Në thelb | Teknologjia

N’vakt temin

Nga - 11.09.2024

Prindërit e shkollat, të papërgatitur përballë sfidave që burojnë me rritjen e përdorimit të TikTok. 

Shumë prej nesh e kemi provuar shijen e krahasimeve prej prindërve. Jemi krahasuar me fëmijë të tjerë që shkëlqejnë në shkollë, ndihmojnë në shtëpi ose arrijnë suksese pavarësisht vështirësive. Fraza “N’vakt temin” na shoqëronte si refren i përhershëm, duke na e kujtuar se jemi më me fat krahasuar me vështirësitë e kohës së tyre. 

Megjithatë, sot krahasimi nuk inkurajohet, por në anën tjetër është pothuajse i pamundur. Sepse n’vakt temin pajisjet teknologjike përbëheshin prej CD-ve dhe video kasetave. Ndryshimet në mënyrën e rritjes dhe edukimit janë si nata me ditën. N’vakt temin kureshtja shuhej pas ditësh të tëra kërkimi, ndërsa sot përgjigjet gjenden me një klik. 

Teknologjia ka krijuar një hendek aq të madh mes brezave, sa që prindërit po mësojnë nga fëmijët e tyre jo vetëm si t’i përdorin aplikacionet, por edhe si t’i ndezin telefonët e mençur. Ky ndryshim reflekton transformimin në mënyrën se si fëmijët mësojnë dhe rriten. Po ashtu është një faktor që thellon edhe më shumë rolin e rrjeteve sociale, si TikTok, në jetën e tyre të përditshme, duke shtuar nevojën për të diskutuar ndikimin e këtyre platformave në rritjen dhe zhvillimin e tyre.

Sidomos TikTok është diskutuar shumë kohëve të fundit. Në qershor të vitit 2024, Qeveria e Kosovës iu bashkua plot vendeve tjera të botës dhe mori vendim për ndalim të përdorimit të TikTok në institucionet shtetërore, duke obliguar zyrtarët/et ta largojnë platformën nga pajisjet zyrtare. Ky vendim u mor për t’i mbrojtur institucionet shtetërore prej sulmeve kibernetike. 

Shumë vende, përfshirë, ndër tjera, vende të Bashkimit Evropian (BE) dhe institucionet e BE, Mbretërinë e Bashkuar (MB), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), kanë vendosur ndalime të pjesshme ose të plota ndaj TikTok për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kibernetike dhe privatësinë.  

Këto vendime vijnë në një kohë kur TikTok është gjithandej. Sipas Statista, platformë gjermane, që specializon në mbledhje të të dhënave, deri në mars të vitit 2024, TikTok është aplikacioni i tretë më i shkarkuar në telefonë mobilë në botë — 46 milionë shkarkime — duke qëndruar pas Facebook dhe Instagram. Një faktor që e ngriti lart TikTok ishte pandemia Covid-19 në vitin 2020 dhe izolimi që erdhi si rezultat. Platformat si TikTok sikur u bënë një lloj terapie grupore globale. Kosova nuk ishte përjashtim.  

Përpos brengës për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës shtetërore, në Kosovë, disa raste e kanë kthyer vëmendjen kah ndikimi që TikTok ka mbi shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve dhe të rinjve. 

Në maj 2024, u raportua se tre nxënës nën moshën 14-vjeçare dyshohej se kishin lënduar duart e tyre me mjete të mprehta, të nxitur nga një video/sfidë në TikTok. Po ashtu, në atë kohë, u raportua edhe për rreth 15 nxënës/e tjerë/a, që kishin gërvishur duart e tyre — edhe këto lëndime dyshohet të kenë ardhur nga ndikimi i një sfide/loje në TikTok. 

Ndërsa këto shqetësime për ndikimin e TikTok po rriten në nivel global, edhe unë, me siguri si shumë prindër të tjerë, e kam ndier këtë ndikim brenda shtëpisë sime. Me dy adoleshentë në shtëpi, e shoh dita ditës se si TikTok ka zënë vendin e burimit kryesor të informacionit për ta. Duke nisur nga lufta në Palestinë deri tek rutina e përkujdesjes për lëkurën, informatat merren nga videot e shkurtra dhe me përmbajtje shpesh të diskutueshme, të cilat ata i shikojnë në këtë rrjet social. 

