Jeton Shabani lë përshtypjen se zgjatet për 5 centimetra teksa shoqëron ekipin e K2.0 përreth punishtes së biznesit të tij.
Pasi kalon grumbuj blloqesh të bardhë të mëdhenj, ai ndalet në anën përballë hyrjes, në pikën ku fillon linja e prodhimit. Nga mënyra si e shpjegon punën e makinerisë, rutinisht e megjithatë përplot energji, vërehet qartë se e ka bërë këtë lloj turneu shumë herë më parë. Roli i ushtruar mirë, i luajtur në një ambient të njohur për të, nën shoqërimin e zhurmës së madhe përreth, lë pak vend për pyetje spontane; skenari duhet të ndiqet deri në fund.
Jetoni dhe vëllezërit e tij janë pronarë të kompanisë Bunjamini — një ndërmarrje private që prodhon llojshmëri materialesh ndërtimore dhe renovuese. Duke qenë në biznes që prej vitit 1992, në 2017 ata menduan se ishte koha ta rrisnin kompaninë e tyre duke hapur një fabrikë polisteroli përveç dy punishteve të tjera që kishin, të cilat prodhojnë kryesisht ngjitës dhe ngjyra.
“Me një kredi që e morëm dhe me kapitalin që veçse e kishim, kemi arritur të investojmë më shumë se 3 milionë euro. Infrastruktura nuk ka qenë e përfunduar, por për ne më e rëndësishmja ishte toka”, shpjegon Jetoni jashtë fabrikës. “Qiraja që paguajmë këtu është gati se e papërfillshme; kjo është çfarë e bën këtë vend të përshtatshëm për ne”.
Jeton Shabani dhe vëllezërit e tij në vitin 2017 zgjeruan kompaninë e tyre Bunjamini duke e hapur një fabrikë për prodhimin e polisterolit në Parkun Industrial në Frashër, afër Mitrovicës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Toka ku vendosën ta ndërtojnë fabrikën, në fshatin Frashër rreth pesë kilometra jashtë Mitrovicës, është pjesë e Parkut Industrial 48 hektarësh — një zonë ekonomike e krijuar në vitin 2014 me qëllim të ofrimit të hapësirës dhe infrastrukturës bazike për bizneset në rritje.
Parku liston edhe 20 biznese të tjera të regjistruara për ta shfrytëzuar zonën për zhvillimin e aktiviteteve të tyre ekonomike. Sidoqoftë, që prej themelimit të zonës ekonomike në vitin 2014, me përjashtim të kompanisë Bunjamini — që punëson 10 punëtorë në këtë fabrikë nga 70 punëtorë sa ka gjithsej — asnjë biznes tjetër nuk ka filluar punën aty. Andaj, zona duket larg nga të qenët hapësirë e gjallëruar ekonomike që do të ndihmonte për t’ia rikthyer Mitrovicës epitetin e humbur të “qytetit industrial”.
Ndërkaq, në Parkun e Biznesit në qytet, pak kilometra nga rruga për Frashër, Komuna e Mitrovicës ka thënë se është duke i rishikuar kontratat me një sërë biznesesh që jashtëligjshëm kanë lëshuar me qira hapësirat biznesore të cilat iu kishin ofruar falas.
Gjithsej, në tërë vendin janë 10 zona ekonomike që operojnë nën emra të ndryshëm — Park Biznesi, Park Teknologjik, Zonë Agro-Industriale, ose Park Industrial — të krijuara gjatë dekadës së fundit. Sidoqoftë, jo të gjitha nga to janë funksionale.
Sipas Komunës së Mitrovicës, shumë nga ndërmarrjet private të kontraktuara për të operuar në Parkun e Biznesit në Mitrovicë i kanë lëshuar me qira hapësirat të cilat iu kishin ofruar falas. Foto: Atdhe Mulla / K2.0
Që prej vitit 2010 kur u formua parku i parë i biznesit në Drenas, projekti i zonave ekonomike është shndërruar nga nismë premtuese për mbështetjen e sektorit privat, tërheqjen e investitorëve të huaj dhe nxitjen e rritjes ekonomike, në hapësirë të përplasjeve politike dhe kritikave kundër interesave partiake e zgjedhore, keqmenaxhimit, dhe mungesës së zgjidhjeve kreative.
Përkundër premtimeve të vazhdueshme për potencialin e tyre — të paktën 11 kryetarë të tanishëm të komunave janë zotuar në zgjedhjet e fundit komunale para katër vitesh se do të ndërtojnë zona të reja ekonomike— ende nuk është bërë asnjë analizë e detajuar për përfitimet ekonomike nga zonat ekonomike.
