Më herët gjatë ditës, pas fushatës së gjatë për njohje, Kosova u pranua si anëtare e organit qeverisës të futbollit, UEFA.
Erolld Belegu pranoi një lajm të keq, me mesazh telefoni, në kohën më të keqe. Ishte viti 2008 dhe presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, teksa ishte në një konferencë në Kardif, të quajtur “Pjesëmarrja rajonale ndërkombëtare në sport”, sapo e kishte tërhequr fizikun e tij të fuqishëm në skenë. Ishte gati të niste thurjet lirike mbi atë sesi sporti mund t’i shkrijë ndasitë në shoqëri të dala nga konflikti dhe si sporti mund të triumfojë aty ku politika ka dështuar. Përnjëherë nuk kishte më zemër ta bënte këtë.
“Sapo e kisha marrë lajmin që FIBA (Organizata Botërore e Basketbollit) e kishte refuzuar sërish kërkesën tonë për anëtarësim, në takimin e Bordit qendror”, shpjegon ai, duke rrudhur krahët si për të sugjeruar që nuk ishte befasuar. “Tani kjo po bëhet ekskluzivisht politike. (Njerëzit që thonë) se sporti e politika nuk përzihen, janë fëmijë”.
Në njëfarë mënyre, Belegu kishte të drejtë, por ndoshta jo në mënyrën që e kishte për qëllim. Njohja e sportit është jashtëzakonisht politike, prandaj vendimi i vitit të kaluar i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u prit me festime në rrugë, aprovim dhe dënime larg kufijve të botës së sportit.
“Kosovarët po e festojnë me siguri ditën më të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, pas vendimit në dhjetor. “Kombet moderne nuk kanë të bëjnë vetëm me BE-në, me Këshillin e Evropës ose me Kombet e Bashkuara. Ato kanë të bëjnë edhe me krijimin e identiteteve moderne, pasja e një ekipi olimpik është po aq shënjues i identitetit dhe krenarisë kombëtare”.
Ministri serb i Sportit, fituesi i trefishtë i medaljes olimpike në uaterpollo, Vanja Udovicic, ishte më pak entuziast dhe e dënoi vendimin. “Si ministër i Sportit mendoj që vendimi nuk ishte i mirë, kryesisht për sportet ndërkombëtare, sepse krijon hapësirë për precedentë të ardhshëm që do t’i rrezikonin sportet botërore”, tha ai në një deklaratë. “Cilat janë motivet për një vendim të tillë që i jep anëtarësim të plotë një të ashtuquajturi shteti, që nuk njihet nga Kombet e Bashkuara?”
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 1999, nuk janë duke luftuar vetëm institucionet politike të Kosovës për njohje. Pavarësisht njohjes nga mbi 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe 23 nga 28 shtete të BE-së, anëtarësimi i plotë në Kombet e Bashkuara mbetet ende larg. Serbia e sheh Kosovën si pjesë historike dhe qenësore të shtetit të Serbisë, njëjtë siç e sheh edhe aleati i vet, Rusia (që ka veto në Këshillin e Sigurimit të KB-së). Gjatë një vizite tash vonë në Beograd, presidenti rus, Vladimir Putin, theksoi se Rusia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Por është bërë shumë progres në njohjen e federatave sportive, nga futbolli në basketboll, not e atletikë.
Pa njohjen nga trupat ndërkombëtare të sportit, pjesëmarrja në ngjarje të mëdha sportive ndërkombëtare, si p.sh. në Lojërat Olimpike verore e dimërore apo Botërori i Futbollit, është e pamundshme. Por njohja në këto ngjarje ka fuqi të jashtëzakonshme, përfaqëson pranim në botën më të gjerë dhe status të të qenit shtet me flamur, himn, mu sikur shtetet e tjera.
Hasja e pengesave
Anëtarësia akordon legjitimitet ndërkombëtar, që është arsye e cituar nga Belegu si ajo që bëri që kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në FIBA, të dështojë. “Ish sekretari gjeneral [Borislav Stankovic] është serb, ai ishte sekretar gjeneral për më shumë se 25 vite,” tha ai pas fjalimit të tij më 2008. “Në shumë struktura të FIBA-s në vende udhëheqëse, ka serbë. Mendoj se nuk ēshtë që FIBA nuk na do, por ata nuk mund t’ua thyejnë zemrat miqve të tyre serbë.”
