Akademiku shqiptar Roland Gjoni ka vite të tëra që i këshillon qeveritë dhe organizatat.
Si hulumtues i çështjeve politike dhe ligjore, Gjoni ka 15 vjet përvojë pune në Selinë e OKB-së dhe misionin e saj në Kosovë, në BE, në USAID, në Bankën Botërore, në UNDP, dhe në UNCTED. Fusha e ekspertizës së tij përfshin reformat politike dhe kushtetuese, drejtësinë, sundimin e ligjit, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Gjoni ka magjistruar në fushën e ligjit kushtetues dhe të drejtave të njeriut në Columbia University School of Law, ku ishte Bursist i Programit Fullbright, ndërsa studimet bachelor i ka bërë në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Ai ka punuar si ligjërues i Ligjit Kushtetues në Universitetin Amerikan në Kosovë dhe ka publikuar shkrime për politikat etnike, shoqëritë e ndara, zgjidhjen e konflikteve dhe çështjet e Ballkanit.
Së fundmi ka përfunduar doktoraturën në degën e shkencave politike në University College Dublin (UCD), duke u specializuar mbi Nacionalizmin dhe Zgjidhjen e Konflikteve. Aktualisht banon në Dablin, ku është duke kryer hulumtime në këtë fushë.
K2.0 bisedoi me Gjonin për nacionalizmin shqiptar, Dhomat e Specializuara të Kosovës, negociatat Kosovë-Serbi dhe situatën aktuale politike në Shqipëri.
Foto nga Roland Gjoni.
K2.0: Si hulumtues i konflikteve, cilat ishin disa prej tipareve të veçanta që e dalluan Luftën e vitit 1999 në Kosovë – dhe konfliktin shqiptaro-serb në përgjithësi – nga konfliktet e tjera në botë?
Roland Gjoni: Konfliktet ndëretnike mund të kenë ngjashmëri, por zakonisht mbizotërojnë dallimet, që në disa raste mbesin të pashquara, e pastaj kemi keqkuptim të dinamikave të konflikteve dhe zgjidhjeve të mundshme.
Në rastin e Kosovës, një nga tiparet është fakti që origjina e konfliktit ishte që para shpërbërjes së Jugosllavisë, edhe pse plot analistë të konfliktit i nisin analizat me ngritjen e Milošević në pushtet, fjalimin që e mbajti në Fushë Kosovë dhe shfrytëzimin e serbëve të Kosovës për ta nisur procesin e shfuqizimit të autonomisë së Kosovës.
Në fakt, konflikti i Kosovës nuk mund të kuptohet pa e studiuar atë si pjesë të konfliktit dhe rivalitetit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në rajon, që nisi në vitin 1878, kur u panë simptomat e para të rënies së Perandorisë Osmane në Ballkan.
Një tipar tjetër është mënyra se si u zhvillua konflikti dhe ndërhyrja vendimtare e NATO-s që e bën rastin e vetëm – dhe mbase të papërsëritshëm – të veprimit kolektiv të NATO-s kundër Jugosllavisë. Edhe mënyra se si u administrua Kosova pas vitit 1999 e bën Kosovën sui generis [të veçantë], sepse pavarësisht prej marrëveshjes për ta ndalur vrasjen e popullsisë civile, nuk kishte marrëveshje për ta bërë Kosovën shtet brenda OKB-së, NATO-s dhe BE-së, gjë që vërehet edhe në dallimet fundamentale në qëndrimet e shteteve të BE-së ndaj pavarësisë së Kosovës.
Ia vlen të theksojmë se për shkak të origjinës së çështjes së Kosovës në vendimet e konferencave ndërkombëtare të vitit 1878 dhe 1913, kjo çështje ende mbetet e pazgjidhur, dhe është gabim të mendohet që kjo temë është mbyllur më 17 shkurt 2008.
