Pikëpamje | Maqedonia e Veriut

Pastrimi i llumit

Nga - 08.10.2021

Kandidaturat e pavarura zgjojnë shpresën për ndryshim në Maqedoninë e Veriut.

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut do të jetë më 17 tetor, zgjedhjet e shtata lokale që kur vendi shpalli pavarësinë në vitin 1991. Në traditën jo shumë të gjatë të politikës maqedonase, zgjedhjet lokale kanë ofruar mundësi për përplasjen e qeverisë dhe partive opozitare, ku të gjitha politikat ngatërrohen. Edhe ato që nuk kanë vend në zgjedhjet lokale synojnë ta përulin qëndrimin e kundërshtarëve.

Për kryetarët dhe vendet në këshillat komunalë në 80 komuna, si dhe në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë territoriale, do të konkurrojnë 297 kandidatë, kryesisht përfaqësues të partive politike. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, lista e gjatë e kandidatëve përmban shumë nga listat e pavarura. Fatkeqësisht, nga pikëpamja e barazisë gjinore, vetëm 8 përqind e kandidatëve për kryetarë komune janë gra.

Megjithëse nuk është plotësisht risi, numri i madh i kandidatëve nga këto lista të pavarura mund të tregojë se qytetarët janë më të interesuar ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për ta zgjedhur drejtpërdrejt kandidatin e tyre, sesa atë të një partie.

Por ata që janë në pushtet janë përfshirë në disa lojëra parazgjedhore. Vetëm një muaj para zgjedhjeve, arritën ta ndryshojnë ligjin zgjedhor. Ky veprim zemëroi publikun dhe ndezi kritika të forta. Ashtu si qeveritë e mëparshme, edhe kjo drejtoi vesh të shurdhër ndaj kritikëve, duke arritur të paktën përmbushjen e pjesshme të synimeve të tyre.

Numrat dhe pushteti

Nga dëshira për ta kufizuar ose parandaluar pjesëmarrjen e listave të kandidatëve të pavarur dhe nismave qytetare në zgjedhje, partia në pushtet LSDM paraqiti një mocion parlamentar për ta ndryshuar ligjin zgjedhor dy muaj para zgjedhjeve. Ata e kishin mbështetjen e partnerit të tyre të koalicionit, partisë shqiptare BDI, së bashku me përkrahjen e partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleancës së Shqiptarëve.

Një nga ndryshimet në propozim do ta rriste në mënyrë dramatike numrin e nënshkrimeve që kandidatët e ardhshëm do të duhej të mblidhnin për të hyrë në votim. Sipas këtij propozimi, pragu për numrin e nënshkrimeve do të ishte 2 përqind e numrit të përgjithshëm të votuesve në një komunë të caktuar. Propozimi i tyre është në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-së prej 1 përqind dhe konsiderohet shumë i lartë, gati i pamundur për t’u arritur dy muaj para zgjedhjeve, veçanërisht për listat e pavarura.

LSDM dhe partnerët e tyre politikë nuk u dorëzuan. Vetëm 33 ditë para zgjedhjeve, përdorën procedurë të përshpejtuar për t’i çuar përpara ndryshimet.

Presidenti Stevo Pendarovski reagoi, duke thënë se nuk do ta nënshkruante ligjin. I indinjuar, theksoi një absurditet në mocion, një kandidati nga një listë e pavarur që garon në Shkup tani do t’i duhet t’i mbledhë 10,000 nënshkrime, të njëjtin numër të kërkuar për një kandidat të pavarur që kandidon për president të shtetit.

Partia Levica bllokoi përkohësisht këto mocione në një procedurë parlamentare, megjithatë, LSDM dhe partnerët e tyre politikë nuk u dorëzuan. Vetëm 33 ditë para zgjedhjeve, ata përdorën procedurë të përshpejtuar për t’i çuar përpara ndryshimet. Ndonëse fillimisht ishte kundër, Presidenti Pendarovski e nënshkroi ligjin.

Ndryshimet nuk janë të kufizuara në çështjen e nënshkrimeve. Ato i lejojnë qytetarët të votojnë me një ID të pavlefshme ose të skaduar dhe, për t’i kundërshtuar abuzimet gjatë zgjedhjeve, e detyrojnë shtetin të sigurojë një listë të detajuar të automjeteve të regjistruara në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ndryshimet gjithashtu vunë në lëvizje miratimin përfundimtar të votimit me gjurmëve të gishtërinjve. Megjithatë, pragu për mbledhjen e nënshkrimeve kaloi.

Ndryshimet do të duhej t’i adresonin shqetësimet e OSBE-së për dominimin e partive kryesore politike në media, por kritikët argumentojnë se votimi i nxituar i ndryshimeve nuk do të ketë efekt. Aktualisht, katër partitë më të mëdha përbëjnë pjesën dominuese të mbulimit medial. Levica, e cila nuk ka një grup parlamentar por ka dy deputetë, merr rreth 7 përqind të të gjithë mbulimit mediatik. Pak vend mbetet për partitë më të vogla dhe listat e qytetarëve të pavarur, rreth 3 përqind.

