Biseda | Arsimi

Jelena Vasiljević: Jetojmë në një shoqëri ku të gjitha rrugët e jetës dhe të gjitha institucionet ndikohen nga interesat politike dhe partiake

Nga - 15.10.2019

Rivlerësimi i akademisë (Pjesa e tretë) – Hulumtuesja e Beogradit flet për autonominë, solidaritetin dhe diplomat e universitetit si simbole të statusit.

Në një intervistë së fundmi, e pyetur rreth gjendjes së demokracisë në atdheun e saj, Turqinë, shkrimtarja Elif Shafak paralajmëroi se si mungesa e akademisë së pavarur, ndër të tjera, është ndër komponentët e një demokracie “të dëmtuar dhe të shkatërruar”.  

Nëse e shikojmë pjesën tjetër të Ballkanit dhe gjendjen e demokracisë dhe të akademisë, e vërejmë se situatat ngjasojnë shumë. Nëpër rajon, universitetet ballafaqohen me të njëjtat ankesa dhe sfida: keqpërdorimi i universiteteve nga elitat politike, cilësia e diskutueshme e arsimit, oportunizmi mes stafit akademik, rënia e etikës dhe e ashtuquajtura “zbrazje e trurit.”

Për ta eksploruar këtë çështje edhe më tej, K2.0 ka folur me disa prej intelektualëve më të mirënjohur të rajonit. Në këtë seri të veçantë të intervistave me akademikë prej shtatë shteteve të Ballkanit, të gjithë profesorët u pajtuan se akademia në Ballkan nuk është e pavarur.

Në pjesën e tretë të serisë sonë “Rivlerësimi i Akademisë”, K2.0 bisedoi me Jelena Vasiljević-in, hulumtuese në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale në Beograd. Edhe pse është e interesuar për çështje të ndryshme, pikat kryesore aktuale të hulumtimit të saj janë solidariteti politik, qytetaria aktiviste dhe lëvizjet shoqërore në Ballkan, si dhe problemi i pajtimit teorik i koncepteve të solidaritetit dhe të nënshtetësisë.

Së bashku me një grup kolegësh, ajo së fundmi iu bashkua Rrjetit për Solidaritet Akademik dhe Angazhim në Serbi, një organizatë e themeluar si përgjigje kundër presionit të jashtëm të ushtruar ndaj akademisë serbe. Rrjeti u themelua pasi studentët i bllokuan objektet e Universitetit të Beogradit për dymbëdhjetë ditë, duke kërkuar nga Komiteti i Etikës Profesionale të universitetit të japë gjykimin e fundit – jo më vonë se më 4 nëntor – nëse Ministri i Financave Siniša Mali kishte bërë plagjiaturë në temën e doktoratës. Kjo çështje ka qenë burim i një debati të nxehtë në Serbi që nga viti 2014, ka ngritur një sërë pyetjesh sa i përket autonomisë së universitetit dhe vlefshmërisë së diplomave të universitetit.

Jelena Vasiljević foli me K2.0 rreth situatës së tanishme në universitetet në Serbi, prej pikëpamjes së ndërthurjes së solidaritetit dhe nënshtetësisë, dallimit mes universiteteve private dhe publike dhe parakushteve shoqërore për një arsim të pavarur dhe cilësor.

Foto: Vladimir Živojinović / K2.0.

K2.0: Gjatë këtyre ditëve, nëse kërkojmë për fjalën kyçe “arsim” në mediat e Serbisë, ajo që na shfaqet janë lajmet rreth bllokadës së rektoratit nga studentët. Kërkesat e tyre fillestare kishin të bënin me plagjiaturën e temës së doktoratës së Siniša Mali-t dhe banorët e konvikteve të studentëve që janë larguar për shkak të Universiadës. Shumë gjëra kanë ndodhur – sulmet ndaj studentëve,  kritikë e vakët nga stafi i rektoratit dhe përfaqësuesit politikë të lëvizjes #1od5miliona (“Një nga Pesë Milionët”) duke e shprehur mbështjetjen e tyre për studentët. Si është e mundshme që studentët ia arritën t’i bënin problemet që e shqetësojnë arsimin e lartë një çështje me prioritet te publiku i gjerë në këtë kohë?

Jelena Vasiljević: Është inkurajuese se, më në fund, Rektorja e Universitetit Popović i dënoi aktivistët e partisë që kanë hyrë me forcë në objektet e rektoratit. Ajo theksoi se autonomia e universitetit duhet të respektohet, duke bërë presion më pas që të zgjidhet rasti i temës së  Siniša Mali-t – disa do të thonë se kjo ishte detyra e saj zyrtare pikë së pari.

Siç pritet, e pamë Rektoren Popović që u vu nën zjarr për shkak të deklaratës së saj, prandaj mendoj se komuniteti akademik duhet ta mbështesë atë në këtë pikë, si dhe kërkesat e studentëve. Situata ideale do të ishte që komuniteti i gjerë i studentëve të deklaronte pikëpamjen e vet në këto kërkesa, pavarësisht nëse e mbështesin që rektorati të jetë i okupuar apo jo.

Çka po ashtu duhet të bëhet është që ta ndryshojmë plotësisht këtë pohim dhe të themi që nuk kemi individë mjaft të guximshëm dhe të pavarur që ta kthejnë vëmendjen kah punimet plagjiatura.

Deri në çfarë mase do të shtyhen përpara këto çështje në sferën publike varet nga sa shumë të gjithë ne së bashku – studentët dhe profesionistët akademikë – do të nxjerrim në pah dhe të dëshmojmë se këto nuk janë disa probleme sporadike, të izoluara, por janë më shumë simptoma të kërcënimeve të rënda në cilësinë, autonominë dhe dinjitetin e hulumtimit shkencor dhe të arsimit të lartë në vend.

Sa ka ndryshuar qëndrimi ndaj zbulimit të plagjiaturës dhe në çfarë shkalle janë qytetarët (akademikë) të vetëdijshëm për seriozitetin e vjedhjes intelektuale dhe pasojat e saj për shoqërinë? Veç frikës së mundshme për humbjen e punës, përfaqësuesit e akademisë që nuk i deklarojnë plagjiaturat publikisht, a e përkrahin një sistem të vjetër për hir të asaj që mund ta quajmë solidaritet akademik, ku e mbron reputacionin e kolegëve me çdo kusht, në mënyrë që ata ta mbrojnë tëndin?

Do të përgjigjem në këtë pyetje të fundit, të heshtësh për plagjiaturën e kolegëve nuk është shprehje e solidaritetit, sepse veprimet e pandershmërisë drejtpërsërdrejti i dëmtojnë përpjekjet e zellshme të bëra nga të gjithë këta kolegë (që janë shumicë, fatmirësisht) që i përmbahen mirësjelljes akademike në prodhimin e tyre shkencor, teorik e artistik. Është në termet e përkrahjes dhe përmirësimit të këtij parimi që duhet të bashkohemi dhe të qëndrojmë në solidaritet me njëri-tjetrin.

Sot, praktika jonë akademike përfshin mekanizma në mënyrë që ta ndalojmë e dënojmë plagjiaturën – le të jenë artikuj të përkufizuar qartë në statuse institucionale, verifikues të plagjiaturës, ngarkim i detyrueshëm i temave të doktoratës, etj. – megjithëse kjo nuk do të thotë se plagjiatura nuk do të jetë e pranishme më dhe që do të zbulohet në çdo kohë.

Besoj se akademia është e vetëdijshme sa e dëmshme është plagjiatura dhe format e tjera të vjedhjes intelektuale, por në disa raste nuk e kemi asnjë institucion mjaft të fortë, autonom e të pavarur që vendosmërisht t’i mënjanojë këto praktika. Çka po ashtu duhet të bëhet është që ta ndryshojmë plotësisht këtë pohim dhe të themi që nuk kemi individë mjaft të guximshëm dhe të pavarur që ta kthejnë vëmendjen kah punimet plagjiatura.  

Megjithatë, dua ta theksoj rëndësinë e institucioneve këtu, duke pasur parasysh se individët janë nën presion dhe prandaj nuk po kanë mbështetje të mjaftueshme prej kolegëve të tyre dhe prej institucioneve që mund t’i sigurojnë për vendimet e tyre, që përkojnë me ndërgjegjen dhe ekspertizën e tyre, të mbrohen nga institucionet dhe vlerat e parimet e institucionalizuara.

Sa janë të pranishëm në media përfaqësuesit e akademisë të angazhuar në shoqëri.  Në këtë pikë, duket se janë ata që kanë potencial të jenë udhëheqës dhe modele shembull, së paku në rrethe më të vogla.

Janë të pranishëm në disa media dhe në rrjete sociale… Ne tanimë dimë gjithçka rreth këtij ekspozimi të limituar prej shoqërisë sonë dhe kontrollit të medias.

Që po bëhen modele shembull, është mirë, deri në një pikë. Mund të thuhet se përdorimi i ndonjë kapitali shoqëror dhe/ose njohurive teorike që të marrësh pjesë aktivisht në jetën shoqërore të një komuniteti mund të merret për sjellje shembullore.

Foto: Vladimir Živojinović / K2.0.

