Hashim Thaçit i janë thinjur flokët goxha prej vitit 2008, kur më 17 shkurt lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në cilësinë e kryeministrit. Por, për dallim prej flokëve të tij, ndryshim nuk ka pësuar edhe zanati i tij për të bërë politik, sidomos ku vjen fjala për të marrë bajrakun për procese jetike për shtetësinë e Kosovën.
Plot 9 vite pas shpalljes së pavarësisë, tash në postin e presidentit, Thaçi ka marrë përsipër edhe një proces tjetër kyç për shtetëndërtimin e Kosovës – themelimin e ushtrisë, respektivisht transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Muajin e kaluar ai ka njoftuar se do të shmang ndryshimet kushtetuese për të transformuar FSK-në në ushtri duke miratuar një ligj të ri për FSK-në.
Megjithatë, një mori argumentesh janë vënë kundër nismës së presidentit, për bërjen e ushtrisë me ligj, e cila më parë mund të dërgojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare sesa të arrijë transformimin e mandatit të FSK-së sivjet. Thaçi ka kërcënuar me dorëheqje në rast se projektligji për FSK-në duke deklaruar tutje se të gjithë ata nga lidershipi politik që nuk e votojnë iniciativën e tij duhet ‘të shkojnë në shtëpi’ dhe me mandatin që ka si president ka të drejtën të shpërndajë Kuvendin, nëse arrin të kalojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë, në Kuvend.
Por, si nisi loja politike e Hashim Thaçit kësaj radhe? Më 7 mars, Thaçi i dorëzoi një projektligj Kuvendit të Kosovës, me anë të të cilit synohet të ngriten kapacitetet aktuale të FSK-së, që aktualisht ka 2,500 ushtarë aktiv, si dhe të fuqizohet misioni i kësaj force. Thaçi përmes kësaj inicative pretendon të jetë iniciatori i procesit të themelimit të ushtrisë, por diskutimet rreth transformimit të FSK-së kishin ndodhur edhe vite më parë.
Presidenti Hashim Thaçi ka bërë hapa që të avancojë procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës në javët e fundit, duke shmangur ndryshimet kushtetuese në këtë proces. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Njësoj sikurse procesi i pavarësisë, që nisi zyrtarisht në vitin 2005 me bisedimet në Vjenë mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndërmjetësimin e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, edhe ky për themelimin e ushtrisë nisi në fakt tre vite më parë, pra në vitin 2014. Megjithatë jo me intenzitetin e njëjtë si tash. Atë vit, menjëherë pas aprovimit të Analizës së Rishikimit të Sektorit të Sigurisë (RSSK), qeveria e koalicionit PDK (Partia Demokratike e Kosovës) dhe AKR (Alenaca Kosova e Re), kishte sjellë në Kuvendin e Kosovës disa amendamente për ndryshimin e nenit 126 të Kushtetutës respektivisht nenit që rregullon mandatin e FSK-së, votimi i të cilave kishte dështuar. Asokohe synohej që FSK të shndërrohet në Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK). E nëse kthehemi tek logjika e presidentit, që po krahason procesin e themelimit të ushtrisë me atë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, lehtësisht mund të konstatojmë se i dyti në thelb duket të jetë kompleks duke marrë parasysh nevojën për votat e përfaqësuesve serb në Kosovë.
Nëntë vite më parë Kosova u shpall e pavarur edhe pa pajtimin e Serbisë, ngase Hashim Thaçi si kryenegociator i Vjenës kishte pranuar një marrëveshje kornizë e quajtur “Pakoja e Ahtisarit”, dhe e cila garanton një mori të drejtash për serbët e Kosovës. Sipas kushtetutës të Kosovës asnjë ndryshim kushtetues në Kosovë në fakt nuk mund të ndodh pa dy të tretat e votave të dyfishta parlamentare. Kjo i bie që duhen dy të tretat e votave totale në Kuvendin që ka 120 ulëse deputetësh, si dhe dy të tretat e minoriteteve që i kanë 20 (nga 120) ulëse, 10 prej të cilave iu takon përfaqësuesve të serbëve. Këta të fundit, lidershipi i Kosovës ka dështuar tash e tri vite t’i bind të votojnë pro ndryshimeve të nevojshme kushtetuese për ta transformuar FSK-në në FAK.
Në Kushtetutë askund nuk thuhet se FSK-ja është mbrojtëse e terrritorit të Kosovës. Një mandat i tillë nuk është propozuar as nga zyra e presidentit në projektligjin e propozuar.
Në pamundësi që ta bëjnë këtë, Thaçi deri javën e kaluar – kur retorika e tij filloi të ndryzhojë – insistonte që nëpërmjet ligjit ta mundësojë formimin e ushtrisë së Kosovës, pa nevojën për ndryshim të Kushtetutës, apo ndryshimet të emrit të FSK-së.
Por deri ku do të shtrihet ushtria e Kosovës, e themeluar me ligj? Kjo është një pyetje të cilës Thaçi në një debat publik të organizuar nga Qendra Për Politika të Sigurisë, më 14 mars , nuk iu përgjigj.
Forca aktuale e Sigurisë së Kosovës njihet sipas kushtetutës si “forca kombëtare e sigurisë” që ka për mandat të mbrojë qytetarët e Kosovës pa dallim. Askund në Kushtetutë nuk thuhet se FSK është mbrojtëse e territorit, respektivisht sovranitetit, të Kosovës, e një mandat i tillë nuk i njihet as me projektligjin e propozuar nga kabineti i presidentit.
Në një debat të organizuar së fundmi nga Qendra për Politika të Sigurisë, Thaçi nuk është përgjigjur në pyetjen se a do të jetë ushtria e formuar sipas ligjit të tij, në gjendje që të shtrihet dhe të operojë në gjithë territorin e Kosovës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Përveç kësaj, dilema sa i përket njohjes dhe shtrirjes së ushtrisë së Kosovës brenda gjithë territorit të saj ngritin edhe tri marrëveshje ndërkombëtare. Dy të cilat Kosova i kishte pranuar para shpalljes së pavarësisë. Është Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës, që të dyja marrëveshje të vitit 1999. Ato nuk njohin asnjë forcë tjetër mbrojtëse e ushtarake në Kosovë përveç se forcat e NATO.
Marrëveshja e tretë është ajo e 19 prillit të 2013-ës, e arritur në Bruksel, ku thuhet palët në dialog janë pajtuar se pa aprovimin e NATO-s trupat e FSK-së nuk mund të kalojnë në veri, marrëveshje kjo e pranuar nga qeveria e Thaçit asokohe.
Presidenti Thaçi në paraqitjet e tij publike javët e fundit ka thënë se roli i NATO-s nuk do të ndryshojë edhe pas transformimit. Kjo megjithatë nënkupton po ashtu se edhe nëse FSK do të transforomohej sipas planit të tij në ushtri, do ta pyeste NATO-n respektivisht trupat e KFOR-it në Kosovë ta zëmë për të shkuar në veriun e Mitrovicës, që konsiderohet në fakt faktor destabiliziimi në Kosovë sa i përket sigurisë. Vetë Thaçi gjatë një debati publik, prej të shumtave që ka mbajtur, e pati ngritur nevojën e themelimit të ushtrisë edhe si pasojë e kërcënimeve që vijnë nga jashtë duke përmendur këtu trenin provokativ të Serbisë që u nis në janar të këtij viti për në Mitrovicën veriore si dhe duke përmendur edhe probleme tjera në pjesën veriore të Kosovës, si murin e ndërtuar ilegalisht nga përfaqësuesit serb të veriut afër urës së Ibrit.
Pa pare, s’ka ushtri
Akoma më të vështirë rrugëtimin e ri të Thaçit, për dallim prej atij të vitit 2008 kur lexoj deklaratën e shpalljes së pavarësinë, duket se do t’ia bëjë edhe mos-përkrahja e amerikanëve e as ajo e NATO-s, për iniciativën e tij.
Dorëzimi i projektligjit për FSK-në tek kryeparlampentari Kadri Veseli në fillim të marsit nuk u prit aspak mirë nga asnjëra prej këtyre palëve. Vetëm një ditë pasi Thaçi dorëzoi projektligjin në Kuvend, qeveria amerikane përmes ambasadës në Prishtinë tha qartazi se është e ‘shqetësuar për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të FSK-së pa amandament kushtetuese’.
Ambasadori Greg Delawie në disa paraqitje të tij publike ka ritheksuar se amerikanët duan që transformimi të ndodh ngadalshëm dhe me gjithpërfshirje politike, si dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Madje duke paralajmëruar se ligji i propozuar “do ta detyronte [SHBA-në], që ta rivlerësojë bashkëpunimin [e saj] dypalësh me Forcat e Sigurisë së Kosovës si dhe ndihmën afatgjatë për këto forca”. “Shqetësim serioz”, veprimin e Thaçit e kishin vlerësuar edhe zyrtarë të NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i saj Jens Stoltenberg madje kishte deklaruar për media se e kishte parlajmëruar Thaçin dhe kryeministrin Isa Mustafa se “veprimet e njëanshme të tyre, do të jenë të padobishme”.
Kërcënimet për rishikim të mbështetjes aktuale të FSK-së nga ana e amerikanëve dhe zyrtarë të NATO-s nuk janë për t’u lënë anash as për faktin se janë dy sponzorueset kryesore të forcave të sigurisë në Kosovë.
Nëse ta zëmë bazohemi në raportet vjetore të Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK) shihet se shuma prej qindra mijëra e deri në miliona donacione janë dhënë nga qeveria amerikane dhe NATO për FSK-në. Vetëm në vitin e kaluar, ta zëmë, qeveria amerikane ka mbështetur FSK-në me pajisje të kërkim shpëtimit (SAR), asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera dhe deminimit humanitar (EOD), mbrojtjes kimike, atomike dhe biologjike (HAZMAT) dhe pajisje të komunikimit, në vlerë të përgjithshme prej mbi 10 milion e 800 mijë dollarë – më saktësisht 10.8 milion dollarë. Ndërsa nga fondi i mirëbesimit (Trust Fond) i NATO-s, FSK ka pranuar afro 234,000 euro për ndërtimin e aneksit të servisit të automjeteve dhe renovimi i servisit aktual në Kazermën e FSK-së.
Donacione të pranuara nga SHBA (2015):
-
EOD (1) në vlerë prej 105,107$;
-
Pajisje për servisimin dhe kalibrimin e pajisjeve të EOD-së në vlerë prej 17,760 $;
-
Pajisje mjekësore për trajtim të traumave në vlerë prej 109,434$;
-
Pajisje (kit bag flyer's ) çanta ushtarake në vlerë prej 1 ,603 $;
-
Çanta ushtarake në vlerë prej 1,988 $;
-
Pajisje për EOD (2) në vlerë prej 52,553 $;
-
Pajisje për deminim në vlerë prej 195,785 $;
-
Pajisje mjekësore për trajtim të traumave në vlerë prej 868 $.
-
Pajisje për kërkim-shpëtim në vlerë prej 28,959 $ nga NATO (Trust Fund).
Krejt këto shifra, por edhe mbështetje të tjera si trajnime të shumta, shkollimet e kadetëve të FSK-së në Universitetin e Iowas tregojnë për rëndësinë e përkrahjes tutje të SHBA-ve dhe NATO-s për FSK-në, sidomos për shkak se kjo forcë edhe ashtu nuk ka buxhet të mjaftueshëm shtetëror për të menaxhuar nevojat e saja aktuale, e lëre më nevojat shtesë që do të lindin me ngritjen e kapaciteteve.
Buxheti shtetëror i cili është ndarë për FSK-në, gjatë këtij viti është pak mbi 51 milion euro. Derisa ekspertë të sigurisë vazhdimisht kanë deklaruar se një buxhet i tillë nuk do të mund të përballojë transforimin e FSK-së në ushtri. FSK-ja i ka 2,500 pjesëtarë aktiv dhe 800 rezervë, krahasuar me trupat e NATO-s që ka 5,000 ushtarë aktiv dhe 3,000 rezervë të stacionuar në Kosovë. Nuk dihet saktë numri i armëve që i posedon FSK, por dihet se lloji i armëve është i tipit Heckler dhe Colt, pra armatim i lehtë – që nuk është i mjaftueshëm për një ushtri të rregullt.
Sfidimi i partnerit të koalicionit
Përveç mungesës së miratimit të dy sponzorizuesve kryesor të FSK-së, iniciativa e presidentit duket se nuk përkon as me planin e ekzekutivit të shtetit, pjesë e së cilës është edhe partia që ai themeloi dhe udhëheqi për 17 vite – PDK.
Kryeministri Isa Mustafa me 13 janar të këtij viti, menjëherë pas mbledhjes së fundit të Këshillit Nacional për Siguri, (i cili sipas kushtetutës së vendit i ofron qeverisë këshilla për çështje të sigurisë), pra vetëm një ditë para se treni i Serbisë me mbishkrimin nacionalist “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë, të ndalohej kishte pranuar në fakt rekomandimin e Këshillit që të procedohet me rekomandimet e Analizës nga Rishikimi i sektorit të Sigurisë (RSSK) edhe sa i përket transformimit të FSK-së.
Kryeministri Isa Mustafa ka pranuar një rekomandim nga Këshilli Nacional për Siguri që të nis me ngritjen e kapaciteteve të FSK-së qysh në janar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Në letër rekomandimin të Këshillit Nacional për Siguri, kopjen e së cilës e ka K2.0, rekomandohet hartimi i menjëhershëm i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, e jo atë të mbrojtjes; kjo strategji ishte mbetur peng pa u ri-hartuar pikërisht sepse pritej së pari transforimimi i FSK-së në FAK në vitin 2014.
“Vonesa [e transformimit të FSK-së në FAK] po ashtu krijon pengesa në draftimin e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes për të përcaktuar kërcënimet me të cilat ballafaqohet Kosova të cilat më tej përcaktojnë nevojat e FSK-së/FAK-ut (Forcave të Armatosura të Kosovës)”, thuhet në rekomandimin që i është dërguar qeverisë në janar të këtij viti. Megjithatë i njëjti thekson se çfarëdolloj tranzicioni i FSK-së në FAK, “duhet bërë vetëm pas një analize të vërtetë të kërcënimeve me të cilat ballafaqohet Kosova”.
Analiza nga RSSK tregon qartazi se transformimi “gradual i misionit të FSK-së” në mision të mbrojtjes së “sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës” mbetet ndër rekomandimet për të avancuar sektorin e sigurisë dhe që institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës të i përmbahen parimit të kontrollit civil dhe demokratik të autoriteteve të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligje si dhe aktet ndërkombëtare ligjore.
Ka tashmë gati një muaj që projektligji për FSK-në është proceduar për mendim në Qeveri. Megjithatë kjo nuk ka marrë akoma ndonjë vendim. Ministritë e linjës, si ajo e Integrimeve Evropiane, e FSK-së si dhe e financave tashmë e kanë dhënë një mendim. Por sipas një shkrimi të Besnik Krasniqi në Koha Ditore, publikuar më 31 mars 2017, Mustafa mund të procedojë ato pa mendim të qeverisë për ligjin, dhe mund të mos bëjë asnjë hap tutje për shkak të mos-përkrahjes së amerikanëve për transfromimin e FSK me ligj.
Qeveria e Kosovës ka qëndruar e heshtur sa i përket asaj, nëse do të mbështes projektligjin e propozuar për formimin e FSK-së nga Thaci. Foto: Atdhe Mulla / K2.0
Mustafa, madje, në një tubim të LDK-së në Prizren kishte thënë se e mbështesin themelimin e ushtrisë sipas Kushtetutës, por nuk ka dhënë akoma përgjigje zyrtare sa i përket vendimit për draftligjin e inicuar nga presidenti.
E përderisa LDK akoma mbetet e heshtur për këtë temë, partitë opozitare me gjithë dilemat për tranformimin e FK-së përmes ligjit, kanë shprehur publikisht përkrahen e tyre për ushtrinë.
Mos-përkrahja e mundshme e projektligjit të Thaçit nga LDK ndërkaq do të mund të cilësohej si vetëvrasje politike për LDK-në e cila edhe ashtu po akuzohet si fajtore për mos themelimin e ushtrisë në vitin 2014 nga ana e presidentit. Asokohe ishte LDK ajo e cila nuk e përkrahi procesin, por qeveria kishte dështuar po ashtu që të sigurojë votat e përfaqësuesve serbë pa të cilat nuk mund të bëhet asnjë ndryshim kushtetues.
Thaçi iu referua këtij dështimi gjatë konferencës për shtyp ditën kur dorëzoi projektligjin në Kuvend duke deklaruar se FSK mund të ishte transformuar lehtësisht atë ditë. Ai tha se dështimi ndodhi për shkak të “zhvillimeve politike”, dhe shtoi se koha tani ka ardhur për t’i tejkaluar dallimet politike në mes të partive politike shqiptare në Kosovë, e për të qëndruar pranë njëri tjetrit, në mënyrë që të themelohet ushtria e Kosovës.
Nëse LDK vazhdon të mbajë këtë qëndrim edhe në rast se projektligji për FSK-në sillet në Kuvend, për herë të dytë kjo parti do të etiketohet si fajtore për mos tranformimin dhe themelimin e ushtrisë së Kosovës. Në ndërkohë që paralajmërimet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare duken të jenë serioze. Subjektet politike veç se kanë filluar të bëjnë publike sondazhet e tyre dhe të përdorin në diskurs fjalën zgjedhje.
Tërheqje taktike?
Por, ditëve të fundit, Thaçi veç ka nisur të ndryshojë diskursin e tij publik, si pasojë e disa hapave që partnerët kyç të Kosovës – përfaqësuesit amerikan – i kanë bërë, duke theksuar se FSK nuk bëhet ushtri pa miratimin e serbëve të Kosovës. Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 29 mars, madje iu bëri thirrje liderëve kosovarë që të mos miratojnë projektligjin që do të krijonte ushtri të rregullt nga Forca aktuale e Sigurisë.
"Nuk ka forcë që mund të pengoj formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës."
Hashim Thaçi
“Do të donim që qeveria të bëjë një hap prapa dhe ta tërheqë ligjin nga tryeza”, tha Yee në një intervistë për RTK-në, gjatë qëndrimit në Prishtinë të mërkurën.
Një ditë pas takimit të tij me Yee, presidenti Thaçi në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, kur u pyet nëse Qeveria duhet ta tërheq nga tryeza e saj projektligjin e propozuar nga ai, tha se “koha që ka mbetur është e mjaftueshme që të ndodhin bisedime të hapura me komunitetin serbë’. Duke lënë për të kuptuar se do të nis bisedimet për të bindur serbët që të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese në kuvend, ani pse vet e kishte quajtur pothuajse të dështuar si tentativë për tash e tre vite.
“Në politikë nuk ka kurrë, kurrë! Nuk mund të thuhet kurrë se një proces nuk mund të ndodh. Nuk ka forcë që do të mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë ai, duke mos iu referuar FSK-së me emrin aktual por atë që do ta merrte vetëm pas ndryshimeve kushtetuese – FAK.
Megjithatë rrugëtimi për ushtri, pa mbështetjen e sponzorizuesve kryesorë të saj e të pavarësisë së Kosovës, dhe votat e përfaqësuesve serb në Kuvend, duket të jetë shumë më i pasigurt. E sigurt deri tani del të jetë vetëm fakti se Thaçi është zotuar se nëse nuk e kalon ligjin, ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, madje në kohën kur Kuvendin e presin një sërë punë, si demarkacioni me Malin e Zi (si kusht të për liberalizimin e vizave).
Derisa, shumë shpejtë pritet edhe publikimi i aktakuzave të para nga ana e dhomave të specializuara të Prokurorisë për krime lufte. Procese për të cilat Thaçi ishte në dijeni shumë kohë para se të bëjë manovrin e tij të fundit, duke ngritur një sërë spekulimesh për motivin për inicatiën e fundit të tij, me të cilën thotë se do ta bëjë FSK-në ushtri. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.