Agim Kuleta e kujton qartë se si hynë në Prishtinën e lirë për herë të parë.
Ishte nata e 11 qershorit 1999, forcat serbe po tërhiqeshin në veri dhe trupat e NATO-s po hynin në Kosovë pas mbarimit të fushatës së tyre të bombardimeve.
“Prishtinën e kam përjetuar vërtetë në momentin e hyrjes përfundimtare në të,” kujton ai, “Së bashku me bashkëluftëtarët u nisëm me vetura nga malet e Gollakut. Ishte errësirë. Kishim jashtëzakonisht shumë emocione”.
Pas disa vitesh rezistencë, së pari në kryeqytet e më pas në male, ky çast ishte simbolik për djaloshin që dikur ishte detyruar t’i ikte arrestimit duke u fshehur në një kthinë të murosur në katër anë në shtëpinë e xhaxhait të tij në Prishtinë.
Kur arritëm tek tabela e cila tregonte hyrjen në Prishtinë, të gjithë kemi bërtitur nga entuziazmi me sa fuqi që kishim,” thotë ai. “Ishte krejtësisht legjitime. Një herë në jetë përjetohen momente të tilla dhe jo çdo gjeneratë e ka këtë fat”.
Agim Kuleta akoma e kujton ndjenjën e emocioneve të jashtëzakonshme të hyrjes në Prishtinë herën e parë në ditën kur Prishtina u çlirua. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Kuleta ka qenë pjesë e një njësiti gueril të formuar më 1996, të quajtur “Rexhep Mala”, që kishte emrin e një aktivisti politik, i cili ishte vrarë në janarin e vitit 1984 duke bërë luftë guerile në qytetin e Prishtinës si anëtar i organizatës ilegale LPRK — Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.
Para një kohe Kuleta e ka shkruar një artikull që e kritikon narrativën mbizotëruese në Kosovë që priret t’iu përshkruaj tipare supernatyrore shokëve të tij të rënë. Në një prej vlerësimeve të tij, ai thotë se duke dashur t’i nderojmë, ne, pa dashje, ua zvogëlojmë vlerën atyre.
“Ne përpiqemi t’i përshkruajmë ata si të jashtëzakonshëm e me cilësi mbinjerëzore”, thotë ai. “Dhe këtu fillon gabimi”.
Sipas Kuletës, në radhë të parë, ata janë njerëz që dinë të vuajnë, të zhgënjehen, të mallëngjehen, të dashurojnë, të gëzohen, të qeshin e të qajnë. Ata nuk janë figura mitike e nuk përbëjnë mbinjeri.
Rekrutimi klandestin
Njësiti Gueril “Rexhep Mala” ishte pjesë e një organizate tjetër ilegale, Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), e cila i kishte rrënjët në fillim të viteve ‘90.
LKÇK-ja udhëheqej nga Avni Klinaku, njëri nga themeluesit e organizatës dhe ish-i burgosur politik në vitet ’80.
“Me një grup shokësh kemi diskutuar se duhet një subjekt i ri politik që do të mirrej me organizimin e luftës së armatosur deri në arritjen e lirisë”, thotë Klinaku. “Punët e para në organizim i kemi filluar diku më 1992 dhe kanë zgjatur rreth një viti në formë konsulte ndërmjet grupit tonë të rreth 25-30 shokëve”.
Në mars 1993 është themeluar LKÇK-ja në krye me Këshillin e Përgjithshëm të përkohshëm të saj, i cili fillimisht pati 5 anëtarë — Avni Klinaku si kryetar dhe anëtarët Raif Çela, Bahri Fazliu, Sabit Gashi e Mursel Sopi.
Ata menjëherë vendosën që ta botonin gazetën e tyre, që e pagëzuan “Çlirimi”, numri i parë i të cilës është shkruar brenda një muaji, por që u botua në korrik 1993.
“Vonesa erdhi për shkak që asokohe ne e pësuam goditjen e parë me arrestimin e kryeredaktorit, Raif Çelës”, kujton sot Klinaku.
Shumë nga ata që iu bashkuan LKÇK-së ishin të rinj, të sapo dalë nga bankat shkollore. Një rekrut i këtillë qe Valon Murati, i cili sapo kishte hyrë në moshën e maturisë.