Në fakt, beteja e Serbisë për ta ndalur finalizimin e shtetit të Kosovës dhe për ta frenuar rritjen e faktorit shqiptar në Ballkan ka qenë shumë e suksesshme prej vitit 2011, dhe është ndihmuar mjaft shumë nga dështimet e elitave të Prishtinës për ta konsoliduar shtetin, si dhe nga pamundësia që Tirana ta ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Lufta me gjasë ka përfunduar, por jo rivaliteti shqiptaro-serb në Ballkan.
Intelektualë dhe politikanë të ndryshëm shqiptarë flasin për një “nacionalizëm progresiv” shqiptar. A ka definicion të tillë në akademi dhe a mund të përshkruhet nacionalizmi shqiptar në këtë mënyrë?
Është shumë e zakonshme që politikanët dhe intelektualët të flasin pozitivisht për nacionalizmin e shteteve të tyre si “paqësor”, “progresiv” dhe “përfshirës”, ndërkohë që nacionalizmat e tjerëve janë “përjashtues”, “shovinistë” dhe “të dhunshëm.” Këto definicione nuk mbështeten nga teoritë bashkëkohore të nacionalizmit dhe janë problematike kur përballen me të dhënat historike. Deklaratat për një “nacionalizëm progresiv shqiptar” e marrin si të vërtetë ekzistencën e një nacionalizmi të unifikuar shqiptar si një lëvizje me kohezion dhe objektiva fisnike, dhe me program progresiv politik.
Njohuritë akademike bashkëkohore i shohin kombet si “zona të konfliktit”, ku grupet, partitë politike dhe akterët e ndryshëm socialë, të cilët shpeshherë kanë synime politike të kundërta dhe antagoniste, përpiqen të flasin dhe të veprojnë në emër të kombit. Si në rastet e kombeve të tjera, nacionalizmi shqiptar është ideologji politike të cilës i thirren liderë, lëvizje, parti dhe organizata të ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe komunitete të tjera shqipfolëse, të cilat bëjnë përpjekje për ta avancuar “kauzën kombëtare shqiptare”.
Përtej gjuhës dhe kujtimeve të përbashkëta të vuajtjes, si dhe padrejtësisë që daton në 1878 apo 1912, ka veçanti të rëndësishme ndërmjet fijeve të ndryshme të nacionalizmit që e kanë ndjekur organizata të ndryshme politike shqiptare në periudha të ndryshme kohore.
Edhe nëse e marrim si të vërtetë ekzistencën e një nacionalizmi shqipar gjithëpërfshirës, vështirë është ta etiketojmë si ideologji politike progresive dhe të parrezikshme. Shumë teoricienë të nacionalizmit kanë argumentuar se institucionet e fuqishme shtetërore, posaçërisht “ushtritë kombëtare”, kanë qenë përgjegjëse për disa prej mizorive më të këqija që janë kryer në emër të projekteve nacionaliste ekspansioniste.
Në rastin e shqiptarëve, edhe pse shteti shqiptar është njohur nga viti 1913, nacionalizmi shqiptar rrallëherë është inkurajuar nga shteti i Shqipërisë, i cili për pjesën më të madhe të periudhës prej formimit të tij ka qenë i paaftë për ta promovuar një version të nacionalizmit të udhëhequr nga vetë shteti, për shkak të mungesës së institucioneve të fuqishme shtetërore.
Nacionalizmi shqiptar në përgjithësi është reaktiv, e jo proaktiv, dhe është kryesisht i mobilizuar si reagim ndaj ndryshimit të konfigurimeve të pushtetit gjeopolitik.
Si gjatë historisë, ashtu edhe sot, nacionalizmi shqiptar është policentrik, kryesisht zhvillohet dhe organizohet jashtë kufijve shtetërorë, dhe ka elemente diasporike shumë të forta. Në fakt, nacionalizmi shqiptar ka plot ngjashmëri me lëvizjet nacionaliste të kombeve të ndara si irlandezët, ose të kombeve pa shtete si baskët dhe palestinezët, ku aktorët joshtetërorë – si pacifistët, si militantët – kanë qenë më të rëndësishëm në nxitjen ose ndikimin e politikave nacionaliste sesa vetë shteti.
Ndonëse mund të jetë e vërtetë se në pjesën më të madhe të kohës shqiptarët kanë qenë “humbësit” në rivalitetet etno-kombëtare të Ballkanit Perëndimor, që nga ngritja e shtet-kombeve në shekullin XIX, gjatë historisë kishte raste sporadike në të cilat organizatat nacionaliste shqiptare janë angazhuar për dëbimin dhe vrasjen e grupeve të tjera, përfshirë këtu civilë të paarmatosur.
Nga kjo perspektivë, është fenomen interesant për t’u studiuar, por fluiditeti dhe natyra policentrike e tij mund të jenë shenjë e dobësisë kur krahasohet me nacionalizma të tjerë, të udhëhequr ose të promovuar nga shtetet, ata të shtet-kombeve më të përparuara.
Foto nga arkiva. Atdhe Mulla / K2.0.
Një tjetër tipar karakteristik i nacionalizmit shqiptar është që ai në përgjithësi është reaktiv, e jo proaktiv, dhe është kryesisht i mobilizuar si reagim ndaj ndryshimit të konfigurimeve të pushtetit gjeopolitik. Kjo mund të shihet historikisht, më 1878, 1913 dhe 1944, ose edhe më vonë në Kosovë, më 1981 dhe 1989, kur mobilizimi u bë kryesisht kur u rrezikua nga jashtë mbijetesa e komuniteteve të shqiptarëve etnikë, ose kur elitat politike u mobilizuan për t’i mbrojtur privilegjet që i arritën nën projekte perandorake ose mbikombëtare.
Për ta përmbledhur, në vend se të quhet “nacionalizëm progresiv”, më korrekt është ta përshkruajmë nacionalizmin shqiptar si një fenomen politik policentrik, reaktiv dhe defansiv, në vend se si një ideologji ekspansioniste që përpiqet për dominancë ndaj grupeve ose kombeve të tjera.
Si e vlerësoni faktin që ish-ushtarët dhe komandantët e UÇK-së po intervistohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe Dhomat në përgjithësi?
Ata që janë akuzuar për krime ndaj njerëzimit ose krime të luftës do të duhet t’i përgjigjen gjykatës në bazë të përgjegjësisë individuale, por dëmi për reputacionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë i madh prej kur është publikuar raporti i Dick Marty-t më 2011 [nga Këshilli Evropian].
Ajo që pati efektin më negativ ishte ndryshimi i krejtësishëm i rrëfenjës rreth konfliktit në Kosovë. Në fund të luftës, rrëfenja dominuese për Kosovën në mesin e komunitetit ndërkombëtar ishte që forcat jugosllave kishin kryer krime skandaloze kundër civilëve të paarmatosur dhe që komuniteti ndërkombëtar ndërhyri për t’i ndalur këto mizori.
Njëzet vjet pas konfliktit, askush nuk flet për faktin që vetëm gjashtë njerëz janë dënuar nga institucionet e drejtësisë në Serbi, për rreth 13,000 viktima në Kosovë. Po ashtu, nuk përmenden pothuajse fare më shumë se 500 fëmijët e vrarë dhe rreth 20,000 viktimat e përdhunimit nga kriminelët e organizatave paramilitare dhe militare jugosllave.
Të gjithë këta autorë të krimeve mund të identifikohen duke i ekzaminuar arkivat ushtarake dhe ato të shërbimit sekret, sepse krimet nuk janë kryer nga UFO-t, por nga strukturat paramilitare, militare dhe policore që operuan në zonat e caktuara të përgjegjësisë së komandës.
Edhe pse asnjë krim nuk duhet të mbetet pa u dënuar, pa marrë parasysh etninë dhe lidhjet politike të autorit të krimit, juridiksioni i kufizuar i dhomave të specializuara e ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare dhe krijon përshtypjen se krimet e forcave jugosllave tashmë janë dënuar.
