Blogbox | Rinia

Më shumë se një fluturim

Nga - 27.12.2024

Fluturimi i parë: Një ndeshje me botën.

Në vitin 2018, përjetova udhëtimin tim të parë me aeroplan, një ndeshje me botën do ta quaja. Procesi i aplikimit për vizë për Slloveni ishte një nga momentet më stresuese të jetës sime si një studente 23-vjeçare me halle provimesh. Atë kohë isha në vitin e fundit në fakultetin juridik në universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. 

Kisha kaluar orë të tëra duke mbledhur dokumente dhe duke u përgatitur për pyetjet, që më prisnin në ambasadën e Sllovenisë. Secili email dhe telefonatë më ngarkonin me presionin e pritjes dhe pasigurisë. Isha në prag të pjesëmarrjes në një garë ndërkombëtare të simulimit gjyqësor me ekipe që vinin nga e gjithë bota dhe e dija se kjo ishte një mundësi e rrallë për t’u përfaqësuar në një nivel kaq të lartë me njërin nga ekipet nga Kosova, e kjo veç ma shtonte dozën e ankthit më shumë.

Kur më në fund e mora vizën, emocionet ishin të përziera: entuziazëm për të udhëtuar dhe frikë për atë që do të më priste. Fluturimi ishte një moment i veçantë. Ndieja se po fluturoja jo vetëm fizikisht, por edhe drejt një bote të re, plot mundësi. Çdo sekondë në ajër ishte një hap drejt përvojave të panjohura që imagjinoja.

Një dimension i ri

Arritja në Slloveni ishte si arritje në një dimension tjetër. Atmosfera ishte elektrizuese, me studentë nga e gjithë bota që po përgatiteshin për garën. U gjenda përballë një shoku kulturor dhe emocional. Pjesëmarrësit/et ishin studentë/e nga universitete të njohura, si dhe profesionistë/e të fushës të së drejtës ndërkombëtare, të cilët kishin përvojë të pasur dhe vizione të ndryshme mbi ligjin dhe praktikën ndërkombëtare.

Takimi me studentë dhe njerëz nga kultura dhe vende të ndryshme më përballi me dallime të theksuara në norma dhe zakone, duke më bërë të ndihem e huaj dhe e pasigurt në fillim. Megjithatë, kjo përvojë më ndihmoi të zhvilloja një respekt të thellë për diversitetin dhe të mësoja si të përshtatem në një mjedis të ri. Ndërkohë, përfaqësimi i Kosovës dhe presioni i garës krijuan një tension emocional të madh, ku ndihesha përgjegjëse për të arritur sukses dhe kisha frikë nga mundësia e dështimit. Kjo pasiguri u thellua nga largimi nga mjedisi i zakonshëm, duke shtuar ndjenjën e distancës emocionale.

Gjatë garës, ndieva edhe tensionin e dallimeve politike mes shteteve. Në ato momente, vura re se si rivalitetet politike në rrafsh shtetëror mund të ndikojnë në marrëdhëniet personale, edhe në një ambient akademik. 

Disa minuta para simulimit të parë, një student-organizator na shoqëroi deri tek dera e sallës dhe na tha se “Opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovë nuk është ligjërisht i obligueshëm,” disi duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e shtetit tonë në prag të garës. 

Megjithatë, kishte çaste kur ato rivalitete kapërceheshin. Një moment i paharrueshëm ndodhi kur takuam ekipin nga Sllovakia. Një vend që nuk e njeh Kosovën në rrafshin diplomatik, vajzat nga ekipi na ftuan për kafe dhe në bisedë e sipër na kërkojne falje për situatën. Ky akt i vogël miqësie ishte i jashtëzakonshëm. 

Një tjetër moment i veçantë gjatë garës ishte takimi me një profesore nga Serbia. Ajo, në bisedë e sipër me mentoren tonë, shprehu dëshirën për të përshëndetur ekipin tonë. “Do të doja t’i përshëndes dhe t’u jap dorën. A flasin ata me mua për shkak të situatës së kaluar mes nesh?”, e kishte pyetur mentoren. Ne, pa hezitim, i thamë “po”. E dinim mirë se ky ishte një hap i guximshëm për të ndërtuar ura dhe për t’i rrëzuar pengesat që na ndanin.

Të qenit në një mjedis kaq stimulues më bëri të reflektoj për mundësitë e mia të ardhshme. Shoku kulturor që përjetova ishte i thellë: isha e rrethuar nga njerëz me përvoja dhe pikëpamje të ndryshme, ku çdo bisedë ishte një mundësi për të mësuar. Shpeshherë, kisha biseda të gjata me kolegët, ku ndanim ide dhe mendime për të ardhmen e drejtësisë ndërkombëtare dhe sfidat me të cilat përballemi sot. 

Kur u ktheva në shtëpi, ndieva një valë emocioni që nuk e kisha pritur. Kam qenë e mërzitur për një javë rresht, jo për shkak të trishtimit, por për shkak të ndikimit që pati kjo përvojë në jetën time. Ajo që e kishte bërë këtë udhëtim të veçantë ishte përvoja e ndarjes së këtyre momenteve me të rinjtë e tjerë, të cilët gjithashtu ndiheshin të ngjashëm me mua. Ndjenja e të qenit pjesë e një komuniteti të tillë të gjerë dhe të ndryshëm u bë thesar që e mbaj gjithmonë me vete.

Ky udhëtim ka pasur një ndikim të thellë në formimin tim. Mbi të gjitha më ka bërë të mendoj për mundësitë që kemi si studentë nga Kosova dhe se nuk dallojmë shumë nga ata të sistemeve më të përparuara arsimore. Ishte rikujtim se, përkundër sfidave që hasim, siç janë pengesat politike dhe, asokohe burokracia për marrjen e një vize, kemi po të njëjtin potencial për të zhvilluar karrierën dhe për të kontribuuar në mjedise ndërkombëtare. 

Ky udhëtim ishte më shumë se një fluturim; ishte një hap drejt rritjes personale dhe profesionale. E rekomandoj çdo të ri që të eksplorojë botën, sepse ndonjëherë përvoja më e mirë vjen nga sfidat që na ndihmojnë të rritemi. Të njihemi me njerëz të rinj dhe kultura të ndryshme na ndihmon të kuptojmë se sa e pasur është bota që na rrethon, dhe se, përkundër sfidave, kemi gjithmonë mundësi për të lidhur miqësi dhe për të ndarë përvoja. 

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

KOMENTO