Në thelb | Drejtësi

TPNJ-ja nëpërmjet veshëve të interpretëve

Nga - 16.01.2018

Të jesh zëri i kriminelëve të luftës.

“Unë jam gjeneral Ratko Mlladiq”, tingëllon zëri i një gruaje më 3 qershor, 2011 në kufjet e gjykatësit holandez Alphons Orie. “Unë jam lindur të Hënën e Pashkëve, më 1943”. Derisa kreu i dikurshëm i Ushtrisë së Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë po e prezanton veten në gjuhën e tij amtare, interpretja i përçon fjalët e tij pothuajse njëkohësisht në gjuhën angleze.

Tensioni është i dukshëm: Kjo është dita e parë e gjykimit kundër ish-gjeneralit, i cili konsiderohet përgjegjës për akte të ndryshme kriminale, përfshirë këtu gjenocidin në Srebrenicë. Ai ishte në arrati me vite të tëra, derisa më në fund u kap dhe u transferua në Hagë.

Sapo gjykatësi e lexon padinë kundër tij, Mlladiq shqetësohet, dhe ngritet edhe volumi i interpretes. “Z. Orie, dua që ju ta perceptoni atë që sapo e lexuat, këto akuza të neveritshme të shprehura kundër meje”, thotë zëri i gruas. “Asnjëherë nuk kam dëgjuar fjalë kaq monstruoze”.

Martina Fryda-Kaurimsky thotë se me të vërtetë e kishte ndjenjën që po bën diçka me rëndësi derisa shërbente në rolin e saj si interprete në TPNJ: “Ende ndihem e kënaqur që jam pjesë e kësaj dhe po ndihmoj me dokumentimin e krimeve të luftës që janë kryer në vendin tim”, thotë ajo. Foto: Martino Lombezzi.

Martina Fryda-Kaurimsky (53) buzëqesh ndërsa i bien ndërmend kujtimet. “Si interprete, përkthen gjithçka që thuhet në gjykatë, duke përfshirë këtu edhe sende që nuk do të kishe kurrë guxim t’i thoje me zë”, thotë ajo. “Ndonjëherë duhet të thuash sharje, të jesh agresiv, ta fyesh në mënyrë të drejtpërdrejtë gjykatësin apo kryeprokurorin. Gjithmonë ndihesh në siklet”. Në disa raste, sjelljet e Mladiqit ishin aq skandaloze saqë gjykatësi Orie e urdhëroi largimin e tij nga salla e gjyqit. Ish-gjenerali u shoqërua jashtë gjykatës, duke protestuar furishëm. “E vetmja mënyrë për t’i bërë ballë është t’i mpish ndjenjat”, thotë Martina. “Të fokusohesh në punë, në interpretim”.

Në fund të vitit 2017 u mbyll Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (TPNJ). 161 persona nga shtetet e ish-Jugoslavisë ishin gjykuar gjatë 24 viteve të ekzistencës së tij – ky ishte rast unik në drejtësinë penale ndërkobëtare. Gjykatësit, prokurorët dhe këshilli i mbrojtjes vinin nga vende të ndryshme të botës. Mijëra dëshmitarë dëshmuan në këtë tribunal. Këto gjykime u zhvilluan në tri gjuhë njëkohësisht: në gjuhët zyrtare të tribunalit (gjuhën angleze dhe frënge), si dhe në gjuhët e Jugosllavisë, që tani diplomatikisht quhet BHS (Boshnjakisht/Kroatisht/Serbisht). Ndonjëherë u shtua edhe gjuha shqipe dhe maqedone. Në përgjithësi, interpretët bënë rreth 80,000 ditë të interpretimit simultan.

Pjesa më e madhe e atyre që ishin të pranishëm në sallë zor se ishin të vetëdijshëm për punën e interpretëve. Interpretët parapëlqejnë të punojnë në prapaskenë, dhe në pjesën më të madhe të rasteve nuk janë paraqitur në media. “Një interpret i mirë është një interpret i padukshëm”, shpjegon Martina. “Përderisa nuk bëjmë gabime, njerëzit harrojnë që jemi aty. Por në momentin kur bëhet ndonjë gabim, bëhet poterë”.

Pothuajse të gjithë të dyshuarit e kanë kritikuar interpretimin gjatë gjykimeve, por Vojisllav Sheshel, ish-zëvendëskryeministri i Serbisë i cili u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, i tejkaloi të gjithë në këtë aspekt. “Z. Kryetar, këta interpretët tuaj kanë mungesë të arsimimit”, pëshpëriti ai plot zemërim disa muaj pas fillimit të gjykimit të tij në vitin 2008. Ai ishte i zemëruar për shkak të interpretimit të termit ushtarak zvanje, që ishte interpretuar në sallë të gjykimit si “gradë”, por për mendimin e tij duhej të ishte interpretuar si “titull”. “Interpretët që po punojnë këtu janë duke bërë gabime të rënda dhe elementare”, u ankua ai, dhe disa muaj më vonë kërkoi nga gjykata ta largonte një interpret për shkak të një incidenti të ngjashëm. Interpretimin e vlerësoi si “katastrofal”.

Kabina e vockël e interpretëve, e ngjitur për Sallën e Gjykimit I, salla kryesore e TPNJ-së, ka dritare të madhe për t’u mundësuar interpretëve t’i shohin mirë të gjithë pjesëmarrësit në gjykim. Foto: Martino Lombezzi.

Martina shkon te kabina e interpretimit, një pjesë e shtuar përkrah Sallës së Gjykimit I, ku përveç Sheshelit janë gjykuar edhe ish-liderë politikë dhe ushtarakë si Sllobodan Milloseviq, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq. “Për t’i adresuar të gjitha hollësitë, ne përpilojmë fjalorë sa më të saktë në seksionin tonë”, shpjegon ajo, duke treguar një copë letër ku janë të shkruara të gjitha gradat dhe titujt ushtarakë të forcave të ndryshme ushtarake të cilat kishin luftuar kundër njëra-tjetrës në Jugosllavi.

Dritarja e madhe i mundëson Martinës dhe shoqëruesve të saj në kabinë t’i shohin qartë gjykatësit, prokurorët, të dyshuarit dhe dëshmitarët. Një hartë e madhe e Ballkanit është në tokë në qosh. “Dikur ishte e varur në mur, por nuk na duhet më aty”, thotë ajo. “Tani i dimë të gjitha vendet përmendsh”.

Interpretët punojnë në çifte, duke u ndërruar çdo gjysmë ore. “Interpretët simultanë duhet të jenë të aftë të dëgjojnë, të interpretojnë dhe të flasin. Kjo kërkon aftësi të madhe përqendrimi”, thotë ajo. Si interprete, ajo ishte mësuar ta përmbledhte thelbin e fjalisë së folësit, duke e përçuar kuptimin e saj. “Në tribunal është më ndryshe: Duhet ta interpretosh sa më afër tekstit origjinal – secila fjalë ka rëndësi. Në fund të ditës ishim të rraskapitur”.

“Në Ballkan mund të kemi qenë armiq, por në Hagë u munduam të mos e linim luftën të hynte mes nesh.”

Martina Fryda-Kaurimsky

Në fillim të vitit 1995, Martina – e cila përveç gjuhës boshnjake/kroate/serbe është e rrjedhshme edhe në gjuhët angleze, gjermane dhe frenge – u kërkua nga tribunali për të punuar si interprete në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku lufta ende ishte duke u zhvilluar. Srebrenica nuk ishte marrë ende nga forcat e Mlladiqit dhe tribunali ishte hapur vetëm dy vite më parë.

“Unë punoja e pavarur për hetues ndërkombëtarë të cilët po kërkonin dëshmitarë të krimeve të luftës”, thotë ajo. “Ne punonim edhe natën, duke udhëtuar nga vendi në vend e duke i dëgjuar rrëfimet prej më të tmerrshmeve”. Ndonëse puna i dukej e rëndë, ajo e ndiente si të rëndësishme. “U ndihmova të dokumentonin krime të luftës. Dëshmitarët çliroheshin kur i ndanin historitë e tyre me ne dhe shpresonin se do të shfrytëzoheshin për të mirë. U ndjeva shumë e përgjegjshme”.

