Konteksti Podcast | Barazia gjinore

Konteksti: “Tavani i qelqit” është grithur. Çka tash?

Nga - 10.04.2021

Sa mundet përfaqësimi më i lartë gjinor t’u shërbejë politikave feministe?

Vjosa Osmani u bë presidentja e pestë e Kosovës, në 13 vjet që kur vendi shpalli pavarësinë. Avokatja 38-vjeçare gjithashtu u bë gruaja e dytë që mban këtë post, pas Atifete Jahjagës, e cila ishte presidente nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Osmani më 4 prill mori 71 vota nga 82 deputetë të pranishëm në Kuvendin me 120 vende, por në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare Presidentja doli kandidatja më e votuar ndonjëherë pasi siguroi 300,756 vota personale.

Përtej pozitës numër dy në vend, edhe përfaqësimi gjinor në Kuvend shënoi rekord në këtë legjislaturë: për herë të parë më shumë se një e treta e 120 deputetëve do të jenë gra — 43 deputete gjithsej. 

Megjithatë, Ligji për Barazi Gjinore, i cili kërkon përfaqësim të barabartë gjinor në lista zgjedhore si dhe në pozita vendimmarrëse në ekzekutiv, vazhdon të mos gjejë aplikim nga liderët politikë. 

Prej çastit të certifikimit të zgjedhjeve, rritja e përfaqësimit gjinor është përshëndetur prej qytetarëve e deri tek aktivistët për të drejtat e grave. Por a mund t’i ndikojë përfaqësimi më i lartë gjinor transformimet dhe lëvizjet shoqërore? Si mund ta ndikojë luftën për barazi dhe drejtësi sociale? A zë hapësirë artikulimi feminist në ligjërimin politik, dhe sa mund të shndërrohet në politika të mirëfillta publike feministe?

Për të diskutuar më shumë rreth kësaj dhe më shumë, dëgjoni episodin e fundit të Kontekstit, ku redaktorja jonë kontribuese Dafina Halili bisedon me Besnik Pulën, Profesor Asistent në departamenin e Shkencave Politike në Virginia Tech, SHBA, dhe Besa Lucin, kryeredaktore në Kosovo 2.0.

Autore: Dafina Halili / K2.0.

Të ftuar:

  • Besnik Pula, Profesor Asistent në departamenin e Shkencave Politike në Virginia Tech, SHBA
  • Besa Luci, kryeredaktore në Kosovo 2.0

Miksimi i zërit: Studio 11.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Produksioni: Dibran Sejdiu / K2.0.

 

Ky podkast është pjesë e projektit Human Rightivism, i cili financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementohet nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit   nëpërmjet Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë publikim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).