Blogbox | Femicid

“Kur e pashë atë, u përpoqa ta mbaja derën mbyllur”

Nga - 19.10.2021

Viktima e femicidit në Mal të Zi kërkoi mbrojtjen e policisë.

“Ndihem e rrezikuar dhe frikësohem për jetën time,” shkroi Šejla Bakija në një raport të paraqitur në Departamentin e Policisë të Qendrës së Sigurisë në Podgoricë më 26 gusht 2021. Pas thuajse një muaji më vonë, më 30 shtator, ish-partneri i Bakijas Ilir Đokaj, 28-vjeçar, e vrau atë në oborrin e shtëpisë së familjes së saj në Tuz, duke e qëlluar me 11 plumba dhe duke e plagosur rëndë edhe babanë e saj.

Tre muaj pasi u largua nga Đokaj, të cilin e listoi si i fejuari i saj (media dhe policia më vonë e përshkruan si “burri i saj”), 19-vjeçarja Bakija u kthye në shtëpinë e saj të familjes për të jetuar me prindërit e saj dhe vëllezërit e motrat më të vogla. Më vonë Đokaj filloi ta ngacmonte familjen, me kërcënime dhe duke ardhur në shtëpinë e tyre duke kërkuar që Bakija t’i kthehej atij. Ajo raportoi gjithçka në polici; pas vdekjes së saj, raporti i saj arriti tek publiku përmes mediave sociale, vërtetësia e të cilit u konfirmua nga policia.

Deklarata që Šejla Bakija i dha policisë më 26 gusht arriti tek publiku pasi ajo u vra brutalisht. Foto: Jelena Kontić

“Më 25 gusht 2021, rreth orës 23, isha tek shtëpia e prindërve… Iliri erdhi, hyri në oborr dhe u drejtua për në tarracë. Kur e pashë, u mundova ta mbaja derën mbyllur, por e shtyu dhe hyri në shtëpi. Më kërcënoi: ‘As në qiell e as në tokë nuk do t’i përkasësh një burri tjetër, nuk do të të lejoj të martohesh me dikë tjetër. Gjaku do të derdhet për këtë. Jeta jote është në duart e mia!’ Pastaj u largua. Vëllezërit dhe motrat e mia të mitura ishin në shtëpi, kështu që ndërhyrja e tij i shokoi. Si shkak i gjithçkaje që Ilir Đokaj më ka bërë, ndihem e rrezikuar dhe jam e shqetësuar për sigurinë time”, thuhet në përfundimin e raportit të 26 gushtit.

Kompetencat mbi parandalimin

Publiku në Malin e Zi e kuptoi në ditët pas vrasjes se autoritetet kishin dështuar të reagonin, pavarësisht se Bakija kishte përshkruar ngacmimet dhe kërcënimet në detaje dhe kishte shprehur shqetësim për jetën e saj.

Më 26 gusht prokurori i Prokurorisë Themelore të Shtetit i cili ishte në detyrë në atë kohë vlerësoi se raporti i Bakijas nuk përmbante “asnjë element që përbën vepër penale”. Policia e përdori këtë për ta justifikuar mosveprimin e tyre. Zyra e Prokurorit të Shtetit tha se ata vepruan “në mënyrë korrekte” dhe “në përputhje me ligjin” dhe se ata nuk kanë autoritetin për të vepruar në mënyrë parandaluese. Prokuroria e Lartë e Shtetit e tha të njëjtën gjë.

"A ka ndonjë element që përbën vepër penale tash?" pyetën njerëzit që morën pjesë në protestat e mbajtura në të gjithë Malin e Zi disa ditë pas vrasjes së Bakijas.

“A ka ndonjë element që përbën vepër penale tash?” pyetën njerëzit që morën pjesë në protestat e mbajtura në të gjithë Malin e Zi disa ditë pas vrasjes së Bakijas.

Po, tani ka “elemente që përbëjnë vepër penale”, me siguri. Por Šejla nuk është më.

A ishte jeta e Bakijas çmimi që duhej paguar në mënyrë që sistemi ligjor malazez të dëgjonte më në fund thirrjet e të gjitha vajzave dhe grave të tjera që janë në rrezik? Më keq sesa lëshimi i deklaratave jo efektive të shtypit ose ofrimi i mbështetjes shumë vonë, përgjigja zyrtare e shtetit malazez ishte thjesht mohimi i përgjegjësisë.

Është e qartë, asgjë nuk ka ndryshuar për vite, përveç se numri i viktimave të dhunës në familje është në rritje. Shumica e viktimave janë gra. Ndërkohë, praktika gjyqësore ka treguar se autori i krimit zakonisht kalon me një vërejtje si “mos e bëj më”, ose thotë vetë “nuk do ta bëj më” — që do të thotë deri herën tjetër.

Pa përgjigje

Hulumtimet tregojnë pikëpamjet shqetësuese brenda shoqërisë malazeze. Për shembull, një studim i vitit 2021 i titulluar “Perceptimi i Dhunës Seksuale ndaj Grave dhe Vajzave” tregon se një në pesë burra në Mal të Zi mendojnë se kur një grua thotë “jo”, në të vërtetë thotë “po”, ndërsa 18.8% mendojnë se për viktimat e përdhunimit, “është faji i saj”, domethënë që gruaja “bën diçka që çon në përdhunim”.

Është e rëndësishme të theksohet se legjislacioni malazez nuk e njeh “dhunën kundër grave” si vepër penale, por adreson vetëm “dhunën me bazë gjinore” siç përcaktohet në Ligjin për Barazinë Gjinore. Kjo është në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në Konventën e Stambollit, të cilën Mali i Zi e nënshkroi në 2011 dhe e ratifikoi në 2014.

Jam vetëm pak më e vjetër se Šejla Bakija. Pas këtij rasti, si dhe të gjitha rasteve të mëparshme, po e pyes veten se çfarë mesazhi po dërgojnë ata që do duhej të na mbronin.

Sipas kushtetutës, Konventa e Stambollit (titulli i plotë i së cilës është Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje), si dhe aktet e tjera ndërkombëtare në të cilat Mali i Zi është palë, kanë përparësi ndaj legjislacionit vendor dhe zbatohen drejtpërdrejt “kur ata përshkruajnë veprime të ndryshme nga legjislacioni i brendshëm”. Konventa parashikon masa parandaluese, kështu që sistemi po të donte mund të kishte marrë masa të tilla në rastin e Bakijas.

Sidoqoftë, thirrjes së Bakijas për ndihmë nuk iu përgjigj.

Jam vetëm pak më e vjetër se Šejla Bakija. Pas këtij rasti, si dhe të gjitha rasteve të mëparshme, po e pyes veten se çfarë mesazhi po dërgojnë ata që do duhej të na mbronin. Sepse më duket se një kërcënim me vdekje i bërë kundër një gruaje nuk merret si shqetësim serioz në Mal të Zi, jo aq sa për të nxitur përgjigje.

Janë paraqitur kërkesa të shumta për përmirësimin e ligjit, por çfarë ka bërë sistemi malazez si përgjigje? Asgjë.

Çfarë ka bërë sistemi malazez që nga 30 shtatori, kur u vra Šejla Bakija? Përgjigja mbetet e njëjtë. Asgjë. Vrasësi madje u dorëzua dhe zgjodhi të heshte. Natyrisht. Në një shoqëri që kaq lehtë heshtë për padrejtësitë, krimet, shkeljet, abuzimet dhe korrupsionin, në një shoqëri të tillë heshtja është padyshim mbrojtja më e mirë.

Bakija nuk deshi të heshte, ajo foli në polici duke besuar se mund ta mbrojnë atë nga abuzuesi i saj. Ajo është arsyeja që secili prej nesh duhet të pushojë së heshturi.

Sistemi që nuk ofron mbrojtje

Kohën e fundit, njerëzit thoshin, “Të gjithë jemi Šejla”. Ka pasur protesta, kërkesa për drejtësi … Por jo, jo të gjithë jemi Šejla. Šejla ishte një vajzë e guximshme që vendosi të mos heshtte kur është fjala për dhunën. Šejla filloi të tregojë ngjarjen e saj, por u hesht dhe u bë viktimë viktimë e një abuzuesi dhe viktimë e një sistemi që nuk arriti ta mbrojë atë.

Šejla u hesht nga sistemi i krijuar prej atyre që mbyllin veshët dhe sytë ndaj dhunës dhe alarmeve si ky, të cilët nuk u përgjigjen kërcënimeve që mund të dëgjohen qartë, ose kacafytjeve në lagjen e tyre, ndaj të gjitha mavijosjeve shumë të shpeshta, krizave nervore dhe mungesës së fjalëve…

Njerëzit në Mal të Zi nuk do të heshtin më lidhur me rritjen e rasteve të padënuara të dhunës në familje. Foto. Jelena Kontić

Jo të gjithë jemi Šejla. Por as të gjithë jemi sistemi joaktiv. Njerëzit kanë protestuar dhe kanë kërkuar drejtësi. Sidoqoftë, duhet të jemi më të fortë! Duhet të guxojmë të rrëfejmë. Dhe është e nevojshme t’i mbështesim ata që guxojnë ta bëjnë këtë.

Ditët e fundit, thirrja për të folur vjen nga fushata Ispričaj priču do kraja (“Tregojeni rrëfimin tuaj deri në fund”), e cila është nën ombrellën e Qendrës për të Drejtat e Grave. Një thirrje e tillë vjen gjersa historia e Šejlas po jehon përmes një sistemi që nuk dëgjon.

Edhe pse duket se kushdo që guxon të flasë nuk dëgjohet, na duhet ta bëjmë këtë. Duhet t’i tregojmë rrëfimet tona deri në fund. Për ta ndihmuar veten, ose dikë që e duam. Që të mos pikëllohemi për një tjetër Šejla.

Drejtësia, ligji, sistemi, shoqëria dhe shteti do të përmirësohen kur ne të përmirësohemi.

Imazhi i ballinës: Jelena Kontić.