Pritja ime është që gjykata do ta vazhdojë punën për të paktën 15 vjet, dhe gjatë kësaj periudhe më shumë argumente do të prodhohen për ta promovuar rrëfenjën se të dyja palët e konfliktit kanë përgjegjësi të barabartë për krimet e kryera gjatë konfliktit. Në fakt, mendoj se dëmi tashmë është bërë, sepse shumica dërrmuese e opinionit ndërkombëtar do ta mbajë në mend vetëm atë që sipas raportit të Marty-t dhe Task Forcës Speciale Hetuese të BE-së, lidershipi i UÇK-së ishte angazhuar në vrasjen e civilëve serbë dhe trafikimin e organeve.
Shumica e njerëzve nuk do t’i kushtojnë vëmendje rezultatit të gjykimeve penale, pa marrë parasysh se a përfundojnë me dënimin apo shfajësimin e anëtarëve të UÇK-së.
Si i shihni debatet që po zhvillohen në Kosovë për mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, por edhe procesin e negocimit me Serbinë në përgjithësi?
Unë mendoj që edhe pse dialogu i ndërmjetësuar nga BE kishte për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të të dyja vendeve, procesi në përgjithësi ka dështuar sa i përket normalizimit të marrëdhënieve, dhe vetëm Serbia ka bërë progres në procesin e integrimit të BE-së. Nga fillimi, BE-ja nuk e ka trajtuar Kosovën si palë të barabartë të dialogut.
Përderisa shumica e njerëzve e kuptojnë faktin që status kuoja dhe konflikti i ngrirë janë të rrezikshme, nuk do të thotë që çfarëdo lëvizje përtej status kuosë është pozitive.
Përveç kësaj, lidershipi i Kosovës i ka bërë disa gabime strategjike serioze gjatë dialogut, duke dobësuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe duke shtuar ndikimin e Serbisë mbi sistemin e brendshëm kushtetues të Kosovës, nëpërmjet premtimeve që janë dhënë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe krijimin e Listës Serbe.
Kur Serbia e kuptoi që perspektivat për anëtarësim në BE nuk ishin reale, duke marrë parasysh mospajtimet brenda BE-së për të ardhmen e zgjerimit të saj, përpjekjet fillestare për t’i normalizuar marrëdhëniet filluan të ligështohen dhe i ekspozuan kufijtë e dialogut të BE-së. Në vend se dialogu i BE-së t’i hapet vëzhgimit dhe ekzaminimit kritik nga ana e ndërkombëtarëve, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së me sa duket e ka nisur një proces krejtësisht tjetër, duke ndërmjetësuar diskutime ndërmjet Presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë për ndryshimin e territoreve.
Ky zhvillim e zhvendosi dialogun nga një proces i fokusuar tek qytetarët, i projektuar për t’i trajtuar disa prej pasojave negative të konfliktit të ngrirë mbi jetën e përditshme të shqiptarëve dhe serbëve, në një proces krejtësisht etnocentrik dhe joevropian të ndarjes së Kosovës në vija etnike.
Përderisa shumica e njerëzve e kuptojnë faktin që status quo-ja dhe konflikti i ngrirë janë të rrezikshme, nuk do të thotë se çfarëdo lëvizje përtej status quo-së është pozitive. Në veçanti, ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e mirë, e edhe pse është mbështetur nga disa kryeqytete evropiane që janë të gatshme të pranojnë zgjidhje afatshkurtra, mund të ketë pasoja katastrofike për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të kontinentit evropian.
Për Serbinë, shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje e qartë dhe përfundimtare, por është një tjetër hap në procesin e dobësimit të mëtejmë të shtetësisë së Kosovës.
Kjo për shkak se i gjithë procesi mbështetet në disa të meta fundamentale që duhet të adresohen.
Së pari, shkëmbimi i territoreve nuk është “Finalja e Madhe” siç quhet zakonisht, sepse Serbia nuk është pajtuar për ta njohur Kosovën në fund të procesit, dhe BE-ja nuk mund ta detyrojë Serbinë që ta njohë Kosovën, kur vetë BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet. Serbia thjesht e ka shprehur gatishmërinë e saj për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në OKB nëse mund të arrihet një marrëveshje e favorshme, që do ta lejonte Vučić-in ta shiste si fitore në Beograd.
Po të kishte qenë e interesuar Serbia për ta ndarë Kosovën apo për t’i shkëmbyer komunat veriore me vendbanimet shqiptare në Luginën e Preshevës, mund ta kishte bërë këtë para shume viteve. Para luftës së vitit 1999, gjatë dhe pas Procesit të Ahtisaarit, Serbia është munduar ta shtyjë për një kohë të pacaktuar njohjen, dhe ta përdorë statusin e “shtetësisë së pakryer” të Kosovës në pazarllëkun gjeopolitik për ta forcuar pozitën e saj në rajon.
Pasi e dobësoi me sukses Kosovën në arenën ndërkombëtare nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE, Beogradi tani është në pozitë shumë të mirë për ta ndërlikuar më tej shtetësinë e Kosovës. Pra, për Serbinë, shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje e qartë dhe përfundimtare, por është një tjetër hap në procesin e dobësimit të mëtejmë të shtetësisë së Kosovës.
Çfarëdo procesi bilateral që e vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës do ta pezullojë de facto subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe mund të interpretohet si pranim i nënkuptuar nga Kosova që pa miratimin e Serbisë, pavarësia e shpallur më 2008 është e pakuptimtë dhe e hapur për negociata. Njëkohësisht, Serbia do të vazhdojë ta prezantojë veten si palë fleksibile që nuk ka vija të kuqe dhe tabu, siç ka arritur ta përdorë dialogun për ta dobësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ilustrim nga Bes Bajrami / K2.0.
Së dyti, ideja se një “shkëmbim territoresh” do të çojë te anëtarësimi i Kosovës në OKB është e pabazë, sepse anëtarësimi në OKB nuk ka fare lidhje me Serbinë. Shumë prej ithtarëve të shkëmbimit të territoreve mundohen ta lidhin ndarjen e Kosovës me anëtarësimin në OKB, duke thënë se Rusia ka qenë pjesë e bisedimeve të fshehta diplomatike dhe se Kremlini ka dhënë sinjale që është i gatshëm ta zhbllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo është një mënyrë shumë naive për t’i analizuar marrëdhëniet ndërkombëtare, që janë shumë më komplekse dhe multidimensionale.
Avokuesit e shkëmbimit të territoreve në Prishtinë supozojnë se interesat gjeopolitikë të Beogradit dhe të Kremlinit përkojnë sa i përket Kosovës. Faktikisht, kjo nuk është e vërtetë, për shkak se Rusia është një aktor gjeopolitik shumë agresiv, dhe interesat e saj përkojnë vetëm pjesërisht me ato të Beogradit, madje edhe sa i përket çështjes së Kosovës.
Ndonëse Kremlini dhe Beogradi ndajnë interesin për t’i bllokuar përpjekjet e udhëhequra nga ShBA për ta bërë Kosovën anëtare të mirëfilltë të komunitetit ndërkombëtar, Rusia ka synime shumë më të mëdha strategjike në rrethinën e afërt të saj, dhe ajo e mbështet Serbinë vetëm përderisa mund t’i shtyjë përpara interesat e vet në Ballkan dhe vende të tjera. Për shembull, Rusia do të mundohet ta lidhë ulësen e Kosovës në OKB me pranimin e aneksimit të Krimesë nga ana e Perëndimit, ose do të mundohet të sigurojë trajtim të ngjashëm për Osetinë Jugore, Abhazinë dhe Transnistrinë.
Në plot mënyra, Kosova është njëkohësisht çështje “tepër e madhe”, sepse Rusia nuk do ta tërhiqte veton e saj në OKB pa koncesione të mëdha nga ShBA dhe BE, dhe “tepër e vogël”, sepse ShBA dhe BE nuk do t’i pranonin amibiciet territoriale të Rusisë kundër shteteve fqinje me popullsi të mëdha rusofolëse.
