Diskutimet mbi trashëgiminë kulturore të ish-Jugosllavisë janë shpesh të izoluara me komente banale në faqet e internetit dhe në bisedat nëpër kafene. Në mesin e disa shqiptarëve ka mungesë dëshire, ndoshta për shkak të përtacisë intelektuale, për të trajtuar këtë periudhë historike dhe efektet e saj me një vështrim më serioz.
Mjetet për debat duhet të jenë më të thella dhe më objektive se sa vetëm të pyetet: “A është kjo trashëgimi shqiptare apo jo?” ose “Nëse e mbështesim mbrojtjen e kësaj trashëgimie, a jemi patriotë apo jo?” Reduktimi i debatit për këtë periudhë në terme degraduese si “tradhtar” dhe “joshqiptar” nga fillimi është keqinterpretim i ish- Jugosllavisë, duke e zhvendosur dhe privuar atë nga konteksti historik. Thjeshtëzimi i tillë mohon edhe rolin e shqiptarëve në ndërtimin e saj.
Monumentet e ish-Jugosllavisë, së bashku me objektet, rrugët, parqet dhe sheshet, nuk janë thjesht serbe: Ato janë jugosllave. Dhe, pasi që shqiptarët kanë qenë pjesë e saj, monumentet mbesin pjesë e trashëgimisë sonë. Atëherë pra, çfarë janë këto monumente që përbëjnë trashëgiminë tonë? A janë të rëndësishme për ne? A kanë vlerë historike apo kulturore?
Ndarja e Jugosllavisë nga aleanca e Bllokut Lindor në vitin 1948 dhe marrëdhëniet e acaruara ndërmjet Titos dhe Stalinit kanë pasur pasoja të shumta politike në Jugosllavi; patën ndikim edhe në art dhe kulturë. Realizmi socialist, një doktrinë pothuajse e padiskutueshme në Bllokun Lindor, menjëherë u zëvendësua me një qasje të re konceptuale dhe estetike. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria, ky mjedis i ri nuk kishte ngurtësinë e realizimit socialist, duke lejuar një liri që çoi në forma abstrakte, të ndikuara thellësisht nga rrymat moderne të Perëndimit.
Megjithatë, temat nën zhvillim mbetën plotësisht brenda kornizës së ideologjisë socialiste, duke përfshirë përmendoret kushtuar ushtarëve të Luftës së Dytë Botërore, antifashiste. Sheshi që lartëson bashkim- vëllazërimin në qendër të Prishtinës quhet “Monument kushtuar luftëtarëve të rënë” dhe është projektuar nga Miodrag Zhivkoviq në vitin 1961. Në Mitrovicë, monumenti nga arkitekti Bogdan Bogdanoviq u kushtohet partizanëve shqiptarë dhe serbë të luftës antifashiste.
Edhe pse konceptet ishin të njohura, format ishin të freskëta. Bogdanoviq e pranoi se Titoja nuk ishte i mbrujtur në mënyrë kulturore dhe nuk i dinte trendët në art. Por udhëheqësi ishte i etur për të angazhuar artistë që do të shkëputeshin nga shablloni sovjetik, thoshte Bogdanoviq. Titoja donte që lëvizja e re të përfaqësonte kujtesën dhe identitetin e federatës jugosllave. Pasi Titoja kishte parë veprat abstrakte të Bogdanoviqit, me motive floreale dhe forma totemike, ai mandatoi projektin e artistit.
Nga viti 1948 deri më 1980 monumentet e Jugosllavisë ishin jashtë klasifikimit, qoftë në stilet kapitaliste të Perëndimit, qoftë ato komuniste të Lindjes. Ishin thellësisht të ndikuara nga idetë moderniste të kohës dhe projektuesit ishin të lirë për të eksploruar idetë e arkitektëve modernistë: Le Corbusier-it dhe Mies van der Rohe-s, si dhe atyre surrealistë dhe trendët e tjerë. Kjo krijimtari e papenguar lejoi idetë nga jashtë të filtrohen përmes lokalitetit dhe specifikave sociale dhe politike të Jugosllavisë. Kjo periudhë prodhoi monumente padyshim specifike për rajonet e ish-Jugosllavisë.
Kjo ishte koha kur edhe Kosova përjetoi një lëvizje dramatike përpara në konceptimet e saj për artin dhe arkitekturën. Pa këtë periudhë ne nuk do të kishim vrullin e artit modern të karakterizuar nga veprat e Muslim Mulliqit, Xhevdet Xhafës dhe Nysret Salihamixhiqit.
Përveç nga këndvështrimi politik dhe ideologjik, edhe si federatë supranacionale, Jugosllavia kishte për qëllim të krijonte një gjuhë vizuale dhe një kujtesë kolektive që përfshinte të gjitha nacionalitetet e saj. Nëse kishte diçka që ishte anatemë për Jugosllavinë, kjo ishte rindezja e ndjenjave dhe armiqësive të vjetra nacionaliste. Në fund të fundit kjo ishte edhe në kontekstin ideologjik dhe politik pas Luftës së Dytë Botërore, ku pozicionet e majta dhe të djathta ishin më të rëndësishme për organizimin politik dhe social sesa nacionalizmi, shtetësia dhe identiteti kombëtar.
Kështu që aplikimi i këtyre kornizave sot për një analizë të trashëgimisë kulturore të Jugosllavisë është revizionizëm historik i devijuar. Konkluzionet rreth së kaluarës nuk duhet të bazohen ekskluzivisht në ndjenjat politike, sociale ose ideologjike të së tashmes, ato duhet të marrin parasysh edhe dinamikën e së kaluarës.
Është e qartë se këto monumente, edhe në ditët e sotme, nuk janë serbe, kroate, sllovene, malazeze, maqedonase e as shqiptare. Për dëshmi, duhet vetëm të vihet re se ato janë lënë pas dore nga shtetet ku gjenden dhe janë lënë të shkatërrohen në të gjitha rajonet e ish-Jugosllavisë. Ne jemi të gjithë ambivalentë (nëse jo plotësisht antagonistë) ndaj këtyre monumenteve. Ndjenjat nacionaliste të rilindura nuk lënë hapësirë për monumente pa komb. Nuk ka hapësirë për këto relikte kur disa janë të zënë duke rishkruar historinë, siç po bën Maqedonia me monumente kiçi dhe historikisht mospërputhëse. Kujt i nevojiten monumentet që nuk janë as serbe as shqiptare, por përfshijnë të dyja?
Ato, sidoqoftë, mund të shikohen me dashamirësi së paku nga pikëvështrimi i historisë së artit, si dëshmi të modernizmit kosovar. Ato mund të jenë burime frymëzimi dhe njohurie për brezin e ri të artistëve dhe arkitektëve. Ndoshta ato edhe do t’i rezistojnë kohës- nëse kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, nuk vazhdon me rrafshimin e sheshit të bashkim-vëllazërimit për të ndërtuar një parking shumë të diskutuar.
Vëzhguesit e kanë karakterizuar stilin surrealist, modern të monumenteve jugosllave si “futurist.” Dhe kjo është e përshtatshme, sepse këto monumente nuk kanë histori. Është shumë e saktë të thuhet se këto monumente do të kenë një trajtim më ndryshe në të ardhmen se sa e kishin qe një kohë të gjatë. Ato thjesht nuk kanë hapësirë në precedentin historik të cilin e vlerësojmë sot. Më e shumta, ato janë mbetje, anomali në rrjedhën e sheshtë dhe të njëtrajtshme të historisë sonë.
Ilustrimet: Driton Selmani