Kështu, diskutimet tona familjare shpesh përqendrohen në korrigjimin e informacioneve të pjesshme që ata marrin në TikTok. N’vakt temin bota përbëhej prej librave, lojërave me shokë e shoqe para mahallës dhe bisedat ballë për ballë. Por në ditët e sotme, shumëçka nuk është si në vakt temin.

Shëndeti mendor e fizik — të cenuar 

Ne që lexonim libra dhe mbanim shënime me dorë, sot duhet të rrisim fëmijë që mësojnë përmes tutorialeve e videove në TikTok. Shpesh më duket sikur jetojmë në universe paralele. Fëmijët në epokën e tyre digjitale ku një mësim i vështirë matematike mund të bëhet i lehtë dhe argëtues përmes një sfide në TikTok ndërkaq ne, prindërit, jetojmë në epokën tonë tradicionale, nganjëherë edhe rezistues e edhe refuzues ndaj këtyre ndryshimeve teknologjike. 

Prandaj, nëse e nis fjalinë me frazën “N’vakt temin libri ka qenë burimi i dijes”, përballem me rrotullim të syve, një “ahhh” dhe injorim sepse në përballjen e algoritmit kundër bibliotekës, algoritmi po del të jetë fitues. 

TikTok s’ishte thjesht aplikacioni atraktiv i radhës, por njëfarë labirinti që të tërheqë brenda dhe s’të lë të dalësh lehtë. Pak a shumë sikurse vorbulla në të cilën humbet Liza në botën e çudirave.

Dhe meqë është kështu vendosa ta sfidoj veten jo me ndonjë lojë a sfidë të TikTok, por me shkarkimin e këtij aplikacioni. E hapa dhe, pa e vrarë shumë mendjen, humba krejtësisht brenda tij. Teksa shfletoja pafundësi videosh, ndieja sikur po zhytesha në një oqean të pafund të informacionit, pa busull dhe pa rrugëdalje. Çdo video më tërhiqte ma fort asaj bote të paanë digjitale. Video pas videoje, sfidë pas sfide, influencer pas influenceri derisa u harxhua bateria e telefonit. 

Aty e kuptova pse fëmijët në vazhdimësi ankohen se nuk kanë bateri mjaftueshëm kur u kërkoj ndonjë shërbim virtual. TikTok s’ishte thjesht aplikacioni atraktiv i radhës, por njëfarë labirinti që të tërheqë brenda dhe s’të lë të dalësh lehtë. Pak a shumë sikurse vorbulla në të cilën humbet Liza në botën e çudirave.  

TikTok duket se është dizajnuar që të jetë një vorbull që të tërheq drejt vetes dhe kjo mund të ketë ndikim të dëmshëm te përdoruesit e vet, sidomos ata/o të moshave të mitura. Organizata ndërkombëtare jo-qeveritare Amnesty International, në vitin 2023 publikoi raportin “Driven into darkness” (shq. Tërhequr drejt territ) ku u përqendrua në ndikimin e TikTok në shëndetin mendor të të rinjve dhe të rejave. Hulumtimi, i realizuar midis korrikut të vitit 2022 dhe tetorit 2023 përfshiu, ndër tjera, pyetësorë me 550 fëmijë dhe të rritur/a të rinj/reja të moshës 13-24 nga 45 vende. 

Gjetjet tregojnë praktika manipuluese që shkaktojnë varësi, të dizajnuara për t’i mbajtur përdoruesit të angazhuar sa më gjatë. Po ashtu, ato zbulojnë se sistemi algoritmik që rekomandon përmbajtjen, të cilit i atribuohet rritja e shpejtë globale e platformës, “i ekspozon fëmijët dhe të rinjtë ndaj sfidave të shëndetit mendor dhe ndaj rrezikut serioz të dëmtimit,” tha Lisa Dittmer, hulumtuese në Amnesty International për raportin.

Kjo tërheqje drejt territ, siç e quan Amnesty International, ndihmohet prej pranisë së përmbajtjes së dëmshme, urryese apo keqinformuese ndaj së cilës ekspozohen përdoruesit/et. 