Përveç kësaj, Kina nuk i ka të njejtët interesa si Rusia dhe nuk është e obliguar ta tërheqë veton e saj mbi anëtarësimin e Kosovës në OKB vetëm për shkak se Rusia mund të japë sinjale për ndryshim të politikave. Kina njihet si njëri nga mbështetësit më të papërkulshëm të parimit të integritetit territorial të shteteve, dhe vështirë që do të mbështetë zgjidhje që mund të përdoren si shabllon nga Tajvani ose Tibeti në të ardhmen.
Është e vërtetë që nëse bëhet shkëmbimi i territoreve, parimi i paprekshmërisë së kufijve nuk mund të ruhet dhe shtetësia e Kosovës, ashtu siç është shpallur më 2008, do të vihet në dyshim seriozisht.
Së treti, është e paqartë se si një shkëmbim territoresh mund ta përshpejtojë integrimin e Kosovës në BE. Spanja dhe shtetet e tjera të BE-së që nuk e njohin Kosovën, si Qiproja e madje edhe Sllovakia, janë shprehur me vendosmëri se nuk do ta njohin Kosovën, pa marrë parasysh çfarë bën Serbia.
Përderisa Serbia mund t’i afrohet BE-së, siç ka bërë prej fillimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE në vitin 2011, e njejta nuk mund të thuhet për Kosovën. E ardhmja evropiane e Kosovës është e pasigurt për shkak të ndryshimit të prioriteteve brenda BE-së, nga zgjerimi e drejt reformave të brendshme dhe kontrollit të krizës në Ballkanin Perëndimor.
Së katërti, kur ballafaqohen avokuesit e shkëmbimit të territoreve në Prishtinë me argumentet që i shpreha më lart, ata mundohen t’i neutralizojnë kundërshtuesit e ndarjes së Kosovës duke argumentuar se shtetësia e Kosovës ka dështuar dhe se kur të finalizohet shkëmbimi i territoreve, Kosova menjëherë do të bashkohet me Shqipërinë. Të pranosh që Kosova është duke dështuar si shtet nuk do të thotë automatikisht se Kosova do të bëhet shtet më i suksesshëm duke i dhënë territor Serbisë.
Nëse për ndonjë arsye, Kosova pajtohet të shkëmbejë territore nën presionin ndërkombëtar, zbatimi i kësaj në terren do të jetë shumë i vështirë për shkak të mungesës së mbështetjes nga populli.
Është e vërtetë që nëse bëhet shkëmbimi i territoreve, parimi i paprekshmërisë së kufijve nuk mund të ruhet dhe shtetësia e Kosovës, ashtu siç është shpallur më 2008, do të vihet në dyshim seriozisht. Megjithatë, po të vendosin Kosova dhe Shqipëria të bashkohen e të bëhen një shtet, nuk është e qartë se si do të mund të parandaloheshin implikimet territoriale në Bosnje dhe Hercegovinë, ose në Maqedoni.
E për fund, shpeshherë thuhet që askush nuk duhet t’i pengojë zgjidhjet për të cilat pajtohen në mënyrë paqësore Serbia me Kosovën, edhe nëse përfshijnë shkëmbim territoresh. Shpeshherë argumentohet që një “zgjidhje e rrezikshme” është më mirë se një “konflikt i ngrirë i rrezikshëm”.
Por në bazë të përvojave ndërkombëtare, përpjekjet për zgjidhje të konflikteve kanë tendencë të dështojnë pa mbështetjen e shumicës së liderëve kryesorë politikë dhe të votuesve. Përveç presidentit të Kosovës, të gjithë liderët e tjerë politikë, të gjitha partitë politike dhe shumica e popullsisë janë shprehur kundër shkëmbimit të territoreve. Sondazhet kanë treguar që mbi 75% të popullsisë së Kosovës janë kundër shkëmbimit të territoreve, dhe që mbi 30% janë të gatshëm të ndërmarrin veprime për ta ndalur ndarjen e Kosovës.
Pra po e nxjerr përfundimin që nuk mund të pritet aspak një marrëveshje për ta ndarë Kosovën; dhe nëse për ndonjë arsye Kosova pajtohet për këtë, nën presionin ndërkombëtar, zbatimi i saj në terren do të jetë shumë i vështirë për shkak të mungesës së mbështetjes nga populli.
