Në një pasdite të freskët të këtij gushti, në dhomën e takimeve në Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë, hyn një grua e re në të 20-at e vonshme. Thatanike, me një bluzë sportive që ja mbulon shtatzëninë pesë muajshe. Për të, kjo është hera e tretë brenda 5 viteve në strehimore për të mbijetuarat e dhunës në familje, ku ka ardhur për t’i ikur dhunës dhe torturës së burrit të saj 32 vjeçar, me të cilin e ka një vajzë katër vjeçare.
“Herën e fundit kur m’ka rreh, ftyrën e kam pas të çallamitne. Ma ka mshu me çka ka mujt”, thotë ajo duke treguar me dorë nga ana e djathtë e fytyrës, në të cilën nuk ka mundur të flejë për netë të tëra pas sulmit.
“Po mirë që ka pshtu beba, sepse atë natë, unë jom kon e ulme në gjak”, thotë shtatzëna nga Gjakova, me zë dhe shikim të mprehtë.
Ky, sipas saj, ishte momenti vendimtar për të ikur përfundimisht nga ai në pranverë të këtij viti.
Duke e vlerësuar rastin si tejet të rëndë, policia e kishte dërguar burrin e saj në paraburgim të menjëhershëm por gjykata e ka dënuar me vetëm gjashtë muaj burg dhe ai pritej të lirohej në nëntor të këtij viti.
Më pas, në dhomën e takimit hyn 33 vjeçarja nga Deçani me linja të hijshme në fytyrën e stërlodhur.
“Tona sendet i kam provu prej tij. Ka provu me më therr me thikë, m’ka qitë jashtë, gjithë dimrin kam fjetë jashtë. Ka provu me m’kall me benzin. Edhe kryt në shporet ka provu me ma shti”, tregon ajo për dhunën fizike dhe emocionale nga burri i saj, me të cilin u martua si e mitur 16 vjeçe pa miratimin e familjes së saj.
“E floktë? Unë i kam pas flokët deri këtu”, thotë ajo derisa tregon me dorë tek gjysma e shpinës. “Por më kanë ra. M’i pat nukë flokët. Pesë muaj s’kom pas këtu flokë hiq”.
Një 32 vjeçare nga një fshat në Rrafshin e Dukagjinit, nënë e pesë fëmijëve, rrëfen për përvojën e saj:
“Atë natë nuk muj me harru kurrë për jetë”, tregon ajo për natën e cila ka qenë vendimtare për martesën e saj të dhunshme tash e shtatëmbëdhjetë vite. “M’ka qu në një far mali. Ka qenë ora 12 e gjysë. S’ka pas drita, s’ka pas shpija, s’ka pas send. Nuk disha ka me ia mbajt, ka me shku, çka me bo”.
Duke u akuzuar vazhdimisht për tradhti nga bashkëshorti i saj, ajo tregon se atë natë është frikësuar për jetën e saj.
Për pyetjen se a ka pasur raste kur ato nuk kanë dashur të kryejnë marrëdhënie seksuale por burrat i kanë detyruar, përgjigjet janë krejtësisht tjera.
Pasi që e kishte lënë në mal për 20 minuta, ai ishte kthyer përsëri duke i thënë: “Jo, unë nuk t’lo ty, ti me dal në rrugë, me gjet rrugën e mu kthy prapë. Une kom me gjet ni vend tjetër ku ti s’mundesh me dal mo prej atyshit, që me të hongër naj send, dhe mos me lonë gjurmë që unë t’kom mbyt”.
Refuzimit të saj për të hyrë në veturë, ai i ishte përgjigjur duke e tërhequr zvarrë përtokë dhe duke e përplasur për veturë. Të grithurat në duar i ka ende të freskëta.
“S’ki qare pa hyp se kam me të mbyt, kam me të rrjep me skallper pak ka pak”, e kujton ajo kërcënimin e tij, të cilin ishte e bindur se do ta bënte.
Pyetjes “Po dhunë seksuale a ke pas nga burri?”, secila nga këto gra i përgjigjen shpejt dhe lehtë me “Jo”.
Ndërkaq për pyetjen se a ka pasur raste kur ato nuk kanë dashur të kryejnë marrëdhënie seksuale por burrat i kanë detyruar, përgjigjet janë krejtësisht tjera.
“Po unë kurrë s’kam dashtë”, thotë deçanasja. “Por s’kam guxu me i thonë”.
Edhe nëna e 5 fëmijëve jep përgjigje krejtësisht tjetër në një pyetje të ngjashme. Por ajo e veçon një rast që për të kishte qenë më i vështiri.
