Gratë në Kosovë dhe në botë po përgatiten që ta ngrisin zërin për barazi gjinore dhe ekonomike. “Nuk dua lule, dua kontratë pune”, “Mbrojtje në punë” dhe “Ngritje e pagës minimale”, janë disa prej slloganeve nëpërmjet të cilave aktivistët për të drejtat e grave, dhe të njeriut, si dhe qytetarët tjerë do të ngrisin zëri gjatë një marshi që do të mbahet në Prishtinë nesër (8 mars) për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave.
Marshi është pjesë e një serie aktiviteteve që po organizohen nga një grup i qytetarëve, ku përfshihen aktivistë të të drejtave të grave, sindikalistë, punëtorë, akademikë, artistë, organizata mediale dhe grupe të shoqërisë civile. Nën moton e njejtë që u përdor edhe për aktivitetet e vitit të kaluar, “MARS’hojmë S’festojmë”, aktivitete të ndryshime do t’i adresojnë gjatë ditës së nesërme problemet serioze të diskriminimit kundër grave në vendin e punës dhe papunësinë.
Në përshkrimin e tyre të aktiviteteve, organizatorët shpjegojnë se do të marshojnë për të drejtat sociale dhe ekonomike si parakusht për një shoqëri të mirë. “Duam punësim pa shfrytëzim, barazi, liri dhe drejtësi shoqërore”, shkruan në njoftimin për media. “Duam sigurim shëndetësor, siguri në punë, dhe punë pa diskriminim për të gjithë pa dallim etnie, religjioni, moshe, shkollimi, orientimi seksual, identiteti gjinor dhe aftësisë”.
Aktivistët gjithashtu do të ngrisin zërin kundër homofobisë, transfobisë dhe racizmit. “MARShojmë S’Festojmë, për barazi në punësim, përfaqësim politik, dhe në familje”, shkruan në kumtesë.
Dita Ndërkombëtare e Grave u zyrtarizua në vitin 1977 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), pas më shumë se gjysmë shekulli me ditë të ngjashme të protestave të përvjetshme nëpër botë. Sivjet, U.N. Women – një entitet brenda OKB -së që fokusohet në barazi gjinore dhe fuqizim të grave – ka caktuar si temë botërore të ditës: “Gratë në Botën e Ndryshueshme të Punës: Planeti 50-50 deri në 2030”.
Aktivistët nëpër botë inkurajohen që të kërkojnë që bota e punës të jetë për të gjitha gratë. Nëpërmjet fushatës së sivjetme, U.N. Women synon të vë theksin në atë se si shumica dërrmuese e grave janë në tregun joformal të kujdesit, dhe se janë të përqëndruara në profesione që paguhen më pak në krahasim me burrat, me pak ose hiç mbrojtje sociale.
Ekonomikisht të përjashtuara
Nita Luci, ligjëruese në Programin për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, është përfshirë në organizimin e ngjarjeve të së nesërmës. Ajo tha për K2.0 se tema e zgjedhur nga OKB-ja ka rëndësi të veçantë në Kosovë, meqë këtu barazia ekonomike nuk është adresuar asnjëherë si duhet.
“Idea e fokusimit në punë pasqyron një nevojë botërore, por gjithashtu edhe diçka që është lokale, dhe që i ka specifikat e veta në Kosovë, për një vend që ka kaq zhvillim të dobët ekonomik dhe shkallë shumë të ulët të punësimit ose mundësive për punësim”, tha Luci.
“Mendoj se kjo është temë kyçe dhe e rëndësishme sepse nëse filojmë të merremi me punë dhe punësim, duhet të fillojmë të merremi me shkaqet e pabarazisë, e jo domosdoshmërisht vetëm me simptomat, që është një prej çështjeve që kemi pasë deri vonë. Mund të argumentohet që pabarazia ekonomike, mungesa e zhvillimit ekonomik, ka bërë që gratë të bëhen më të margjinalizuara e më të shtypura, për shkak të pozitës së keqe të tyre ekonomike të tyre”.
Në Kosovë më shumë se 75 përqind të grave janë të klasifikuara si ekonomikisht ‘pasive’, që do të thotë se as që janë duke kërkuar punë. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës në Kosovë vlerësohet të jetë më e ulëta në Evropë; në tërësi vetëm rreth 15 përqind të grave në Kosovë janë të punësuara.
Shukrije Rexhepi, zyrtare ligjore në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thotë se mungesa e mundësive ekonomike e bënë të vështirë që gratë t’i kërkojnë të drejtat e tyre nga punëdhënësit, veçanërisht në sektorin privat. “Kryesisht, ankesat e tyre kanë të bëjnë ose me orare të gjata të punës, që janë shumë më të gjata se 40 orë në jave, siç përcaktohet nga legjislacioni, ose me raste ku nuk u lejohet që ta përdorin të drejtën e tyre për pushim të lehonisë”, tha ajo për K2.0.
Rexhepi thotë se shumica e grave që raportojnë shqetësimet e tyre në BSPK e bëjnë në mënyrë anonime, sepse kanë frikë se do të mbesin pa punë po të kuptohet se janë ankuar; megjithatë, pa emra të plotë, ajo thotë se BSPK – ja nuk mund t’i kalojë ankesat te Inspektorati i Punës.
MARShojmë S’Festojmë
Organizatorët e aktiviteteve të 8 marsit të këti viti do të mbajnë një seancë informative prej orës 8:00 deri në 9:00 për ata që duan të jenë pjesë e aktiviteteve të asaj dite. Nga ora 10:00, në Bibliotekën Kombëtare, do të mbahet një diskutim i organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis, për adresimin e ngacmimit seksual në Universitetin e Prishtinës.
Nga ora 12:00 deri në 14:00, aktivistët do të marshojnë nga Sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë, kah Banka Qendrore e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, deri te ndërtesa e kuvendit dhe e qeverisë. Secili institucion që marshi do ta inkorporojë është zgjedhur për vlerën e vet simbolike. Luci shpjegoi se si Banka Qendrore është veçanërisht e rëndësishme për shkak të temës botërore të aktiviteteve të sivjetshme.
“Banka Qendrore është vend ku më së miri mund ta adresojmë pamundësinë e grave për pjesëmarrje në tregun financiar”, tha Luci. “Banka Qendrore mund të jetë vend që krijon mundësi për ata që nuk kanë qasje në aktivitete ekonomike ose ndërmarrësi, për të krijuar politika që mund të promovojnë angazhim të përmirësuar ekonomik dhe produktivitet më të lartë ekonomik të popullsisë”.
Ajo thekson se nepotizmi dhe punësimet e motivuara nga politika nëpër institucionet e Kosovës janë probleme të mëdha që kanë ndikim disproporcional ndaj grave. “Kjo flet për [një kulturë institucionale] ku nuk ka llogaridhënie, dhe e cila i prekë gratë edhe burrat; por kryesisht gratë, sepse ato janë në pozitë më të ndishme – janë në pozitë të margjinalizuar”.
Pas marshit, nga ora 14:30 do të mbahet një punëtori nga Peer Educators Netëork (PEN) në zyret e tyre në Aktash për për integrimin e perspektivës gjinore në nivel të organizatave dhe programeve.
Aktivitetet ditore do të përmbyllen në TeatrinOda në 20:00 me një performancë të organizuar nga Artpolis, e quajtur “Copë Copë”.
Njëkohësisht me marshin e mesditës në Prishtinë, qytetarët në Prizren do të mbledhen në Sheshin Shadërvan në Prizren nën moton “8Marshi me kravatë”. Marshi në Prizren është i organizuar nga nisma FEMaktiv – një grup i grave dhe vajzave që synojnë ta sfidojnë mendësinë patriarkale në diskursin publik të këti qyteti.K