Kjo lloj sjelljeje nga partitë e mëdha, pavarësisht se kush është në pushtet, është përkujtim i fuqishëm i votimit unanim të LSDM-së, VMRO-DPMNE-së dhe partive të tjera të mëdha për ndryshimin e Ligjit për Regjistrimin e Partive Politike të vitit 2007. Në bazë të një ligji të vitit 2004, partive të reja politike u kërkohej të mblidhnin vetëm 500 nënshkrime për t’u regjistruar. Ndryshimi i vitit 2007 e ngriti pragun në 1.000 nënshkrime, gjë që e bën të vështirë regjistrimin e partive të reja politike në një vend të vogël siç është Maqedonia e Veriut.

A është i mundur ndryshimi?

Niveli i vetë-organizimit lokal në këtë cikël zgjedhor është më i larti ndonjëherë. Listat e kandidatëve të pavarur për kryetarë të komunave dhe anëtarë të këshillit komunal u krijuan në disa qytete.

Programet zgjedhore të nismave të pavarura kanë dëshmuar të jenë shumë të ngjashme me njëra -tjetrën. Ato kryesisht fokusohen në çështjet mjedisore dhe shqetësimet në lidhje me ndërtimin urban. Për shkak të një zgjerimi masiv të sektorit të ndërtimit, qyteti tani ka nëntë pika të nxehta ku temperaturat ditore në verë mund të arrijnë rrezikshëm temperatura të larta. Një pjesë e arsyes për këtë është se investitorët nuk e respektojnë kërkesën për t’i mbajtur parcelat e ndërtimit të paktën 20 përqind gjelbër.

Për qeverinë aktuale të udhëhequr nga LSDM, shqetësimet ekologjike dhe urbanistike në Shkup po injorohen. Kompanitë e ndërtimit me lidhje të ngushta qeveritare, shpesh të referuara si “mafia e ndërtimit” në mediat maqedonase, janë bërë aq me ndikim sa që, përveç parkut të qytetit, vështirë se ka mbetur ndonjë hapësirë e gjelbër në qytet. Mosveprimi politik ka lejuar që i gjithë qyteti të mbytet në beton dhe ndërtesa.

Me pjesën më të madhe të qendrës së qytetit dhe periferive përreth të stër-ndërtuara plotësisht, dendësia e ndërtesave duket se po i afrohet asaj të një favele braziliane. Në vend që ta përmbysin trendin, autoritetet aktuale të qytetit vazhdojnë të lëshojnë leje ndërtimi, duke mbështetur donatorët e mëdhenj dhe partnerët e biznesit të partisë.

Premtimet e dhëna nga listat e pavarura nuk janë të pamundura për t'u realizuar, por kundërshtarët e tyre janë firmat e ndërtimi të lidhura ngushtë me të gjitha partitë dhe të gjitha nivelet e qeverisjes.

Banorët e Shkupit kanë dy lista të pavarura nga ku mund të zgjedhin. Njëra prej tyre është lëvizja Zelen Human Grad, apo Green Humane City, e cila përbëhet nga më shumë se 20 organizata qytetare. Grupi është aktiv në fushat e mbrojtjes së mjedisit, urbanizimit dhe mbrojtjes së kafshëve.

Kandidatja e tyre për këshillin e qytetit të Shkupit është aktivistja e njohur Dragana Velkovska. Për kryetare bashkie, ata kanë propozuar ish-drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror për Mbrojtjen e Mjedisit Ana Petrovska, e cila u hoq nga posti disa muaj më parë, ndonëse shumë argumentojnë se ajo e kreu punën e saj në mënyrë profesionale.

Fokusi i programit të Zelen Human Grad është restaurimi i pjesëve të gjelbërta të qytetit që u shkatërruan nga mafia e ndërtimit. Përveç kësaj, ata premtojnë rrugë më të sigurta për këmbësorët dhe biçiklistët dhe kthimin e një dimensioni njerëzor në qytet.

Lista tjetër e pavarur që garon në Shkup është Šansa za Centar. Kandidatët e tyre përfshijnë Jana Belčeva, e cila për dy vjet kryesoi këshillin e komunës së Qendrës në Shkup, dhe profesoresha Divna Penčić, e cila ligjëron në Fakultetin e Arkitekturës. Programi i lëvizjes thekson luftën për ajër të pastër dhe një jetë dinjitoze dhe cilësore në qytet.

Premtimet e dhëna nga listat e pavarura nuk janë të pamundura për t’u realizuar, por kundërshtarët e tyre vijnë në formën e firmave të ndërtimit të lidhura ngushtë me të gjitha partitë dhe të gjitha nivelet e qeverisjes. Kjo do të thotë se edhe nëse fitojnë vota të mjaftueshme, ata do të duhet të përballen me shumë sfida.

Premtimet elektorale

Nismat e pavarura, ose listat e qytetarëve që mbështesin kandidatët e pavarur, janë të gjalla dhe të shëndosha në një numër komunash në të gjithë vendin.