Përveç ndikimit dhe rrezikshmërisë së trendeve, TikTok nuk përbën përjashtim në mënyrën se si teknologjia instrumentalizohet kundër grave, në atë që njihet si dhunë gjinore e ndihmuar prej teknologjisë.

Donika Shahini Lami, psikologe klinike në Kosovë, thotë se këto lloj përmbajtjesh në rrjetet sociale po e nxisin dhunën ndaj të tjerëve e ndaj vetes edhe përtej rrjeteve.

“Për të gjitha vajzat dhe djemtë, tolerimi i dhunës virtuale është shqetësues dhe shtypës. Në shumë raste edhe me pasoja shumë të rënda për shëndetin mendor dhe fizik”, tha Shahini Lami, duke shtuar se gjatë punës has në raste të vetëlëndimit apo shëndetit të rënduar mendor për shkak të përjashtimit dhe urrejtjes në rrjete sociale. 

Përveç ndikimit dhe rrezikshmërisë së trendeve, TikTok nuk përbën përjashtim në mënyrën se si teknologjia instrumentalizohet kundër grave, në atë që njihet si dhunë gjinore e ndihmuar prej teknologjisë. Ky rrjet social është shndërruar në ngacmim ndaj grave. 

Viktima të abuzimit seksual përmes pamjeve kanë treguar se TikTok është shfrytëzuar për t’i kërcënuar dhe shantazhuar ato, teksa BIRN, në një hulumtim të botuar në mars 2024, ka identifikuar 427 video të postuara midis shtatorit 2020 dhe nëntorit 2023 ku gratë dhe vajzat poshtërohen e përçmohen. Sipas BIRN videot ishin shpërndarë nga llogari në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Slloveni. Po ashtu, aktivistja nga Kosova, Neri Ferizi në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për një rast të ngacmimit të 30 vajzave të mitura në Mitrovicë nëpërmjet TikTok. 

Prindërit vazhdimisht po ftohen të jenë më të përfshirë në përpjekjen për ta reduktuar ndikimin negativ të TikTok. Për shembull, në Meksikë, prindërit janë paralajmëruar të mbikëqyrin përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët e tyre pasi 15 nxënës shkollorë, midis moshës 10-12 vjeç kërkuan ndihmë mjekësore pasi morën pjesë në një sfidë në TikTok të quajtur “sfida e qetësuesve”. Këta/o nxënës/e morën qetësues dhe sfiduan njëri/a-tjetrin/ën për të parë kush mund të qëndronte zgjuar më gjatë. Ishte shkolla e katërt që përballej me raste të ngjashme në Meksikë.

Ndërkaq, në MB dhe ShBA janë popullarizuar sfida të ndryshme, që kanë rezultuar me lëndime serioze e edhe me vdekje të adoleshentëve/eve — duke e bërë thirrjen për angazhim të prindërve edhe më të zëshme. 

Mirëpo, këta të rinj e reja janë nxënës/e dhe disa prej sfidave realizohen nëpër shkolla, dhe kjo e rrezikon tërë procesin. Andaj një numër institucionesh arsimore kanë marrë vendim që mos t’i lejojnë telefonat e mençur gjatë procesit mësimor. 

Përfshirja e shkollave në përpjekje

Menaxhimi i ndikimit të rrjeteve sociale si TikTok është bërë një sfidë edhe për shkollat e mësdhënësit/et, të cilët përballen me vështirësi në ruajtjen e përqendrimit dhe përvetësimit të dijes nga nxënësit e tyre.

Në Kosovë mësimdhënësit ankohen për degradim në sjellje të nxënësve — si prind, prej klasës së gjashtë e tutje në secilën mbledhje të prindërve kam dëgjuar ankesa të llojllojshme nga personeli shkollor për sjellje të papërshtatshme — zhurmë, mungesë të vëmendjes — të fëmijëve ndaj mësimdhënësve. 

Pandemia Covid-19 dhe izolimi që erdhi si rezultat, përshpejtuan rritjen e platformave si TikTok, që u bë aplikacioni më i shkarkuar në vitin 2020. Kosova, si pjesa tjetër e botës, u izolua dhe humbjet mësimore ishin evidente. Studimi i Institutit Pedagogjik të Kosovës rreth humbjeve në arsim si pasojë e Covid-19 tregon se humbjet erdhën nga faktorë si mësimi në distancë, shkurtimi i orëve dhe metodat joefektive. 