“Unë jam operu para katër muajve prej veshkës”, thotë jo. “Kam hek gurë dhe operacioni ka qenë shumë i ndërlikum. Edhe nuk kam guxu me pas marrëdhanie sepse edhe kanalet e urinës i kam [pas] çelë”.
Arsyetimit të saj që nuk guxon për shkak të gjendjes, se është edhe këshillë e mjekut për shkak të operacionit të rëndë, ai i ishte përgjigjur me: “Me kon e ki kry pra mbase s’po mundesh me mu?”
“Nëse i ke thonë jo, je rreh edhe njëherë ma shumë”, thotë shtatzëna. “Ai ka dashtë me pas kënaqësinë e vet. Ai thjeshtë e ka bo edhe nëse unë në ato momente kam qenë tu kajt edhe i kam thanë që s’po du. Detyrim ka qenë dhe je detyru me bo se s’ke pas rrugëzgjidhje tjetër”.
Dhuna seksuale nga bashkëshorti, bashkëjetuesi, apo partneri është formë dhune që njihet si vepër penale në shumë vende nga bota dhe rajoni. Ndërkombëtarisht njihet me termin ligjor ‘përdhunim martesor/bashkëshortor”.
Në Kosovë ka shumë pak informacion dhe vetëdije për këtë formë të dhunës ndaj grave. Për gratë që e përjetojnë atë, një nga sfidat më të vështira mbetet të flasin haptas dhe të kërkojnë përkrahje të denjë institucionale dhe shoqërore.
Qasja institucionale ndaj përdhunimit martesor
Deri më tani, dhuna seksuale në familje është adresuar duke iu referuar Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Ligjit për Barazi Gjinore, Kodit Penal dhe dispozitave të tjera ligjore që bazohen në konventat ndërkombëtare dhe rregullohen përmes Kushtetutës së vendit. Edhe pse ka munguar një bazë e qartë ligjore që do të adresonte dhunën seksuale në martesë në veçanti, prapë se prapë kanë ekzistuar elemente të mjaftueshme ligjore për ta adresuar atë.
Për shembull, Ligji kundër Dhunës në Familje në kuadër të përkufizimit për “dhunë në familje” përfshin “marrëdhënien seksuale pa pëlqim dhe keqtrajtimin seksual” si kategori që ndërlidhet me dhunën seksuale në martesë. Kodi Penal në kuadër të nenit 230 përfshin “degradimi i integritetit seksual”.
Ndërkaq, neni 3 i Ligjit për Barazi Gjinore e definon dhunën me bazë gjinore si “të gjitha aktet e dhunës që rezultojnë apo kanë të ngjarë të rezultojnë në dëmtim apo vuajtje fizike, seksuale, psikologjike, sociale apo ekonomike në baza gjinore, duke përfshirë kërcënime për akte të tilla, shtrëngim, apo heqje arbitrare të lirisë, qoftë kur kjo ndodh në jetën publike apo private”.
Por sfida kryesore që mbetet është se kjo formë e dhunës ndaj grave nuk raportohet në institucione.
“Neve grave na vjen njëfarë marre me e cek [dhunën seksuale] kur dalim në gjykatë”, thotë shtatzëna nga komuna e Gjakovës. “Në shumicën e rasteve edhe s’e përmendim hiq”.
Sakibe Doli është konsulente për gratë viktima të dhunës në familje dhe për 19 vjet ka qenë drejtore e Shtëpisë së Sigurt në Gjakovë. Ajo tregon se gjatë përvojës së saj 20 vjeçare me viktima të dhunës në familje, gratë kryesisht pohojnë të kenë përjetuar vetëm dhunë fizike dhe psikike nga burrat e tyre.
Sakibe Doli, e cila ka 19 vjet përvojë pune me viktima të dhunës në familje, thotë se plot gra raportojnë vetëm dhunë fizike dhe jo përdhunim martesor. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Sipas saj, nga afro 1000 gra dhe vajza të strehuara në Shtëpinë e Sigurt gjatë këtyre 19 viteve, vetëm pesë janë shprehur haptas për dhunën seksuale nga burri. Doli përmend rastin e një gruaje 49 vjeçare, nënë e tre fëmijëve të rritur, e cila tetë vite më parë, ishte përdhunuar dhe torturuar seksualisht nga burri i saj me mjete të ndryshme.
“Format që burri i saj i ka përdorur kanë qenë tmerruese, të pakapshme”, thotë ajo. “Ajo ka vuajtur shumë dhe prandaj edhe ka folur për atë formë dhune”.