Është në rregull vetëm “deri në një pikë” siç është,  për mua, krejt në rregull për dikë që të jetë pjesë e akademisë, sa kohë nuk ka ndonjë prirje për këtë lloj të angazhimit publik. Nga ana tjetër, është me të vërtetë e trishtueshme që këta individë po shihen si udhëheqës potencialë – duke pasë parasysh faktin se ne si shoqëri jemi në pozitë të atillë që kurdo që e kuptojmë për dikë se është mjaftueshëm i guximshëm, orator dhe i vendosur, dëshirojmë që ai/ajo të na bëhet udhëheqësi i ri.

Kjo është sidomos zbulim i një mangësie të mjerueshme në ide politike, udhëheqësi dhe “opsione dalëse” që po i kërkojmë dëshpërimisht kudo.

A besoni se autonomia e universitetit do të jetë e mundshme dikur në të ardhmen dhe nën cilat kushte?

Po, gjithsesi. Ekziston edhe këto ditë, edhe pse në letër, dhe në disa raste me të vërtetë po kujdesen për të. Arsyeja e brishtësisë së saj është se nuk kemi institucione të forta dhe të pavarura. Vendi i tyre është marrë nga grupe të interestit që i ikin kohezionit të tyre si veprim institucional me anë të imitimit.

Shumë shpesh, puna kryesore ose kushti i sigurimit është të mos kesh diplomë universitare: në vend të saj, duhet të kesh kartë të anëtarësisë partiake.

Parakushtet për autonominë e universitetit janë legjislacioni i mirë, angazhimi në idenë se korniza institucionale është më e rëndësishme sesa e veçantë, aleancat afatshkurtra – nëse janë politike ose jo – si dhe individët që veprojnë me integritet dhe sipas parimeve të autonomisë së universitetit.

Mjaft gjatë është thënë se asnjë diplomë specifike e universitetit nuk nevojitet për të pasur një punë, por më shumë duhesh të kesh lidhje, por të rinjtë ende mbështeten në të parën, marrjen e diplomave në një mënyrë a tjetër. Pse ndodh që diplomat kalohen si një lloj i simbolit të statusit, edhe ndër këta që nuk duan të përfshihen në fushë, sepse një anëtarësim partiak mjafton? A është ndoshta e lidhur me një sasi frike se një sistem si ky mund të mos vazhdojë dhe arsimi mund të jetë i rëndësishëm në të ardhmen, të paktën në teori?

Mund të jetë se diplomat universitare ende shihen si një lloj garancie, ose konsiderohen si mjet i shpëtimit të vetes në spastrimet e mundshme të “tepricave” të stafit që vjen, e në skenarë të ngjashëm. Për më shumë, çka ngelet është prestigji i të qenit i pajisur me diplomë.

Përderisa ekziston edhe ana tjetër e medales, e është mjaft shqetësuese. Shumë shpesh, puna kryesore ose kushti i sigurimit është të mos kesh diplomë universitare: në vend të saj, duhet të kesh kartë të anëtarësisë partiake.

Një tjetër gjë veçanërisht interesante është fenomeni i temave të doktaratës plagjiaturë – ose që kanë cilësi të dyshimtë – nga zyrtarët shtetërorë, pozita e të cilëve nuk e ka kërkuar kurrë nivelin e doktoratës në rend të parë.

Po  mendoj, ç’është ajo që i detyron Mali-n, Stefanović-in, Tabaković-in dhe të tjerët që të kryejnë studimet e doktoratës? A është etja për dituri, dëshira për ta ridrejtuar veten në një fushë akademike? Apo që të mburren?

Fatkeqësisht, dituria po bëhet komoditet edhe më shumë. Ky është një trend botëror. Në anën tjetër, diplomat e universitetit janë shndërruar në çertifikata të investimit dhe një akumulim i “kapitalit njerëzor,” siç thuhet në këtë ditë dhe kohë. Si të tilla, diplomat po bëhen objekte tregtie, edhe në kuptimin e parë të fjalës, në botën e vërtetë, dhe në një plan simbolik, ku njerëzit bëjnë tregti në funksione, pozita të pushtetit, ndikim…

Në çfarë mase kanë luajtur rol universitetet private në rënien e universiteteve publike, duke marrë parasysh sa shumë figura publike të mirënjohura e listojnë të parin si shkak për kolapsin e këtyre të fundit?

Është e vërtetë se shumë prej këtyre diplomave të dyshimta, kryesisht nga zyrtarët shtetërorë, janë marrë në universitete private. Prandaj, është logjike të supozohet se universitetet e tilla mund të jenë edhe burime të intrigës, kryesisht në kontekstin tonë, ku ka mungesë transparence, ku ligjet shumë lehtë anashkalohen, etj.

Megjithatë, të bësh një vlerësim kaq të përgjithësuar do të ishte e padrejtë ndaj një numri të madh të njerëzve që i kanë përfunduar studimet ndershmërisht dhe me zell në një numër të universiteteve private në Serbi. Vëreni se këto institucione dallojnë shumë prej njëri-tjetrit.

Foto: Vladimir Živojinović / K2.0.