Po ashtu, në Kosovë penetrimi i internetit është rritur vazhdimisht, me shumicën që e përdorin përmes telefonave mobil. 

Sipas sociologes Leonora Aliu, kjo rritje i atribuohet nevojës për lidhje midis izolimit. “Një shtytje të madhe këtij transformimi të TikTok-ut i dha pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19, që preku në forma të ndryshme jetën sociale për shkak të mbylljeve totale në shumë shtete. Lindi nevoja për forma të tjera, kreative, të bashkëveprimit social, dhe këtu pati rol të madh TikTok”, thotë ajo. Megjithatë, sipas saj, teknologjia përdoret kryesisht për komunikim e jo për arsimim.

Në tjetrën anë, në ShBA, mësuesit po përdorin TikTok, veç tjerash, edhe për të shprehur frikërat, frustrimet dhe shqetësimet e tyre për gjendjen e arsimit më shumë se tre vjet pas pandemisë. Një mësues i klasës së shtatë në Georgia foli në TikTok, në shtator të vitit 2023, se sa shumë vështirësi kanë fëmijët duke zbuluar se shumica e nxënësve të tij e filluan vitin shkollor duke performuar në nivel të klasës së katërt ose më të ulët, megjithëse janë në klasë të shtatë. Ndërkohë, një mësues i klasës së shtatë në Teksas deklaroi: “këtu është ferr.” Ai më tutje thotë se: “Kur ju them se këta fëmijë nuk mund të lexojnë, nuk mund të shkruajnë dhe nuk mund të kuptojnë, nuk po bëj shaka,” thotë ai në një video të shikuar 12.6 milion herë në TikTok. Video të tilla të mësuesve në SHBA janë të shumta. 

Vonesat, reduktimi i kohës së mësimit dhe ulja e performancës akademike janë lidhur me përdorimin e TikTok nga studiues/e të ndryshëm/me nëpër botë.

Edhe në Kosovë, pandemia ka pasur ndikimin e vet. Vlora Kupina, profesore e gjuhës angleze në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, lidhur me ndikimin e pandemisë, e rrjedhimisht rritjes së përdorimit të TikTok te nxënësit/et tha se ndryshimet janë vërejtur menjëherë. 

“TikTok nuk përdoret nga ta për mësimnxënie, por më tepër për të shikuar gjëra të tjera, shpesh edhe të rrezikshme për shëndetin e tyre mendor dhe fizik”, tha ajo. Sipas Kupinës, disa ndryshime përfshijnë mungesën e përqendrimit dhe vëmendjes gjatë orës mësimore. Vonesat, reduktimi i kohës së mësimit dhe ulja e performancës akademike janë lidhur me përdorimin e TikTok nga studiues/e të ndryshëm/me nëpër botë.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për K2.0 thanë se bazuar në mandatin e vet, kanë nxjerrë Udhëzimin Administrativ nr. 1/2019 për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Ky udhëzim ka për qëllim që institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese në nivelin parauniversitar të adresojnë mbrojtjen e fëmijëve/nxënësve në internet nëpërmjet të procesit të rregullt arsimor dhe aktiviteteve jashtëmësimore, duke i përgatitur ata për përdorimin e sigurt të internetit, në përputhje me zhvillimin e tyre fizik, të komunikimit, social, emocional dhe intelektual. 

MAShTI, po ashtu ka hartuar edhe pakon e udhëzuesve ”Udhëtimi nëpër internet”  (dy udhëzuesit për nxënës, një për mësimdhënës dhe një për prindër), me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me qasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor. 

Mirëpo, rastet e fundit dhe përvojat e mësimdhënësve/eve flasin për një zbatim të zbehtë. Ndërkohë, nëpër botë shkollat po bëhen të vëmendshme ndaj kësaj dukurie. Për shembull, në ShBA disa shkolla kanë nisur bllokimin e TikTok dhe edukimin aktiv të nxënësve për përdorimin e rrjeteve sociale. Po ashtu, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që telefonët e mençur të ndalohen nëpër shkolla për ta përmirësuar mësimnxënien, për t’i adresuar pengesat në klasë dhe për t’i mbrojtur fëmijët prej ngacmimit në internet.

