Blogbox | Gjinia

Për turpin seksual

Nga - 09.03.2023

Turpi seksual dhe bindjet e shoqërisë mbi seksin dhe seksualitetin

“Është një ballafaqim i çuditshëm. Nga njëra anë njerëzit duan që ne të zotërojmë seksualitetin tonë dhe të brohorisin: ‘Ti je shume seksi!’ ‘Je grua, kjo është e fuqishme!’,’Ti mund të bësh seks me sa njerëz të duash!’, ‘Ti je pronarja e trupit tënd!’. Dhe pastaj nga ana tjetër: ‘të bësh seks me shumë njerëz është disi e pistë’,’ti duhet të jesh më shumë se seksualiteti yt!’, ‘Pse je kaq e përqendruar në të qenurit seksi?!’,’Bëhu vetvetja’,’mos u përpiq shumë’,’nuk ka rëndësi se sa e bukur’ je”! 

– Një pjesëmarrëse e studimit mbi etiologjinë dhe fenomenologjinë e seksit nga studiuesi Noel Clark.

 

E ndikuar nga gjykimet patriarkale përmes së cilave, gratë shihen si më pak se plotësisht njerëzore, më pak të afta për të marrë vendime e madje më pak meritore për trajtim të barabartë, jam mësuar të jem tejet e vëmendshme për mënyrën se si mund të perceptohem nga të tjerët, veçanërisht në lidhje me pamjen time fizike dhe raportet e mia sociale. 

Dhe mendoj që kjo nuk është vetëm historia ime. 

E di se mund të tingëllojë e çuditshme që në ditët e sotme shumë të rritur kanë ndjenja të turpit për trupin, interesat, seksualitetin si dhe për përvojat e tyre seksuale. Kjo sepse jetojmë në një kulturë moderne, ku thuhet se inkurajohet liria e shprehjes seksuale e supozohet që duhet të ndihemi të sigurt për të diskutuar rreth temave të tilla. 

E ajo që po ndodh në realitet është se ne, gratë dhe burrat po ecim mbi tokë me ndjenja të forta të turpit seksual dhe po përballemi me një mori të mesazheve të dyfishta për seksin dhe intimitetin.

Në njërën anë, trupat e vajzave dhe grave objektivizohen, përceptohen si diçka që duhet zotëruar dhe kontrolluar. Gratë sulmohen me pyetje në lidhje me jetën e tyre personale dhe seksuale dhe në mënyrë të pashmangshme inspektohen e vihen në gjyq, në rast se përjetojnë ngacmime apo abuzime seksuale.

Në anën tjetër, djemtë dhe burrat ngacmohen për përvojat e pakta seksuale, ngacmohen sepse nuk janë mjaftueshëm “macho”. Atyre u mësohet të jenë “burrërorë”, t’i përmbahen një kodi të pashkruar ideal mashkullor, anipse kjo përpos që është e dëmshme për drejtësinë gjinore në përgjithësi, vetë burrave ua shton presionin e vazhdueshëm. Ky koncept kulturor i burrërisë, që lavdëron stoicizmin, forcën, dhe mbizotërimin është shoqërisht i papërshtatshëm dhe i dëmshëm për shëndetin mendor.

Kësisoj, në vend të shprehjes së lirë e të çliruar nga paragjykimet, normat gjinore e pritshmëritë e ngurta, në fakt, tek gratë e burrat rrënjoset në atë çfarë njihet si turpi seksual. Hulumtuesja Diane I. Litam, turpin seksual e definon si një lloj turpi specifik që ka të bëjë me vlerësimet negative të vetes tonë në lidhje me identitetin tonë seksual, sjelljeve, tërheqjeve, mendimeve ose ndjenjave tona. 

Kufizimi seksual përmes pritshmërive

Gratë dhe burrat, anipse në mënyra të ndryshme, vazhdimisht përballen me kërkesa kundërthënëse kur bëhet fjalë për shprehjen seksuale, kërkesat dhe dëshirat seksuale e edhe shqetësimet seksuale.

Fillimisht, djemtë dhe burrat janë subjekt i mesazheve turpëruese kur ata mishërojnë tipare që shoqëria i sheh si “femërore”, si shprehja e emocioneve, kërkimi i ndihmës e edhe angazhimi për barazi. Po ashtu, ata turpërohen prej të tjerëve kur shprehin ndjenja dyshimi për mungesën e përvojës seksuale, kur shprehin pakënaqësi për trupin e tyre apo pasiguri në performancë seksuale. 

Këto shqetësime, fillesat i kanë nga koncepti i maskulinitetit “tradicional”, pra një burrë “i vërtetë” duhet të ketë atribute të tilla si: heteroseksualiteti, ashpërsia fizike, forca dhe përmbajtja emocionale. Pritshmëritë se si duhet të jetë burri ideal ndikojnë që burrat të kenë më pak gjasa të shprehin ndjenjat e tyre –– të paktën ndjenjat tjera përpos forcës dhe pandjeshmërisë.

Ndërkohë për gratë janë dy kategori portretizimesh. Njëra kategori ka portretizimet për gratë si “të pafajshme”, “të ëmbla” dhe “të mira”, tjetra për gratë si “seksualisht  ekspresive” ose sipas disave edhe “e shthurur” e në disa raste specifike si “të fuqishme” dhe “të guximshme”. 

Mesazhi i të dy kategorive është se gratë nuk mund t’i kenë të dyja, pra s’mund të jenë edhe “të mira” e edhe “seksualisht ekspresive”. Pritshmëria që gratë duhet t’i përkasin veç një kategorie është seksualisht kufizuese për to.  

Në këtë kontekst, për gratë ka një standard të dyfishtë. Kur ne si gra i themi “jo” seksit, jo rrallë konsiderohemi si “të ngurta”. Kur themi “po”, na quajnë të “shthurura”. Përgjithësisht, në sisteme ku është rrënjosur patriarkia, mesazhet se çka është brenda normave të lejuara e çka jashtë tyre janë më të fuqishme e ndikuese. 

Në disa instanca, përfshirë sistemin e edukimit, masmedien e religjionin, seksi pozicionohet si akt i rrezikshëm e i ndyrë, derisa përjetësohen stereotipet shtypëse gjinore, mitet e përdhunimit dhe inkurajohet heshtja kur fjala është te shëndeti seksual dhe intimiteti.

Kështu, rrezikon të krijohet apo mbase veç është krijuar një situatë ku vlerat tona varen puro nga përvojat apo mungesa e përvojave seksuale. 

Këto informacione ne i marim në mënyrë sistematike që nga fëmijëria e hershme dhe nga to, ndikohet mënyra se si e përjetojmë turpin seksual. Grave, që fëmijë u mësohet të qëndrojnë larg temave seksuale, duke ua përforcuar atyre idenë që nëse flasin, qoftë edhe për abuzimin ndaj tyre, nuk do të dëgjohen. Apo se nëse flasin, do të ballafaqohen me gjyq shoqëror, që i riviktimizon ato. Burrave, që fëmijë u normalizohet pushteti. 

Profesionistët e fushës së psikologjisë u kanë kushtuar vëmendje përvojave të klientëve të tyre në lidhje me turpin seksual, duke përfshirë këtu dhe poshtërimin dhe neverinë për trupin e tyre si dhe pasigurinë në identitetin e tyre si qenie seksuale. 

Këto ndjenja ujiten edhe nga fakti që neve na kumtohet shpesh nga shoqëria se çfarë është seksualisht e përshtatshme dhe se si duhet të sillemi në jetën tonë seksuale. Megjithatë, edhe vetë këto biseda për seksin kanë tendencë të shfaqen më së shumti në kontekst të dhunimeve, abuzimeve apo ngacmimimeve seksuale. 

Pra, nuk është shumë e zakonshme të flitet për mundësitë dhe të drejtat tona për ta shprehur veten tonë seksuale me vetëbesim dhe lumturi, për aftësitë tona për të thënë atë që duam, për ta kërkuar atë pa siklet dhe për t’u larguar nga situatat ku ne ndihemi të paplotësuar ose të poshtëruar. 

Këtu dalim tek edukimi seksual, i cili bart një pjesë të fajit në mirëmbajtje të turpit seksual. E para, në Kosovë ka pasur një hezitim të vazhdueshëm për ta integruar edukimin seksual në planprogramet shkollore. Kjo gjë që në vetvete kontribuon në mirëmbajtjen e rrethanave ku sexi dhe bisedat e hapura për të ende stigmatizohen. Përpos kësaj, na ka rënë të lexojmë vazhdimisht për raste kur mësimdhënësit u janë shmangur temave që lidhen me seksin edhe kur ai është përmendur në lëndë tjera si biologjia apo edukata qytetare.

Sipas psikologut dhe ekspertit të seksualitetit, David Ley, edukimi seksual ka qenë dhe vazhdon të jetë i rrënjosur në qasjen që zgjedhja e të mos qenit seksual jashtë një marrëdhënieje të përkushtuar, monogame ishte mbrojtja më e mirë nga ekspozimi ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe/ose shtatzënisë së paplanifikuar. Kështu u përforcua tutje koncepti i “pastërtisë” seksuale. 

Shumë mësimdhënësve në kohën tonë “moderne” u mungon informacioni dhe qasja e duhur, komunikimi për të trajtuar temat që lidhen me seksin, seksualitetin dhe intimitetin. Po ashtu, edukimi seksual duhet të kuptohet përtej thjesht edukimit formal –– shkollave. Temat që lidhen me seksualitetin përgjithësisht shmangen prej prindërve, edukatorëve, rrethit shoqëror.

Të shqyrtuarit e besimeve, vlerave dhe paragjykimeve rreth seksualitetit dhe se si këto qëndrime mund të ndikojnë në aftësitë tona për t’iu qasur seksualitetit nga një perspektivë pozitive dhe fuqizuese është një mundësi për t’i sfiduar narrativat e dëmshme patriarkale të shoqërisë mbi seksin dhe seksualitetin. Njerëzit duhet të kenë të drejtë të shprehin dilemat, pyetjet, dëshirat seksuale pa u përballur me tallje e paragjykim, pa u ndier të  turpëruar deri në izolim, pa përjetuar ndjenja të inferioritetit, pamjaftueshmërisë, paaftësisë dhe pafuqisë.

Andaj një nismë e tillë me një qasje këshillimi feminist të bazuar në seksualitet dhe intimitet të shëndoshë mundëson tejkalimin e përjetimit të turpit seksual. Kështu krijohet hapësira që të angazhohemi kolektivisht për të krijuar së bashku një shoqëri më të hapur e për të gjetur rrugën tonë drejt dashurisë dhe pranimit më të thellë të vetes dhe të të tjerëve.

Imazhi i ballinës: K2.0.