“Unë jam anëtarësuar në shtator 1993 si 18 vjeçar bashkë me një grup të shokëve të klasës”, thotë ai. “Ne kemi qenë një grup i shokëve që kemi besuar që pa organizimin e luftës nuk çlirohet Kosova”.
Valon Murati u anëtarësua në LKÇK si 18 vjeçar sapo e përfundoi gjimnazin. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ai e shpjegon se si ata ishin produkt i rrethanave politike — demonstratave të vitit 1988 në mbrojtje të autonomisë, grevës së minatorëve e suprimimt të autonomisë të marsit 1989, si dhe largimit të nxënësve shqiptarë prej objekteve shkollore në vitet 1990-91.
Mësa pjesa dërrmuese e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës në fille të kësaj dekade, posaçërisht në qytete si Prishtina, përqendrohej rreth ngritjes së sistemit arsimor e shëndetësor paralel, si dhe metodave paqësore të mbrojtura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), disa individë tanimë veçse po ndjenin padurim me këto metoda.
“Realisht ne që më 1991 e kishim formuar një organizatë pa emër, përmes të cilës kemi menduar të përgatitemi”, kujton ai. “Ne mblidhnim paratë për ta blerë një revole dhe kemi menduar që me atë armë të fillojmë të bëjmë aksione kundër policisë”.
Këta shokë që ishin në gjimnazin “Sami Frashëri’” e kujtojnë se si i mblidhnin paratë e burekëve për të kursyer para teksa ishin në vitin e dytë të shkollës.
“Në vend se t’i blinim katër burekë, ne i blinim dy dhe i ndanim në katër vende, kurse paratë e dy të tjerëve i kursenim”, kujton Murati. “Kur kemi hyrë në LKÇK, i kemi pasur dikund nja 300 DM dhe ia kemi dorëzuar organizatës”.
Në gjimnaz Murati e kishte pasur kujdestar Shukri Klinakun, vëllain e Avniut. Por, ai ka qenë shumë i kujdesshëm dhe nuk i rekrutoi sa i kishte nxënës.
“Pasi e mbaruam shkollën e mesme dhe u bëmë studentë, atëherë ai na u hap”, thotë Murati. “Edhepse ne tashmë i kishim dyshimet tona që ai di diçka më shumë rreth organizimeve”.
Por, Avni Klinaku e kujton se si u impresionua me këta rekrutë të rinj rishtarë. “Neve na u dhimbsën dhe iu thamë se po e anulojmë anëtarësimin tuaj, por këta thanë se nëse nuk i pranojmë, do të vazhdonin vetë”, duke qeshur Klinaku e kujton se si iu imponuan organizatës këta djem të rinj prishtinas.
Më vonë, vetë Murati do të merrte pjesë në rekrutim të të tjerëve. Ai i kujton dy raste në të cilat thotë se i theu të gjitha rregullat e konspiracionit, duke i rekrutuar shpejt dy të rinj.
“Afër minimarketit tim ka qenë një kafene e serbëve, ‘007’,” thotë ai. “Po del llafi që njëri paska kënduar aty ‘Besa-besë’. Kjo dukej e pamundshme sepse ishte periudha pacifiste kur dy policë na ndjekshin 10 mijë veta”.
Murati thotë se e njihte atë për të cilin thuhej se kishte vepruar ashtu dhe se nuk ia mirrte mendja ta ketë bërë atë njëmend ai.
“Ai ishte tip urban, flokët me gell, i veshur mirë — ishte kamarier tek ‘Hani i Dy Robertëve’, pranë minimarketit tim”, thotë ai, duke iu referuar kafenesë së shqiptarëve që ishte bërë strofull për shqiptarët, diplomatët dhe gazetarët që shkëmbenin informacione gjatë dekadës së viteve ‘90. “Madje, mua s’më pëlqente sepse dukej shumë mendjemadh dhe ishte i vetmi që punonte aty që unë as nuk e përshëndetja”.
Gjonbalaj zuri të besonte se LKÇK-ja paska aftësi të jashtëzakonshme sa që e di edhe kur futet ai në tualet.
Kur një ditë ai kamarieri “i famshëm” erdhi në minimarket, Murati u shoqërua me të, “u shkrinë krejt akujt”, siç thotë Murati sot, dhe filluan të flisnin për rezistencën.
Ai quhej Dritan Gjonbalaj. Një djalë që çdo fundmuaji shikonte në vrimë të derës së apartamentit të tij në Ulpianë për ta parë se kur LKÇK-ja po ia hedh gazetën “Çlirimi”. Rastësisht, sa herë që ai futej në tualet, gazeta hidhej nën derë sa që ai zuri të besonte se LKÇK-ja paska aftësi të jashtëzakonshme sa që e di edhe kur futet ai në tualet.
Ai njashtu e kujton incidentin e këndimit që përfundimisht do ta shpinte drejt rekrutimit nga LKÇK-ja.
“Zullumet ishin të shpeshta në kafenenë ku punoja unë”, thotë ai. “P.sh., ishte një farë Dragan milici që na detyronte të blinim sheqerin që e shiste si haraç. Asokohe në kompleksin “Santeja” ishin disa kafene serbe — ‘Avallon’, ‘007’, etj”.
Ai thotë se ishte duke kaluar andej, një ditë të fillimvitit 1995, kur ata filluan t’ia shanin ‘nënën e Šiptarit’, shprehje kjo përulëse që përdorej për t’i poshtëruar shqiptarët. “U ktheva dhe fillova ta këndoja ‘Besa-besë’. I vetëm”, thotë ai. “Për çudi, asnjëri nuk reagoi”.
Gjonbalaj e kujton se si Murati ia përmendi këtë rast kur pas një kohe ai shkoi në minimarketin e tij. “Kur shkova në market tek ky, ky ma përmendi atë rast”, thotë Gjonbalaj. “Unë u gëzova që takova një djalë si ky dhe doja ta rekrutoja, pa menduar që ky tanimë ishte i organizuar”.
Më pas Gjonbalaj u bë pjesë e LKÇK-së dhe thotë se u bë shok i mirë me Valonin, të cilin pos aktivitetit politik e lidhnin edhe hallet e përditshme, sikurse edhe shija e njëjtë për muzikën.
Dritan Gjonbalaj punonte si kamarier kur u rekrutua në LKÇK prej Valon Muratit më 1995. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Së bashku të dytë e shpërndanin ilegalisht “Çlirimin” banesave të Prishtinës.
“Gjatë shpërndarjes me Valonin, një ditë, një serb na zuri në banesë dhe bërtiti ‘Šta radite ovde?’ (Çka po bëni këtu?)”, kujton Gjonbalaj. “Unë nuk e kam ditur që Valoni mbante armë gjatë shpërndarjes. Sapo ky e nxorri revolen, ai tipi iku. Unë u shtanga. Valoni nuk e kishte as fytyrën për armë, siç nuk e kisha as unë”.
Rasti tjetër i rekrutimit të shpejtë nga Murati ishte me deputetin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliun.
Në prill 1994, një natë vonë, pasi që i përcollën shokët, mbetën vetëm ata dy dhe po flisnin se si vetëm lufta i jep fund shtypjes serbe në Kosovë.
Aliu filloi të fliste se si ishte një gazetë “Çlirimi”, por që ka dalur vetëm një numër, se si aty është Raif Çela, por që e kanë burgosur, se si organizata quhej LKÇK, por që ai mendonte se ishte shkatërruar pas arrestimeve të 1993-ës, kur shumë veprimtarë u kapën nga policia.
Murati e pyet: “Çfarë thua ti nëse të them që as LKÇK-ja nuk është shuar e as ‘Çlirimi’ s’është ndalur?!”
Murati kujton se si Aliu u entuziazmua.
“U befasua sepse nuk e priste që unë e kam ndonjë lidhje”, thotë ai. “Kështu që qysh atë natë i thashë që nesër ta sjell ‘Çlirimin’. Më pas, shumë shpejt ai u bë anëtar”.
Prej propagandës në aksione
Kryetarit të asokohshëm, Klinakut, i dolën jo pak kokëçarje me të rinjtë.
“Këta të rinjtë kërkonin të fillojmë aksionet menjëherë. Ne që ishim struktura më të vjetra insistonim që një herë ta përgatisim popullin politikisht”.
Në pranverën e vitit 1996, LKÇK-ja mori vendim që ta themelonte Njësitin Gueril ‘Rexhep Mala’. Komandant u caktua Agron Rrahmani, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Zëvendëskomandant u caktua Agim Kuleta, kurse anëtarë: Fatmir Humolli, Liburn Aliu dhe Dylber Beka. “Këtyre pastaj ua siguruam edhe një banesë të veçantë sepse ashtu do të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin,” thotë Klinaku.
Klinaku e kujton se si, asokohe, LKÇK-ja, që prej themelimit të saj, njashtu kishte kontakte me UÇK-në – bazat e së cilës u vunë më 1993 nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Por, dallimet e ndeshtrashat e ndryshme e pamundësuan ndër vite formalizimin e çfarëdo bashkëpunimi.
Avni Klinaku, i cili ishte kreu i LKÇK-së gjer kur u arrestua në janarin e 1997-s, thotë se dallimet rreth strategjisë mes organizatës së tij dhe UÇK-së e pamundësuan bashkëpunimin më të hershëm midis LKÇK-së dhe UÇK-së. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Klinaku shpjegon se anëtarët e LPRK-së/UÇK-së të cilët po bëheshin prore më të padurueshëm kur shihnin se si ajo nuk po ndërmerrte aksione ishin Kadri Veseli, Hashim Thaçi e disa të tjerë, të cilët kishin kryer disa aksione në vitin 1993 në Drenicë. “Ishte një grup brenda LPRK-së që zuri të mospajtohej me pacifikimin e saj,” thotë ai, duke shtuar se në sytë e atij grupi “LPRK-ja po bëhej një farë “gjysmë LDK-je’.”
Por, ai thekson se përkundër që LKÇK-ja kish goxha kontakte me ta, grupi i pakënaqur brenda LPRK-së/UÇK-së njëherazi nuk pajtohej as me qasjen e organizatës së tij. “Ky grup pajtohej që duhet luftuar, por jo që paraprakisht duhet t’i përgatisnim masat për luftë,” thotë ai.
Në dhjetor 1996, Klinaku dhe Humolli e kishin caktuar një takim me komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin, në Shipol të Mitrovicës, me qëllim bashkëpunimin më të thellë mes dy grupeve. Por ky takim nuk ndodhi për shkak të vdekjes së beftë, në rrethana të paqarta, të Mehë Ukës – ndërlidhjes mes dy grupeve – teksa shkonte për ta marrë Jasharin.
Para se ta kishin një mundësi tjetër për ta afruar LKÇK-në e UÇK-në, në janar 1997 Avni Klinaku me nja dy dyzina shokësh do të arrestoheshin nga policia serbe.
Të tjerët, mes tyre edhe Murati, Humolli e Gjonbalaj do të shpëtonin duke u strehuar përkohësisht në Tiranë.
Murati ishte së bashku me Driton Avdiun, një bashkaktivist, tek një shok i tyre në Vlashnjë të Prizrenit kur Policia i kërkoi në Prishtinë. Nga aty kaluan në Shqipëri.
“Një bari na nxorri andej,” thotë ai. “I thamë se jemi punëtorë, por ai tha ‘ju nuk i paskeni duart e punëtorëve, por hajt se ua kaloj kufirin’.”
“Edhe rrobat i vesha si të vëllait në fotografinë e pasaportës dhe shkova tek një berber në Dibër e i thashë ‘më bëj si ky në foto’,”
Dritan Gjonbalaj
Gjonbalaj nuk ishte në shtëpi kur e kërkoi Policia; pasi që e kuptoi se po e kërkonin, ai vendosi që, nëpër Maqedoni, me pasaportë të vëllait, të kalonte në Shqipëri.
“Edhe rrobat i vesha si të vëllait në fotografinë e pasaportës dhe shkova tek një berber në Dibër e i thashë ‘më bëj si ky në foto’,” kujton duke qeshur ai.
Por, një peng i mbeti prej asaj kohe.
“Krejt fotografitë nga mosha 12 deri 23 vjeçare m’i ka marrë Serbia,” thotë ai.” Krejt dëshmitë fotografike të rinisë sime i kam humbur aty.”
Hyrja në luftë
Në Tiranë do të asistonin në pritjen e vullnëtarëve të UÇK-së që vinin nga diaspora dhe do të fillonin stërvitjet e para ushtarake, nën udhëheqjen e Agron Rrahmanit në verë 1997. Por, pak kohë më pas edhe vet do të kalonin në front për të luftuar.
Marrëveshja e prolonguar me UÇK-në ishte drejt fundit. Në verë 1997, Fatmir Humolli, pasi u kthye nga Tirana, filloi koordinimin me grupin e UÇK-së në Llap. Pra, në zonën e Llapit kishte ndodhur një lloj shkrirje UÇK-LKÇK. Por, vetëm më 11 maj 1998 marrëveshja e përgjithshme u arrit më në fund mes dy grupeve.
Pak a shumë në po atë kohë do të vriteshin tre luftëtarë një pas një. Më 7 maj 1998, do të vritej Bahri Fazliu, i cili pas arrestimeve të janarit 1997 kishte shërbyer si udhëheqës i organizatës. Ai ishte ngarkuar me punë në rajonin e Dukagjinit dhe, kur e kishte parë mungesën e armatimit, ishte nisur për në Plavë që ta hapte një kanal furnizimi dhe aty u vra duke luftuar.
Para se të vritej, Bahriu kishte shkruar një sërë poezish. Në një poezi ai këndon: “Eh revole, revole. Mikja dhe armikja ime. Të urrej shumë sepse dua njerëzimin, paqen, dashurinë, lirinë. Të dua shumë sepse dua njerëzimin, paqen, dashurinë, lirinë”.
Më 11 maj, duke bartuar armatim, vritet Ilir Konushevci, kryeoperatori logjistik i UÇK-së.
Të nesërmen, më 12 maj, në Prishtinë do të vritej Agron Rrahmani, komandanti i Gueriles “Rexhep Mala”. Humolli ishte aty dhe e kujton se si duke hyrë në një nga bazat e tyre ilegale në Lagjen e Muhaxherëve ata u zbuluan nga policia. Që të dy u plagosën, por plagët e Rrahmanit ishin më të rënda dhe ai nuk i mbijetoi.
Në nderim të tre luftëtarëve që u vranë brenda pesë ditësh, si dhe pak ditë pas marrëveshjes UÇK-LKÇK, Guerilja e Prishtinës “Rexhep Mala” do të riemërtohej si Guerilja BIA, e emërtuar sipas inicialeve të tre të rënëve — Bahri-Ilir-Agron.
Fatmir Humolli ndihmoi në farkëtimin e bashkëpunimit mes LKÇK-së dhe UÇK-ë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
“Kësisoj, bashkimin formal ne e konkretizuam edhe simbolikisht në vetë emrin e gueriljes së Prishtinës, duke i marrë shkronjat e parë të të tre heronjve – dy të LKÇK-së dhe njërit të UÇK-së”, thotë Humolli.
Ndërkohë, Gjonbalaj do të futej në front, në Koshare, ndanë kufirit me Shqipërinë. Ai u plagos, por i mbijetoi luftës.
“Përtej shablloneve heroike, në Koshare jam ballafaquar me frikën big time. Filluan të na gjuajnë me mortaja të minahedhësit”, thotë ai. “Aty ishte një istikam dhe ne, nja 5 veta, jemi hedhur në atë gropë. Të gjithë janë hedhur mbi mua”.
Ai e kujton se sa shumë i rrihte zemra.
“Më dukej se të gjithëve po na çon përpjetë”, thotë duke qeshur. “Aq afër kishin rënë mortajat, sa që dheu na kishte mbuluar nja 10 cm”.
Murati, në anën tjetër, u kthye në fund të shkurtit 1998 nga Tirana në Kosovë. Fillimisht në Suharekë, pastaj hyri si ilegal në Prishtinë, duke e pasur një fletëarrest në emër të tij.
“Kur kemi hyrë me Agim Kuletën në prill 1998 në shtëpinë e tij në Vranjevc, familjarët e tij u shtangën, motrës së tij i ra të fikët”, kujton ai. “Kur nuk je vetë në luftë, të duket akoma më e zorshme”.
Ashtu, ilegal e të armatosur, shokët e dërgojnë tek dentisti në lagjen Dardania.
Pas vrasjes së shokëve të tij në maj 1998, ai largohet në drejtim të Shalës, për t’u rikthyer sërish në Prishtinë si ilegal në tetor të atij viti.
Ai akoma i kujton detajet gjatë kohës sa ish në Prishtinë, si për shembull dilemën se si t’ia bënte me dhimbjen e dhëmbit. Ashtu, ilegal e të armatosur, shokët e dërgojnë tek dentisti në lagjen Dardania.
Në një rast tjetër, teksa po qëndronte tek një shok i tij në lagjen Ulpiana, një mesnatë dikush troket në derë dhe iu thotë në serbisht se i duhej ta telefononte të dashurën e tij. Murati, duke qenë në ilegalitet, dyshon dhe e përcjell atë pasi që ai niset.
“E përcjellëm deri tek shkolla ‘Xhevdet Doda’ dhe e kuptuam se vërtetë ai deshte ta thërriste të dashurën sepse atë natë kishte koncert në Prishtinë Zdravko Čolići dhe ne u kthyem në banesë,” kujton ai sot me buzëqeshje.
Atëherë, Murati do t’i kalonte muajt e fundit të luftës në mal, ku emërohet përgjegjës i sektorit për moral dhe politikë i Zonës Operative të Llapit, kurse në janar 1999 u zgjodh edhe kryetar i LKÇK-së.
Kuleta u caktua zëvendës i Muratit, gjersa Humolli u bë epror i Zonës Operative.
"Kemi blerë ushqime me paratë që i bëmë bashkë nga fondet e UÇK-së dhe LKÇK-së. Kështu, u bëra tregtar!”
Valon Murati
Murati do të futej në Prishtinë sërish në maj 1999 për furnizim. Thotë se kur i pa shtëpitë e zbrazura dhe pa banorë fare, u tmerrua.
“Kiamet. Aty e kam kuptuar që unë e dua qytetin tim për shkak të njerëzve e jo të ndërtesave”, thotë ai.
“Unë jam antiduhanxhi, por ushtarët kërkonin duhan, sikurse edhe miell, vaj, naftë, etj. Së bashku me nja 15 ushtarë të BIA-s jemi futur në Velani dhe një javë kemi qëndruar mbi ‘Varrezat e Hebrenjve’. Kemi blerë ushqime me paratë që i bëmë bashkë nga fondet e UÇK-së dhe LKÇK-së. Kështu, u bëra tregtar!”
Murati rrëfen se për 6-7 orë i kanë bartur me një dorë 20 litra naftë e me tjetrën dorë 20 litra. Në shpinë kishin çantat plot ushqim, i cili ishte i domosdoshëm në zonën e Gollakut ku kishte edhe shumë refugjatë të uritur.
“Në shpinë kishim çantat plot me marmelada, duhan, konzerva mishi, etj., kurse furnizimin me vaj e miell na sollën tregtarët më pas.”
Çlirimi dhe pas çlirimit
Më pak se një muaj pas furnizimit në Prishtinë, më 11 qershor, ushtarët e Zonës Operative të Llapit do të hynin në Prishtinën e lirë, tekqë ushtarët e Gueriljes BIA, të cilit kishin vepruar nën hundën e policisë serbe, dolën sheshazhi prej periferive dhe fshatrave të qytetit.
Sikurse shumë ish-luftëtarë, Murati, Klinaku, Gjonbalaj, Humolli e Kuleta – kush më shumë e kush më pak – pas lufte do të inkuadroheshin në jetën politike të Kosovës, paçka që shumica syresh u morën edhe me fusha të tjera pa u bërë “politikanë karriere”.
Nga strukturat e kësaj partie, në vitin 2007 u krijua Lëvizja për Bashkim – LB, të cilës sot i prin Murati. LB-ja gjer më tani akoma asnjëherë nuk e ka kaluar si e vetme pragun zgjedhor.
Mbase edhe fuqia e vogël elektorale e kësaj partie ka bërë që shumë pak të shkruhet dhe flitet për aktivitetin e saj të paraluftës, por edhe për njësitë e UÇK-së ku ajo ka pasur më shumë influencë.
Klinaku doli nga burgu në vitin 2001 dhe pastaj u bë kryetar i LB-së në vitet 2007-2015, por akoma vazhdon të jetë anëtar tejet pasionant i saj.
Murati përfundoi studimet në Kosovë e jashtë vendit, u bë ministër i Diasporës (2014-2017) dhe sot punon si ligjërues universitar.
Gjonbalaj që ëndërronte para lufte që të bëhej dizajner, u bë drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil për dy mandate, kurse së fundi punon si këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes.
Humolli, pasi që e udhëhoqi LKÇK-në pas lufte, u largua dhe vite më pas iu bashkua AAK-së. Më vonë, do të largohej edhe nga kjo parti dhe sot punon në zyren e tij të mikrofinancave.
Kuleta ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, kurse sot është kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës.K
Fotografia kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.