Pas disa viteve, ajo u ftua nga tribunali për të punuar në Hagë: “Arrita në kulmin e parë në gjykimet e vitit 1999. Të gjithë ishin të emocionuar: Kriminelët e parë të luftës më në fund po gjykoheshin, pas viteve të tëra të hetimeve. Pritjet ishin të mëdha, dhe ne duhej t’i përmbushnim ato”.

Në atë kohë burgu në Scheveningen, ku të dyshuarit mbahen në arrest, ndonjëherë quhej ironikisht si ‘Jugosllavia e re”: serbët, kroatët dhe boshnjakët të cilët ishin akuzuar jetonin së bashku në harmoni, gatuanin për njëri-tjetrin dhe shikonin futboll së bashku. E njëjta gjë ndodhi në kabinën e interpretimit: Përkatësia kombëtare nuk kishte më rëndësi. “Në Ballkan mund të kemi qenë armiq, por në Hagë u munduam të mos e linim luftën të hynte mes nesh”, thotë Martina.

Sidoqoftë, lufta në Jugosllavi ka ndikuar përgjithmonë në jetët e pjesës më të madhe të interpretëve në TPNJ. “Në periudhën kur Sarajeva ishte e rrethuar nga serbët e Bosnjes, unë isha duke studiuar gjuhën frenge”, thotë Elmedina Podrug (54), e cila erdhi në Hagë në vitin 2002. “Derisa shkoja në universitet, rrugët mbikëqyreshin nga snajperistët. Vazhdimisht gjuanin dhe i rrezikonin jetët e njerëzve”. Për të mbijetuar, ajo interpretonte për gazetarë francezë. Kjo u bë më e vështirë kur u plaçkitën shumë prej bibliotekave lokale dhe u bë më e vështirë të gjindeshin libra apo fjalorë të frengjishtes. “Por e kisha një mision: të diplomoja”, thotë Elmedina. “Kjo më bëri t’i tejkaloja të gjithat”.

“Kur fillon të flasë një ekspert, përmbajtja zakonisht është shumë specifike”, thotë Martina Fryda-Kaurimsky. “Për shembull, në rastet e Srebrenicës, shumë u tha për ekskavatorët dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Si interpret, duhet të përgatitesh mirë”. Foto: Martino Lombezzi.

Kur përfundoi lufta, gazetarët ikën, dhe burimi i saj i punës u shterr. Ajo aplikoi në TPNJ: “Babai dhe motra ime ishin tepër të shqetësuar kur dëgjuan se do të shkoja të jetoja në Hagë, jo për shkak të pranisë së kriminelëve të luftës, por për shkak të motit. ‘Është shumë lagësht dhe ftohtë atje!’ më thonin. Por, dikush duhej të ikte, sepse familja kishte nevojë për para”.

Kolegët e saj të ri ishin të impresionuar kur dëgjuan prej nga kishte ardhur ajo: ishte interpretja e parë nga qyteti i shkatërruar të cilin e kishin parë të gjithë aq shpesh nëpër lajme gjatë luftës. “‘Sarajevë’ më pyesnin. ‘Si është atje?’ As që mund ta përfytyronin”.

Kur arriti Elmedina në Hagë, atë e hodhën te ujqit, duke e caktuar për të interpretuar në rastin kundër gjeneralit Stanisllav Galliq, i cili konsiderohet si përgjegjës për rrethimin e Sarajevës. “Gjatë seancave gjyqësore ndjeja adrenalinë të përhershme”, kujton ajo. Ajo e pa lagjen e saj në fotografitë e prezantuara nga prokurorët. Disa prej dëshmitarëve të thirrur i kishte të njohur: “E detyrova veten të përqendrohem në aspektet teknike të punës sime – fjalët dhe fjalitë të cilat duhej t’i interpretoja. Kjo më bëri të vazhdoja”. Kur kthehej nga puna në mbrëmje, reflektonte për të gjitha gjërat që i kishte dëgjuar gjatë ditës.

“Pyetje të panumërta më silleshin në mendje: Çfarë do të kisha bërë unë po të isha në vendin e dëshmitares? Çfarë do të kisha thënë? Kisha nevojë për përgjigje që ta përballoja, por nuk arrita t’i gjeja në fillim. Shtrihesha në shtrat e zgjuar, me net të tëra”.

Elmedina i kalonte mbrëmjet duke e rifreskuar fjalorin dhe duke i ekzaminuar strukturat ushtarake, analizat patologjike dhe rregullat ligjore – çdo gjë për t’u përgatitur për një ditë tjetër plot marrje në pyetje të dëshmitarëve dhe diskutime të ndërlikuara ndërmjet gjykatësve, prokurorëve dhe këshilleve të mbrojtjes.

"Shpeshherë edhe thonë se përkthimi nuk është krejtësisht i saktë dhe ofrojnë të ndihmojnë. Kjo më bënë shumë nervoz, dhe dua të bërtas në mikrofon."

Elmedina Podrug

Kohë pas kohe ajo shqetësohej për shkak të ndodhive në sallë të gjykimit: “Ndonjëherë ndonjë dëshmitar thoshte gënjeshtra haptas. Pastaj prokurori apo këshilli i mbrojtjes vazhdonte ta merrte në pyetje, deri sa të gjithë e kuptonin se tregimi thjesht nuk ishte i vërtetë. Në disa raste mund ta vëreja edhe më përpara, veçanërisht kur dëshmia ishte për Sarajevën, meqë unë i dija të gjitha hollësitë. Si interpret, ndihesh i irrituar meqë nuk ke mundësi të ndërhysh në procedurë. Vetëm mund të vazhdosh të interpretosh dhe të shpresosh se personi do të zbulohet”.

Interpretët shpeshherë ndihen të pashpresë në salla të gjykimit. “Ndonjëherë prokurori apo ndonjë anëtar i këshillit mbrojtës mundohet ta orientojë dëshmitarin”, thotë Simona Stoshiq (52), e cila ka punuar në tribunal prej vitit 2000. ‘Pra, ti në fakt po mundohesh të thuash se…’, duke shtuar çfarëdo i përshtatet qëllimit të tyre. ‘Jo’, mendoj në ato raste, ‘nuk po mundohet ta thotë atë fare!’ Shpeshherë edhe thonë se interpretimi nuk është krejtësisht i saktë dhe ofrojnë ndihmë. Kjo më bën shumë nervoz, dhe dua të bërtas në mikrofon. Fatmirësisht, gjykatësit i mësojnë këto me kohë”.

Disa vite pasi u largua nga shtëpia e saj në Jugosllavi, Simonida Stoshiq doli ballë për ballë me ata të cilët e kishin shkatërruar vendin e saj. “Historitë e treguara nga dëshmitarët më bënin të ndihesha e sëmurë”, thotë ajo. “I urreja autorët e krimeve të cilët po gjykoheshin. Por po të vazhdoja të mendoja për dëshmitë e tmerrshme të tyre, do të çmendesha. Kështu që, thjesht përqendrohesha në punën time”. Foto: Martino Lombezzi.

Simonida u largua nga Beogradi në vitin 1992. “Shteti jonë po shkatërrohej para syve tanë – isha e tmerruar”, kujton ajo. “Njerëzit e pranonin vullnetarisht propagandën. Nëse kjo është ndjesia e shumicës, mendoja në vete, më mirë të largohem”. Disa vite më vonë, ajo u përball me Sllobodan Millosheviqin, pasi ai ishte transferaur në Hagë. “Ai bënte monologë të pafund, duke përdorur lirinë e tij në tribunal për ta vazhduar propagandën e tij”

Në fillim, ajo dhe kolegët e saj ndiheshin çuditshëm duke interpretuar zërin e Presidentit të tyre, i cili kishte shkatërruar aq shumë jetë. Ndërkohë, si shumë të pandehur të tjerë në gjykim, ai dukej gjithnjë e më shumë si plak i brishtë. “Gjatë procedurës, ai kohë pas kohe neve interpretëve na bënte me dorë në mënyrë miqësore dhe thoshte fjalë të mira për ne. Unë vazhdimisht i kam injoruar këto veprime. Asnjëherë nuk do të harroj se çfarë ka bërë ai”.

Sidoqoftë, gjykimet e tjera ishin më të hidhura për të se ai i Millosheviqit. “Një prej rasteve të para në të cilat interpretova – në vitin 2000 – ishte për ‘kampet e përdhunimit’ në Foça në Bosnjë”, kujton ajo. “Kur dëgjova se çfarë ishin në gjendje të bënin ata të dyshuar, mbeta pa fjalë. Me muaj të tërë ndihesha shumë keq”.

Si përkthyese, ajo mundohet të jetë e rezervuar në mënyrë profesionale. “Por kur i dëgjon ata dëshmitarë ditë pas dite, ato gra të cilat ishin krejt të thyera në çdo kuptim, thjesht nuk mund ta bësh atë. Gjatë punës si interpret, të gjithë jemi dëmtuar deri në një masë”.

Për t’u përballur me këtë mjerim, disa prej kolegëve të saj mblidhen për ta pirë ndonjë gotë pas punës. Simonida preferon të shëtisë në ambient të jashtëm. “Haga është qytet i këndshëm”, thotë ajo. “Më pëlqen ambienti i paqes dhe i qetësisë, si dhe siguria e këtij vendi. Nuk mund ta parafytyrosh këtë ndjenjë nëse nuk e ke përjetuar luftën”.

Meqë TPNJ-ja tani është mbyllur, shumë prej interpretëve do të qëndrojnë në Hagë për të punuar në Mekanizmin për Tribunalet Penale Ndërkombëtare, i cili i ka marrë përsipër shumë prej funksioneve të TPNJ-së dhe të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandë. Foto: Martino Lombezzi.

Pavarësisht të gjitha mizorive, interpretët ndonjëherë kënaqen së bashku. “Ndoshta edhe për shkak të mizorive”, thotë Simonida. “Kohë pas kohe thjesht kemi nevojë të shtendosemi”. Mund të ndodhë kur rritet tensioni, apo në moment të përqendrimit të madh. “Kur partneri i kabinës e interpreton gabimisht një fjalë, duke e thënë të kundërtën, ose kur një fermer nga ndonjë fshat i largët e thotë ndonjë fjalë në ndonjë dialekti të panjohur që është pothuajse e pamundur të kuptohet, në ato momente ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit për t’iu shamngur kontaktit me sy, sepse të qeshësh në kabinën e interpretimit është një prej gjërave më të këqija në një rast serioz”.

Tani që është mbyllur tribunali, pjesa më e madhe e interpretëve tani e kanë lënë Hagën për të shkuar në Bruksel dhe për të punuar në institucione europiane, ose i janë bashkuar organizatave të tjera ndërkombëatre, ose janë kthyer në vendlindje. Martina, Elmenida dhe Simonida kanë qëndruar në Hagë për të punuar për Mekanizmin për Tribunale Penale Ndërkombëtare (MTPN), pasardhësin e TPNJ-së.

Ajo është e kënaqur me punën atje. “Sigurisht se nuk pajtohem me të gjitha vendimet dhe janë bërë disa gabime”, thotë ajo. “Por paramendojeni sikur të mos ishte themeluar kurrë tribunali: Liderët e së kaluarës mund të kishin qenë ende në pushtet”.

Por ajo rrallëherë e ndan këtë ndjenjë të krenarisë kur kthehet në vendlindje, në Serbi. Kjo vlen për pjesën më të madhe të kolegëve të saj nga shtetet e ish-Jugosllavisë. “Në Beoograd dënohet ashpër tribunali”, shpjegon ajo. “Atje konsiderohet se procedurat janë gjykime-performansa. Nuk besojnë se gjykatësit dhe prokurorët janë të pavarur dhe janë të tronditur me faktin se pak kroatë dhe muslimanë të Bosnjës janë dënuar, ndonëse edhe ata kanë kryer veprime rrënqethëse. Disa madje mendojnë se të pandehur si Millosheviq nuk kanë vdekur prej shkaqeve natyrore në burg. Ata besojnë gjithçka që thuhet në mediat lokale; kjo më dëshpron pak kohë pas kohe”.

Në Beograd, Simonida tepër rrallë tregon se ka punuar për tribunalin – është e kujdesshme. “Vajzës sime i jap të këso këshilla: ‘Mos fol shumë për jetën tonë në Hagë’”.K4

Artikulli është shkruar fillimisht në gjuhën holandeze. Lee Mitzman e përktheu atë në gjuhën angleze prej të cilës më pas u përkthye në shqip dhe serbisht nga K2.0

Foto kryesore: Martino Lombezzi.

KOMENTO