Në thelb | Ambienti

Ndotja: Si ndodh ndryshimi

Nga - 08.02.2018

Si ndihmoi aktivizmi për ta pastruar ajrin nëpër botë.

Duke vozitur në Bulevardin Bill Clinton, papritmas përballemi me një kolonë të madhe të veturave. Tingujt e borive përzihen me ato të metalit që vinë nga një dyqan i një farkëtari, si dhe zhurma e largët e një gjeneratori. Mbi të gjitha shihet një re e smogut, e krijuar nga stufat që djegin drurë, termocentralet e linjitit dhe rritja e ngadalshme por e vazhdueshme e infrastrukturës.

Zhvillimi i Prishtinës gjatë dhjetë viteve të fundit ka shkaktuar rritje të pasurisë, biznesit dhe projekteve të përmasave të mëdha. Megjithatë, progresi më i madh ka shkaktuar më shumë ndotje, dhe qytetarët e Prishtinës filluan ta ngrisin zërin prapa maskave të tyre.

Por shtrohet pyetja: a mjafton aktivizmi i komunitetit për të ndikuar në ndryshime të politikave afatgjatë në Kosovë? Për të mësuar më shumë, K2.0 analizoi aktivizmin mjedisor të disa prej vendeve më të ndotura në botë.

Fillimisht është e domosdoshme ta analizojmë koston e vërtetë që e ka ndotja për një shoqëri. Sipas një raporti të publikuar së fundmi në revistën mjekësore The Lancet, ndotja e ajrit është përgjegjëse për rreth 9 milionë vdekje në botë. Edhe ekspozimi ndaj ndotjes në doza të vogla dëmton grupet më të ndjeshme në mënyrë disproporcionale. Me fjalë të tjera, fëmijët, të moshuarit, personat me shëndet të dobët e madje edhe foshnjet e palindura janë më të rrezikuar nga sëmundjet që lidhen me ndotjen. Kjo është veçanërisht relevante për shtetet me nivel të ulët apo të mesëm të të hyrave, ku komunat kanë më pak aftësi fiskale për trajtimin e problemeve të natyrës afatgjatë.

Këto çështje i bëjnë presion sistemit të shëndetësisë dhe ekonomisë, por pavarësisht kësaj, trajtimi i ndotjes së ajrit rrallëherë bëhet prioritet politik, derisa të arrihet një pikë e rrezikshme.

Në SHBA, Los Angjeles arriti disa pika të rrezikshme para se përfundimisht të miratoheshin ndryshimet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, rritja masive e prodhimit në industrinë aeronautike u kombinua me rritjen e madhe të popullsisë për të krijuar një perde të smogut aq të trashë sa që u bë i famshëm rasti kur njerëzit dyshonin për ndonjë sulm kimik të japonezëve.

Los Angjeles dhe Prishtina e ndajnë një problem të ngjashëm topografik që i bën ato më të prekshme ndaj ndotjes. Të dy qytetet janë të shtrira në lugina të thella dhe të rrethuara me male. Këto kushte krijojnë një fenomen që quhet përmbysja e temperaturës. Kjo përmbysje e temperaturës vepron si grackë për ndotjen, duke e përqendruar problemin mbi qytet dhe duke e bërë më të lehtë ndotjen dhe më të vështirë pastrimin.

Sezona e ndotjes

Megjithatë, Prishtina përballet me vështirësi të shtuara për shkak të niveleve të larta sezonale të ndotjes gjatë muajve të dimrit kur energjia elektrike kërkohet më së shumti dhe stufat që djegin dru përdoren në masë të madhe për ngrohje. Kjo do të thotë se problemi i ndotjes bëhet më i spikatur gjatë dimrit por kryesisht harrohet gjatë muajve të verës, duke e bërë të vështirë të kemi një nivel të qëndrueshëm të aktivizmit.

Luan Shllaku, aktivist mjedisor dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), u shpreh për vështirësitë e ndotjes sezonale në Prishtinë. “Me këtë problem jemi përballur në 40 vitet e fundit dhe njerëzit ose nuk janë të vetëdijshëm, ose nuk janë të interesuar”, tha ai për K2.0. “Kur njerëzit janë të vetëdijshëm për këtë problem, ata mund të reagojnë. Ne nuk reagojmë gjatë verës, por e presim dimrin”.

Pa presion të vazhdueshëm ndaj politikanëve nëpërmjet publikut dhe mediave është e vështirë të imponohet ndryshimi në sferën politike.

Për shkak të mungesës së luhatjeve sezonale dhe rritjes së vazhdueshme të industrisë në Los Angjeles, ndotja ishte fakt i përditshëm i jetës për banorët e këtij qyteti prej viteve të ‘40-a. Fillimisht ky problem u mohua nga industritë automobilistike dhe të naftës në Karolinën e Jugut. Në fund filluan protestat. Në vitin 1954, pra para shumë kohe, mijëra njerëz filluan ta ngrisnin zërin për cilësinë e ajrit në Los Angjeles.

Në fund estrada e Hollywood-it e mori në dorë këtë kauzë. Ata u vënin fëmijëve të tyre maska dhe i merrnin me vete në ngjarje shoqërore. Shtypi i adhuronte këto pamje. Në fakt, këto ishin protestat e para moderne për mjedisin në Shtetet e Bashkuara të cilat shfrytëzonin qytetarët privatë dhe mediat lokale.

Ndotja e ajrit në Los Angjeles në mes të shekullit XX arriti nivele që nxitën protesta anembanë vendit, dhe në to u përfshinë edhe yjet e Hollywood-it. Foto: Creative commons.

Roli i mediave të reja u bë faktor vendimtar në protestat e fundit për mjedisin në Prishtinë, në të cilat morën pjesë qindra njerëz të cilën dolën rrugëve për ta shprehur kundërshtimin e tyre ndaj niveleve “të rrezikshme” të ndotjes së ajrit.

Luan Shllaku foli për rëndësinë e mediave dhe rrjeteve sociale për krijimin e lëvizjes së fundit për reforma të mjedisit. “Aktivizmi, gazetaria dhe përfshirja e qytetarëve, si dhe mediat e rrjetet sociale, e realizuan këtë”, tha ai. “Kjo ishte hera e parë që njerëzit nuk ishin të ndarë në bazë të politikës në një protestë të këtij lloji”.

Megjithatë, shtrohet pyetja: a do të jenë të aftë qytetarët e Prishtinës ta ruajnë këtë nivel të presionit deri sa të realizohen ndryshimet?

Në Los Angjeles, protestat bazë në fund arritën të realizojnë ndryshime të llojllojshme në politika, duke përfshirë këtu Dekretin e Ajrit të Pastër 1970, i cili krijoi një standard për cilësinë e ajrit në Los Angjeles. Kjo rezultoi edhe me përfshirjen e kontrollit të përvjetshëm të të gjitha automobileve për smog. Ndonëse ndryshimi ndodhi ngadalë – u deshën 20 vjet për të filluar efektet – fushata bazë kundër ndotjes në fund rezultoi me veprime dhe reforma politike.

Fatkeqësisht nuk ndodhi e njëjta gjë në të gjitha vendet. Në shkrimin Environmental Justice: Grassroots Activism and its Impact on Policy Making (Drejtësi mjedisore: aktivizmi bazë dhe ndikimi i tij në politikëbërje), Robert D. Bullard dhe Glenn S. Johnson shkruajnë: “Mbeturinat e rrezikshme dhe ‘industritë e ndyra’ kanë ndjekur rrugën e rezistencës më të rrallë. Njerëzve të varfër dhe kombeve të varfëra u jepet zgjedhja e rrejshme ndërmjet ‘papunësisë dhe moszhvillimit’ kundrejt ‘punës së rrezikshme me paga të vogla dhe ndotje’”.

Zgjidhje afatshkurtë

Ngritja e Kinës si dominuese e prodhimtarisë globale krijoi një katastrofë për mjedisin në këtë shtet komunist. Nivelet e ndotjes së ajrit në Pekin rregullisht arrijnë mbi 250 PM2.5, njësi matëse për grimcat e holla për metër kub të ajrit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) thotë se nivelet e PM2.5 që nuk e rrezikojnë shëndetin janë nën 25.

Këto nivele të rrezikshme të grimcave në ajër kanë bërë që maskat të bëhen pjesë elementare e garderobës për mjedis të jashtëm në Kinë gjatë muajve të dimrit kur ndotja arrin nivelet më të larta. Performuesja amerikane Rebecca Mason-Wygal udhëtoi nëpër Pekin gjatë verës kur ndotja ishte në nivelet më të ulëta. “Të gjithë pjesëtarët e ekipit tim i mundonte kolli i thatë”, tha ajo për K2.0. “Pastaj filluam edhe ne të mbanim maska. Të gjithë vendasit po mbanin maska gjatë gjithë kohës”.

Rrallëherë shpallen ‘ditët e alarmit të kuq’, kur PM2.5 arrin nivele ndërmjet 151 dhe 200. Në ato ditë ka ndodhur që Pekini t’i mbyllë rrugët, ta ndalë prodhimin në fabrika dhe t’i anulojë fluturimet për t’i ulur nivelet e ndotjes. Në vitin 2017, Partia Komuniste e Kinës (CCP) mori masa dramatike për ndaljen apo shtyrjen e ndërtimit të mbi 151 termocentraleve të thëngjillit, si pjesë e përpjekjeve për ta shfrytëzuar gjithnjë e më pak këtë mineral që e nxin qiellin. Por në Pekin duhet të balancohen situatat dhe kërkesat e ndryshme politike.

Kur Kina e trajton problemin e ndotjes, këtë e bën me masa afatshkurta, zakonisht në formë të mbylljes së fabrikave, ndalimit të trafikut apo ndalimit të fluturimeve. Asnjë shtet nuk mund ta tolerojë humbjen e infrastrukturës apo papunësinë masive për një kohë të gjatë, edhe nëse kjo do t’i bënte qiejt më të kaltër.

Kosova ka bërë përpjekje të ngjashme për ta reduktuar ndotjen në afat të shkurtë duke e ndaluar trafikun në Prishtinë për një periudhë të shkurtë. Por këto zgjidhje bëjnë shumë pak për t’i ndalur problemet endemike. Prishtina ka krijuar super autostrada të shpejta dhe i ka lënë termocentralet të funksionojnë për një periudhë shumë më të gjatë se jetëgjatësia e tyre teknologjike.

U planifikua që termocentrali i linjitit, Kosova A, të mbyllej në vitin 2017, por kjo ende nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së një zëvendësimi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kostoja e zhvillimit të tillë urban për mjedisin vjen në formën e niveleve vazhdimisht të larta të grimcave PM2.5 në ajër. Megjithatë, me rritjen e çmimit të energjisë dhe tregtisë së madhe me partnerët rajonalë, Qeveria kosovare po i prioritetizon përfitimet afatshkurta para shëndetit afatgjatë të qytetarëve. Fatmirësisht, publiku mund t’i shprehë dëshirat e veta në Prishtinë.

Zëri publik kundër ndotjes në Kinë kryesisht është heshtur. Muajin e kaluar një protestë në Chengdu, në të cilën u përfshinë veprime si veshja me maska e statujave në qendër të qytetit, rezultoi në një reagim masiv të Qeverisë, e cila e heshti opinionin publik. Qendra e qytetit u mbyll dhe u arrestuan shumë persona.

Kështu përfundon pjesa më e madhe e protestave për mjedisin në Kinë. Partia Komuniste i lejon njerëzit t’u bashkohen grupeve të mjedisit të miratuara nga shteti, por në fund heshten mendimet e publikut në lidhje me ndotjen. Për shkak se Qeveria në Pekin po përpiqet ta menaxhojë një sektor të prodhimit i cili është në lulëzim e sipër, si dhe profilin gjithnjë e më të madh global, siç duket rezultati përfundimtar – në vend të dëshirave të protestuesve – është faktori vendimtar në politikat mjedisore në Kinë.

Fuqia e të dhënave

Qeveria e Kinës nuk është e vetmja që e mban degradimin e mjedisit jashtë listës së prioriteteve.

Në Lahore, Pakistan, nëntori nis me një stuhi të përkryer të ndotjes. Për shkak të djegies sezonale të të korrave, rënies së temperaturës dhe rritjes së industrisë, aktivistët mjedisorë e kanë quajtur nëntorin si “stina e pestë” për Lahoren. Sipas një artikulli që u publikua së fundmi në New York Times, në Lahore kishte ditë kur grimcat PM 2.5 kishin arritur vlerën mbi 1,000 mikrogramë për metër kub.

Pakistani nuk është vetëm në mëshirë të topografisë malore që e kap në grackë ndotjen, por gjithashtu shtrihet në një rajon që po industrializohet gjithnjë e më shumë dhe që ka një popullsi gjithnjë në rritje. Ndotja nuk njeh kufi, dhe kështu ndodh një efekt bashkëveprues ndërmjet ndotjes në Indi dhe Pakistan.

Një ndër vështirësitë sa i përket trajtimit të problemit të ndotjes në Pakistan është mungesa e informimit. Në një deklaratë të Departamentit për Mbrojtje të Ambientit të Qeverisë së Punjab, rajon i Pakistanit ku shtrihet Lahore, u tha se “të dhënat janë të pakta”. Pakistani ende nuk ka filluar ta monitorojë zyrtarisht këtë problem,  prandaj ka një disavantazh të madh sa i përket trajtimit të tij.

Informimi u bë faktor shumë i rëndësishëm për ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për problemin e ndotjes në Prishtinë. Kur Agjencia për Mbrojtje të Mjedisit e Shteteve të Bashkuara (US EPA) nisi ta monitoronte ndotjen në mars të vitit 2016, informatat u bënë publike për popullin e Kosovës. Mediat dhe organizatat e shoqërisë civile filluan t’i publikojnë nivelet e ndotjes, të cilat ishin “të rrezikshme”. Informimi u mundësoi njerëzve të organizoheshin dhe në fund të protestonin.

Lëvizja Shkenca për Ndryshim, organizata e shoqërisë civile me seli në Prishtinë e cila merret me çështje të mjedisit, po mundohet t’i fuqizojë shkencëtarët qytetarë, që ata t’i prodhojnë informatat nëpërmjet arsimimit. Bashkëthemeluesi i organizatës, Ron Salaj, beson se informimi ishte kyç për imponimin e veprimeve politike në Kosovë.

“Në rastin e ndotjes së ajrit, informatat duhet t’i takojnë popullit (dmth. të dhënat për cilësinë e ajrit)”, tha Salaj për K2.0 në një korrespondencë elektronike. “Për shumë vjet, ato u mbajtën të fshehura dhe nuk u zbuluan nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit”.

Lëvizja Shkenca për Ndryshim ka filluar t’i përdorë qytetarët për mbledhjen e të dhënave për cilësinë e ajrit. “Shpresoj që protestat aktuale janë vetëm fillimi i një akti të rezistencës që nuk e trajton vetëm problemin e ndotjes së ajrit, por edhe të përbashkëtat e mjedisit si pyjet, uji, toka, qytetet etj.”, deklaroi ai. Në rastin e standardeve mjedisore, ato që nuk monitorohen, nuk menaxhohen. Shkenca për Ndryshim shpreson që monitorimi më i mirë do të prodhojë menaxhim të shtuar.

Në Lahore, Pakistan, ndotja e ajrit u bë problem i pashmangshëm. Atje qytetarët protestojnë dhe e masin vet cilësinë e ajrit. Foto nga Aima Khosa.

Po kështu, në Pakistan qytetarët e Lahore kanë filluar ta masin cilësinë e ajrit. Grupet si Pakistani Air Quality Initiative (PAQI) kanë filluar të instalojnë monitorues privatë të cilësisë së ajrit për të mbledhur të dhëna mbi të cilat mund të bazohen veprimet e mëtutjeshme. Kjo bëri që të themelohen lëvizjet lokale në Pakistan, në përpjekje për të zhvilluar diskutimin për politikat relevante.

Aima Khosa, aktiviste e The People’s Solidarity Forum, tha për K2.0 në një korrespondencë elektronike: “Shqetësimet në lidhje me mjedisin po shfaqen gjithnjë e më shumë në diskursin publik, sepse ato nuk mund të injorohen më. Uji gjithmonë ka qenë problem, por u alarmuam kur një ditë u zgjuam nga gjumi dhe i gjithë qyteti dukej si një pikturë distopike”.

Një prej vështirësive me të cilat po përballen protestuesit pakistanezë është mungesa e presionit të vazhdueshëm publik që shkakton ndryshime politike. Ndonëse aktivistët po bëjnë hapa të mëdhenj për ta kuptuar përmasën e problemit nëpërmjet matjeve të pavarura, të dhënat janë të padobishme pa vullnet për ta tërhequr vëmendjen e politikëbërësve. “Protestuesit vdesin pasi kalon një cikël i lajmeve”, thotë Khosa. “Qeveria po mundohet, por ndotja nuk është prioritet për ta. Situata pa dyshim do të përkeqësohet”.

Kemi parë se në rastin e Los Angjelesit, aktivizmi i qëndrueshëm politik, në një atmosferë që e lejon atë, ka fuqi t’i shtyjë qeveritë të mendojnë për afat të gjatë, para se të bëhet tepër vonë.

Luan Shllaku, i ulur në zyrën e KFOS-it një ditë pas protestave, thotë se përgjegjësi ka e gjithë shoqëria. “Nuk shoh ndonjë mënyrë magjike për pastrimin e ajrit dhe ujit. Do të përballemi me këto çështje për dy apo tri dekadat e ardhshme. Prishtina është shumë e përparuar në krahasim me rastet e Pakistanit, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Java e kaluar ishte një prej shembujve më të mëdhenj të presionit ndaj Qeverisë që kam parë ndonjëherë. Mund t’i bëjmë presion Qeverisë dhe ta detyrojmë të veprojë”.K

Foto kryesore: K 2.0

  • PËR AUTORIN/EN Eric Czuleger
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO