Blogbox | Identitet

Si e krijoi koronavirusi një kosovare

Nga - 21.04.2020

Kam marrë disa mësime të rëndësishme gjatë ngujimit.

Si duket përvjetorin tim të 14-të të ardhjes në Kosovë nga Anglia do ta kaloj në ngujim. 

Jo vetëm që Kosova është në karantinë të rreptë në mënyrë që të menaxhohet koronavirusi, por edhe kisha mbetur në një shtet të tretë kur u vendosën kufizimet. U ktheva në Londër, por para se të hipja në aeroplan për t’u kthyer në Ballkan, fluturimet ishin anuluar. 

Dhe kështu, ngujimin jam duke e kaluar në atdheun tim, në Mbretërinë e Bashkuar. Ky vërtet është vendi ku kam lindur, por të jem këtu e jo në shtëpinë time në Prishtinë gjatë pandemisë është tëhuajtje shtesë në një kohë që ka tëhuajtur të gjithë.

Në jetën time shtegtare, kjo është hera e parë që kam kaluar kaq shumë kohë në këtë shtëpi të një fshati të Kornuallit, dhe ndihem e larguar nga Qyteza Pejton. Por në të njëjtën kohë, gjatë këtyre javëve kam zbuluar disa mënyra të reja dhe të thella që më bëjnë të ndihem më kosovare se kurrë më parë.

Dokumentet dhanë lajmin se po bëhesha kosovare parvjet, kur mora shtetësinë përmes dekretit presidencial. Letërnjoftimi dhe pasaporta kosovare janë dy prej gjërave më të çmueshme që kam, por edhe pse Kosovën e kam shtëpi për më shumë se gjysmën e jetës si e rritur, natyrisht që ky vend nuk më ka formësuar, dhe kam ardhur këtu me përvoja dhe besime të shumëllojshme që s’më kanë lejuar të përshtatem. 

Por ndonjëherë nuk janë gurët e mëdhenj që të bëjnë të marrësh në thua në shtegun për t’u përshtatur.

Prej atyre ka përcaktorë që tashmë jam mësuar t’i shpjegoj, ose t’i manovroj. Jo, nuk vij prej një tradite myslimane; jo, nuk e ha mishin; po, unë dhe partneri kemi vendosur të mos bëjmë fëmijë (jo, as edhe ‘një të vetëm’, siç më këshillon taksisti, sikur të më ofronte karamele kur jam në dietë).

Por ndonjëherë nuk janë gurët e mëdhenj që të bëjnë të marrësh në thua në shtegun për t’u përshtatur. Atyre gjërave ua gjen disi një zgjidhje; janë ata të vegjëlit që ta vrasin gishtin; zhavorri që të hyn në sandale dhe s’të lë të ecësh si duhet — detajet e vogla të sjelljes dhe zakoneve që i kam gabuar.

Sa i përket mësimit të shqipes, shpejt i rashë në fije se si të kuptohem nga të tjerët, dhe tash e kam shtënë në dorë se si t’i kujtoj dhe të jem e vëmendshme ndaj fjalëve të reja për gjësende të njohura dhe për tingujt që kam menduar se i di — y-ja, q-ja dhe j-ja sillen mjaft ndryshe nga mënyra se si i njihja në anglishte; l-të të kërkojnë ta përdredhësh gjuhën sikur i lëpin pjesët e bredshme të dhëmballave.

Por më të vështira ishin gjërat që s’përthehen — veçanërisht mënyra dëshirore e foljeve, që shpreh urime dhe mallkime: kur dikush të uron shëndet pasi të teshtish, ajo është në mënyrën dëshirore. Kur dikush të shaë, e bën në mënyrën dëshirore. Kur blen ndonjë rrobë apo byzylyk, shitësi të uron në mënyrën dëshirore që ai gjësend të të sjellë kënaqësi.

Çfarë ëshë më shqetësuese, një shoqe më uroi që të më grisen këpucët e reja — një kompliment tradicional që, siç më është thënë, shpreh pëlqim për këpucët por edhe ia kujton bartësit se duhet të shpresojë për të rrojtur më gjatë se to, pa marrë parasysh sa i don. Si mund ta përkthesh këtë?

Këpucët më shkaktuan probleme të tjera kur erdha në Kosovë për herë të parë: i zemëroja njërzit kur nuk i hiqja këpucët brenda shtëpisë, por u mësova me këtë zakon shumë shpejt.

Më mori më shumë kohë të mësohem me rregullat për çantat — kur e lashë timen në tokë, një shoqe e re kosovare u ngut për ta zhvendosur në një karrige. Dikush ma shpjegoi se e bëri që të mos ma “përpijë toka” pasurinë. 

Përshëndetjet ishin të pakufishme. “Qysh je?”

“Mirë, faleminderit!”

“A je lodhë?” (Shpejt e mësova përgjigjen ndaj kësaj, e cila fillmisht m’u duke e pasjellshme.)

“Jo fort.”

“Qysh je me shnetën?”

Disi e kisha dhënë përgjigjen më parë, por, “Mirë, faleminderit.”

“E prindërit?” Më pyesnin njerëzit që nuk i njihnin fare prindërit e mi.

“Mirë janë. E tutë?” Ma mori mendja se edhe unë duhet të pyes.

“Qysh është Roberti?” Paj, mirë ishte, dhe qëndronte mu pranë meje — bëja me dorë nga ai. Të pamposhtshëm, kalonin te ai për miratim.

“Qysh je?”

“A je lodhë?”

Vazhdimisht  mirëpriteshim me ngrohtësi në shtëpitë e njerëzve, si dhe gjithmonë ftoheshim për t’u bërë pjesë e darkave të mëdha familjare, duke pasur mundësinë për të kuptuar se sa kosovarët e vlerësojnë kohën me të dashurit. Në fund të këtyre vizitave, ne ngriheshim dhe i nisnim përshëndetjet, duke i falënderuar nikoqirët për mikpritjen.

Të vetmet raste kur spontaniteti më ka dalë keq janë ato kur e kam thyer rregullën duke organizuar diçka më herët në mënyrë jospontane.

Lamtumira jonë në dhomat e ndejës ose në korridore nuk ngjallte ndonjë përgjigje përveç hutimit, derisa përcilleshim te porta e jashtme në skaj të oborrit. Aty përfundonte detyrimi i nikoqirëve ndaj nesh si mysafirë, dhe aty më në fund i pranonin falënderimet tona duke na uruar udhë të mbarë — zakonisht me ndonjë dhuratë (pemë nga kopshti, pite, një palë çorape) dhe ca fjalë në mënyrën dëshirore.

Mësova se kur një shoqe të thërret dhe thotë “desha të shoh mos je e lirë për kafe”, nuk duhet ta marr ditarin (siç kam bërë për herë të parë, duke e hutuar të mjerën) dhe të them, “Po, sigurisht. Mund të shihemi të mërkurën, ose të enjten më datën 17”. Më duhet të them, “shihemi për 5 minuta”.

Mësova se të vetmet raste kur spontaniteti i tillë më ka dalë keq është kur e kam thyer rregullënduke organizuar diçka më herët në mënyrë jospontane.

Një ditë në Kosovë, unë dhe Robi morëm ftesa për dy dasma. Njëra prej tyre ishte prej një shoqeje amerikane që po na ftonte për dasmën e saj të caktuar pas gjashtë muajsh, kurse tjetra prej një shoku shqiptar që kishte dasmën pas dy javësh. Me këtë lloj kohe organizohen ngjarjet me rëndësi jetësore këtu.

Pak kohë më vonë u përpoqa ta rezervoj një biletë autobusi prej Prizrenit në Stamboll. Nuk ishte ndonjë ngjarje e madhe jetësore por merrte diku 24 orë dhe ishte një lloj udhëtimi që doja ta planifikoja së paku një muaj përpara. Kur fola me kompaninë e udhëtimeve, ata u zunë gafil nga kërkesa ime.

“Ju lutem, a mund të na thirrni jo më shumë se një javë para kohës kur doni të udhëtoni”, më thanë. “Mund të bëjmë rezervime vetëm shtatë ditë para kohe”. Natyrisht, në kohën kur planifikoja për udhëtim mund të më vinte ndonjë ftesë për dasmë në po atë ditë…

Po ashtu mësova se sa me fat jam që mund të shkoj me autobus nga Kosova në Stamboll. Kalimi përmes kufirit të BE-së, në Bullgari, dhe liria e lëvizjes është diçka që nuk e kanë shumica e kosovarëve, të cilët presin për liberalizimin e vizave.

E dua pasaportën time kosovare, pra udhëtoj me të dhe me letërnjoftimin tim kosovar kur lëviz mes Kosovës dhe Shqipërisë, por pasaportën britaneze mund ta mbaj afër tyre në çantë kur kam nevojë të dal jashtë Ballkanit. Kjo mund të ndryshojë, natyrisht, meqë MB-ja po del nga BE-ja, dhe Kosova po lëviz drejt Evropës… kismet.

“A ishte kismet a mukajet kjo?” më pyeti qartas.

Kjo është diçka tjetër që kam mësuar — se kur bëheshin planet, ato prapë vareshin prej një fjale turke që kishte hyrë në gjuhën shqipe. Kismet do të thotë “fat”, dhe shkurajohesha prej mënyrës se si përdorej për çdo planifikim.

Vozitësi ynë te OJQ-ja The Ideas Partnership, të cilën e kam bashkëthemeluar në Kosovë, e shkruan kohën dhe vendin e takimit me mua për më vonë, dhe më siguron se do të jetë aty, “kismet”.

Dikur mësova se është një fjalë tjetër turke që mund të përdoret për përgjigjen fataliste të Elvirit. “Mukajet” pak a shumë do të thotë “me përpjekjet e tua”. Është e kundërta konceptuale e asaj çfarë bën kur ia lë një punë kismetit.

“Jo, Elvir, nuk do të jesh aty me “kismet” — por me “mukajet”, kundërshtova. “Duhet të sigurohesh që të vish”. Nuk u shpreh për këtë.

Dhe ndodhi që, kur ishte caktuar që të më merrte me makinë nga aeroporti, fluturimi im për të ardhur ishte shtyrë për shkak të dëborës. Më priti për shumë orë pa ndonjë ankesë, dhe kur më në fund erdha i kërkova falje që iu desh të humbasë kohë për mua.

“A ishte kismet a mukajet kjo?” më pyeti qartas. U pajtuam që dëbora është punë e fatit dhe nuk të lë shumë hapësirë për t’ia ndryshuar teket.

Një vit më vonë, kur më tha se e kishte gruan shtatzënë dhe se mund të mos kishte kohë të vinte për të më marrë nëse udhëtimi përkonte me kohën e lindjes, e caktuam edhe një gjë tjetër që është vërtet kismet. “Por, çdo gjë tjetër, Elvir” tha kjo britanezja krenare “është mukajet”.

Sërish, ai nuk u shpreh për këtë.

Vetëm në kohë të pandemisë kam nisur të mendoj si kosovare e vërtetë.

Fola në Messenger me Elvirin këtë muaj kur koronavirusi po bën kërdinë në shtetet tona. U desh të anulohen disa plane; nuk pata mundësinë t’i kryej disa vizita te miqtë e mi që ishin planifikuar në janar, dhe nuk munda t’i bëj disa pagesa përmes bankës meqë pajisjen e sigurisë nuk e kisha në shtetin e duhur. Ia shpjegova se si planet e mia duhet të ndryshoheshin dhe Elviri kishte mirësjelljen për të më lënë të shfrej.

Atëherë kuptova që përmes këtij ngujimi disajavor kisha marrë më shumë mësime të thella për të jetuar si kosovare, sesa në 14 vitet e para. Është ironike se në muajin kur më është dashur të qëndroj palëvizur kam kaluar kufirin më të rëndësishëm drejt një mënyrë të huaj të mendimit.

E kisha gatuar bakllavanë e parë dhe isha bërë ndrikull për një fëmijë kosovar. Kisha votuar në zgjedhjet e para kosovare. Por vetëm në kohë të pandemisë kam nisur të mendoj si kosovare e vërtetë. Është interesante se e njëjta ka ndodhur edhe me shumë britanezë të tjerë.

Së pari janë përshëndetjet. Kjo është një kohë që vërtet na kërcënon shëndetin.

Të gjithë i kemi frikat e vërteta dhe të bazuara që mund të na ngjitet koronavirusi. Ka mjaft rrëfime për gjërat që mund t’u ndodhin edhe të rinjve të shëndoshë që marrin virusin, e që të shtyjnë ta nisësh secilën bisedë me pyetje rreth shëndetit të bashkëbiseduesit.

Dhe pyetja është aq serioze sa të thuhet një herë nuk mjafton. Më duhet të sigurohem. Më duhet ta di jo vetëm që shoqja është mirë, por edhe që të dashurit e saj janë mirë. “Si i ke prindërit?” i pyes shpesh njerëzit, edhe kur nuk ua njoh familjet.

E kuptova se jam në duart e diçkaje të panjohur dhe të mbrapshtë, ndaj së cilës mund të më duhet të nënshtrohem.

Po ta kishim dëshiroren në gjuhën angleze, sigurisht që do ta përdorja tash — do të shprehja urime dhe shpresime për fuqi dhe shëndet ndaj të gjithë shokëve që po rrojnë më gjatë se këpucat e tyre. Si duket, ndjenjat e mia të reja kosovare po dalin edhe në mënyra të tjera.

Papritmas jam e vetëdijshme për trillet e fatit.

Po, është shkenca dhe mikroskopët e saj që na tregojnë se koronavirusi duket si jashtëtokësor shumëbrirësh që kërcen nëpër sipërfaqet e karrocave të dyqaneve, hapësirat e tjera publike dhe imagjinatat tona. Si mund të sigurohem që s’ka qenë në zarfin që e kam hapur para se t’i prek sytë, dhe se nuk ka qenë e pezulluar në ajër sa isha në zyrë?

E kuptova që në të vërtetë nuk mund të sigurohem; e kuptova se jam në duart e diçkaje të panjohur dhe të mbrapshtë, ndaj së cilës mund të më duhet të nënshtrohem.

Natyrisht, po i ushtroj të gjitha fuqitë e mukajetit për ta ndalur atë që po ndodh. Dezinfektuesin po e përdor dhe distancimin fizik po e respektoj, por po ashtu po mendoj për gjërat që po i sjell në shtëpi nga bota e jashtme.

Këpucët? I lë te dera. Çantat? Natyrisht nuk i lë në tokë…

Dhe duke i pasur parasysh këto rreziqe të vazhdueshme ndaj shëndetit tim dhe të të githë botës, është me të vërtetë vështirë të bësh plane. Shoqet e mia që kanë caktuar dasma pas gjashtë muajsh nuk kanë kurrfarë mbrojtje ndaj kismetit dhe koronavirusit.

Madje është e vështirë edhe të lësh kohë për kafe — çdo gjë që s’mund ta bëjmë tani është në dorë të zotit.

Kam kaluar disa orë të mukajetit duke lexuar të dhëna, duke mësuar për epidemiologjinë, për shkallën e shërimit të Kinës krahasuar me ditët e ngujimit në MB ndaj vdekjeve nga koronavirusi në Kosovë për të parashikuar se kur mund të kthehem në Prishtinë. Në maj? Pas Bajramit? Në qershor? Kismet.

Në ndërkohë, sa jam e mbyllur në shtëpi, kujtoj të vërtetën që ma kanë thënë përherë shokët kosovarë: rëndësinë themelore të cilësisë së lidhjeve me njerëzit që jeton; me njerëzit që i do.

Po mësoj, sigurisht, edhe se si të jetoj dhe ta pranoj jetën në një shtet që s’mund ta lësh: pavarësisht çfarë pasaporte ke, kufijtë tani janë të mbyllur.

Nuk do të duhej një pandemi për t’i marrë këto mësime. Shpresoj — për hir të shokëve në Kosovë, në MB dhe në vendet e tjera — se kjo do të kalojë së shpejti.

Por kur të kalojë, disa gjëra do të mbesin të ndryshuara përgjithmonë. Njëra prej tyre jam unë — Kosovarja e Koronavirusit.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0. 

  • PËR AUTORIN/EN Elizabeth Gowing
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO