Tollovia në Prishtinë nis e krijohet herët në mëngjes. Në orën 6:00, rrugët e qytetit të Prishtinës janë të qeta dhe me lëvizje të aty-këtushme. Në ora 7:00 nisin të bëhen kolona të lehta nëpër semaforë dhe nëpër rrathët e shumtë në qytet teksa kolonat e automjeteve, bashkë me boritë, kulmojnë duke nisur nga ora 8:00. Në pjesën tjetër të ditës, tollovia nuk zvogëlohet, por vetëm sa bartet nga njëra pjesë e qytetit në tjetrën.
Kryeqyteti i tollovisë
Prishtina po bëhet sinonim i trafikut të stërngarkuar.
Zonat e banimit në kryeqytet kanë vazhduar të zgjerohen në drejtime të reja sikur “Mati 1”, “Prishtina e Re” dhe “Veternik”, teksa shumica e vendeve të punës dhe shkollave mbesin kryesisht në qendër. Kjo bën që orët e fillimit dhe mbarimit të orarit zyrtarit të punës, 8:00 – 16:00, të jenë pikënisja e ngarkesave në komunikacion. E piku i këtyre ngarkesave është kryesisht midis orës 16:00 e 18:00.
Por, tollovia nuk bëhet veç prej lagjeve të reja. Motivi për të udhëtuar në Prishtinë nga qytetet tjera lidhet edhe me pozicionimin në qendër të institucioneve qendrore dhe një numri të madh biznesesh duke e vënë Prishtinën nën presion të vazhdueshëm nga një fluks i madh i makinave.
Kështu, përpos burimeve nga lagjet brenda qytetit, trafiku ushqehet edhe nga katër hyrjet nga zonat tjera të Kosovës.
Nuk ka ndonjë numër të saktë se sa makina qarkullojnë në Prishtinë ndonëse ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në vitin 2018 kishte përmendur se numri shkon deri në 135,000 makina, pak më shumë se një e treta e 333,000 makina që qarkullojnë në gjithë Kosovën.
Ky numër i madh makinash teston përditë durimin e qytetarëve në komunikacion. Është bërë e zakontë që në rrjete sociale të shpërthejnë pamje nga udhëkryqet dhe rrugët “për s’shkurti” kur shoferët dalin dhe grinden mes vete.
Përleshjet vijnë edhe pas prekjeve të lehta mes makinave meqë secila do ta fusë kokën për të dalë më shpejt në një rrugë tjetër. Por, aksidentet jo gjithmonë janë të lehta.
Policia e Kosovës duke mos i ndarë të dhënat në bazë të qyteteve, ka treguar se periudha janar-shkurt në vitet 2023 dhe 2024 është pothuajse e ngjashme kur është fjala për numrin e aksidenteve fatale.
Numri i aksidenteve fatale në Kosovë gjatë muajve janar – shkurt 2023 dhe 2024
Vozitësit/et e rrugëve të Prishtinës qe gjatë presin një zgjidhje që do të shkarkonte trafikun. Ndonëse janë ndërmarrë disa testime nga Komuna e Prishtinës, tollovia në trafik mbetet një ndër karakteristikat e kryeqytetit.
S’ka rrugë pa kolonë, por s’ka as të dhëna
Bekim Ahmeti, eksperti i komunikacionit, vozit çdo ditë në rrugën nga “Kodra e Trimave” deri pas Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Në këtë itinerar ai nuk ballafaqohet me kolona të shumta, por defekti profesional e shtyn të vozisë edhe rrugëve tjera.
“Ka disa tregues [që ka tollovi gjithandej], por ja një të fundit po ta tregoj. Në rrugë normale makina më harxhon 5.4 litra për 100 kilometra. Dje dola në qytet, harxhimet shkuan në 15.5 litra për 100 kilometra, paramendoje”, thotë Ahmeti. Bashkë me kolegë inxhinierë të komunikacionit ai ka ngritur dronë disa herë në periudhë të pikut në Prishtinë — nga ora 16:00 deri në 18:00 — për të parë kolonat dhe për t’i studiuar, teksa ka vërejtur se tashmë s’ka rrugë që mund të shquhet si më e lirë për qarkullim.
“Nëse dikur ka pasë vetëm disa rrugë që janë mbushur me makina, sot është ndryshe. Sot kolonë e ke gjithkund. Edhe rrugicat më të vogla nëpër lagje po mbushen me makina pasi po tentojnë të mbërrijnë nëpër destinacione duke i rënë shkurt”, thotë ai.
Kompania Mott McDonald, që ofron konsulenca në zhvillim, menaxhim dhe inxhinieri, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë e angazhuar që ta realizojë Planin e Mobilitetit për Prishtinën. Plani, i publikuar në vitin 2019, kishte treguar se shumë udhëkryqe në të gjithë qytetin kanë probleme të mbingarkesës dhe sigurisë.
Sipas tyre, dy fragmente rrugësh të qendrës së qytetit kanë më së shumti ngarkesë gjatë 12 orëve. Trafiku më i mbingarkuar në të dy drejtimet, sipas planit, ndodh në rrugët “Bill Klinton” me 48,000 makina gjatë 12 orëve (nga Menza deri tek dalja në Fushë Kosovë) dhe “Fehmi Lladrovci” me 33,000 automjete gjatë 12 orëve (nga konviktet deri tek rrethi me flamur).
Në faqet e para të dokumentit ky plan kishte si vizion një Prishtinë krejt ndryshe: “Prishtina do të jetë një qytet i pastër, i gjelbër dhe dinamik me mobilitet të qëndrueshëm, i cili është i qasshëm dhe i përballueshëm për të gjithë banorët dhe vizitorët e tij. Duam ta krijojmë një qytet i cili ka një sistem që mbështet jetën e përditshme për lagjet në mënyrë intime dhe i cili promovon sportin, rekreacionin dhe mënyrat aktive të jetesës. Prishtina do të jetë vend i kulturës, historisë dhe inovacionit.”
Diçka të ngjashme kishte premtuar edhe kryetari i tanishëm i Prishtinës, arkitekt i njohur ndërkombëtarisht, Përparim Rama, duke e përkufizuar planin e tij për Prishtinën me moton “Prishtina e Përjetimeve”. Ai nuk vonoi që të vazhdonte edhe zbatimin e planit të mobilitetit, që ia kishte lënë paraardhësi Ahmeti.
Gjatë tri viteve të kësaj qeverisjeje, u bënë disa teste për ta gjetur një formulë për shkarkimin e trafikut në qytet, e të cilat komuna i justifikoi të nevojshme për analiza të tyre. Një prej tyre ishte që makinat të lëviznin nëpër unazën e brendshme në një kahje. Por, përpos zhurma borish, ky test krijoi edhe kolona të gjata dhe irritoi qytetarët. Edhe pse të irrituar nga rrëmuja që këto teste krijuan, qytetarët prisnin se çka do të ngjajë.
Motoja e Ramës “Prishtina e Përjetimeve” nisi të përdorej shpesh në postimet që qytetarët i bënin në media sociale me fotografi të tollovive në trafik.
Ndërkohë, në vazhdën e testimeve, në dhjetor 2023, Komuna e Prishtinës mori vendim ta mbyllte rrugën “Xhorxh Bush”, rrugën pranë katedrales. Këtë e bëri duke e mbështetur në Planin e Mobilitetit dhe në nevojën që Prishtina ka nevojë për hapësirë për ecje dhe jo për makina. Ashtu sikur e kishte thënë edhe në fushatë “prioritet kanë këmbësoret”. Mbylljen e implementoi duke e mbështjellë me zbukurime festash.
Mbyllja erdhi hap pas hapi. Njëherë për makina, por e lirë për qarkullim të autobusëve dhe taksive. Më pas u mbyll edhe për këto, që të viheshin shtëpizat për verë të vluar dhe qokolladë të nxehtë afër Vitit të Ri.