Në fund, dhe më e rëndësishmja, cilado qoftë gjendja e sektorit të universitetit privat – që është gjithçka tjetër përpos homogjen – universitetet private nuk mund të quhen përgjegjëse për keqësimin e universiteteve publike. Një pohim i tillë do të ishte sqarim i vrazhdë sa i përket çështjes së neglizhimit sistematik, defekteve në arsimin e lartë dhe në politikat e shkencës, një trajtimi të përgjumur të politikës së arsimit universitar, e kështu me radhë.

Të gjitha sukseset e universiteteve publike – dhe dështimet e tyre, që janë të shumta – vijnë si rezultat i lidhjeve dhe dinamikës brenda vetë këtyre universiteteve. Ato gjithashtu burojnë nga marrëdhënia mes universitetit specifik dhe shtetit.

Disa studentë që i kanë paratë të regjistrohen në universitetet private ose publike thonë se e zgjedhin të parët për shkak të cilësisë së arsimit. Cilat janë pikëpamjet tuaja ndaj asaj që përshkruhet si “arsim cilësor?” A cilësohet “Njohuria praktike” e marrë gjatë studimeve si njohuri cilësore? Njëri nga shqetësimet kryesore është nëse universitetet duhet të mbeten në këtë nivel të marrjes me mendimin abstrakt dhe teorinë, përderisa njohuria praktike duhet të jetë fushë e trajnimit profesional dhe e arsimit joformal.

Kjo nuk është pyetje e lehtë për t’iu përgjigjur, pasi ngre një sërë çështjesh në të njëjtën kohë.

Për mua, duket se ajo që është më afër idealit të “arsimit cilësor” – njohuria praktike ose teorike –është një dilemë e rrejshme. Kalon pa thënë që përgjigjja varet nga fusha jote e studimit, si p.sh. filozofia dhe stomatologjia nuk janë të njëjta, por dilema është prapë e rreme sepse na bën të mendojmë për praktikën dhe teorinë si ide të kundërta.

Arsimi cilësor duhet të sjellë një kurrikulë të mirë, të modernizuar, një kurrikulë cilësore që ofron ekuilibrin më të mirë mes njohurisë teorike dhe praktike që ka të bëjë me fushën e studimit.

Në Serbi, a i diskutojmë gjendjet e tanishme dhe të ardhshme të sistemit të arsimit pa iu referuar ekskluzivisht ndarjes mes dy kampeve politike, qeverisë dhe opozitës?

Po, prapë është e vështirë të kesh një lloj të debatit serioz që do të quhet si “krejtësisht profesional” sepse jetojmë në një shoqëri ku të gjitha rrugët e jetës dhe institucionet ndikohen nga interesat politikë dhe partiakë.

Çka do të përmendje si parakusht të detyrueshëm për një arsim më të mirë në Serbi (duke filluar nga shkolla fillore dhe duke vazhduar deri në arsimin universitar) që ne si shoqëri duhet ta plotësojmë? Në çfarë lloji të shoqërisë do të doje që fëmija jot të mësojë përmes sistemit të arsimit?

Çështja e arsimit cilësor duhet të shikohet dhe të zgjidhet në mënyrë sistematike, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me vetëdije të plotë të faktit se çka kemi në dorë nuk është një segment i izoluar i shoqërisë sonë, por çështje integrale e pyetjes se çfarë lloji të shoqërisë duam.

Përveç ndërhyrjeve të qarta dhe të pashmangshme, si ofrimi i një financimi më të dukshëm për sistemin e arsimit, duke ofruar paga më të mira për stafin akademik, duke parashikuar një buxhet më të madh për hulumtim shkencor… nevojitet një qasje që do ta trajtojë sistemin tonë të arsimit – nga niveli i shkollës fillore deri në universitet – si tërësi, pjesët individuale të së cilës duhet të koordinohen.

Për më shumë, besoj se kemi nevojë për një reformë kurrikulare me ndikim më të gjerë, e cila idealisht do t’i angazhonte të gjithë profesionistët e arsimit – edukatorët, pedagogët, mësuesit e shkollës fillore dhe të mesme – si reforma kurrikulare që ka filluar në Kroaci para disa vitesh, para se të vinte në një ndërprerje fatkeqe.

Një reformë e tillë gjithëpërfshirëse duhet të paraprihet nga konsultimi i gjerë me profesionistë, statusin e tanishëm dhe analizat e nevojave dhe konsensusin e komunitetit profesional sa u përket prioriteteve brenda sistemit të arsimit.

Është vullneti politik për të shkuar në këtë mënyrë që normalisht u paraprin të gjitha proceseve të lartpërmendura. Fatkeqësisht, megjithatë, nuk mund të gjendet askund. K

Foto Kryesore: Vladimir Živojinović / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.