Në thelb | Përmes fotografive

Miniera e Trepçës në fotografi

Nga - 15.05.2024

Punëtorët e minierës së Trepçës janë simbol i mungesës së integrimit në Kosovë.

Kompleksi i minierës së Trepçës është simbol i qartë i ndarjes së brendshme që e rëndon Kosovën. Këto miniera të pasura me plumb, zink dhe xehe argjendi pranë kufirit verior të Kosovës me Serbinë janë më të mëdhatë në Evropë. Në të ’80-at, miniera përfaqësonte rreth 70% të pasurisë minerale të Jugosllavisë dhe punësonte mbi 20.000 njerëz, shqiptarë e serbë të Kosovës.

Gjatë viteve të ’60-a dhe ’70-a, minier e Trepçës u bë fuqia ekonomike e Kosovës. Ajo reflektoi po ashtu pabarazi në strukturën ekonomikedhe pozitën e Kosovës në Jugosllavinë socialiste. Serbët kishin një numër joproporcional të pozitave administrative, teksa shqiptarët ishin dukshëm të nënpërfaqësuar në fuqinë punëtore të pozitave të larta udhëheqëse. Nga kjo situatë lindi motoja “Trepça punon, Beogradi ndërton”.

Gjatë gjithë viteve të ’70-a, numri i shqiptarëve në pozita më të larta në strukturat lokale politike dhe ekonomike në mbarë Kosovën u rrit, pjesërisht falë reformës kushtetuese dhe krijimit të Universitetit të Prishtinës. Kjo nuk pengoi që miniera e Trepçës të shndërrohet në një vend ku e ardhmja e Kosovës do të kontestohej.

Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974 e njohu Kosovën si Krahinë Autonome Socialiste, por nga fundi i viteve të ’80-a, regjimi i Slobodan Milošević u përpoq ta tërhiqte këtë autonomi. Më 20 shkurt 1989, 1200 minatorë shqiptarë të Kosovës filluan grevën urie nën tokë, duke protestuar kundër tërheqjes së propozuar të autonomisë së Kosovës dhe duke kërkuar që të respektohen të drejtat e tyre sipas kushtetutës së vitit 1974. Aktivistët/et të shqetësuar/a për konsolidimin në rritje të autoritetit të Beogradit në pjesë të tjera të vendit, mbajtën kuvende në mbështetje të minatorëve në grevë.

Trepça kishte mbuluar shpenzimet e saj operative përmes kredive të lira bankare, ashtu si edhe shumë subjekte tjera të mëdha ekonomike në Jugosllavi. Megjithatë, kjo mori fund në vitet e ’80-a. Grevat patën ndikim rëndues shkatërrues në peizazhin tashmë sfidues ekonomik, pasi shumë grevistë u arrestuan, u pushuan nga puna ose të dyja bashkë. Minatorë të tjerë shqiptarë u larguan në shenjë solidariteti. Nga viti 1989 deri në vitin 1991, punësimi në Trepçë u tkurr për 57%.

Pabarazia e vazhdueshme mes etnive në pozicionet udhëheqëse dhe të punës nënkuptonte që largimi i kaq shumë punëtorëve shqiptarë rezultoi në mungesë masive të punëtorëve dhe mbingarkesë të personelit administrativ. Minatorë të huaj u kontraktuan të vinin nga Bullgaria, Republika Çeke dhe Polonia, si edhe refugjatët nga Krajina, në Kroaci. Gjatë kësaj periudhe u rritën edhe shqetësimet mjedisore; sasia e plumbit në ajër përfundimisht shkoi në 125 herë më shumë se sasia që konsiderohej e pranueshme nga Bashkimi Evropian.

Shpërthimi i luftës ndërpreu aktivitetet minerare për herë të parë. Periudha e pasluftës nuk ka çuar në integrimin e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës në vendndodhjet e minierave, ku ata vazhdojnë të punojnë të ndarë.

Viti 2024 shënon 25-vjetorin e përfundimit të luftës. Çdo përvjetor është mundësi e mirë për të shtjelluar temat që mund të jenë anashkaluar, me ose pa qëllim.

Kosovën e kam pasur në mendje prej vitesh. Më kujtohet kur isha adoleshent dhe bëja jetë të qetë dhe paqësore në Itali. Papritmas, si rrufe nga qiell, televizionet dhe gazetat filluan të flasin për luftërat në Jugosllavi. Nuk kishim asnjë ide se çka po ndodhte në anën tjetër të Adriatikut, edhe pse ishte vetëm disa dhjetëra kilometra larg. Mungesa e korrespondentëve italianë në këtë zonë çoi në mungesë të informacionit të saktë në Itali dhe u përballëm me pyetje të papritura lidhur me valën e migrimit.

Një hulumtim i thjeshtë rreth Bruto Prodhimit të Brendshëm të Kosovës më bëri të përqendrohem në nxjerrjet në minierat dhe ndërmarrjen “Trepça”, e cila është luan rol kryesor në të kaluarën dhe të tashmen ekonomike të Kosovës. Në çdo analizë socio-politike, veçanërisht në vendet si Kosova ku tensionimet janë ende të pranishme, mund të mësohet shumë nga ekonomia dhe cilat industri dhe sektorë mbizotërojnë. Për më tepër, klasa punëtore është dëshmi e duhur matëse për ta kuptuar se si qëndrojnë gjërat.

