Të pagjeturit - ballafaqimi im me dhimbjen dhe pasigurinë - Kosovo 2.0
Në thelb | Personat e pagjetur

Të pagjeturit - ballafaqimi im me dhimbjen dhe pasigurinë

Përshkrimi personal i një fotoreporteri rreth dokumentimit të një çështjeje prekëse.

Nga - 28.09.2018

Rastësisht, në vitin 2005 gazeta e përditshme për të cilën punoja në atë kohë më përcaktoi që të bashkëpunoja me një shkrimtar dhe të shkoja në një fshat afër Gjakovës.

Pasiqë mbërrimë atje, udhëtova prapa në kohë. Ishte në fshatin e Mejës, të cilin e kisha vizituar disa herë gjatë ditëve të para pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në qershor 1999.

Atëbotë, grupe të fotografëve të huaj shkonin me veturë deri te një shtëpi, që befasisht dukej normale nga jashtë, por brenda saj ndodhej një skenë e krimit ku zjarri kishte lënë siluetën e një trupi të njeriut pasi ishte karbonizuar, dhe era e kishte marrë hirin.

Më 13 shtator 2005, dita kur e bëra fotografinë e varrit të shënuar në varrezat e viktimave të luftës në Mejë. Nuk kisha ide se kjo fotografi do të ishte e para e një projekti afatgjatë që do ta filloja dhe që do të më mbante të angazhuar me çështjen e personave të pagjetur në vitet e ardhshme.

Tek pasi u ktheva në zyre dhe e përfundova redaktimin e fotografive, e kuptova rëndësinë e këtij tregimi. Lidhur me këtë temë ishin bërë punime të tjera, që ishin kryesisht të përqendruara në aspektin forenzik, jo vuajtjet dhe vitet e pritjes që i përjetuan familjet që nuk mund të vajtojnë për vdekjet e më të dashurve të tyre.

Në këtë mënyrë, e gjeta veten të angazhuar me këtë çështje dhe fillova t’i përcjell të gjitha ngjarjet që ndërlidheshin me çështjen e personave të pagjetur.

Qindra familjarë mblidheshin rregullisht para një tende plastike në vendkalimin kufitar në Merdare, në Kosovën verilindore për t’i kujtuar të afërmit e tyre që janë të zhdukur nga koha e luftës, me shpresë se do të jenë aty kur t’i sjellin në vendlindje mbetjet mortore e më të dashurve të tyre. Gjatë kësaj periudhe kishte transferime të rregullta të mbetjeve mortore të gjetura në varreza masive në Serbi.

Në njërën nga vizitat e shumta në kufirin e Merdares, pavarësisht faktit se më duhej të kthehesha në zyrë për t’i dorëzuar fotografitë për gazetë, mbeta aty pas përfundimit të ceremonisë dhe isha dëshmitar i punës që e bënin Zyra e OKB-së për Persona të Pagjetur dhe Forenzikë (UN OMPF).

Një skenë sureale më ndodhi kur isha i vetëm në tendën e madhe me qindra qese të plastikës me shënime të paqarta. Ishte sikur e kisha ftuar veten për të qenë dëshmitar i këtij procesi, dhe askush nuk po mundohej ta ndalte fotografin gjatë një procesi shumë të ndjeshëm.

Në këtë rast e kisha mundësinë të afrohesha më shumë me UN OMPF-n, të cilët menjëherë e kuptuan dhe pranuan përkushtimin tim për ta dokumentuar subjektin me një qasje të thellë dhe të respektueshme.

Pas punës fillestare në Merdare, ende kishte shumë për të bërë sa i përket identifikimit të mbetjeve.

Faza e ardhshme ishte analizimi i hollësishëm forenzik, në një ndërtesë të ndërtuar për atë qëllim në kompleksin e spitalit në Prishtinë. Aty u takova me kreun e UN OMPF-së. Në fillim, vendi dukej si zyret e tjera të OKB-së, që janë dhoma me mure të kaltërta dhe tavolina të mbushura me letra, ku stafi gjithmonë kanë karta të identifikimit.

Pasi u prezantova para stafit, më çuan në bodrum ku kryhej puna e vërtetë.

Mijëra copëza të eshtrave ishin të shpërndara nëpër tavolina metalike, raftat ishin të mbushur me të njejtat qese plastike që i kisha parë para disa ditëve në Merdare, ku secila prej tyre do të identifikohej, përshtatej dhe rindërtohej. Ende e kujtoj erën që vinte. U krye një punë e madhe prej burrave dhe grave që erdhën nga vende të ndryshme të botës.

Këtu e kuptova vështirësinë e procedurës së identifikimit të mbetjeve. Në këtë rast, nuk ishin të pastërta të gjitha qeset plastike dhe nuk përmbanin vetëm mbetje të njerëzve.

Fatkeqësisht, kur u mbuluan me dhe, trupat e viktimave shpeshherë u varrosën me mbetje të kafshëve. Ky ishte një element shtesë që merrte kohë në një procedurë që veçse është e vështirë.

Së pari, mbetjet nga një qese bashkoheshin dhe testoheshin për rindërtim potencial skeletik. Në shumë raste, pjesët që kishin origjinë të panjohur i ekstraktohej ADN-ja për ta identifikuar se a kanë origjinë njerëzore apo shtazore.

Për plot muaj ata kryen teste dhe bënë bashkim dhe rindërtim të eshtrave, e më pas u ftuan familjarët e atyre që ishin identifikuar me sukses për t’i marrë trupat e më të dashurve të tyre.

Pas disa ditëve me vizita të rregullta tek instituti, më ftuan që t’i bashkohem një grupit për një vizitë tek një lokacion, ku me gjasë kishte varrezë masive në fshatin e vogël të Saradanit, afër Istogut.

Udhëtuam për disa orë me një automjet të OKB-së në një rrugë me gunga e deri tek vendi, te disa shkurre në periferi të fshatit. Prej informatave që kishim në dispozicion, thuhej se mund të ketë varrezë masive në këtë vend. Policia e kishte siguruar zonën dhe trupat e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) e sollën një buldozer për ta gropuar zonën, që kishte madhësinë e një oborri të vogël.

Kur gropuan deri te shtresa e fundit e gurëve, disa metra nën sipërfaqe, ekipi morri sinjalin për ta ndalur gërmimin dhe për t’i mbledhur gjërat. Nuk kishte varrezë masive aty.

Kur u ktheva në Merdare, kisha mundësinë të afrohem me familjet dhe ta ndjejë me të vërtetë dhimbjen dhe pasigurinë e tyre.

Pothuajse e gjithë familja Behluli ishte zhdukur gjatë luftës. Prindërit, dy motrat dhe dy vëllezërit mbetën vetëm në fotografitë e shtëpisë së familjes të të mbijetuares së vetme, vajzës së tretë, e cila është e martuar në Fushë Kosovë.

Aty afër ishte shtëpia e familjes Behluli. Nuk do ta kisha menduar kurrë se një banjo e mbushur me bimë në një shtëpi të djegur do të kishte kaq shumë kuptim dhe do ta reflektonte kohën që kishte kaluar prej kur janë zhdukur banorët e shtëpisë.

Kapitulli i fundit për dokumentim, për ata që i gjetën dhe identifikuan të dashurit e tyre, ishte kapitulli i varrimeve.

Si fotograf i stafit të një gazete së përditshme, përhapja fjalën tek korrespodentët lokal në qyteza të vogla në Kosovë, që të më informonin për ceremonitë e varrimit të të gjitha viktimave të luftës që më parë ishin shpallur si të zhdukur.

Në muajt që pasuan, dokumentova ceremoni të varrimit në fusha baltake, ku takoja familjarë që i kisha takuar më parë në Merdare, ose gjatë protestave të shumta në Prishtinë, nëpërmjet të cilave kërkonin më shumë veprime për t’i gjetur të dashurit e tyre.

Në veçanti e kujtoj një ceremoni të varrimit në Krushën e Madhe, ku një vajzë e re humbi vetëdijen dhe më pas e morrën me autoambulancë, e një djalë i ri gjeti kurajo që ta mbajë fotografinë e babait të tij të cilin nuk e kishte parë kurrë.

Ende nuk e pranoj se e kam përfunduar dokumentimin e çështjes së personave të pagjetur, për shkak se ende janë më shumë se 1,500 të tillë.