së tij përmes dialogut Serbi-Kosovë. Trajtimi i Serbisë nga ShBA dhe BE në kontekstin më të gjerë gjeopolitik të luftës në Ukrainë, nuk e ka ndihmuar dhe e ka vënë në shesh gjerësisht Kosovën si levën e tyre për ta mbajtur Serbinë në ombrellën euro-atlantike, duke krijuar partneritet më të ngushtë me regjimin autoritativ të presidentit serb, Aleksandar Vučić. Mbështetja e tyre e hapur për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, e ngjashme me Republikën Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, ku Policia e Kosovës parandaloi një sulm terrorist të orkestruar nga Beogradi në shtator të vitit 2023, së bashku me kundërshtimin ndaj vendimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për ndalimin e dinarit serb në disa pjesë të vendit, u kritikua ashpër nga i dërguari i atëhershëm i ShBA, Gabriel Escobar.
Sanksionimi i Kosovës nga BE, për lejimin e kryetarëve shqiptarë, të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, të hyjnë lirshëm në ndërtesat komunale në veri të Kosovës kundër propozimit të BE që ata ta kryejnë punën nga zyra alternative, ndërsa Serbia nuk u ballafaqua me asnjë sanksion për orkestrimin e sulmi ndaj Kosovës nga po ato komuna me shumicë serbe, është një shenjë për qeverinë e Kosovës se mbështetja për sovranitetin pezull të Kosovës, nuk është as e garantuar dhe as e qëndrueshme. E frikësuar nga manipulimi perëndimor, qeveria Kurti është përgjigjur duke bërë gjithçka për t’i siguruar diplomatët euro-amerikanë se Kosova është e vendosur në rrugën euro-atlantike, duke braktisur çdo kujtim të vënies në dyshim të politikës së ShBA dhe BE në Kosovë dhe njëkohësisht duke fshirë vazhdimisht politikat e solidaritetit me Palestinën.
Fshirja selektive e deklaratave të solidaritetit nga VV dhe heshtja në zyrat e tyre qeverisëse është domethënëse, pasi tregon se fshirja e Palestinës imponohet kudo, ashtu siç imponohet pohimi i kolonizimit të mëtejshëm përmes kolonëve i Izraelit është shenjë për t’u pranuar në klubin euroatlantik. Palestina do të jetë e lirë dhe ata që u angazhuan në projektet politike, që u ndërtuan mbi shkatërrimin, gjenocidin dhe fshirjen e saj, do të jenë përherë bashkëfajtorë në to – pavarësisht se sa pretendojnë se angazhohen për demokraci dhe të drejtat e njeriut, të drejtat feministe dhe LGBTQ+.
Me fjalë të tjera, çmimi që viktimat e dhunës gjenocidale duhet ta paguajnë që t'u njihet trauma, është fshirja e Palestinës, siç ka bërë VV me arkivat dhe politika e veta.
Askund ky instrumentalizim banal i dhunës gjinore ndaj qëllimeve sioniste nuk u përdor më qartë nga qeveria e Kosovës, sesa kur menjëherë pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Vasfije Krasniqi-Goodman, një figurë kyçe në kthimin e vëmendjes tek të mbijetuarat/it e përdhunimit gjatë luftës së Kosovës, udhëtoi në Izrael me një delegacion të Kosovës për ta dëshmuar mbështetjen për shtetin izraelit. Në llogaritë e saj në rrjetet sociale nuk përmendet as edhe një herë Palestina. Në fakt, tani heshtja dhe shpërfillja e Palestinës është normalizuar, në mënyrë që dhuna gjenocidale në Bosnjë dhe Kosovë të njihet nga Perëndimi. Me fjalë të tjera, çmimi që viktimat e dhunës gjenocidale duhet ta paguajnë që t’u njihet trauma, është fshirja e Palestinës, siç ka bërë VV me arkivat dhe politika e veta.
Mbi mundësitë e solidaritetit dhe pluriversalitetit
Fshirja (selektive) e arkivave digjitale nuk është aspak e parëndësishme. Arkivat, digjitale apo fizike, janë hapësira ku të vërtetat dhe faktet shpalosen, ndryshe nga muzetë ku të vërtetat dhe faktet mund të rrëfehen, renditen dhe inskenohen. Ashtu si në muze, fshirja ose mbajtja në mënyrë selektive e disa pjesë të arkivave, është në funksion të krijimit dhe përjetësimit të narrativave të caktuara dhe përfundimisht fshirjes së të tjerave.
Në vitin 2020, autori shqiptar, Ardian Vehbiu shkroi për mungesën e vëgëzave elektronike dhe fshirjen e arkivave digjitale në mediet shqipfolëse, një harresë e tërësishme për rëndësinë që ka kujtesa. Shumë prej këtyre medieve, duket, thjesht nuk mund ta përballonin ruajtjen e lajmeve të vjetra në dosje. VV nuk është që nuk di qoftë për rëndësinë e mbajtjes së arkivit, qoftë për fshirjen selektive të tij, sado i pastruar të jetë. Në fakt, postimet e përditshme të Kurtit në Facebook kanë të bëjnë me ngjarje, beteja, personalitete të së kaluarës (jo shumë) të afërt të Kosovës. Sido që të jetë, edhe Kurti edhe VV kanë (pasur dikur) lidhje shumë të fortë me politikën e arkivit dhe kujtesës. Pyetja këtu është se çfarë solidariteti dhe ndjeshmërie po fshihet dhe për çfarë qëllimi?
Nëse kemi mësuar ndonjë gjë nga politika socialiste e heqjes së figurave prej fotografive, arkivave dhe kujtesave publike, është se sa më shumë njerëz fshiheshin, aq më absurde, më e tëhuajsuar dhe paranojake bëhej klasa e aparatçikëve — edhe nga frika se mos ishte radha për të që të fshihej, por gjithashtu frika nga reagimet që mund të prodhojnë fshirjet. Fshirja është taktikë koloniale reaksionare për të mos u pajtuar, për të mos adresuar shkakun, por për t’u ndalur vetëm në pasojat e ngjarjes. Por ka kufij për fshirjen, veçanërisht në fazën kur Perëndimi ka zbuluar në mënyrë të pafalshme gjithë dhunën e tij perandorake. Mbishkrimet në mure, si grafiti i fundit në statujën e Bill Clinton në Prishtinë, është i qartë: Liri Palestinës.
Kur VV pretendon se karakterizohet me politikën e majtë, si pothuajse të gjithë të majtët evropianë sot në humanizëm abstrakt, këtë e bën nga distanca teorike hegeliane, për ta shpëtuar fytyrën nga bashkëfajësia në gjenocid. E bën atë gjithashtu në mënyrën më qesharake dhe oksidentale, duke e ndjekur aprovimin evropian, duke u thirrur në parimet evropiane të iluminizmit dhe universalitetit, teksa nuk ka asgjë për të thënë se si ato të drejta, që prezantohen si universale, por në dukje evropiane, iu dhuruan vetëm ukrainasve, por jo edhe palestinezëve.
Çkado që mbetet nga majtizmi apo abstraksionet hipotetike të VV për vetëvendosjen, shërben si rikujtim i mirë se sigurimi i sovranitetit post-kolonial, të mbështetur nga perëndimi nuk është as çlirim, as vetëvendosje, por thjesht zgjatim i marrëdhënieve koloniale të pushtetit.
Politika e oksidentozës kërkon fshirje sepse siç thekson romancieri iranian, Jalal Al-e-Ahmad në “Occidentosis: A Plague From the West” (shqip: Oksidentoza: Një murtajë nga perëndimi), ajo dëmton gjykimin e arsyeshëm, ndërpret lidhjet mes së tashmes dhe së shkuarës dhe për këtë arsye nuk mban qëndrim për asgjë dhe rreth asgjëje — “si një grimcë pluhuri e mbetur në zbrazëti, apo si diçka e parëndësishme… Ai është diçka pa ndërlidhje me të kaluarën dhe pa pikëpamje për ardhmen. Nuk është një pikë në një rresht, është më shumë një pikë hipotetike në një aeroplan apo edhe në hapësirë”. Çkado që mbetet nga majtizmi apo abstraksionet hipotetike të VV për vetëvendosjen, shërben si rikujtim i mirë se sigurimi i sovranitetit post-kolonial, të mbështetur nga perëndimi nuk është as çlirim, as vetëvendosje, por thjesht zgjatim i marrëdhënieve koloniale të pushtetit.
Palestina është kthyer në kriter dhe llupë shqyrtimi për çdo lëvizje politike. Solidariteti me palestinezët, nga populli i Kosovës, si dhe nga mbarë rajoni i Ballkanit, tregon një ndryshim që sot është i dukshëm në mbarë botën.
Shfaqja e politikës pluriversale të solidaritetit nga njerëzit që kanë vërshuar rrugët e qyteteve anembanë botës, përballë heshtjes nga qeveritë e tyre për gjenocidin në Gazë, është politika që do të vijë. Pa solidaritet për Palestinën dhe në përgjithësi me Jugun Global, sovraniteti i Kosovës nuk është as i sigurt dhe as i qëndrueshëm. Siç e kanë njohur këtë fakt shumë njerëz në mbarë botën, nuk ka kthim në normalitet pas Gazës.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.