Por sipas Dolit, gruaja në fjalë ka folur haptas se çka saktësisht i ka ndodhur vetëm në strehimore. Në gjykatë, ajo e ka raportuar vetëm si “dhunë fizike” dhe si rrjedhojë burri i saj është mbajtur në paraburgim por është liruar eventualisht.
Ngjashëm, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku thotë se në karrierën e saj prej tetë vjetësh si mbrojtëse e viktimave në Prokurorinë e Shtetit, ka punuar shumë me gra që kanë përjetuar dhunë seksuale nga bashkëshorti apo partneri i tyre. Por sipas saj, ato asnjëherë nuk kanë dashur ta raportojnë atë formë dhune, por thjesht kanë dashur që të ndalet. Sipas saj, gjithnjë arsyeja pse nuk kanë dashur ta raportojnë ka qenë frika se me një deklarim të tillë po e “prishin familjen”.
Keqekolla-Sadiku thekson vetëm një rast që ajo e ka hasur gjatë karrierës, kur një grua e ka raportuar përdhunimin nga burri i saj.
“Është fjala për një grua nga komuniteti serb. Ajo ka qenë shtatzënë dhe marrëdhënien seksuale e ka pasur të ndaluar nga mjeku për shkak se ia ka rrezikuar shtatzëninë”, thotë ajo. “Por edhe përkundër këtij fakti, ai e ka kry aktin seksual”.
K2.0 ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të kërkuar të dhëna zyrtare në lidhje me dhunën seksuale në martesë. Por, ata kanë lëshuar të dhënat vetëm në kuadër të dhunës në familje.
Dhuna seksuale nga bashkëshorti apo partneri intim nuk është e listuar si kategori më vete, dhe të dhënat për kategoritë ku do të duhej të përfshihej përdhunimi martesor pothuajse nuk ekzistojnë fare. Nga të dhënat e Policisë, në 2018 janë raportuar vetëm tri raste të përdhunimit, në 2017 asnjë, dhe në 2016 vetëm një.
Sa i përket kategorisë ‘degradim i integritetit seksual’, në të dhënat e policisë del se nuk ka pasur asnjë rast të raportuar në 2016, 2017 dhe 2018.
Ngjashëm, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka ofruar K2.0 të dhënat të përgjithshme statistikore rreth “Veprave Penale kundër Integritetit Seksual” dhe është vështirë të kuptohet nëse lëndët e pranuara nga gjykatat themelore kanë të bëjnë me dhunën seksuale nga bashkëshorti apo partneri.
Një nga faktorët që i shtyjnë gratë të mos e raportojnë përdhunimin martesor është qasja shpeshherë seksiste e zyrtarëve policorë dhe gjykatësve, dhe mënyra se si ata i trajtojnë ato pak raste të raportuara nga gratë.
Bashkëshorti i saj ia theu dorën, ia çau kokën me gotë qelqi dhe ia qethi flokët, por ajo thotë që dhuna seksuale ishte më e vështira për t’u përballuar.
Një tjetër nënë e pesë fëmijëve, 34 vjeçarja e strehuar në Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Pejë, thotë se burri i saj jetonte edhe me gruan e dytë në shtëpinë e tyre — me siguri me asnjërën nuk kishte martesë zyrtare. Ai i detyronte ato të kryejnë akte seksuale të cilat i shihte në filma pornografikë.
“Ai dojke me bo treshe, me neve dy grave”, thotë ajo. “Po unë nuk mujsha. Nuk më pëlqejke. Por ai më kapke me zor”.
Gruaja në fjalë tregon se ai ia kishte thyer dorën, ia kishte çarë kokën me gotë qelqi dhe ia kishte qethur flokët, por thotë se dhuna seksuale ishte më e vështira për t’u përballuar. Sipas saj, edhe pse policia e çoi në strehimore për shkak të dhunës së dukshme fizike, atyre nuk u la përshtypje rrëfimi i saj për dhunën seksuale dhe nuk inicuan rast kundrejt burrit të saj.
“Institucionet tona nuk janë aktive sepse në thelb nuk janë pro-viktimë. Nuk kanë qasje pro-viktimë”, thotë Eliza Shporta, psikologe dhe punonjëse prej shtatë vitesh në Departamentin e Drejtësisë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të viktimave.
Sipas Shportës, nga përvoja e saj me programe trajnuese me prokurorë dhe gjyqtarë, shumë prej tyre e pranojnë dhunën fizike si formë legjitime të dhunës. Por, ajo thotë se ata kanë nevojë që më tej ta kuptojnë dhe pranojnë ‘dhunën në familje’ si term, e pastaj t’i trajtojnë institucionalisht si duhet format e saj.