Në shkurt, m’u aprovua qasja në hapësirat e Trepçës përmes një procedure të thjeshtë me Ministrinë e Ekonomisë. Bisedat e lira me udhëheqësit, punonjësit dhe minatorëtsi serbë ashtu edhe shqiptarë ma mundësuan t’i krahasoja situatat e të dy palëve dhe të mësoja më shumë për jetën e punëtorëve. Qasja e hapur e kompanisë për t’iu përgjigjur zyrtarisht pyetjeve plotësoi pamjen e nevojshme të informacionit.

Teksa vizitova minierën Stantërg në rajonin e Mitrovicës, Shyqyri Sadiku, minator shqiptar, i cili tani është drejtor i punishtes së minierës, më tregoi për situatën e punës para luftës, grevën një-javore të urisë në vitin 1989 në të cilën ishte pjesëmarrës, vitet e përpjekjeve për hapjen e minierës që u përmbytën pas konfliktit dhe 20 milionë eurot që qeveria kosovare synon t’i investojë në vitet e ardhshme. Ato para nuk do të investohen në pajisje apo përmirësime, por do të përdoren më së shumti për t’i paguar kontributet e pensioneve të pezulluara të minatorëve.

Përpara se të hyja në ashensor dhe të zbrisja 900 metra nën nivelin e hyrjes, e pyeta udhërrëfyesin tim për përqindjen e serbëve dhe shqiptarëve të pranishëm në këtë vend të veçantë minierash. “Jo”, u përgjigj ai zakonshëm, “nuk ka punëtorë serbë këtu, dhe shpresojmë që të mbetet kështu sepse nuk i duam ata”. Qofshin minatorë ata që zbresin poshtë në vend punishte, punonjës të administratës apo punonjës mbështetës, si kuzhinierët apo punonjësit e pastrimit, të gjithë punëtorët aty janë shqiptarë.

Kur po aplikoja për ta vizituar kompaninë, e pyeta përfaqësuesin e Trepçës për çështjet e mundshme të sigurisë në komunat me shumicë serbe, ku janë shumica e lokacioneve të kompanisë. U përgjigj me qetësi se ata “asnjëherë nuk kanë pasur asnjë problem me aktivitetet minerare sepse sektori nuk menaxhohet veç e veç nga komunat, por rregullohet nga qeveria”.

Disa dhjetëra kilometra në veri të Stantërgut, situata në rafinerinë e Leposaviqit dhe minierën e Crnacit është saktësisht e kundërta. Aty 100% e punëtorëve janë serbë. Shumica e komunitetit serb në Kosovë jeton në anën veriore të lumit Ibër. Lumi shërben si vijë ndarëse në qytetin e Mitrovicës dhe gjithashtu ndan vend punishtet e Trepçës.

Sinisa Milutinović, drejtor i rafinerisë Leposaviq dhe minierës së Crnacit, ma tregoi versionin e tij të ngjarjeve; me versionin e drejtorit shqiptar përputhen vetëm kur bëhet fjalë për bashkëjetesën paqësore të punës para luftës. Sot, punishtet që ai i drejton kanë vetëm punëtorë serbë. As këtu nuk ka asnjë shenjë ndryshimi.

Lista e vështirësive dhe problemeve të Milutinović është e gjatë. Ashtu si drejtori i minierës ku punojnë minatorët shqiptarë, ai vetëm kërkon që punonjësit e tij të kenë mundësi të punojnë dhe t’i marrin pagat e plota në kohë.

Nën tokë, situata është e qartë. Puna e një minatori është e vështirë dhe e lodhshme. Kushtet nuk janë dramatike apo shtypëse, por të vështira për t’u mbajtur në planin afatgjatë. Arben Halili, minatori 45-vjeçar më thotë se “Buka më e vështirë për t’u fituar është ajo që fitohet në minierë.” Lagështia, pluhuri, zhurma, lodhja dhe shkalla e rrezikut e bëjnë punën shumë kërkuese dhe shkurtojnë ndjeshëm jetën e punëtorëve.

Kur pyeta për pagesën e tyre, shumica e tyre u ankuan se si pagat e tyre janë të pamjaftueshme për t’i mbajtur familjet e tyre për shkak të rritjes së çmimeve dhe një ndryshimi të qartë të stilit të jetesës në vend, pasi globalizimi dhe rrjetet sociale nxisin rritjen e konsumerizmit.

Ndarjet e brendshme të punëtorëve të Trepçës zhduken kur flitet për të ardhmen e tyre; ata të gjithë dëshirojnë që politika të hiqet nga ekuacioni, sepse thjesht duan të punojnë, t’i mbajnë familjet e tyre dhe ta shmangin nevojën për të emigruar.

Fotografitë: Matteo Placucci.

Raportim shtesë nga Nicholas Kulawiak.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.