Qytetarët e Tetovës, ndoshta qyteti më i ndotur maqedonas, kanë një listë të pavarur të titulluar Podobro za Tetovo (Më mirë për Tetovën). Ata premtojnë një përmirësim drastik të cilësisë së jetës në Tetovë dhe thonë se kryetarja aktuale nga partia shqiptare e BDI-së, Teuta Arifi, nuk mund t’i shohë tonet e plehrave të grumbulluar në rrugë dhe kaosin e trafikut.

Lufta e banorëve të Strumicës dhe zonave përreth kundër hapjes së minierave toksike në afërsi të tyre ka shtyer një hap përpara formimin e listës së kandidatëve të quajtur “Stiga e front protiv rudnikot i zagaduvačite na životnata sredina” (Jemi këtu fronti kundër minierave dhe ndotësve të mjedisit).

Një nga goditjet kundër LSDM-së në pushtet erdhi nga bastioni i tyre i vjetër Kumanova. Në fillim të pandemisë kryetari Maksim Dimitrievski iu lut qeverisë të shpallte masën e karantinës për qytetin, i cili javë pas jave kishte numrin më të madh të infeksioneve të reja. Qeveria injoroi thirrjet e tij. Një betejë e brendshme partiake midis tij, bazës së partisë lokale dhe selisë së partisë në Shkup kulmoi me vendimin e tij për t’u bërë kandidat i pavarur.

Është e paqartë se çfarë planifikon kryetari aktual për Kumanovën nëse rizgjidhet, por duket se ka diçka të çuditshme në lidhje me një nga premtimet e fushatës së tij për ta “ngritur një statujë për kompaninë amerikane Kellogg, Brown & Root“. Arsyeja është se kjo firmë ka punësuar mijëra e mijëra banorë të Kumanovës në bazat amerikane në Irak, Kuvajt dhe Afganistan, duke futur gati një miliard euro në qytet në 15 vitet e fundit.

Është normale për partitë të japin premtime boshe gjatë zgjedhjeve. Në të gjithë vendin premtimet e kandidatëve përfshijnë parqe ujore, qendra kulturore, kinema, fusha golfi dhe kopshte botanike.

Toka e diellit dhe e pasigurisë së përjetshme

Përveç çështjeve mjedisore dhe ndërtimeve të tepërta, qeveria aktuale përballet me probleme shtesë. Ata ia kanë përkeqësuar vetës gjendjen disa herë. Kohët e fundit, kanë dalë në dritë rastet e bashkëpunëtorëve të afërt të korruptuar të kryeministrit dhe paprekshmëria e dukshme e anëtarëve të partisë BDI. BDI, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2002, e ka kontrolluar prej kohësh Ministrinë e Mjedisit, duke i bërë ata drejtpërdrejt përgjegjës për mungesën e zgjidhjeve për problemet e ndotjes masive me të cilat po ballafaqohet vendi.

Një goditje e dukshme ndaj popullaritetit të LSDM-së ndodhi më 8 shtator për shkak të tragjedisë në spitalin modular të Covid-it në Tetovë ku shpërtheu një zjarr, duke lënë të vrarë 14 pacientë brenda vetëm tre minutave.

Ndonëse ekspertët gjermanë mbërritën vetëm disa ditë më vonë për të ndihmuar në hetim, ende nuk e dimë pse zjarri shpërtheu në radhë të parë dhe aq më pak se kush duhet ta marrë përgjegjësinë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipče ofroi dorëheqjen e tij, por kryeministri Zoran Zaev refuzoi ta pranonte, duke thënë se ende po i pret rezultatet e hetimit.

Edhe pse toka maqedonase është me të vërtetë një tokë e rrezeve të diellit dhe bujarisë, banorët e saj, nga pavarësia e deri më sot, kanë jetuar në një gjendje pasigurie dhe stresi që vetëm është rritur. Jeta sillet rreth zgjedhjeve, rreth atyre që do të hiqen nga pushteti. Të gjitha vendimet janë pezulluar, duke i pritur rezultatet e zgjedhjeve.

Njerëzit janë të lodhur nga pasiguria që ofrohet vazhdimisht nga partitë politike. Sikur, thonë ata, të mund ta kishin një shkallë mërzie dhe sigurie zvicerane. Në kontrast të plotë, kjo është e gjitha që po ofrojnë strukturat ekzistuese: korrupsion, egoizëm, përfshirje në mjedisin kriminal, nepotizëm si dhe paaftësi me arrogancën dhe mendje-ngushtësinë e përfaqësuesve politikë në krye.

Sidoqoftë, ka shpresë këtë vit si rezultat i listave të pavarura dhe faktit që qytetarët po flasin dhe kanë vendosur të qëndrojnë dhe të luftojnë për vendin e tyre. Shteti maqedonas është bërë një moçal në të cilin janë mbytur të gjitha shpresat për një të ardhme më të mirë. Megjithatë, pastrimi i çdo kënete fillon me thellësitë dhe llumin. Llumi është çdo parti politike, nga pavarësia e deri më sot.

Imazhi i ballinës: Arkivi i Jasmin Redžepi. 

 

 

Ky artikull është mundësuar me mbështetjen financiare të “Trustit Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.

  • PËR AUTORIN/EN Sonja Stojadinović
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO