Pikëpamje | Ngacmimi Seksual

Mjaft me ngacmimin dhe abuzimin seksual në shkollat e Kosovës

Nga - 24.05.2021

Reformat në shkolla, në institucione dhe në shoqëri na duhen tani.

Më shumë se kurrë, qytetarë të shqetësuar në Kosovë po ngrenë stuhi në mediat sociale dhe në rrugë kundër ngacmimit dhe sulmit seksual.

Gjatë këtij muaji është përhapur një video ku shihet një djalë i klasës së shtatë duke u përpjekur t’ia fusë një vajze të vogël gjenitalet në gojë me dhunë. Drejtorja e Arsimit e Komunës së Prishtinës Shpresa Shala shpërfilli rastin duke e quajtur “lojë fëmijësh”. Kjo u dha shkas shumë njerëzve që dolën në rrugë për të protestuar me sloganin “Traumë, jo lojë”.

Ndonëse në Prishtinë kanë ndodhur protesta të ngjashme në të kaluarën, kjo çështje do të vazhdojë të mbledhë qelb pa ndryshime sistemore.

As dy vjet më parë, gazeta The New York Times ka raportuar për abuzimin e përsëritur seksual të një adoleshenteje në një fshat të vogël të Kosovës. E përdhunuar nga një mashkull i njohur për të, si dhe nga zyrtari policor pranë të cilit ka raportuar rastin, vajza është lënë në baltë nga sistemi dy herë. 

Shumë protestues dhe aktivistë shoqërorë kanë bërë thirrje për edukim seksual, gjë që do të ishte mënyrë e mirë për t’i arsimuar nxënësit mbi ngacmimin, planifikimin familjar dhe sëmundjet e transmetueshme seksualisht. Sidoqoftë, mësimi i tillë është ende tabu në kulturën tradicionale të Kosovës. Sido që të jetë, edukimi seksual është i kotë kur tashmë ka ndodhur abuzimi seksual.

Është e qartë se sistemet tona shkollore përballen me një pengesë serioze: nxënësit dhe studentët nuk kanë një vend të paracaktuar ku mund të raportojnë ngacmimin dhe abuzimin. E gjitha që mund të bëjnë është t’u tregojnë mësimdhënësve, shumica prej të cilëve nuk kanë trajnim formal ose madje as dije themelore për abuzimin seksual. Dhe ndonjëherë vetë mësimdhënësit janë abuzues.

Këtë herë kishte të bënte me rrobat

Në një artikull të shkruar nga Dafina Halili në vitin 2018 për ngacmimin seksual të grave në Universitetin e Prishtinës, ajo thekson sfidat e mëdha dhe shpeshherë të papërballueshme të studentëve që dalin hapur dhe rezistencën që gjejnë nga profesorët. Këtë herë nuk ishte “lojë fëmijësh”, por u fajësuan rrobat e studenteve.

Gratë përballen me komente të ndyra, veprime të padëshiruara, keqtrajtim, abuzim dhe diskriminim çdo ditë.

Ndërsa shtohej trysnia mbi zyrtarët e universitetit për të hetuar dyshimet për abuzim seksual nga profesorët, prorektorja doli në televizion dhe u bëri thirrje publike grave që të mos vishen në mënyrë provokative. Më pas ajo dha dorëheqjen, por problemi në fjalë nuk ka gjetur zgjidhje: në epokën e #MeToo, institucioni arsimor publik më i shquar i Kosovës nuk ka një komision të pavarur për hetimin e dyshimeve për ngacmim seksual.

Sipas Halilit, “Kodi Etik për Stafin Akademik” i universitetit nuk përmend ngacmimin seksual as edhe një herë. Një video e thjeshtë trajnuese por e detyrueshme mbi ngacmimin seksual po ashtu do t’i kontribuonte shumë përmirësimit.

Sjellja problematike e pandëshkuar në fëmijëri dhe në pjekurinë e hershme krijon një shoqëri ku të rriturit që nuk kanë dhënë kurrë llogari për veten e tyre marrin me vete sjelljen e tyre grabitqare në vend të punës. Në një vend ku gratë përbëjnë vetëm 11% të pozitave të larta menaxheriale në shërbimin civil të nivelit qendror të qeverisjes — dhe ku dyert për të raportuar ngacmimin janë thuajse të paqena — shumë prej tyre vuajnë në heshtje çdo ditë.

Ta dëgjojmë zemërimin e grave

Gratë përballen me komente të ndyra, veprime të padëshiruara, keqtrajtim, abuzim dhe diskriminim çdo ditë. Këto gra të forta vazhdojnë tutje sepse kanë përgjegjësi. Tekefundit, dorëzimi nuk është opsion për to. Ato duan një të ardhme më të mirë për veten dhe për brezat e rinj.

Siç ka thënë Oprah Winfrey gjatë pranimit të shpërblimit Golden Globe për arritje jetësore në vitin 2018: “Sonte dua të shpreh falënderimin për të gjitha gratë që kanë duruar abuzime dhe sulme për vite të tëra sepse ato, sikur e ëma ime, është dashur të ushqejnë fëmijë, të paguajnë borxhe dhe të plotësojnë ëndrra. Këtyre grave s’do t’ua dimë kurrë emrat”.

Reagimet dhe protestat janë tejet të rëndësishme sepse e nxjerrin në pah këtë çështje dhe bëjnë thirrje për ndryshim. Duhet të fillojmë ta dëgjojmë zemërimin e grave dhe të zbatojmë ndryshimet e nevojshme për të parandaluar abuzimin e mëtutjeshëm dhe që të ndërtojmë një shoqëri më të barabartë.

E kemi për obligim moral të përmirësojmë komunitetin tonë duke reformuar shtëpitë, shkollat dhe institucionet tona. Çdo grua meriton të ndihet e sigurt në rrugë, në shkollë dhe në punë. Pa një mjedis më të sigurt për gratë kudo në Kosovë, shoqëria jonë nuk do të jetë kurrë përnjëmend e lirë.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTO