Krejt rrugët çojnë në qytet - Kosovo 2.0

Në prag të zgjedhjeve lokale, e mora aparatin tim fotografik në udhëtim për në disa fshatra të Kosovës, të cilat ndodhen në margjina të qyteteve. Tani, pak njerëz shohin ndonjë interes në këto vende. Të lëna pas dore dhe në mungesë të investimeve, shumica e banorëve i kanë lënë pas këto fshatra për qytetet afër tyre.

Leskovec, Prizren

Me të marrë rrugën për në fshat mirëpritem nga një tabelë e vjetër e investimeve komunale në ndërtimin e rrugës e cila e lidhë Leskovecin me qytet. Një rrugë gati 4 kilometra, e cila kishte kushtuar më shumë se 400 mijë euro. Për ironi, rruga e cila për qëllim kryesor kishte afrimin e fshatit me qytet në fakt u bë rruga nga ku shumica e banorëve u larguan për në qytet dhe fshati mbeti vetëm me pak nga ta. Me kalimin e kohës bimët pranë rrugës filluan ta marrin atë dhe tanimë rruga e cila ishte mburrje për Komunën e Prizrenit filloi të ngushtohej nga të dyja anët.

Me të hyrë në fshat lehja e një qeni të vetëm e lajmëroi arritjen time. Dy djem të rinjë filluan të ngjiteshin sipër një bregu për ta pritur këtë të panjohur.

Në fillim i pyeta nëse e kishin babën në shtëpi. Dy djemtë më thanë që duhet të vija të dielen për ta takuar pasi ishte në Prizren.

Megjithatë, unë munda ta kundroj fshatin përrreth. Ai qe malor, i gjelbëruar dhe me rrugë të cilat shpienin në çeshmen e fshatit i cili gjindej gati në fund të saj, në një kodër prej ku shihej një pjesë e madhe e rrafshit të Dukagjinit. Nuk mund të rezistoja pa e thënë herë pas here se sa i lumtur do të isha po ta kisha mundësinë të jetoja në këtë vend. Një vend tejet i qetë, qetësia e të cilit tregonte se kishte mbetur i vetmuar.

Të dielen u ktheva. Rrugës e kuptova se të rinjtë e Prizrenit vinin këndej për të bërë piknik.

Në fshat u afrova tek shtëpia e fundit e banuar. Aty m’u afrua një burrë me fytyrë të qeshur e të ngrohtë, ngrohtësi e cila sikur iu hoq nga fytyra posa e kuptoi që isha gazetar. 

Shikimi i tij vazhdimisht shkonte nga aparati im fotografik. Edhe pse ia shpjegova dhe e sigurova për punën time, zotëriu, të cilin do ta quaj Hilmi, nuk ndërroi mendje dhe më propozoi të bisedonim në mënyrë anonime.

“Edhe nëse vinë, nuk kanë pse me lypë vota te unë, krejt e dinë që unë nuk e ndërroj partinë!”, tha Hilmiu duke shtuar se rruga e ndërtuar vite më parë me të vërtetë ishte ajo që mundësoi largimin e banorëve. Megjithatë ai tregoi se edhe para shtrimit të rrugës fshati s’kishte pasur shumë banorë.

“Para se mu shtru asfallti jem konën gjashtë shtëpi, tash kam mbetë vetëm”, tha ai.

Sipas tij, administrata lokale në Prizren nuk ishte interesuar për mirëqenien e fshatarëve. Punëtor krahu gjatë ditës dhe blegtor në shtëpi, Hilmiu tashmë e kishte bindur veten se edhe ai duhet të largohej. Pas disa muajsh, me familje do të shpërngulet në pjesën periferike të Prizrenit, e cila njifet si Tuzsuz.

Tabela e investimeve komunale në infrastrukturën rrugore për në fshatin Leskovec.

Shtëpitë e braktisura të fshatit Leskovec.

Zhegrovc, Gjilan

Ironia e rrugës më përcolli edhe në vise tjera të Kosovës. Këtë herë pranë fshatit Zhegrovc në komunën e Gjilanit. 

Rruga e asfaltuar papritmas ndërroi dhe u shndërrua në rrugë malore të shfrytëzuar nga makineritë e rënda të cilat bartnin material për projektin e ndërtimit të autostradës. Pasi pluhuri u qetësua dhe hapi rrugë, u ndala në shkollën e fshatit. Oborri i braktisur i shkollës kishte ende gjurmë këmbësh të fëmijëve. Zhurma e cicërrimave të zogjëve papritmas u ndërpre nga zhurma e makinerisë ndërtuese të autostradës e cila kishte prerë malin sikur me dorë.

Me të arritur në Zhegrovc, gjëja e parë që pash ishte një lloj qendre përkujtimore. Ajo ishte si një lloj pike referuese e fshatit. Zhegrovci njihet si fshati i vetëm në territorin e Gjilanit ku kishte pasë betejë të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (UÇK) dhe forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kur dola nga makina, një burrë afrohej me shikim përplot kurreshtje. Mu prezantua si Osman Pajaziti, pesëdhjetë vjeçar, i cili ndër vite banonte në Gjilan dhe punonte në ndërtimtari. Pajaziti kishte ardhur në fshat për ta rifreskuar oborrin e shtëpisë së tij të braktisur. 

Duke e pritur arritjen e bageristit, Osmani më tregoi për fshatin e tij të lindjes. Derisa ecnim afër shtëpive të braktisura hyra tek njëra dhe në dhomë të ndejes ishin ende shenjat e ushtrimeve të qitjes me armë. Që të dy iu ikëm rrezeve të diellit nën hijen e një druri arre e cila gjindej mu në mes të pronës së familjes së dëshmorit Pajazit Ahmeti – Paja. Aty gjindeshin dy shtëpi të dëmtuara nga lufta dhe afër njërës ishte ngritur një shtëpi njëkatëshe me oborr shumë të pastër për vizita të rralla gjatë fundjavëve.

“Nuk kanë çka vinë këtu, nuk kanë kujt mi ja lypë votën, krejt kanë shku, kërkush nuk ka mbetë mo në katund!”, tha Pajaziti.

Sipas tij tash e tutje mund të ketë kthim të popullatës në fshat pasi që autostrada do ta ketë një dalje në afërsi të fshatit. Kjo do ta afronte dukshëm fshatin me Gjilanin, ndoshta edhe do të sillte investime të komunës në këto vise të cilat sipas tij nuk kishin ndodhur asnjëherë që nga përfundimi i luftës.

Gragjenik, Kamenicë

Pas Zhegrovcit, u nisa për në fshatin Gragjenik në Kamenicë. Me aq sa dija, aty jetonte vetëm një banor.

Gragjeniku ndodhet thuajse në fund të komunës së Kamenicës. Ironia e rrugës në këtë fshat më përcolli në mënyrën e vet. Nuk e di nëse këtë udhëtim mund ta quaja udhëtim apo ekspeditë, por kur kaloja afër vendbanimeve tjera përgjatë rrugës takova disa shikime tepër kurreshtare që sikur thoshin me vete “e paska humbë rrugën”.

Sa zgjatej rruga aq më shumë e kuptoja arsyen e largimit të fshatarëve nga ky fshat. Në atë rrugë mund të kalonte edhe makina ime e vogël, por nuk ishte rrugë te cilën do ta kaloja në baza ditore. Le që syri nuk të kapte ndonjë investim në infrastrukturë, por ngjante që as që i ishte afruar dikush për ta vizituar ndonjëherë. 

Shtegu i formuar ndër vite nga traktorët e prerësve ilegal të drurit në mes e kishte një kanal të krijuar nga tërheqja e copave të mëdha të drunjve.Një rrugë e qetë me bar në mes, i cili bënte zhurmë duke prekur pjesën e poshtme të makinës. 

Më në fund Gragjeniku u shfaq, një fshat i cili prej larg dukej tejet paqësor dhe ishte i pozicionuar sipër një kodre dhe i kthyer nga jugu, sikur fshatrat nëpër kartolina vetëm se ky i fundit dukej i pajetë. 

Shtëpitë ishin të gjithat të braktisura, të lëna pas dore dhe bimët kishin filluar ta merrnin pronësinë mbi dhomat të cilat dikur mbanin në vete dreka e darka, të qeshura e llafe, hapësira ku dikur dikush e kalonte jetën. Një zbrazëti e tillë tanimë nuk kishte asgjë paqësore, por ishte e frikshme. Zhurma e zogjëve për dallim nga Zhegrovci, këtu përzihej me zhurmën e përplasjes së dritareve të vetmuara.

Sllatinë, Podujevë

Një gjë të tillë e prita edhe në Sllatinën e Podujevës. Një pikë në hartë e cila dukej në fund të një udhe në afërsi me kufirin e Serbisë.

Sa më shumë largohesha nga pjesët e banuara, aq më e bukur dukej rruga. E pastër si ishte, m’i kujtonte rrugët rurale për në fshatrat franceze. Toka ishte e punuar dhe të jepte përshtypje e një regjioni të pasur dhe të banuar me njerëz zemërgjërë e mikpritës, por ardhja ime në fshat nuk qe e tillë. 

Prej momentit të parë e kuptova se fshati ishte ende i banuar, ani pse jo në të gjitha shtëpitë. Aty ishte edhe një stacion ku grumbulloheshin drunjtë e prerë për ngrohje. Ngjashëm si në të tjerat fshatra, aparati im fotografik dhe bashkë me të, edhe unë, u pritëm me shikime refuzuese.  

“S’ka këtu kurgja, krejt janë shku. S’ki me kon me folë”, ishin fjalët e një blegtori teksa largohej nga unë e i drejtonte lopët në drejtim të një fushe me misër. Sipas tij shumica kishin ikur nga fshati pasi që rruga përfundonte pak më lartë, pas një restauranti dhe pas saj është Serbia.

Vendet si Leskoveci, Zhegrovci, Gragjeniku dhe Sllatina janë të shpeshtë në Kosovë, të lëna në harresë buzë rrugëve për në restaurante në vise malore. 

Vizitat që i bëra në këto fshatra më shtynë të mendoj se si do të ishte jeta në këto fshatra nëse bizneset pranë këtyre fshatrave do të inkuadronin më shumë produkte vendore apo punëtorë nga fshati? Ose nëse do bëheshin investime nga komunat përkatëse?

A do ta mendonin banorët e këtyre fshatrave kthimin në këto hapësira plot zogj, larg zhurmave të qyteteve të mëdha? Ndoshta ky është problemi kryesor. Në vendin tonë fshatrat vazhdojnë të konsiderohen si të prapambetura por në të vërtetë ato janë gjurmë të kulturës sonë e që po zhduken duke u lënë pas dore.