Më 4 nëntor 2020, ditën pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA, gjendesha në hapësirën e ngushtë mes dy korsive të një autostrade duke u përpjekur ta vesh një këmishë të hollë stofi nëpër të ftohtë.
“A ta hap mikrofonin dhe t’i paralajmëroj njerëzit që e kanë nxjerrë LRAD-in (Long Range Acoustic Device)?” e pyeta një bashkorganizatore. “Nuk kam tapa për veshë. Kush dreqin do të kishte me vete tapa për veshë tani?”
LRAD është armë zanore që lëshon zhurmë me frekuencë të lartë dhe shkakton dhimbje tejet të mëdha dhe molisëse. Përdoret për kontrollimin e turmave, edhe pse është e paligjshme në shumë shtete.
Ia ngulim sytë tankut që mban altoparlantin e çuditshëm, një armë që fatmirësisht e kemi hasur vetëm disa herë këtë verë. “Jo”, më tha ajo. “Njerëzit do të bëjnë panik. Edhe ashtu nuk besoj se do ta përdorin. Do të binden se kërcënimi mjafton”.
Atë natë, thuajse 1,000 njerëz nga zona metropolitane e Qyteteve Binjake [Minneapolis dhe St. Paul] u mblodhën për të marshuar ndërsa fletëvotimet numëroheshin akoma anekënd vendit. Organizatorët nga lëvizjet kundër luftës, të punës dhe kundër brutalitetit policor planifikuan demonstrata në kuadër të një dite kombëtare të protestës të quajtur Aleanca Kombëtare Kundër Represionit Racist dhe Politik, pavarësisht se kush do të fitonte.
Shpresat dhe ëndrrat
Edhe pse shpresonim se Trump-i do të mposhtej, shumë prej nesh nuk kishim ndonjë simpati të veçantë për Biden-in dhe politikat e tij progresive artificiale; rrëfimi i shumëpërsëritur i bastisjeve të anëtarëve të lëvizjes kundër luftës së Minneapolis nga FBI-ja (Byroja Federale e Hetimeve) gjatë administratës së Obamës tingëllonte si diçka që zëvendëspresidenti i tij do ta bënte sërish me gjithë qejf.
Dhe duke kujtuar raportimet shqetësuese të rrëmbimit të njerëzve nga Garda Kombëtare me furgonë të pashënuar gjatë verës, unë bëja shaka në takimet planifikuese se me Biden-in në krye, së paku do të na pyesin për përemrat e preferuar para se të na marrin në pyetje ilegalisht.
Shumë liberalë në këtë vend e quajnë këtë gjë progres.
Para natës së zgjedhjeve u përhapën thirrje për unitet mes “majtistëve”, si dhe një revizionizëm i karrierave të Biden-it dhe Kamala Harris. Biden-i nuk qe më simbol i konservatizmit Demokratik, por pishtar i qytetarisë dhe përfaqësoi një rikthim të mirëpritur te “rregullsia”. Llogaritë e mia në mediat sociale u mbushën me lavde pas debateve për atë se sa mirë është të kemi dikë që flet “siç i ka hije një kandidati presidencial”.
Duket se pak njerëz të publikut të përgjithshëm dinin për karrierën e tij të gjatë si inxhinier i “luftës” tejet raciste “ndaj drogës” ose votave për vazhdimin e imperializmit të ShBA-së në Irak, Libi dhe Siri.
Papritur, përmendja e Tara Reade, e cila kishte akuzuar Biden-in për abuzim seksual, ose e grave të shumta që kanë shprehur pretendime për keqpërdorim seksual, të bënte “përçarës”.
Si votues i zi më është përçuar mesazhi se duhet të jem falënderues që më në fund jam i përfaqësuar, “Kamala Harris u tregon vajzave të reja, sidomos vajzave të zeza, se mund të arrijnë ç’të duan”, më tha një mike. “Mendoj se shumë nga kritikat që po merr janë të padrejta”.
U mendova zëshëm nëse do të pajtoheshin edhe fëmijët e zinj, prindërit e të cilëve ajo i kishte burgosur për posedim të marihuanës dhe mosvijim të shkollës. “Ndoshta,” thashë me hidhësi, “gjithë ato gra transgjinore që i ka futur në burgje të burrave dhe u ka mohuar kujdes të veçantë gjinor do ta kundërshtonin këtë narrativën e “fuqise së vajzave”.
Siç sugjeroi mikja im në fund të bisedës, mbase standardet e mia janë shumë të larta. Ose kundërshtimet e mia të vërteta lidhen pak me Biden-in dhe Harris-in si aktorë të veçantë politikë, por pasqyrojnë një lodhje nga paraqitja e liberalizmit dhe ideologjisë centriste si “majtizëm”.
Çfarë rëndësie ka nëse anëtarja e kabinetit që voton për ta autorizuar një sulm tjetër me dron është grua? A ther më pak gazi lotsjellës nëse hidhet nga një police e zezë? A u intereson të vdekurve nëse vrasësit e tyre duken si ata?
Organizuam këtë marsh për të thënë se nuk jemi të kënaqur me politikat identitare dhe sinjalizimin e virtyteve. Edhe këtë herë kishim votuar për “më të mirin e dy të ligjve”; më e pakta që mund ta bënte më pak i ligu ishte të devijonte thelbësisht nga politikat skandaloze të pararendësit të tij.
Planifikimi i protestave
Natën e protestave, në Minnesota sërish pritej të fitonin Demokratët, por një verë e tërë me orë policore nga ora 8 e mbrëmjes dhe tytat e burrave të bardhë, të sapodalë nga ekipet e mundjes së shkollës së mesme, na ndillnin paksa dyshim. Edhe pse kishim marshuar në autostradë shpesh përgjatë viteve, e dinim se nuk ishte krejt e parrezikshme; kishte ndodhur një tentativë, edhe pse e pasuksesshme, për ta ndaluar një protestë në autostradë që e kishim organizuar para disa javësh për vrasjen e Breonna Taylor.
Supremacistët e bardhë (përfshirë shpeshherë edhe policët jashtë orarit të punës) po ashtu kishin bërë paraqitje të shumta në ngjarjet tona; atë verë, shumë prej nesh u bëmë dëshmitarë të tmerrit kur një kamion ia shkeli përmes një nga demonstratat e hershme pas vrasjes së George Floyd (vozitësi është akuzuar vetëm pas disa muajsh). Pra planifikuam që të ketë siguri shtesë, rrugë daljeje dhe u siguruam që të kemi mjaftueshëm njerëz për ta zënë një autostratë ndërshtetërore me katër korsi.
Atë që nuk e pritëm ishte goditja nga guvernatori ynë Demokrat në protestën e autostradës, i cili përmendi nevojën se duhet “të na jepet mësim” për teknikat e pranueshme të demonstrimit.
Disa çaste para se të dilnim nga autostrada, policia rrethoi 646 protestuesit, duke na kurthuar mes murit të rampës së daljes dhe një barrikade të trashë policësh. Secili prej tyre ishte i armatosur dhe po ashtu shihnim veshje ushtarake me bisht të syrit. Na u tha përmes altoparlantit të shtrihemi në tokë dhe të përgatitemi për t’u arrestuar. Vëzhguesit nga banesat që dëgjuan thirrjet tona për të incizuar nëse kanë kamera dolën, por thjesht u dëbuan nga policët mbi kuaj që hidhnin gaz lotsjellës. Dikush nisi të bërtasë: “Hiqni këto kafshë nga kuajt!”
Nga terreni, krejt çfarë mund të bënim ishte të thërrisnim. Më kujtohet sikur sot çasti kur gazetarët u ftuan ta lënë autsotradën përmes altoparlantit dhe unë e pashë murin e policëve të armatosur që mbanin gjysmautomatikë dhe na vëzhgonin pa ndjenja. E ndala mikrofonin. “Nëse shkojnë gazetarët,” i pëshpërita një organizatori tjetër, “sa prej nesh mendon se do të shpëtojmë gjallë nga kjo autostradë?”
Ekziston një narrativë mes liberalësh amerikanë, sidomos atyre të bardhë, që çmon demonstratat paqësore sikur tonat. Ata citojnë Dr. Martin Luther King Jr. dhe llomotisin për “shndërrimin e zemrave dhe të mendjeve” dhe “promovimin e dialogut mes nesh dhe policisë”. Në 5 orët që i kaluam në atë autostradë duke kërcyer me Beyoncé-n dhe Donna Summer për t’i shmangur të ftohtët dhe panikun, policia nuk shqiptoi asgjë tjetër përpos urdhrave.
Nuk kishim asgjë tjetër me vete veç pllakateve dhe mikrofonëve. Ishim fëmijë, studentë, të moshuar, mësues, punëtorë. Dhe jam i bindur që po të ishin ndalur kamerat atë natë do të kishte pasur viktima. Çfarë vlere ka jeta ime për perandorinë krahasuar me ndërtesat dhe rrugët e saj? Çfarë etosi është paqësorja e rreptë kur mobilizohen më shumë burime për një arrestim masiv në shtetin tonë, sesa që janë ndarë ndonjëherë për strehim dhe për të pastrehët?
Nëse kam marrë ndonjë mësim nga udhëheqësia Demokrate në ato çaste, nuk ka qenë ai që ata e kanë synuar. Unë solla në shtëpi një gacë tjetër të tërbimit për ta ndezur bindjen se ky sistem i themeluar me shpërfillje për jetët e zeza, për jetën time, duhet të shkatërrohet dhe se kapitalizmi i mbështjellë me gjuhë progresive është pengesë e madhe për ta arritur atë qëllim.
Ia kujtoj mikes sime të bardhë se King-u është shprehur kësisoji në Letrën nga Burgu i Birmingham-it. Ia kujtoj se ngritja e duarve nuk e ndal dot plumbin.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.