Para pesë vjetësh, teksa isha duke hulumtuar nëpër Mejë dhe Korenicë për masakrën e 27 prillit 1999, shumë nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie më flisnin për një prift katolik, i cili u kishte prirë banorëve të dëbuar nga forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave drejt Shqipërisë. Të gjithë thoshin se prifti nuk jetonte më në Kosovë dhe se kishin humbur kontaktin me të.
Në fund të prillit të këtij viti, e vizitova sërish këtë zonë, së bashku me gazetarin gjerman Michael Martens, i cili, pasi lexoi librin tim “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, të botuar vitin e kaluar, vendosi të shkruante një artikull për masakrën në Mejë dhe Korenicë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung. Edhe kësaj here, fjalët e banorëve ishin të i njëjta: lavdërime të jashtëzakonshme për priftin. Por, këtë herë këmbëngula t’ia mësoja emrin e mbiemrin e mandej edhe ta gjeja kontaktin.
Prifti në fjalë është Atë Marjan Lorenci, i lindur më 10 shtator 1970 në fshatin Stubëll të Vitisë. Shkollimin fillor e ka përfunduar në vendlindje, të mesmin në Shkup e Suboticë, ndërsa studimet për teologji dhe filozofi në Sarajevë (Bosnje) dhe Samobor (Kroaci). U shugurua si xhakon në Sarajevë më 1996, kurse një vit më pas, si meshtar në Gjakovë, ku shërbeu për një dekadë. Pas Gjakovës, vijoi misionin e tij për rreth dhjetë vjet në Gjermani, për të transferuar mandej në Zvicër, ku shërben edhe sot.
Gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, Lorenci, meshtar françeskan i Kishës së Shën Antonit në Gjakovë, i veshur me zhgunin e fratit, ishte përkujdesur dhe kishte mbrojtur banorët e Gjakovës, katolikë e muslimanë. Gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ), kishte mbajtur ditar, të cilin, më 2008, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës ia botoi në një libër të titulluar “Françeskanët e mëdhenj dhe françeskani Atë Marjan Lorenci – Frati i Popullit”.
Sipas bisedave që i pata me të së fundmi, dhe rrëfimit në këtë ditar, me të nisë bombardimet e NATO-s, oficeri i Ushtrisë Jugosllave, Dragan Mićunović, kishte detyruar udhëheqësit e Kuvendit Françeskan ta lironin ndërtesën e tyre, sepse në të do të vendoseshin forcat ushtarake jugosllave. Të gjithë klerikët dhe motrat u larguan, përveç Lorencit, i cili, pavarësisht thirrjeve e lutjeve të shumta, vendosi të mos largohej për asnjë çmim. Në ditarin e vet, ai rrëfen momentin prekës kur u ishte drejtuar besimtarëve:
“Ju jeni jeta ime. Ju po kërkoni që unë të largohem nga këtu. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ju duhet të largoheni sepse në Kuvendin e Kishës do të vijnë ushtarë, paramilitarë, policë… Me një fjalë, do të përballemi me kriminelë, të cilët do të bëjnë kërdinë. Prandaj, ju lus të strehoheni nëpër fshatra ku të mundeni…”
Lorenci nuk shpalos vetëm momentet e vendosmërisë e të guximit, por edhe ato të frikës së thellë. Teksa qëndronte i vetëm në kishë dhe luste Zotin t’i mëshironte bashkëqytetarët e tij të pambrojtur — kur NATO-ja bombardoi kazermën e Ushtrisë Jugosllave afër kishës në Gjakovë — ai përjetoi njërin nga momentet më të rënda shpirtërore. Në ditar shkruan: “Dua të jem i sinqertë, meqenëse isha fillikat i vetëm, më kaploi një frikë e madhe të cilën nuk e kisha përjetuar kurrë më parë”.
Gjatë gjithë kohës së bombardimeve, Lorenci nuk qëndroi i mbyllur në kishë, por i vizitoi shqiptarët katolikë nëpër fshatrat e Gjakovës, duke u munduar t’i ndihmonte e t’u jepte shpresë. Përgjatë udhëtimeve të tij, shumë herë ndalohet, fyhet, kërcënohet, keqtrajtohet, e edhe torturohet rëndë nga pjesëtarët e forcave sërbe e jugosllave. Madje, në një rast, një kameraman civil sërb e inçizoi derisa e torturonin — një përpjekje kjo për ta poshtëruar.
Momenti kulmor i guximit dhe i vetëmohimit të Marjan Lorencit është ai i datës 27 prill 1999, pikërisht në ditën e masakrës në Mejë e Korenicë, kur forcat sërbe-jugosllave, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, vranë gjithsej 368 civilë shqiptarë të paarmatosur, shumica të komunitetit katolik. Gratë, fëmijët dhe pleqtë nga Meja, Korenica dhe fshatrat përreth u dëbuan në drejtim të Gjakovës, për t’i përzënë mandej drejt Shqipërisë. Kur Lorenci mësoi se të dëbuarit qenë ndalë në Parkun e Qytetit në Gjakovës, shkoi fill t’i takonte e të përpiqej t’u gjente strehë. Aty u përball me pjesëtarë të forcave sërbe, të cilët i bërtitën, e fyen dhe e kërcënuan me pushkatim. Ai iu përgjigj prerazi: “Ja ku jam. Urdhëroni – vritmëni!”
Një moment tjetër i dhimbshëm e i rëndë, kur frati sërish zgjedh që, pavarësisht rrezikut, të qëndronte me bashkqytetarë/e, është ai teksa po u printe të dëbuarve drejt Shqipërisë — moment ky që një kameraman sërb po ashtu po e inçizonte, si material që do ta “dëshmonte” se shqiptarët po iknin prej bombardimeve të NATO-s. Rrugës, në fshatin Bishtazhin, forcat sërbe e ndalën kolonën dhe ndanë prej saj 17 të rinj, me pretendimin se ishin “terroristë”. Kolona përbëhej nga gra, fëmijë e pleq — njerëz të rraskapitur e të tmerruar. Lorenci u doli përpara pjesëtarëve të forcave sërbe e u tha prerazi: “Nëse këta janë terroristë, atëherë unë jam kryeterrorist!”
U vetëofrua që t’i zëvendësonte të rinjtë, por pjesëtarët e forcave sërbe e kërcënuan se, nëse kolona nuk largohej menjëherë pa të rinjtë e ndarë, do të shkrepnin zjarr mbi të gjithë. Për ta parandaluar masakrën e madhe, prifti u nis me kolonën, me sytë drejt qiellit, duke kërkuar ndihmën e Zotit, dhe i përcolli të dëbuarit deri në Prizren — për t’u kthyer më pas prapë në Gjakovë, pranë popullit të vet.
Në memoare, prifti rrëfen edhe raste kur nënat i ofronin para me lutjet që t’ua shpëtonte bijtë. Megjithëse nuk ua merrte kurrë, sipas tij, këto përpjekje dëshmojnë gatishmërinë e nënave për të bërë çmos për të shpëtuar fëmijët e tyre.
Këto që u thanë nuk janë vetëm kujtime të Lorencit. Janë edhe rrëfime të atyre që mbijetuan dhe i përjetuan këto tmerre: të agronomit Marjan Marku, të cilit, në Mejë forcat sërbe ia masakruan dy vëllezërit, Milanin dhe Gjovalinin; të poetit Engjëll Berisha, të cilit, në Korenicë ia ekzekutuan vëllëzërit, Danielin e Kolën, bashkë me disa anëtarë të tjerë të familjes; të juristit Arben Kqira, të cilit, forcat sërbe ia vranë babain në Mejë. Ka edhe shumë të tjerë, të cilë, jo vetëm dëshmojnë për guximin e fratit, por edhe e ruajnë atë në kujtesë si dritë në errësirën e asaj kohe. Frati nuk ishte thjesht dëshmitar i tragjedisë — ishte i vetmi që i doli ballë asaj.
Vetë Atë Marjani jep tri arsye pse mendon se shpëtoi pa u vrarë nga forcat sërbe: “e para, më kujtonin të çmendur, ndonëse ngado lëvizja me zhgunin e fratit; e dyta, më mbanin gjallë lotët e nënave që pikonin si shi nga qielli; dhe, e treta, më e madhja — lumnija e të madhit Zot, që ua vërbonte dritën e syve e nuk më shihnin”.
Përfundimisht Marjan Lorenci pasqyron figurën e jashtëzakonshme të guximit, përkushtimit dhe humanizmit gjatë luftës në Kosovë. Ai është heroi më unik i kësaj lufte.
Në fillim, kur po i lexoja dhe dëgjoja rrëfimet e të mbijetuarve/ave në Mejë e Korenicë për Marjan Lorencin, po mendoja se institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës — Komuna e Gjakovës dhe Presidenca e Kosovës — do të duhej ta nderonin me një medalje për guxim e jashtëzakonshëm në shërbim të banorëve të kësaj ane. Por, ndoshta as nuk ka nevojë. Lorenci e ka marrë shpërblimin më të jashtëzakonshëm që mund të marrë një klerik në jetën e vet – titullin Frati i Popullit. Dhe, këtë çmim ia dhanë vetë qytetarët e komunitetit katolik të komunës së Gjakovës, të cilët, në biseda e kujtime për të, flasin me admirim për të e e krahasojnë me atë që ndiejnë për Jezu Krishtin.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0