Propozimi për mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” gjendet në planin e mobilitetit, por si një veprim që të paktën do të duhej të niste në vitin 2026. Kësaj duhej t’i paraprinte zhvillimi i unazave të jashtme dhe të brendshme të qytetit, të cilat do të shkarkonin trafikun.
“Unë kam qenë kundër nga fillimi që të mbyllet tash. Qyteti nuk është i gatshëm për këtë mbyllje. Ka ekzistuar një task-forcë e ekspertëve dhe unë si pjesë e saj kam qenë kundër. Rezultatin po e shihni sot”, thotë Bekim Ahmeti, i cili më pas kishte dhënë dorëheqje nga ajo task-forcë e formuar nga Komuna e Prishtinës.
Plani gjithashtu parashihte një parking nëntokësor, i cili është ndërtuar në vitin 2022 me partneritet publiko-privat në kampusin e Universitetit të Prishtinës, por që rruga e bllokuar i kishte bllokuar një hyrje-dalje. Muaj më vonë në mars 2024, komuna e hapi një copëz të rrugës së bllokuar për të hyrë në parking.
Hyrja e bllokuar deri në këtë kohë, bënte që të gjitha hyrje-daljet të ndodhnin nëpër rrugën “Eqrem Çabej”, duke shkaktuar tollovi të njëpasnjëshme.
Ndërkohë, kur shtëpizat e fundvitit u hoqën, bllokadat qëndruan. As autobusët as taksitë nuk mund të kalojnë. Tash është e zbrazët në të shumtën e kohës. Rezultati është një stërngarkim për rrugën “Luan Haradinaj”, “Kosta Novakoviq”, “Robert Doll” apo edhe “Agim Ramadani”. Irritimi i qytetarëve për këtë mbyllje rezultoi edhe me protesta që të hapet lëvizshmëria për makina, duke qenë se ka mbetur si rrugë dhe s’po bëhet shesh.
Por, teksa kësaj qeverisje i ka mbetur edhe një vit kohë deri në zgjedhjet e reja, planet e prezantuara nga Rama për shkarkimin e trafikut dhe lidhjet e reja të rrugëve e lagjeve — duken të parealizueshme.
Gent Sejdiu, ekonomist me profesion, është i angazhuar ekskluzivisht brenda Komunës së Prishtinës për zbatimin e Planit të Mobilitetit dhe reformën në Trafikun Urban. Sejdiu përditë kur del nga zyra e tij në katin IV të objektit të vjetër të komunës ballafaqohet me rrëmujën në trafik.
“Ne kemi bërë teste për rrugë [dy-kahëshe] që të shndërrohen në një-kahëshe disa herë dhe pa ato teste është problem të planifikohet”, thotë Sejdiu, që në staf ka tre persona tjerë. Por, as ai dhe as ekipi i tij nuk kanë ndonjë të dhënë se çfarë efekti ka dhënë bllokimi i rrugës “Xhorxh Bush”.
“Ne nuk kemi të dhëna, jo. Kjo ka ardhur për shkak se nuk kemi pasur kontratë me asnjë kompani që mund ta bëjë këtë”, thotë ai.
Si rrjedhojë, nuk ka një analizë të qartë se si ka ndikuar vendimi për mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” në tollovinë e Prishtinë. Atë që shohin qytetarët, e shohin edhe zyrtarët lokalë. Sejdiu duket që forcat i ka vënë në reformim të transportit publik urban si zgjidhje, që gjithashtu fuqizohet nga plani i mobilitetit. Reforma parasheh edhe numër shtesë të autobusëve, aktivizimin e trenit nga Fushë Kosova për Prishtinë si trafik urban, potencialisht edhe nga Podujeva, teksa qarkullimi i autobusëve të jetë i rrjedhshëm.
Njëjtë sikur makinat në qytet, edhe autobusët e trafikut urban mbesin në kolona. Ata vonohen nga pikat e ndryshme dhe qytetarët lehtë vonohen në shkuarje apo kthim. Kjo bën që qytetarët mos ta preferojnë këtë mjet udhëtimi.