FIBA e mohoi që ato kishin qenë arsyet e vendimit të tyre. “Në fakt, vendimi i Bordit qendror ishte se nuk kishte pasur përparim nga vendimi ynë në prill 2008”, shpjegoi zëdhënësi i asaj kohe i FIBA-s, Marcos Beltra. “Ekzistojnë disa gjëra të pazgjidhura me Federatën e Basketbollit…, por kryesorja është që duhet të njihet nga KON-i dhe KB-ja”. Siç kishte pranuar Petrit Selimi, për shumë shtete të reja dhe të paprovuara, njohja në sport është po aq e rëndësishme si përfaqësimi në trupa të rëndësishëm ndërkombëtarë. Ish- sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, njëherë pati thënë që një shteti i nevojiten tri gjëra për t’u klasifikuar si i tillë: valuta monetare, ushtria dhe ekipi kombëtar i futbollit.
Për palestinezët, që për një kohë të gjatë kanë duruar njohje të kufizuar ndërkombëtare, sporti ka ofruar platformë aty ku zgjidhjet politike kanë dështuar. Edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, edhe FIFA, organizata globale e futbollit, e kanë njohur Palestinën, duke i lejuar të garojë në lojëra olimpike dhe në kualifikime për finale të Botërorit. Këtë vit, Palestina u kualifikua për Kupën e Azisë, ekuivalenti aziatik i Kampionatit Evropian. Sporti ndërkombëtar i lejon një shteti apo territori ta valëvitë flamurin e vet në skenën ndërkombëtare. Kur Sudani Jugor fitoi pavarësinë, veprimi i parë i festimit, në ditën e parë të Pavarësisë, ishte loja e futbollit me ekipin e sapoformuar të Sudanit Jugor.
Territoret e tjera të kontestuara kanë provuar të veprojnë ngjashëm: kurdët në Irakun Verior i kanë ekipet e tyre kombëtare, njëjtë si në Nagorno-Karabakh dhe në Osetinë Jugore. Në fakt, kur Botërori 2014 filloi, një kupë botërore për shtetet e papranuara u zhvillua në Suedi. Aty mori pjesë Kurdistani, njëjtë si Abkhazia. Të gjitha këto shtete në formim, shpresojnë se njohja përmes futbollit do t’u japë legjitimitet edhe synimeve të tyre për shtetësi. Sporti në përgjithësi, dhe futbolli në veçanti, ofrojnë një derë të pasme për të pasur qasje në njohje zyrtare.
Suksesi më i famshëm është ai i Gjibraltarit. Territori i vogël britanik, që gjendet përtej detit, në Gadishullin Iberik, u ishte dhënë britanikëve me Traktatin e Utrehtit më 1713, por spanjollët ende e konsiderojnë atë si territor të vetin. Prandaj, kur më 1993 Gjibraltari tentoi t’i bashkohej UEFA-s, trupin kryesor të futbollit evropian, spanjollët sa nuk luajtën mendsh. Derisa vendimi nuk u mor, Spanja kërcënoi se në shenjë proteste do t’i tërheqë ekipet edhe në nivel të klubeve e edhe në nivel kombëtar, nga garat kontinentale dhe ndërkombëtare. UEFA dhe FIFA, të tmerruar nga humbja e të hyrave dhe prestigjit nga mungesa e Real Madridit dhe Barcelonës, shqyrtuan traktatin për të gjetur shtegdalje që do t’ia ndalonin Gjibraltarit të garonte. Në fund, rregullat ndryshuan: UEFA vendosi që vetëm shtetet e njohura nga KB-ja mund të marrin pjesë, pengesë kjo aktuale për pranim të Kosovës.
Brenda dy ditësh, lojtarët do ta realizonin një arritje të madhe për historinë e re të Kosovës. Pas vitesh të tëra të politikëbërjes, luftimit, dështimit, negocimeve të tensionuara, dhe, më në fund, pas një marrëveshjeje në tentativë, Kosova fitoi të drejtën nga FIFA të luajë ndeshje miqësore, siç është ajo kundër Haitit. “Ndihem shumë mirë, sepse kemi luftuar për ta fituar mundësinë t’i tregojmë botës që kemi traditë në futboll”, tha Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, teksa e shikonte ekipin duke u stërvitur në fushë. “Ky do të jetë hapi i parë drejt njohjes së futbollit”.
Hapat e parë
Përderisa është e qartë që Serbia dhe Rusia e kanë kundërshtuar njohjen e Kosovës brenda federatave sportive, situata e Gjibraltarit poashtu i thekson shtetet e tjera që historikisht e kanë kundërshtuar njohjen e Kosovës nga frika që një gjë e tillë do të krijonte precedent që do t’i trazonte rajonet separatiste brenda kufijve të tyre. Futbolli është shembull ilustrues. Në dimër të vitit 2014, nën re të zeza dhe në hije të oxhaqeve të lashta që pomponin në qiell shtëllunga djegëse të verdha, një grup burrash në fanella të zeza u takuan në një fushë futbolli për herë të parë. Lojtarët e ekipit kombëtar të Kosovës vraponin nën duartrokitjet e kohëpaskohshme të disa qindra burrave, në fushën e stadiumit të lënë pas dore të KEK-ut në Obiliq, qytezë kjo e dominuar nga dy termocentralet më të mëdha që, sipas Bankës Botërore, përfaqësojnë “burimin më të keq një burimor të ndotjes në Evropë.”
Që nga viti 2008, FFK-ja është përpjekur të fitojë njohje nga UEFA dhe FIFA, që janë dëshmuar të jenë çështje politikisht eksplozive. Mungesa e njohjes ka pasur efekt negativ në sportin kosovar, kjo është më se evidente në futboll. Qindra e mijëra refugjatë kosovarë ikën nga lufta para 15 vjetësh, duke u shpërndarë gjithandej nëpër Evropë, deri në Suedi, Norvegji, Belgjikë, Zvicër e vende të tjera. Pos faktit që Kosova ka prodhuar një numër të madh talentesh të futbollit – Xherdan Shaqiri, Lorik Cana, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Adnan Januzaj ose janë të lindur në Kosovë, ose kanë prindër kosovarë — mungesa e një ekipi kombëtar të njohur ka shkaktuar që shumë nga këta lojtarë të përfundojnë duke e përfaqësuar shtetin në të cilin janë vendosur. Zvicra u kualifikua me lehtësi për Botërorin e vitit 2014, me një ekip me përbërje bazike nga lojtarë kosovarë.
Nuk dukej që Kosova kishte mundësi të mira që të njihej nga UEFA apo FIFA, por kur Sepp Blatter, Kryetar i FIFA-së i mbështeti thirrjet që Kosova të lejohet të luajë miqësore në 2012-n, kjo çështje u ringjall, duke i mllefosur serbët dhe duke i merakosur zviceranët (që frikësoheshin se mund t’i humbnin lojtarët e tyre nëse njihet ekipi kosovar). Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, filluan një operacion të guximshëm për të mbledhur nënshkrimet e Shaqirit, Canës e të tjerëve, për një peticion që Kosova të lejohet të luajë lojëra miqësore, para se Zvicra të luajë kundër Shqipërisë në lojën kualifikuese për Botëror, në tetor 2012. Kjo ishte një lojë simbolike, ngaqë nëntë nga 22 lojtarët ishin me origjinë kosovare. Salihu dhe Vokrri u ulën me ekipin e Kombëtares zvicerane në hotelin e tyre jashtë Cyrihut dhe shikuan teksa Shaqiri, Xhaka dhe Behrami e nënshkruan peticionin.
Në fushën e Obiliqit, Salihu po merrte frymë në ajrin e mbushur me sulfur, teksa lojtarët kosovarë që i kishin zgjedhur, flisnin me theks suedez, norvegjez e gjerman. Mes tyre ishte edhe portieri i Palermos, Samir Ujkani (që mbronte për Shqipërinë në lojën kundër Zvicrës para 18 muajsh), Ardian Gashi nga Norvegjia, dhe Albert Bunjaku, sulmuesi ndërkombëtar i Zvicrës, i cili luajti në finalet e Botërorit 2010.
“Prindërit e mi kanë lindur këtu, e gjithë familja ime ka lindur këtu, prandaj kisha dëshirë 100% që unë do të vija të luaja këtu”, tha Bunjaku. Sikur secili lojtar këtu, ai është dashur gjatë gjithë kohës t’u përgjigjet pyetjeve mbi besnikërinë e tij ndaj vendit në të cilin është vendosur. “Kur shkuam në Zvicër, isha 6-vjeçar”, thotë ai kur e pyesin për lidhjen e tij me Zvicrën. “Jam mirënjohës për atë që ka bërë Zvicra. Kur (asokohe trajneri i Kombëtares zvicerane) Ottmar Hitzfeld më pati thirrur, ishte gjë e mrekullueshme. Ishte e pabesueshme. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Por ky është vendi im. Unë e shoh veten si kosovar”.
Edhe pse trajneri Albert Bunjaki (nuk janë në lidhje familjare) përzgjodhi një ekip lojtarësh nga e tërë Evropa, vështirësia ishte në ndërtimin e etikës së ekipit. U organizuan vizita të monumenteve të njohura dhe të shtëpisë së heroit të njohur kosovar. Para lojës, kryeministri i Kosovës dhe presidentja, u takuan me ekipin. “Këta njerëz luftuan për Kosovën si ne që po luftojmë për Kosovën në fushë. Edhe ne jemi luftëtarë, por në një mënyrë tjetër”, shpjegon Albert Bunjaki. “Disa nga lojtarët janë të lindur në Suedi, Gjermani. Është mirë që ata po e mësojnë historinë e Kosovës”.
Fqinj të palumtur
Natyrisht, jo të gjithë u gëzuan që Kosova e luante miqësoren e parë të aprovuar nga FIFA, posaçërisht që qytetin verior i Mitrovicës ishte përzgjedhur të jetë nikoqir. Mitrovica vazhdon të jetë qytet i ndarë. Në këtë vend shumica e pakicës serbe, që përbën 5% të popullatës, ende jeton. Lumi e pren qytetin, duke i lënë serbët në veri, dhe shqiptarët e Kosovës në jug. Ura që i lidh të dy pjesët është përplot rrënoja, dhe ruhet nga një grup karabinierësh italianë. Kur kalon në veri, muret janë përplot grafite anti-BE. Flamujt serbë valojnë në shumicën e ndërtesave. Dinari serb është valuta e zgjedhur, dhe popullata veriore voton në zgjedhjet e Serbisë.
Disa kilometra në veri të urës, Igor Uljarevic po qëndronte në fushën e mbuluar të një kompleksi trajnimesh të lënë pas dore. Kabllot elektrike vareshin në fushë teksa shiu binte përmes vrimave të shqyera të materialit. 35- vjeçari është trajner dhe sulmues i KF “Partizan Kosovska Mitrovica”, që luan në ligën e katërt të Serbisë. Para luftës ata luanin në atë që sot njihet si stadiumi “Adem Jashari”, në jug të qytetit, ku loja e parë miqësore e Kosovës do të mbahej pas pak orësh. Por askush nuk shkon në jug më. “Nuk na intereson ajo punë”, shpjegon Uljarevic. “E kemi anën tonë, ekipin tonë. Nuk mërzitemi për atë lojë dhe askush nuk do ta shikojë lojën. Është provokim dhe ne nuk e mbështesim. Nuk duam të dimë asgjë për atë lojë”. Çështja e serbëve të Kosovës kishte qenë brengosëse për FFK-në. Ata kishin shpresuar që do ta marrin një lojtar serb të Kosovës në ekip, por duket se e kishin hedhur grepin shumë larg. “Nëse një serb luan në atë ekip (kosovar) e ka mbështetjen e tërë Evropës”, thotë Uljarevic, i cili beson që ky veprim kishte qenë më shumë për marrëdhënie me publikun. “Ata mund të thonë: ‘shikoni, ne kemi lojtarë serbë këtu, e pamë në televizor që serbët luajnë në Kosovë’. Por kjo nuk është e mirë për ne”.
Gjersa fillimi i lojës po afrohej në Mitrovicë, të gjitha rrugët që çonin në stadium ishin mbushur me flamuj dhe këndoheshin këngë: kishte flamuj të Kosovës, Shqipërisë, SHBA-së dhe BE-së. Në shtizat e flamujve në stadium, ishin vetëm ai i Haitit dhe i FIFA-s, por jo edhe ai i Kosovës, ashtu siç edhe ishin marrë vesh me UEFA-n. Tribunat ishin përplot flamuj nga të gjitha anët e Kosovës. Mund të dëgjoheshin edhe disa brohoritje antiserbe. Por himni i Kosovës nuk u këndua. Mbi 17.000 adhurues të futbollit i kishin mbushur tribunat e stadiumit përderisa shiu binte mbi publikun e pastrehë. Loja u zhvillua në një terren të tmerrshëm e të përbaltur dhe përfundoi me barazim, 0:0.