Përdorimi ndryshe i teknologjisë

Zhvillimi i hovshëm teknologjik ka lehtësuar jetën dhe komunikimin, porse ka sjellur sfida të reja. Si rezultat i kësaj, në botë po kryhen studime dhe hulumtime se si sistemet e arsimimit duhet t’i përshtaten kërkesave të reja dhe si t’u gjenden pranë nxënësve/eve. 

Një hulumtim i kryer nga tri universitete (SHBA, MB dhe Tajvan) i publikuar në vitin 2022 trajtoi përdorimin e TikTok në mësimin e lëndës së statistikës. Studimi përfshiu një eksperiment me studentë të ndarë në dy grupe: një grup që përdorte video të shkurtra në TikTok për të mësuar funksionet statistikore në Microsoft Excel dhe grupi tjetër, i cili nuk përdorte TikTok. Grupi që përdorte TikTok tregoi përmirësim të ndjeshëm në performancën e tyre krahasuar me grupin e kontrolluar, duke theksuar efektivitetin e videove të shkurtra si mjet mësimor. I njëjti hulumtim tregon se mësimi në kafshata të vogla (bite-bized learning) është efektiv për të menaxhuar ngarkesën e njohurive dhe është më i efektshëm për t’i përvetësuar njohuritë.

TikTok, pra mund të instrumentalizohet për qëllime dobiprurëse. Valon Canhasi, ekspert i rrjeteve sociale dhe themelues i kompanisë “Hallakate”, ku ofrohen trajnime për menaxhim të mediave sociale, thotë se TikTok, si interneti në përgjithësi, ofron përmbajtje të larmishme dhe ka edhe përmbajtje edukative. 

 “TikTok është platforma më e konsumuar e internetit, e cila edhe mund të përdoret për qëllime edukimi. Ka plot video tutorial që të mësojnë si të përdoret x produkti apo x shërbimi. Edhe unë personalisht kam mësuar shumë gjëra në TikTok”, thotë Canhasi.

Për këso qëllimesh po e përdor TikTok Elvira Ibrahimi Hoti, pronare e kompanisë “Accell Accounting” dhe eksperte e kontabilitetit. Ajo po realizon video edukative rreth procedurave tatimore dhe legjislacionit në fuqi dhe po shfrytëzon TikTok për të shpëndarë dijen e saj. 

TikTok sa përfaqëson inovacion të jashtëzakonshëm aq përfaqëson edhe sfidë në epokën tonë digjitale. Ai ofron platformë për kreativitet, mësim dhe lidhje globale. 

Në lidhje me mbikëqyrjen e përmbajtjes që u ofrohet fëmijëve në TikTok, Canhasi thotë se e mbështet mbikëqyrjen, jo vetëm për TikTok, por për të gjitha platformat online. ”Përmbajtje jo adekuate ka në të gjithë internetin. Duhet adresuar edukimin e pamjaftueshëm për përdorimin e internetit edhe nga prindërit edhe nga fëmijët”, thotë ai.

Prandaj një bashkërendim i veprimeve dhe përpjekjeve nga prindërit, edukatorët dhe politikëbërësit është i domosdoshëm. Prindërit duhet t’i monitorojnë dhe udhëzojnë në vazhdimësi fëmijët e tyre mbi përdorimin e TikTok, duke u angazhuar në biseda të hapura rreth përmbajtjeve që konsumojnë dhe të vendosin kufij të shëndetshëm. Edukatorët/et mund ta shfrytëzojnë potencialin e TikTok si një mjet mësimor duke e integruar në strategjitë e tyre mësimore aty ku është e përshtatshme. 

Përfundimisht politikëbërësit/et duhet ta monitorojnë më nga afër zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe të krijojnë mekanizma për mbrojtjen e përdoruesve të rinj nga përmbajtjet e dëmshme dhe përdorimi i tepruar. Në veçanti, duhet të krijojnë dhe promovojnë programe të edukimit digjital që i mësojnë fëmijët, por edhe prindërit se si të navigojnë në internet në mënyrë të sigurt.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/ K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.