Së fundmi në Shqipëri kishte përleshje ndërmjet mazhorancës udhëheqëse dhe opozitës, si dhe ndërmjet kryeministrit dhe presidentit. Si e shihni gjithë këtë situatë?
Sa i përket Shqipërisë, ajo që kemi parë për shumë vite është një rast i qartë i “zhvillimit të frenuar”. E them këtë sepse në njërën anë, Shqipëria i ka të gjithë përbërësit për të qenë shtet i suksesshëm, madje edhe për t’u bërë lider i rajonit të Ballkanit.
Është shtet i bukur me një popullsi të re, diasporë shumë të shkathët dhe ndikim jashtëzakonisht të madh gjeopolitik, për shkak të lidhjeve të veçanta që i ka me Kosovën dhe rolit të saj si “shtet amë” për komunitetet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.
Ta marrim një shembull prej mundësive të pashfrytëzuara: prej vitit 1992, Shqipëria i ka prodhuar rreth 60,000 studentë me diploma bachelor, mbi 15,000 me diploma masters dhe rreth 900 me doktoratura prej universiteteve perëndimore. T’i kesh 900 doktorë shkence jashtë shtetit, kur i ke 3 milion banorë, është një rast katastrofik i zbrazjes së trurit. Paramendoni çfarë do t’i ndodhte Gjermanisë po të largoheshin nga vendi 27,000 gjermanë me doktoratura.
Është fatkeqësi që asnjë qeveri nuk ka arritur t’i tërheqë shqiptarët e suksesshëm dhe ta angazhojë këtë burim të fuqishëm në ekonominë kombëtare. Ne ende i shohim liderët nga epoka komuniste në pozitat udhëheqëse në Parlament dhe në Akademinë e Shkencave, për shembull.
Shumë nga mangësitë e Shqipërisë janë akumuluar prej vitit 1991, dhe nuk munden thjesht t’i atribuohen qeverisë Rama. Megjithatë, Rama po hyn në vitin e shtatë pa sukses të madh brenda a jashtë vendit, dhe ky është një burim i madh zhgënjimi.
Në anën tjetër, opozita nuk ka ofruar alternativë pozitive dhe nuk ka arritur t’i japë shpresë votuesve shqiptarë. Ndonëse njerëzit në përgjithësi kanë dyshime se Rama ka dështuar t’i realizojë premtimet që i dha më 2013, një numër i madh i njerëzve nuk e sheh opozitën si alternativë të besueshme.
Kjo kryesisht për faktin se shtyllat e pushtetit politik në Shqipëri janë kryesisht të njejtat që e mbajtën [ish-Kryeministrin Sali] Berishën në pushtet për tetë vjet. Pushteti politik dhe financiar bazohet kryesisht në një numër të kufizuar të oligarkëve që kanë punuar më parë me Berishën dhe [ish-Kryeministrin Ilir] Metën, dhe që mbështeten nga grupet e mëdha mediale, pronarët e të cilave kanë interesa politikë dhe biznese të errëta, por nuk i shërbejnë të mirës publike.
Organizatat lokale dhe ndërkombëtare kanë raportuar lidhje të fuqishme ndërmjet Partisë Socialiste e bashkëpunëtorëve të afërt të Ramës, si dhe organizatave kriminale shqiptare. Ka akuza serioze se të ardhurat e krimit të organizuar dhe burimet shtetërore përdoren për të blerë vota dhe për ta siguruar dominancën elektorale. Duke marrë parasysh lidhjet ndërmjet partisë qeverisëse, bizneseve dhe elitave mediale, si dhe rolin e organizatave kriminale në politikën shqiptare, them se vështirë që do të shohim ndryshime politike me këtë lloj opozite jofrymëzuese.
Plot analistë të pavarur pretendojnë se Rama do të vazhdojë të qeverisë keq e me mosndëshkim, sepse e ka mbështetjen e ShBA-së dhe të BE-së. Nuk pajtohem me këtë argument, por argumentoj se përparësia kryesore që Rama ka është opozita e dobët dhe mungesa e lidershipit të besueshëm. Pra një numër i madh i shqiptarëve janë duke “votuar me këmbë”, pra po ikin për shkak të zhgënjimit me transicionin e ngadalshëm dhe të dhimbshëm që u ka bërë mirë vetëm disa njerëzve të lidhur me politikën.
Ata që nuk kanë vendosur të emigrojnë ose janë të “çmobilizuar politikisht” dhe nuk dalin për të votuar, ose janë bërë cinikë dhe e shesin votën për një çmim të ulët, që zakonisht është në favor të partisë qeverisëse, e cila ka qasje në më shumë burime dhe vende pune. Nuk dua të them se Rama është përgjegjës për dështimet, sepse ai ka qenë në pozita udhëheqëse politike tash 21 vjet, gjegjësisht prej vitit 1998, por thjesht jam duke theksuar se edhe opozitës i mungon besueshmëria.
Në dhjetor e patëm një “shpërthim” të papritur të studentëve në Tiranë. Pas tri dekadave, a ishte kjo shkëndija e fillimit të një klase të re politike? A ka nevojë dhe hapësirë për një klasë të re politike në Shqipëri?
Protestat e studentëve me sa duket kishin synime të kufizuara dhe shumë prej kërkesave të tyre ishin më shumë teknike sesa politike. Megjithatë, ata arritën t’i ekspozonin dobësitë e Ramës, pasi që për herë të parë nuk ishte opozita, por një grup i organizatave studentore që lidhjet mes vete i kishin mjaft të çorganizuara, grup i cili po kundërshtonte politikat e tij dhe po i ekspozonte dështimet reale të sistemit të arsimit.
Në vend se të hapin rrugën për ndryshime politike, protestat i treguan limitet e transformimit të zhgënjimit dhe indinjatës sociale në alternativa domethënëse politike.
Mendoj se studentët arritën sukses të jashtëzakonshëm, sepse arritën ta “mposhtin Ramën në lojën e tij” duke dekonstruktuar në mënyrë kreative dhe paqësore reformat e ashtuquajtura, dhe duke treguar se universitetet publike po shpërfillen në favor të alokimit të burimeve për universitete private që kanë lidhje të ngushta me qeverinë.
Fakti që Rama u mundua t’i çmobilizojë protestuesit, t’i zhvlerësojë ata si “të manipuluar nga opozita” dhe t’i etiketojë si marksistë-leninistë, veç sa tregon rëndësinë e këtyre demonstratave. Kur e pa që studentët ishin duke e fituar betejën e marrëdhënieve me publikun, ai e ndryshoi taktikën dhe e mobilizoi gjithë aparatin shtetëror për t’i shuar protestat nëpërmjet premtimeve për reforma më të thella, dhe i ndërroi gjysmën e ministrave në qeverinë e tij, duke u munduar të duket më reaktiv ndaj indinjatës publike.
Protestat nuk zgjatën shumë, por ato i ekspozuan dobësitë e Ramës dhe faktin që ai ka sukses kryesisht për shkak të opozitës së plogët dhe të pasigurtë. E keqja është që në vend se të hapin rrugën për ndryshime politike, protestat i treguan limitet e transformimit të zhgënjimit dhe të indinjatës sociale në alternativa domethënëse politike.
Sa i përket pyetjes së fundit, do të thosha që më shumë se për një klasë të re politike, Shqipëria ka nevojë për një mënyrë të re të politikëbërjes, që është më e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve, më e përgjegjshme sa i përket ekonomisë kombëtare dhe burimeve natyrore, dhe më pak e fiksuar ndaj makinerisë së propagandës dhe inxhinierisë elektorale. Vështirë është të shtjellojmë se si ata që janë të dëshpëruar me Ramën dhe opozita do të bashkohen për ta krijuar një nismë të re politike, por protestat e studentëve demonstruan që nuk është e pamundshme të kundërshtohen institucionet më të larta politike.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën angleze dhe shqipe.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.