Një video që preku mijëra zemra në rrjete sociale më bëri të ndalem të mendoj. Ishte një përmbledhje e shkurtër, e publikuar nga një televizion më 23 mars, gjatë muajit të Ramazanit, ku, ndër mesazhe të ndryshme, disa fëmijë recitojnë edhe fraza fetare si: “Jam krenar që jam mysliman”; “E dua Islamin”. Ishte një produkt 55-sekondësh i një industrie mediale që e njeh shumë mirë algoritmin. Mënyra si ishte montuar dhe shpërndarë e bënte të qartë se caku ishin emocionaliteti, ndjeshmëria dhe bërja virale e videos.
Në shikim të parë, videoja mund të duket si një shfaqje shkollore me fëmijë të çiltër, të krehur, të buzëqeshur. Por nuk është vetëm aq. Është një përmbajtje e sofistikuar që nuk nxit pyetje, por ofron përgjigje të gatshme. Një mesazh i vetëm, i veshur me emocion, që pranohet pa u përpunuar. Kjo video më bëri të ndalem jo për ta diskutuar a kundërshtuar fenë, por për të reflektuar mbi mënyrën si media formëson mendimin e fëmijëve dhe çfarë lloj edukimi ofrohet në hapësirën publike.
Në një realitet të lodhur nga edukimi i dobët dhe informimi sipërfaqësor, na duhen përmbajtje që vënë në pyetje gjëra që duartrokiten dhe për media që nuk ngatërrojnë emocionin me vlerën dhe interesin publik.
Kur media i vë fëmijët në shërbim të një narrative të gatshme fetare, e cila nuk buron prej tyre, ajo bie ndesh me misionin e vet. Misioni i medias është të informojë pa manipuluar dhe të raportojë pa imponuar. Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia e saj karshi fëmijëve: t’ua ruajë fëmijërinë si një hapësirë të lirë për lojë, zhvillim dhe formim dhe të respektojë dhe ta mbrojë të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur. Kur fëmijët nuk e dinë se kanë të drejtë të zgjedhin, çdo botëkuptim i gatshëm kufizon kurreshtjen dhe mendimin e lirë.
Një video e tillë, e publikuar nga një televizion, nuk është pasqyrim spontan i realitetit, por produkt i kuruar për të nxitur ndjeshmëri dhe për të rritur viralitetin. Sado që përmbajtjet mund të kenë qëllim të mirë, media nuk është pasqyrë, por skenë. Çdo titull, çdo zgjedhje për çfarë të shfaqet e çfarë të heshtet, është një akt politik në vetvete që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si ndërtohet realiteti shoqëror.
Vendimet redaktoriale se çfarë të publikohet, si të paraqitet dhe çfarë të lihet jashtë raportimit nuk janë neutrale; përkufizojnë çfarë shoqëria sheh si normale, të pranueshme apo të padukshme, përfshirë fenë dhe mënyrën si fëmijët fillojnë ta shohin veten. Prandaj, ndikimi i medies shpesh nuk vjen përmes mesazheve të drejtpërdrejta, por përmes përfaqësimeve të përsëritura që formësojnë kuptimin kolektiv për atë çfarë konsiderohet e mirë ose e denjë për t’u ndjekur.
Instrumentalizimi i fëmijëve
Kur arsimi nuk ndërton mendimin kritik si në rastin tonë, media e mbush vakuumin sipas interesave të veta dhe ndikimit që do ta ushtrojë. Por, fëmijët meritojnë më shumë se të kenë një orientim të vetëm. Ata kanë të drejtë të jenë shumëdimensionalë: të jenë kuriozë, t’i ndjekin shkencën, teknologjinë, artin, filozofinë e pse jo edhe fenë, nëse zgjedhin vetë. Në një shoqëri të shëndetshme, këtë rol e luan arsimi.
Por kur arsimi nuk trajtohet si prioritet dhe dështon të mësojë si të mendohet në mënyrë kritike, media hyn për ta formësuar mendimin — jo për të zgjeruar horizontin, por për ta ngushtuar atë. Kosovës i duhet urgjentisht reformë e mirëfilltë në arsim që mëson dhe nxit mendimin kritik, jo vetëm mbamendjen pasive sepse një shoqëri e qëndrueshme ndërtohet mbi dije. Nëse shkolla nuk mëson si të analizojmë, atëherë ata që pranojnë çdo përmbajtje informative si të mirëqenë do të jenë e ardhmja e këtij vendi. E kjo e ardhme nuk është as e ndritur, as premtuese.
Media, ndërkaq, duhet të hapë horizonte që nxisin formimin e një identiteti të pavarur, të mbështetur në vlera njerëzore dhe qytetare. Fëmijët, si qytetarë të këtij vendi, gëzojnë të drejtën të mos reduktohen në bindjen e tyre fetare si tiparin që i përkufizon. Një fëmijë mund të jetë gjithçka, nëse e lëmë ta zbulojë vetë çfarë do të thotë të jesh “i mbarë” e jo nëse ia përcaktojmë këtë që në fëmijëri. Besimi fetar kërkon më shumë kujdes. Jo sepse është i rrezikshëm, por sepse meriton të kuptohet dhe të përvetësohet me vetëdije. Feja nuk është problemi në këtë tekst. Instrumentalizimi i fëmijëve është.
Prandaj po e diskutoj këtë video pa ndrojtje. Sepse nuk isha unë që i vendosa këta fëmijë përballë kamerës. Ishin të rriturit, prindërit dhe media, ata që vendosën t’i shndërronin në përmbajtje publike. Kur një fëmijë reduktohet në një imazh që nxit emocion dhe klikime, pra shndërrohet në produkt për konsum emocional, përgjegjësia nuk është e publikut që reagon, por e atyre që i ekspozojnë. Dhe kur publikon një video që prek miliona, duhet të jesh gati për pyetjet që pasojnë. Sepse përgjegjësia fillon pikërisht aty ku merret vendimi për ta paraqitur një fëmijë si ‘shembull’ për të tjerët pa vetëdije, pa zgjedhje, pa alternativë.
Instrumentalizimi i fëmijëve nga mediat kërkon jo vetëm konsideratë etike, por edhe mbikëqyrje të qëndrueshme institucionale. Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM), si rregullator i hapësirës mediale audio-vizive mban përgjegjësi për të mbrojtur fëmijët nga çdo formë e shfrytëzimit mediatik që cenon zhvillimin e tyre të lirë. Kodet e etikës ndalojnë qartësisht përfshirjen e tyre në përmbajtje që shfrytëzon ndjeshmërinë apo i ngarkon me barrë ideologjike, fetare apo politike. KPM-ja, në veçanti, ka detyrimin të sigurohet që raste të tilla të mos kalojnë pa u vënë re. Fundja, mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm parim moral, por edhe përgjegjësi publike e detyrim institucional.
Është koha të ndalemi seriozisht: kur fëmijët bëhen vegla të emocionit, jo të mendimit, nuk kemi më edukim, kemi bindje. Është koha t’i ndalim duartrokitjet kur recitojnë dhe t’i nisim kur fëmijët pyesin. Madje edhe kur bëjnë pyetje të mëdha, të papërshtatshme, të parehatshme si: “Çka është Zoti?”
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.