Shikuesit u larguan nga stadiumi të lumtur që ishin dëshmitarë të historisë në bërje edhe pse ata do të duhej të pritnin fitoren e parë të Kosovës, të sanksionuar nga FIFA. “E kemi pritur tërë jetën tonë këtë lojë. Sot kemi pasur një moment historik”, tha Muhamet Vokrri, një mbështetës që kishte pritur me orë të tëra në rend për biletë. Kosova është kënaqur me fitoren e saj të parë, por rruga për në FIFA vazhdon të duket e gjatë.
Shkojmë, Brazil
Nga fundi i vitit 2014, pranimi i përkohshën i Kosovës në KON, dhe mundësia e garimit ne lojërat Olimpike në Rio 2016, e ngritën kauzën për njohje ndërkombëtare në nivel të ri. Në Pallatin e Sporteve në qendër të Prishtinës, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës po përgatitet për të shkuar në Francë. Është dhjetor 2014, dhe KON-i gati sa nuk e ka votuar ratifikimin e anëtarisisë së plotë të Kosovës, në Monako.
“Njohja, madje edhe kjo njohje provizore, është historike”, tha Besim Hasani. Zyra e tij është e vogël, por në zyrën tjetër, dy karrige dhe një tavolinë janë të vendosura përballë unazave olimpike të ngjitura në mur, që është dizajnuar për foto të rastit me vizitorë të denjë. “Pranimi i plotë i Kosovës në KON do të jetë edhe një tjetër moment historik për Komitetin Kombëtar Olimpik”, shtoi ai.
Hasani kishte dyshime nëse KON-i do të ratifikonte këtë lëvizje. Kishte brenga se mos do të ndodhte ndonjë manovër politike në moment të fundit. “Mendoj se nëse merr pjesë në lojëra olimpike, të shikojnë 5 miliardë njerëz”, thotë Hasani. “Kjo do të ketë efekt në fushat tjera kur dëgjojnë për Kosovën”. Ky veprim do të ishte më përfitues për sportistët, shpjegon ai, të cilët nuk do të shkonin vetëm për ta valëvitur flamurin. “Do ta shihnim Kosovën jo vetëm gjatë ceremonisë së parakalimit, por edhe në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve”, thotë ai. “Jam 100 % i sigurt që nëse Zoti e dërgoi Majlinda Kelmendin dhe ajo nuk lëndohet, garantoj që ajo do të jetë një nga medalistet”.
Një ditë para votimit, në shkollën e xhudos së Toni Kukës në Pejë, 23-vjeçarja Kelmendi po stërvitej në uniformë të kaltër me flamurin Kosovar të qepur mbi gjirin e saj të majtë. Ajo është një nga luftëtaret më të mira të xhudos – ose xhudoka – në botë, kampione e dyfishtë në kategorinë 52 kilogramë. “Më shumë se çdo sportist tjetër e kam ndenjën që jam e injoruar, apo nuk trajtohem njëjtë si sportistët e tjerë në botë”, tha Kelmendi mes serive. Ajo veçse ka garuar në një nga Lojërat Olimpike: në Londër 2012, por nën flamurin e Shqipërisë. “Nuk jam lejuar ta kem flamurin tim dhe himnin tim”, tha ajo në lidhje me paraqitjen e saj të shkurtër në Londër. “Jam e lumtur që kjo nuk do të përsëritet. Do të jemi të barabartë me të gjithë sportistët e tjerë në botë”.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos është një nga të paktat që e kanë pranuar Kosovën, por kur Kelmendi në vitin 2014 mori pjesë në Kampionin Botëror në Chelyabinsk, Rusi, për ta mbrojtur titullin, problemet e vjetra u rishfaqën. Ajo u informua që duhet të garojë nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, dhe nëse fiton medalje, duhet ta marrë nën himnin olimpik. “Kjo na befasoi tej mase”, thotë Kelmendi. “Unë shkova atje për ta përfaqësuar vendin tim dhe kjo nuk m’u lejua”. Putini vetë është mbajtës i danit të tetë në xhudo, dhe anëtar nderi në IJF, dhe autor i librit më të shitur rus mbi sportin. Ai ishte prezent në ditën e fundit të garës. “Ndihesha e mllefosur përbrenda, jo e frikësuar”, tha ajo. “Doja të dëshmoja se edhe nëse nuk e përfaqësoj vendin tim, jam më e mira në botë”. Kelmendi me lehtësi e mbrojti titullin e vet në finale.
“Mendoj se KGB-ja më ndiqte”, qesh Driton Kuka, trajneri i Kelmendit. Ai kujtohet se si të dy xhudokat ishin kontrolluar para se të dilnin të garonin. Kuka kishte qenë vetë një luftëtar premtues kampion në ish-Jugosllavi, dhe dukej i destinuar për medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Barcelonës më 1992. Por tensionet e rritura që e çuan Jugosllavinë drejt luftërave civile, rezultuan me bojkotin e garave ndërkombëtare nga sportistët kosovarë “për t’ia bërë me dije komunitetit ndërkombëtar që po jetojmë si qytetarë të dorës së dytë, siç thonë”, shpjegoi ai. Dy shtëpitë e tij ishin shkatërruar gjatë luftës në Kosovë, por shkolla e tij e xhudos, gjysmë e ndërtuar, kishte shpëtuar. “Dojo-ja jonë kishte pasur fat”, tha ai. “Nuk ishte e përfunduar. Ishte vetëm me mure. Nuk kanë mundur ta djegin”.
Edhe pse nuk e kishte pasur asnjëherë shansin për të luftuar për medalje olimpike, fakti që është trajner i Kelmendit po ia jep shansin për ta jetuar ëndrrën e tij, të cilën e kishte sakrifikuar 20 vjet më parë. “Kur e shoh Majlindën në garë, e shoh veten, që po e vazhdoj atë të cilën e kam ndërprerë për shkak të politikës dhe luftës”, thotë ai. “Nëse fitojmë medalje olimpike, dhe të nesërmen jeta ime përfundon, kjo do të ishte në rregull. Ky është qëllimi im në jetë”.
Zbutje e tensioneve?
Ditën tjetër, më 9 dhjetor 2014, KON-i e votoi ratifikimin e anëtarësisë së plotë të Kosovës. “Ky është fillimi i një ere të re për lëvizjen Olimpike në Kosovë,” i tha Hasani kuvendit të KON-it. Viti i kaluar e pa progresin më të madh të bërë me njohjet ndërkombëtare në sport, se sa të gjitha vitet e bëra bashkë nga 1999. Kjo është pjesërisht për shkak te efikasitetit të kampanjës të Komitetit Olimpik Kombëtar dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Por kjo mund të jetë edhe për shkak të ndryshimit të qëndrimeve në Serbi. Pavarësisht fjalëve të zemëruara nga ministrat e jashtëm dhe të sportit të Serbisë, asnjëra nga këto lëvizje nuk do të ndodhte pa së paku një pjesë të bashkëpunimit nga institucionet e Serbisë.
“Po, sigurisht, sepse duhet të jemi pjesë e kësaj shoqërie”, kishte thënë Vlade Divac, një medalist olimpik dhe ish-lojtar i ligës NBA, i cili është aktualisht kryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar të Serbisë, në një intervistë dhënë Reuters-it, duke iu përgjigjur pyetjes se a e ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës në KON. “Edhe unë personalisht kam qenë në situatë të njëjtë, kur ne (Jugosllavia) u ndaluam të merrnim pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 1992, prandaj insistoj që këtë çështje ta shohim nga këndvështrimi sportiv, dhe t’i lëmë politikanët të merren me punët e tyre”.
Shoqata e Futbollit e Serbisë po ashtu ka hequr dorë nga konfrontimet në këtë çështje, pasi fillimisht i kishin shprehur rezervat e tyre. Meqë Serbia po vendos se a do të anojë nga Rusia apo nga qëllimi i saj i deklaruar për integrimin në BE, kundërshtimet politike si ajo që Erolld Belegu e kishte ndier në vitin 2008, mund të zbehen. Pritet që pas pranimit nga KON-i, do të vijnë edhe pranimet nga asociacionet tjera ndërkombëtare sportive.
Ndërkohë, sportistët kosovarë po stërviten fort për “Rio 2016”, pavarësisht se çfarë drejtimi do të marrë beteja politike. Kur vendimi u mor, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar që Majlinda Kelmendi do ta bartë flamurin në ceremoninë e hapjes. “Qëllimi im kryesor është Lojërat Olimpike, sepse aktualisht jam më e mira në botë”, tha Kelmendi pasi e përfundoi stërvitjen. “E di se është e vështirë. Por nuk është e pamundur. Nuk bëj diçka tjetër. Ha. Fle. Stërvitem. Kjo është e tëra”.
Fotografitë: Atdhe Mulla.