Anesa Hyseni, 18-vjeçare, studion mekatronikë në Universitetin e Prishtinës. Në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 9 shkurt, ajo do të votojë për herë të parë. Votimin e sheh si mundësi të ndikojë në të ardhmen e vendit.
“Është njëfarë force që e ndjen në vete kur e ke të drejtën e votës dhe mund të marrësh një vendim për shtetin tënd”, thotë ajo. Anesa e kishte pritur me padurim këtë moment, madje kishte lakmuar vendet ku të rinjtë/rejat mund të votojnë para moshës 18-vjeçare si në Austri apo në Greqi. Për të, votimi nuk është vetëm një akt individual, por një përgjegjësi kolektive që ndikon në gjithë shoqërinë.
Kur vjen te vendimi se kë do ta votojë, çështjet që do ta përcaktojnë votën e saj janë planet e partive politike për arsim dhe çështjet sociale. Por, për të ka rëndësi edhe historiku i partive që garojnë.
“Veprimet e mëparshme të partive janë një faktor kyç për mua. Nëse një parti nuk ka mbajtur fjalën, atëherë nuk ka besueshmëri”, thotë ajo.
Përgjatë fushatës zgjedhore që nisi më 9 janar, Anesa është informuar rreth programeve të partive kryesisht nga televizioni, rrjetet sociale dhe reklamat që i janë shfaqur në telefon. Megjithatë, ajo vëren një problem serioz, për të cilin ndihet keq, pasi sipas saj këtë fushatë ka shumë debate me gjuhë të urrejtjes ndërmjet partive dhe kandidatëve.
Ndërsa flet për rolin e të rinjve/rejave në politikë, ajo beson se ata/ato duhet të kenë një zë më të fortë në vendimmarrje. Rolin e rinisë ajo e sheh të rëndësishëm brenda partive, por që dyshon në aftësinë pranuese të partive, të cilat nuk ofrojnë hapësirë të mjaftueshme.
“Ne jemi e ardhmja, por është po aq e rëndësishme që edhe pikëpamjet tona të merren seriozisht,” thotë ajo. Anesa është një nga mbi 125,000 të rinj/reja që kanë mbushur 18 vjet në mes të dy proceseve zgjedhore, atij të vitit 2021 dhe këtij të vitit 2025, e do të marrin pjesë për herë të parë zgjedhjet që do të vendosin se kush do ta qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme.
Kritika e Anesës ndaj mospërfshirjes së të rinjve/rejave në politikë konfirmohet edhe sipas një studimi mbi të rinjtë, i publikuar nga FES në vitin 2024. Sipas këtij studimi, përfshirja e të rinjve/rejave të Kosovës në politikë është shumë e ulët — qoftë përmes anëtarësimit në një parti politike, pjesëmarrjes në protesta apo angazhimit në shoqëri civile.
Nga rezultatet e studimit del se shumica e të rinjve/rejave nuk janë aktivë politikisht dhe mbajnë një qëndrim të distancuar ndaj proceseve politike dhe zgjedhjeve, ndërsa pjesëmarrja në politikë dhe në iniciativa qytetare është ndër vlerat më pak të rëndësishme për ta.
Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, rreth 45.6% e të rinjve/rejave të anketuar/a në këtë studim me të drejtë vote morën pjesë në votime. Megjithatë, pavarësisht kësaj përfshirjeje relativisht të lartë, shumica e të rinjve/rejave mbeten të paangazhuar/a në aktivitetet politike përtej votimit. Kjo shfaq edhe mungesë të mënyrave inovative të partive për t’i angazhuar të rinjtë/rejat politikisht. Kryesisht, partitë politike zgjedhin metoda tradicionale — secila parti ka një forum rinor që tenton të jetë aktiv edhe jashtë zgjedhjeve me aksione politike, disa thjesht me ndeja të fundvitit apo ndonjë turne futbolli mes vete.
Për më tepër, vetëm 2% e të rinjve/rejave të anketuar/a besojnë se interesat e tyre përfaqësohen mirë në politikën kombëtare, duke reflektuar një nivel të lartë zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve shtetërore. Sipas studimit, mosbesimi në institucione dhe mungesa e përfaqësimit politik janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e dëshirës për emigrim te të rinjtë/rejat. Shumë prej tyre, të zhgënjyer/a dhe pa shpresë për ndryshime politike, kanë zgjedhur, dhe vazhdojnë të zgjedhin, emigrimin si një alternativë për një jetë dhe karrierë më të mirë e më të sigurt.
Kjo situatë përbën një alarm për të ardhmen e vendit, duke kërkuar masa urgjente për të krijuar kushte më të mira që mund t’i mbajnë të rinjtë/rejat në Kosovë dhe t’u ofrojnë atyre mundësi për zhvillim profesional dhe personal.
Sa i përket motivimit për të votuar, shumica e të rinjve/rejave, sipas studimit, nuk udhëhiqen nga ideologjia apo programet elektorale, por nga figura e udhëheqësit/es të partisë. Krahasuar me ideologjinë e partisë, programin elektoral apo koordinimin me familjen dhe miqtë, të cilat secila përbëjnë rreth 19%, udhëheqësi/ja i/e partisë mbetet faktori kryesor që ndikon në vendimmarrjen e tyre. Rreth 28% e të anketuarve e kanë cituar këtë si arsyen kryesore për të votuar.
Në aspektin e preferencave politike, të dhënat e studimit tregojnë se një pjesë e madhe e të rinjve/rejave e kishin votuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) gjatw zgjedhjeve tw kaluara nw vitin 2021 dhe kanë shprehur gatishmëri për të votuar sërish këtë parti.
Me tri votueset me të cilat K2.0 foli, çështjet kryesore që do t’i ndihmojnë të vendosin se kush do t’i përfaqësojë janë punësimi, arsimi dhe shëndetësia.
Çka e përcakton votën e rinisë?
Për Elsa Bejtën, 18-vjeçare, vota e parë nuk është thjesht një akt formal, por një përgjegjësi që do ta përmbushë me emocion.
“Votimi është një e drejtë dhe një mundësi për të ndikuar në të ardhmen e vendit tim”, thotë ajo, duke nënvizuar rëndësinë që i jep pjesëmarrjes në këtë proces votimi. Elsa beson se çdo votë ka peshën e saj dhe se, përmes saj, të rinjtë/rejat mund të bëhen faktorë ndryshimi në shoqëri. Ajo e sheh votimin si një mënyrë për të kërkuar, përveç punë, edhe llogaridhënie nga politikanët. “Do të doja që kandidatët të mbaheshin më shumë përgjegjës për premtimet e tyre”, thotë ajo.
Elsa, e cila është në vit të fundit në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, do të vendosë se kë ta votojë bazuar në çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e saj dhe të qytetarëve të tjerë.
“Zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe transparenca e qeverisjes janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë në votën time”, thotë ajo.
Për të marrë informacione rreth fushatës, premtimeve dhe procesit, ajo përpiqet të konsultojë burime të ndryshme, ndër to, tregon se ndjek debatet politike për të kuptuar më mirë programet zgjedhore edhe pse nuk do të preferonte të angazhohej drejtpërdrejt në diskutime politike.
Një prej shqetësimeve kryesore për Elsën është shqetësimi për integritetin e procesit zgjedhor dhe mundësia e manipulimit të votave.
“Dua të besoj se vota ime do të numërohet me ndershmëri dhe se procesi do të jetë i drejtë”, thotë ajo. Ngjashëm me Elsën, edhe Anesa ka një dozë mosbesimi në procesin zgjedhor.
Ajo thotë se një problem konkret e bën të dyshojë në integritetin e procesit zgjedhor, “fakti që ende ka persona të vdekur në listat e votuesve është shumë absurd dhe shqetësues”. Ky mendim i shton pasigurinë rreth integritetit të procesit zgjedhor dhe e bën të dyshojë në saktësinë e sistemit të numërimit të votave.
Të njëjtin dyshim për integritetin zgjedhor e ka edhe Nora Bekteshi. Nora, 18-vjeçare, është studente e vitit të parë në drejtimin “Zhvillim të Ueb-it dhe Aplikacioneve Mobile” dhe po ashtu do të votojë për herë të parë. Për të, kjo përvojë po e shtyn të përjetojë një përzierje emocionesh.
Si një votuese e re, ajo ka dyshime të mëdha mbi transparencën dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.
“Jam e shqetësuar për transparencën dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Gjë që më bën të ndihem shumë e pasigurt dhe e hezituar”, thotë ajo.
Procesi zgjedhor në Kosovë ka hasur vazhdimisht sfida, veçanërisht gjatë fazës së numërimit të votave. Për shembull, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, si dhe ato të 14 shkurtit, një numër votash u rinumëruan.
Këto probleme të vazhdueshme duket se kanë ndikuar në rritjen e mosbesimit të të rinjve/rejave ndaj sistemit zgjedhor në Kosovë, por duket se ata/o paraqesin një pamje më të zymtë sesa realiteti. Ndonëse parregullistë në procese zgjedhore janë vazhdimisht të pranishme, vetë procesi që mundëson rinumërimin e votave siguron që në fund të fundit, vota të shkojë aty për ku është nisur.
Nora ndihet e pasigurt dhe e mbingarkuar edhe nga informacioni i shumtë, shpesh kontradiktor, që qarkullon në media dhe rrethin e saj familjar. Ajo thotë se e ka të vështirë ta formojë një opinion të pavarur në një ambient ku mendimet janë të ndikuara nga shumë faktorë.
Hapësira mediale, përfshirë platformat e rrjeteve sociale, janë të stërmbushura me përmbajtje që lidhen me zgjedhje. Raportimeve të medieve u mbivendosen reklamat e partive politike dhe kandidatëve e deri te përmbajtja që prodhohet nga mbështetësit e këtyre partive. Ndërkohë, çrregullimi informativ e bën edhe më të vështirë për të marrë informatat e sakta për ta informuar votën.
Nora beson se edukimi politik i rinisë është i domosdoshëm për të zvogëluar këtë pasiguri dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre aktive në zgjedhje.
Pavarësisht pasigurisë, Nora u kushton rëndësi politikave dhe programeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Sipas Norës, partitë duhet të jenë më të qarta dhe më të përgjegjshme për premtimet e tyre, duke ofruar zgjidhje konkrete dhe të realizueshme për problemet kryesore me të cilat përballet shoqëria.
“Vendimi im për votimin do të ndikohet kryesisht nga programet politike të partive, veçanërisht në planet e tyre për zhvillim ekonomik dhe angazhimi i tyre për të drejtat e njeriut dhe barazinë, mosdiskriminimin në bazë të ndërsektorialiteti, krijimin e mundësive të reja në aspektin e vendeve të punës për të rinjtë, rritja e pagës minimale, përmirësimi i arsimit. Këto çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme”, thotë ajo.
Ndërkohë përtej mosbesimit në procesin zgjedhor, për Anesën një nga sfidat më të mëdha mbetet besimi i ulët te sistemi politik, një ndjenjë e përbashkët për shumë të rinj që shpesh ndihen të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura të politikanëve.
Sipas studimit të FES, vetëm 2% e të rinjve/rejave të anketuar/a ndihen të përfaqësuar mirë në politikën kombëtare, që tregon një nivel të lartë zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve shtetërore dhe elitës politike. Përfshirja e ulët politike lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e institucioneve dhe politikës në Kosovë, ku shumë të rinj ndihen të zhgënjyer nga mungesa e meritokracisë dhe perceptimi se lidhjet sociale dhe politike janë më të rëndësishme sesa aftësitë për të arritur suksese.
Si pjesë e një brezi që përbën të ardhmen e vendit, Elsa beson se të rinjtë/rejat kanë një rol kyç në formësimin e shoqërisë, por ndonjëherë ndihet sikur zëri i tyre nuk dëgjohet sa duhet. Sipas saj, për të nxitur këtë angazhim, është e nevojshme një rritje e transparencës në procesin zgjedhor dhe më shumë hapësira për të rinjtë në vendimmarrje.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu/K2.0