“Numri i vogël i autobusëve, mos-definimi i marrëveshjeve me operatorët ekonomikë e kanë pru situatën kështu. Unë them se fillimi i vitit 2025 ka me na gjetë me një transport publik shumë të mirë dhe funksional”, tha Sejdiu, që në mes të marsit kishte udhëzuar që mos të kishte më hapësira ku autobusi të skajohej për të marrë udhëtarë në stacione, por të ndalet në korsi qarkullimi.
“Kush rrin pas autobusit, le të pret dhe le ta dijë se autobusi duhet me pasë përparësi edhe në përdorim”, thotë ai, duke dashur që qytetarët t’i bindë për ta përdorur trafikun urban. “Nëse të bjen me pritë edhe me autobus, edhe me kerr, atëherë ecë në këmbë, pse jo”.
Lagjet e Prishtinës po shtohen, aq sa edhe makinat që lëvizin në mungesë të një alternative të trafikut urban efikas. Sejdiu thotë se ai e di që trafiku urban i reformuar do të sjellë një trafik më të lehtësuar në kryeqytet, pasi linjat do të funksionojnë rregullisht edhe me një rrjedhshmëri më të mirë, pa u varur nga makinat. Kjo mund të çojë që qytetarët ta përdorin trafikun urban më shpesh e makinat më rrallë.
“Autobusët e unazës së qendrës do të qarkullojnë pa u ndaluar rrethin e brendshëm të qytetit. Ata të periferisë do të marrin qytetarë dhe do t’i lënë në stacionet e qendrës dhe kthehen përsëri në periferi, duke mos e ngarkuar qendrën. Bileta e njëjtë do të vlen”, thotë ai, që në planin e tij ka marrë pak nga Sarajeva, pasi kryeqyteti boshnjak ka një reliev sikur të Prishtinës, me kodra e me tatëpjeta që nuk i ngjet lehtë me këmbë e as bicikleta.
Njëjtë ishte menduar që ata që vijnë nga Veterniku t’i linin makinat pranë shkollës së mesme të Mjekësisë dhe me faturën e parkingut të përdornin autobusët urbanë. Kështu, makinat e punonjësve në institucione që vijnë nga qytetet tjera mos të futen në qendër. E njëjta logjikë ishte prezantuar edhe në programin qeverisës që të ndodhte në gjithë hyrjet e Prishtinës, por kjo ide, e quajtur “Park and Ride”, s’po shihet në horizont.
Aksidente që po sjellin edhe vdekje
Në këmbë, duke pritur te një semafor te Ministria e Arsimit, në mars humbi jetën Shkumbin Hebibaj, 28-vjeçar, kur një makinë humbi kontrollin dhe e goditi semaforin që i ra mbi kokë viktimës.
Në po të njëjtin muaj, edhe një grua po ecte nëpër vendkalim këmbësorësh kur një makinë pas një lëvizjeje “cik-cak” nëpër kolonë sa nuk e goditi te “Slovenia Sport”. Pamjet bënë xhiron e mediave dhe rrjete sociale.
Në këmbë po ecte edhe arkitekti Ferhat Bejtullahu, i cili humbi jetën më 3 dhjetor 2023 pasi u godit nga një makinë me shpejtësi të madhe.
Tejkalimi i madh i shpejtësisë dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut janë arsyet kryesore të aksidenteve dhe fatkeqësive në trafik, sipas Ahmetit. Ai thotë se sot vozitja nëpër rrugë të Prishtinës nuk është e lehtë. Përpos edukimit të shoferëve, ai vazhdon të çuditet se si ende nuk ka radarë statikë, të njohur si “blica” dhe kamera të sigurisë që kapin shkelësit e trafikut.
“Këtu kanë tentuar të bëjnë zgjidhje me policë të shtrirë [pengesa që ngriten disa centimetra mbi rrugë]. Shumë pak rrugë ka pa policë të shtrirë, por ajo formë nuk po e jep rezultatin e duhur. Radarët janë zgjidhja dhe s’di pse presin ende. Deri tash është provuar gjithçka dhe radarët janë zgjidhja besoj shumë”, thotë ai.