Rasti i Antigona Morinës solli në vëmendje të publikut praninë e përdhunimit martesor dhe mosefikasitetin institucional për të trajtuar këto raste.
29 vjeçarja nga fshati Radoc i Komunës së Rahovecit, vdiq tri ditë pas martesës në 2012, si pasojë e hemoragjisë së vazhdueshme. Sipas dëshmive të ndryshme, burri i saj Hilmi Zena vazhdoi të sforconte marrëdhënien seksuale me të pavarësisht se ajo kishte gjakderdhje të rëndë nga gjenitalet, dhe as që e dërgoi te mjeku.
“Antigona Morina është rast konkret i përdhunimit martesor”, thotë aktivistja Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Por Prokuroria Themelore e Gjakovës, duke u thirrur në Kodin Penal, e klasifikoi rastin në fjalë si “shkelje e detyrimit familjar” dhe e ngarkoi burrin e saj vetëm me përgjegjësinë e “mosdhënies së ndihmës mjekësore” qysh në ditën e dytë të gjakderdhjes.
Më 8 mars 2019, vëllai i Antigona Morinës iu bashkua protestës së grave, ku u kundërshtuan format e ndryshme të dhunës në familje dhe të dhunës me bazë gjinore. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
“Shkelje e obligimit familjar mund të jetë nëse burri nuk t’i jep dy euro për të blerë peceta sanitare menstruale”, thotë Berisha. ”Por jo nëse burri të përdhunon deri në vdekje”.
Përvoja e Rjetit të Grave të Kosovës me zyrtarë ligjorë përmes diskutimeve dhe monitorimit të punës së tyre, e përforcon dëshminë se mendësia patriarkale dominon në mesin e shumë gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve. Marrëdhëniet seksuale në martesë shpesh konsiderohen obligim i gruas ndaj burrit të saj.
“Dhuna seksuale në martesë kuptohet nga shumë pak prej tyre si formë dhune”, thotë Berisha.
Në mars 2018, Rrjeti i Grave të Kosovës organizoi protestën “Drejtësi për Antigonën” dhe angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi për të përfaqësuar familjen e saj pasi që Gjykata e Apelit vendosi për rigjykim të rastit. Përpjekja rezultoi me dënimin minimal prej 2 vjetësh të Zenës.
Ky dënim relativisht i shkurtër nuk u mirëprit nga OJQ-të që luftuan për drejtësi në emër të saj. E për më tepër, OJQ-të në shumicën e rasteve vazhdojnë të mbesin hapësirat e vetme të sigurta ku dëgjohen dëshmitë e grave që i kanë mbijetuar çfarëdo forme të dhunës.
Ngjashëm ka qenë edhe me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. U deshën afro 18 vjet pas luftës që shoqëria të fillojë ta adresojë me dinjitet temën e përdhunimeve që ndodhën gjatë luftës.
Realisht, kjo ndodhi tek pas rrëfimit të Vasfije Krasniqi Goodman e cila në tetor 2018 foli publikisht si e mbijetuar e mitur e dhunës seksuale gjatë luftës.
Por për shumë gra që i mbijetuan dhunës gjatë luftës, abuzimi seksual nuk përfundoi aty.
Në transmetim të drejtpërdrejtë në televizion ajo i tregoi publikut kosovar se si në prill të vitit 1999 ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët në Vushtrri nga një serb në uniformë, për t’u përdhunuar më pas në dy lokacione të ndryshme në fshatin Babimoc nga dy persona të ndryshëm.
Rrëfimi i saj zgjoi dhembshuri tek audienca kosovare, u intesifikua debati për njohjen ligjore të të mbijetuarave të dhunës seksuale si të dëmtuara të luftës, Vasfija u dekorua me medalje Presidenciale, dhe me iniciativë të ish-Presidentes Jahjaga, ajo e ndau rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale edhe para Kongresit Amerikan.
Por për shumë gra që i mbijetuan dhunës gjatë luftës, abuzimi seksual nuk përfundoi aty.
Nga përvoja 12 vjeçare me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, Selvi Izeti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se përdhunimi martesor është shumë i pranishëm edhe te të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Sipas saj, për shumë burra, fakti se gratë e tyre janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës përbën traumë të cilën nuk e përballojnë. Si rrjedhojë, ata shpeshherë shkaktojnë dhunë të trefishtë ndaj grave të tyre — fizike, psikike, dhe seksuale.
“‘Absolut nuk ndij kurgjo, qëndroj si e akullt, por megjithatë nuk e refuzoj burrin për mos me kriju pasoja të tjera’”, tregon Izeti se çfarë i ka thënë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës.”Marrëdhënia seksuale e nxit traumën tek të mbijetuarat”.
Selvi Izeti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës shpeshherë vuajnë nga abuzimi martesor, përfshirë këtu përdhunimin. Foto: Fikret Ahmeti.
Ajo shpjegon se për këtë arsye shumë të mbijetuara mundohen t’i shmangen seksit me burrat e tyre. Por ato u nënshtrohen atyre edhe kur fare nuk kanë dëshirë vetëm që ata të mos e hetojnë këtë mungesë vullneti dhe gatishmërie për seks dhe si rrjedhojë t’i shmangen ankesave dhe të mos ‘nxisin debat’.
Izeti veçon një rast më ekstrem për të treguar format e abuzimit me të cilat kjo kategori e luftës vazhdon të përballet.
“Burri e detyron gruan të dal për t’i blerë cigare gjatë luftës sepse ka frikë të dalë vet”, thotë ajo. “Në momentin që e shoqja del, kapet prej forcave serbe dhe kthehet në shtëpi krejtësisht e zhveshur. Në ditët e para ai mundohet ta mbështesë, po pastaj fillon me qenë i dhunshëm ndaj saj. Madje edhe pas shumë viteve martesë kur edhe kanë bërë fëmijë bashkë, ai vazhdon ta akuzojë gruan se fëmijët e tyre janë të serbëve”.
Pritshmëritë për Kodin Penal të ri
Përdhunimi martesor në mënyrë eksplicite njihet si vepër penale në shumë vende të zhvilluara demokratike. Në SHBA përdhunimi martesor është kriminalizuar në vitin 1993 në të gjitha shtetet. Ngjashëm, shumë vende të Evropës po ashtu e njohin këtë formë dhune si vepër penale. Në Francë përdhunimi martesor është kriminalizuar në 1992, ndërkaq në Gjermani më 1997.
Konventa e Këshillit të Evropës, e njohur edhe si Konventa e Stambollit, e nënshkruar nga të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së dhe e ratifikuar nga 21 prej tyre, kërkon kriminalizmin e përdhunimit dhe të gjitha akteve të tjera të natyrës seksuale ku nuk jepet pëlqimi.
Në rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, fokusi vihet jo vetëm te ndëshkimi i akteve të pavullnetshme seksuale, por edhe në rastet kur viktima nuk reziston. Ndërkaq Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i referohet Rezolutës 1691 kundër përdhunimit të grave, përfshirë përdhunimin martesor, ku e thekson përdhunimin si krim të rëndë.
“Ka pasur tendencë prej grupeve që kanë punuar në hartimin e ligjeve për ta anashkaluar disi dhunën seksuale. Nuk e di pse."
Naim Qelaj, Ministria e Drejtësisë
Edhe në rajon, përdhunimi martesor përkufizohet si vepër e veçantë penale. Në Serbi dhe Mal të Zi, kjo formë dhune kriminalizohet në mënyrë eksplicite përmes neneve të veçanta që i referohen veprës penale të ‘përdhunimit’ apo kategorive të tjera relevante.
Në Shqipëri, përdhunimi martesor dënohet nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burg dhe përmes nenit 102 të Kodit Penal dhe përkufizohet si “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura apo midis bashkëshortëve apo bashkëjetuesve, pa pëlqimin e njërit prej tyre”.
Në Kosovë, Kodi i ri Penal i cili ka hyrë në fuqi në prill 2019, tani e njeh dhunën në familje si vepër penale dhe dhunën seksuale si një nga format e saj. Ekspertë ligjorë, njohës të fushës së drejtësisë, dhe aktivistë të shoqërisë civile e konsiderojnë këtë zhvillim si hap tejet të rëndësishëm drejt kriminalizimit të dhunës seksuale në familje.
“Ka pasur tendencë prej grupeve që kanë punuar në hartimin e ligjeve për ta anashkaluar disi dhunën seksuale. Nuk e di pse”, thotë Naim Qelaj, Koordinator Nacional kundër Dhunës në Familje në Ministrinë e Drejtësisë.
Por sipas tij, ka qenë lobimi i grave dhe këmbëngulja e organizatave, agjencive dhe vetë individëve brenda institucioneve, si kontribuesit kryesorë që dhuna në familje sot klasifikohet si vepër penale në Kodin Penal dhe ligjet përkatëse.
“Fillimisht është tentuar që dhunë në familje të konsiderohet dhuna fizike, psikologjike, dhe ekonomike. Por kemi arritur që definicionin ta zgjerojmë edhe në dhunë seksuale”, thotë ai.
Shporta thekson që Kodi i ri Penal është shumë i mirë sepse e ofron një bazë të qartë për ekspertët ligjorë që të marrin në mbrojtje viktimat e dhunës seksuale në familje.
Ajo shpjegon se neni 248 i Kodit Penal thirret në Ligjin kundër Dhunës në Familje, ligj që zbatohet në procedurën civile. Ky ligj e klasifikon qartazi dhunën seksuale në familje si vepër penale kur bëhet pa vullnetin e njërës palë. Po ashtu, thotë ajo, neni 227 i Kodit Penal që e adreson “dhunimin”, e bën me dije që kryerësi mund të jetë “në marrëdhënie familjare me viktimën”.
Edhe Sakibe Doli ka shpresë që kriminalizmi i dhunës në familje përmes Kodit të ri Penal dhe përfshirja e dhunës seksuale si një prej formave të dhunës në familje, do ta vendosë këtë formë dhune në fokus të debatit përmes trajnimeve me zyrtarë institucionalë, ekspertë ligjorë, dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Por pavarësisht hapit të rëndësishëm që është ndërmarrë përmes kriminalizimit të dhunës seksuale në familje përmes Kodit të ri Penal, Qelaj thekson se Kosovës i mungojnë mekanizmat për t’i zbatuar ligjet.
“Ne nuk i fuqizojmë institucionet që do ta zbatojnë ligjin në harmoni me kërkesat që dalin nga ligji”, thotë Qelaj.
Sipas tij, Qendrat për Punë Sociale janë shembuj konkretë të këtij lloj neglizhimi.
“Qendra për Punë Sociale e ka për obligim ta vizitojë jo vetëm viktimën, por edhe familjen e dhunshme të saj, dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt rehabilitimit të viktimës, fëmijëve si dëshmitarë të dhunës, dhe burrit dhunues."
Lumturije Ibra, Qendra për Mirëqenien e Gruas (Pejë)
Qendrat për Punë Sociale që financohen nga komunat përkatëse kanë për detyrë të ofrojnë përkujdesje sociale apo këshillim për cilindo qytetar e qytetare që i mungon përkrahja nga familja apo komuniteti, ndihet në rrezik apo i/e neglizhuar, shfrytëzuar, abuzuar apo kërcënuar nga të tjerët. Sipas detyrimeve që rrjedhin nga Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, qendrat mbajnë një regjistër të njerëzve në nevojë në rrethinën ku jetojnë dhe caktojnë vizita të rregullta për mbikqyrje të sigurisë dhe mirëqenies së tyre.
Por Lumturije Ibra, koordinatore në Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Pejë, thotë se pavarësisht se çka dikton ligji, Qendra për Punë Sociale në Pejë nuk e ka marrë fare parasysh rastin e dhunës seksuale të përjetuar nga 34 vjeçarja, nëna e pesë fëmijëve që u strehua në strehimoren në Pejë.
“Qendra për Punë Sociale e ka për obligim të vizitojë jo vetëm viktimën e strehuar tek ne, por edhe familjen e dhunshme të saj, dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt rehabilitimit të viktimës, fëmijëve si dëshmitarë të dhunës, dhe burrit dhunues”, tha ajo.
Një raport monitorues i vitit 2017 nga Rrjeti i Grave të Kosovës rreth reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë, thotë se Qendrat për Punë Sociale, roli bazë i të cilave është t’i përkrahin dhe fuqizojnë të mbijetuarat e dhunës, dështojnë në këtë rol. Raporti thotë se përveq që financimi nga komuna nuk mjafton, në Qendra ka punonjës të pakualifikuar për t’u marrë me rastet e dhunës në familje. Disa prej tyre as nuk janë të njoftuar me Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020.
Po ashtu, raporti në fjalë thotë se financimi nga komuna nuk mjafton dhe kjo ndikon shumë në cilësinë dhe seriozitetin e punës së Qendrave për Punë Sociale.
‘Rehabilitimi’ i ushtruesve të dhunës
Për ta adresuar dhunën seksuale në përgjithësi dhe përdhunimin martesor në veçanti, nevojitet ndryshim thelbësor në pikëpamje dhe qëndrime.
“Një kurvë më pak në këtë botë”, kishte komentuar një burrë në postimin në Facebook të lajmit për vrasjen me thikë të 32 vjeçares kosovare në gusht të këtij viti në Gjermani nga ish bashkëshorti i saj. Ky i fundit vrau po ashtu një burrë 23 vjeç nga Afganistani, i raportuar të ketë qenë partneri i viktimës.
“Për hajduti dhe kurvni gjaku shkon huq”, kishte komentuar një tjetër në postimin e lajmit në Facebook për rastin e 41 vjeçares e cila u vra me 15 plumba nga bashkëshorti i saj 60 vjeç në Gjilan në korrik të këtij viti.
“Nëse e ka tradhëtu, gjyna mos me ja shti nja 100 plumba në bark”, kishe shkruar tjetri.
Komente të tilla shpesh shihen ose dëgjohen në hapësira të ndryshme publike. Dhe institucionet vendore nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete për ta sfiduar këtë mendësi të fajësimit të viktimës.
“Puna me kryerësit e dhunës duhet me qenë pjesë esenciale e përpjekjeve kundër dhunës ndaj grave."
Sakibe Doli, konsulente për gratë viktima të dhunës në familje
Qysh pas përfundimit të luftës në 1999, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë program institucional që është marrë me dhunuesit. Për herë të parë, Shtëpia e Sigurt në Gjakovë së fundmi ka ndërmarrë një projekt të vogël dhjetë muajsh për të punuar me ushtruesit e dhunës në familje.
“Puna me kryerësit e dhunës duhet me qenë pjesë esenciale e përpjekjeve kundër dhunës ndaj grave, që duhet punuar paralelisht me përpjekjet e tjerat”, thotë Doli. Sipas saj, kjo është e obligueshme me konventat ndërkombëtare si Koventa e Stambollit, apo edhe me mekanizmat kombëtarë si Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016-2020.
Plani në fjalë e vë në fokus rëndësinë e punës me kryerësit e dhunës fillimisht duke i vendosur përpara përgjegjësisë për krimin e kryer dhe më pas duke e institucionalizuar trajtimin rehabilitues për ta.
K2.0 e ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë për të kuptuar më shumë rreth programeve rehabilituese që shteti i Kosovës i ofron për kryerësit e dhunës në familje. Sipas Zyrës së Koordinatorit Nacional kundër Dhunës në Familje, Udhëzimi Administrativ 12/2012 i nxjerrë në bazë të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, e specifikon që trajtimi psikosocial për kryerësist e dhunës në familje kryhet në institucionet shëndetësore, sociale dhe nga organizatat joqeveritare me ekspertizë për trajtimin dhe rehabilitimin e kësaj kategorie.
Por nga informacioni i pranuar kuptohet që shumica e programeve fokusohen në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të personave me probleme psikike. Ndërsa vetëm njëri prej tyre, (ky i Shtëpisë së Sigurt në Gjakovë) fokusohet “në ndryshimin e sjelljes së personave që përdorin dhunë, abuzojnë apo shkaktojnë padrejtësi ndaj bashkëshortes (partneres) dhe fëmijëve të tyre”.
“Ne jemi fokusuar te sjelljet agresive sepse nuk jemi të specializuara për t’u marrë me kategorinë e burrave që duhet trajtuar nga entet shëndetësore”, thotë Doli.
Sipas Dolit, ky projekt solli rezultate të kënaqshme përmes sesioneve informuese se çka është dhuna, si manifestohen format e ndryshme të dhunës, prezantimit të mënyrave konstruktive, jo të dhunshme të reagimit, si dhe lojës me role ku kryerësi i dhunës vihej në pozicion të viktimës.
Ajo thotë se përmes këtij programi kanë arritur të punojnë me katër persona. Njëri rast u ka dështuar për shkak se stafi i Shtëpisë së Sigurt të angazhuar në këtë projekt, e kanë vlerësuar se personi në fjalë i takon trajtimit të formës spitalore përmes enteve shëndetësore. Ndërkaq puna me tri rastet e tjera, dy prej të cilëve kanë qenë burrat e grave të strehuara, dhe njëri që u ka ardhur me rekomandim të gjykatës, ka dëshmuar për ndryshim të sjelljes së tyre dhe kjo është vërtetuar me monitorimin që stafi e ka bërë në shtëpitë e burrave në fjalë dhe përmes bisedave me gratë e tyre.
Por kjo përvojë modeste pune me ushtruesit e dhunës ka vënë në pah nevojën emergjente që rehabilitimi i ushtruesve të dhunës të obligohet nga gjykata.
“Ndryshe është kur vjen me urdhër nga gjykata dhe ndryshe kur vjen vullnetarisht”, thotë ajo. “Kjo [urdhërimi i ushtruesve të dhunës për të marrë pjesë] do të ishte një praktikë e mirë dhe shumë më efektive se sa [vetëm] burgu”.
Për autonominë trupore të grave
Në Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë, teksa kujton përdhunimin nga burri i saj, deçanasja thotë:
“Unë s’kam dashtë kurrë. Hiq. Si grua s’e kam përjetu kurrë atë ndjenjë [të kënaqësisë seksuale]. As nuk e di qysh është ajo ndjenjë”, thotë ajo.
Fjalët e gruas dëshmojnë se siguria dhe mbrojtja e grave nga përdhunimi martesor çojnë drejt diskutimit më të madh për luftën e grave për të vendosur në mënyrë të pavarur për trupat e tyre.
“Pyetja është se sa gratë kanë kontroll mbi trupin e tyre?"
Eliza Shporta nga Departamenti i Drejtësisë në Ambasadën e SHBA-së
Shporta thotë se kjo formë dhune na tregon se si grave u mohohet autonomia trupore dhe hapësira e sigurtë për të shprehur lirshëm atë të drejtë bazike njerëzore.
“Pyetja është se sa gratë kanë kontroll mbi trupin e tyre, dhe ky koncept nuk kuptohet as prej popullatës në përgjithësi dhe as prej grave në veçanti”, thotë ajo.
Duke iu referuar pafuqisë së grave për t’ju thënë “jo” burrave të tyre, Doli e quan shoqërinë kosovare “shoqëri meshkujsh”.
Sipas saj, viktimat e dhunës në familje që kërkojnë ndihmë në Strehimore të Kosovës nuk janë të vetmet që preken nga dhuna seksuale bashkëshortore. Duke u nisur nga besimi i vjetëruar se seksi është ‘punë e burrit’, apo obligim martesor që gruaja duhet ta përmbushë, Doli thotë se kjo formë dhune mund t’i prek edhe gratë që qëndrojnë mirë ekonomikisht, ushtrojnë ndonjë profesion apo kanë diplomë universitare.
“Mendoj që çdo e dyta grua mund të preket nga ky fenomen”, tha Doli.
Vjollca Suldashi, trajnere e angazhuar në organizatën Gratë për Gratë — Kosova, punon në terren me gra amvise shqiptare, serbe, rome dhe ashkalike të grupmoshave 18-60 vjeç që prej 14 vitesh. Përvoja e saj me këto grupe grash nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, tregon se ato kryesisht nuk i njohin të drejtat e tyre dhe si rrjedhojë nuk mendojnë se po u shkelen ato.
“Gratë në martesë nuk e njohin të drejtën mbi trupin e tyre, se vetëm ato vendosin për trupin e tyre dhe cilat kontakte trupore i lejojnë dhe cilat jo”, thotë Suldashi.
Vjollca Suldashi thotë se gjatë punës së saj me trajnime, u bë e qartë që gratë e komuniteteve të ndryshme kanë tendencë të mos kenë informata dhe njohuri për të drejtat e tyre. Foto: Fikret Ahmeti.
Ndërsa Izeti thotë se psiko-edukimi përmes plan-programeve shkollore dhe politikave të tjera edukative është themelor për aspektin seksual. Por po aq e rëndësishme sipas saj, është të theksojmë rëndësinë, deri tash të mohueshme të grave, që ta shprehin lirshëm dëshirën dhe nevojën për marrëdhënie seksuale.
“Duhet të flasim jo vetëm rreth njohjes së konceptit të miratimit apo marrjes së pëlqimit, por edhe për vetë kënaqësinë seksuale të gruas”, thotë ajo.
Linda Gusia, sociologe dhe bashkëthemeluese e Programit për Studime dhe Hulumtime në UP, sugjeron që përveç ‘dhunës në familje’ të flitet edhe për konceptin ‘dhunë ndaj grave’. Dhe kjo pasi që ‘dhuna ndaj grave’ ngërthen përmasat pandemike që dhuna ka marrë në Kosovë dhe globalisht.
“Dhuna ndaj grave nënkupton dhunën seksuale, fizike, riprodhuese, dhe ekonomike e cila mund të vijë nga individi por edhe nga sistemi dhe shteti”, shpjegon ajo.
“Përpjeket feministe duhet të fokusohen më shumë në artikulimin publik se dhuna ndaj grave nuk është fenomen i izoluar por është simptomë e pabarazisë gjinore në shoqëri,” thotë Gusia. Sipas saj, dhuna është e ndërlidhur me problemet e përgjithshme shoqërore, ekonomike dhe politike, dhe na mbetet të punojmë më shumë “që të bëjmë të dukshme ndërlidhjen”. K
Redaktuar nga Ervin Qafmolla
Redaktim shtesë: Besa Luci dhe Tringë Sokoli.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.