Por, kolonat e mëdha në rrugë, sipas Ahmetit, bëjnë që njerëzit të humbin durimin.
“Të sfidoj që të dalësh në rrugë kur ka kolona shumë. Ke me pa makina që kthehen në mes të kolonës në kahjen tjetër për të gjetë rrugë tjera. Ke me pa shoferë që sapo të lirohet pak trafiku zhvillojnë shpejtësi të madhe, ata thjeshtë janë nervoz dhe më nuk shikojnë rregulla”, thotë Ahmeti.
Mjafton të vrojtosh për më shumë se 10 minuta një nga udhëkryqet e Prishtinës, që janë të rregulluar me semafor dhe vëren se sa shoferë shfrytëzojnë sekondin e fundit të dritës së portokalltë për të kaluar. Madje vëren edhe të tjerë që në dritën e kuqe shkelin pedalen e gazit për të ecur.
“Ata janë të barabartë me një vepër penale, është krim të futesh në dritën e kuqe në semafor. Kështu shkon drejt aksidentit”, thotë Ahmeti, që mendon që do duhet të instalohen edhe kamerat nëpër qytet ku do të identifikoheshin shkelësit.
Disa nga gjobat e parapara nga ndryshimi i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor:
Gjobat për përdorimin e telefonit gjatë ngasjes
– 100€ + 1 pikë negative – shoferi i cili haset për herë të parë
– 200€ + 3 muaj ndalim i drejtimit të mjetit + 2 pikë negative – shoferi i cili haset për herë të dytë
– 500€ + 6 muaj ndalim i drejtimit të mjetit + 3 pikë negative – shoferi i cili haset më shumë se dy herë
Disa nga gjobat për tejkalimin e shpejtësisë brenda vendbanimit
– 20€ – për tejkalim të shpejtësisë nga 5 – 10 km/h mbi shpejtësinë e lejuar
– 40€ – për tejkalim të shpejtësisë nga 10 – 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar
– 60€ – për tejkalim të shpejtësisë nga 20 – 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar
– 200€ + 3 muaj ndalim i drejtimit të mjetit + 3 pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë nga 30 – 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar
Një masë e tillë preventive, është planifikuar nga Komuna e Prishtinës. Ani pse pas bërjes publike në janar të 2024, kjo ide u përcoll me një diskutim “pro et contra” për shkak të ndikimit që mund të ketë në privatësinë e qytetarëve, ato priten të montohen në rrugë gjatë këtij viti sipas drejtorit për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica. Ato planifikohen që fillmisht të montohen në sheshet kryesore, udhëkryqet, rrethrrotullimet dhe hyrje-daljet e kryeqytetit.
Sipas komunës, kamerat do të identifikojnë shkelësit e ligjit, të cilët do të dënohen automatikisht. Pikërisht, numri i aksidenteve që nuk zbret ka bërë që së fundi të mendohet rritja e dënimeve me Ligjin e ri të Komunikacionit. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi në muajin prill, parasheh dënime më të ashpra nga përdorimi i telefonit, e deri tek rritja e vlerës financiare të dënimit për tejkalim shpejtësie edhe për 5km/h.
“Dënimet i rrisim, por ne nuk po i kapim sa duhet ata që po bëjnë shkelje. Këtu është problemi. Këto dënime nuk do të ulin aksidentit”, thotë Ahmeti.
Policia, përveç statistikave, nuk ka treguar për angazhimin e tyre që të ketë kontrolla apo forma tjera që mund të ashpërsojnë patrollimet, të cilat do të mund të ulnin numrin e aksidenteve.
Numri i përgjithshëm i aksidenteve në Kosovë në vitin 2022 dhe 2023
Me ritmin e njëjtë që s’po ndryshon, me makinat që shtohen, rrugët nuk shtohen, por veç ngushtohen. Kështu Prishtina është shndërruar në atë që qytetarët e vendeve tjera më të vogla e thonë kur vijnë, “kryeqytet i guzhvës”.
Imazhi i ballines: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.