Vitin e kaluar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) nisi procesin e ndryshimit të Ligjit për Zonat Ekonomike, duke ripërtërirë debatet rreth ndikimit dhe funksionalitetit të tyre.
Arsyeja prapa zonave ekonomike
Koncepti i zonave ekonomike nuk është i ri. Në të vërtetë, historianët kanë gjetur gjurmë të një “zone të lirë” antike në Delos nga viti 166 B.C. — një vendim që e kishte katapultuar ishullin grek në mesin e ishujve më të pasur në të gjithë botën pothuajse për një shekull.
Versioni i ditëve moderne i zonave ekonomike bazohet në të njëjtin parim: ofrimin e kushteve të favorshme për bizneset në lokacione të caktuara për të nxitur zhvillimin ekonomik të një vendi. Infrastruktura e zhvilluar mirë, qiraja me kosto të ulët, shërbimet administrative, qasja më e lehtë në transport dhe lidhje tregtare, qendrat për trajnim të stafit, dhe bashkëpunimi më dinamik biznesor, të kombinuara ndonjëherë me lehtësime fiskale si pushimet tatimore, janë disa nga përparësitë që synojnë t’i bëjnë zonat ekonomike tërheqëse për bizneset.
Sipas legjislacionit aktual, zonat ekonomike në Kosovë themelohen nga qeveria bazuar në një propozim nga ana e MTI-së. Propozimi dorëzohet vetëm pasi komunat dhe organizatat biznesore që janë të interesuara të krijojnë një zonë ekonomike paraqesin kërkesë të shkruar në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) — organi në kuadër të MTI-së që është përgjegjës për menaxhimin e zonave ekonomike. Megjithatë, paqartësitë rreth kompetencave ligjore dhe vështirësitë praktike në themelimin e zonave ekonomike janë vetëm disa nga çështjet të cilat ndryshimet në ligj synojnë t’i adresojnë.
Në kontekstin ekonomik të Kosovës, nevoja për zgjidhje të duhura ekonomike është e qartë.
Me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon dhe deficit tregtar deri në 30% të bruto prodhimit vendor, rritja e ngadaltë ekonomike në Kosovë gjatë dekadës së fundit nuk ka arritur t’i adresojë problemet strukturore dhe të krijojë zhvillim në vend. Gratë vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të nënpërfaqësuara në fuqinë punëtore me shkallë të punësimit prej vetëm 13.7%, ndërsa remitancat — paratë që i dërgon diaspora — ndihmojnë kapacitetin konsumues të ekonomive familjare.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e përgjithshme e papunësisë mbetet pothuajse 25% — një përkujtim i zymtë i sfidave të vazhdueshme të cilat pandemia i ka rënduar edhe më shumë për bizneset dhe punëtorët gjatë 12 muajve të kaluar. Një vlerësim i tillë u mbështet nga FMN-ja, që në shkurt parashikoi se rritja ekonomike e Kosovës “do të mbetet nën trendin para krizës për një periudhë të zgjatur”.
Situata aktuale rithekson nevojën për të mbështetur industritë prodhuese të Kosovës dhe për të tërhequr investime qoftë nga diaspora apo nga investitorë të tjerë të huaj.
Përkrahësit e zonave ekonomike argumentojnë se ato mund të ofrojnë mundësi që diaspora të riorientojë një pjesë të remitancave nga shpenzimet familjare drejt industrive që nxisin eksportin dhe krijojnë vende pune. Këto aspekte reflektohen edhe në Ligjin për Zonat Ekonomike, ku përcaktohet se një nga qëllimet kryesore të themelimit të zonave ekonomike është “të ndihmojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, veçanërisht në sektorin privat”.
Peshimi i kostos dhe përfitimeve
Ideja për krijimin e zonave ekonomike në Kosovë nisi në gjysmën e parë të viteve 2000 me paraqitjen e një pilot-projekti në komunat e Drenasit dhe Mitrovicës.
Në 2010, një vit pas miratimit të Ligjit për Zonat Ekonomike, Parku i Biznesit në Drenas do të bëhej zona e parë ekonomike e themeluar zyrtarisht në Kosovë. I gjendur në një sipërfaqe prej 24 hektarësh dhe me 41 biznese që operojnë aty, parku tani është një nga zonat më të populluara në vend.
Sipas KIESA-s, Parku i Biznesit në Drenas, Parku Teknologjik në Shtime dhe Parku i Biznesit në Mitrovicë janë tri zonat e vetme ku infrastruktura është përfunduar në tërësi.
Në katër zona të tjera, të vendosura në Shirokë (Suharekë), Viti, Lipjan, dhe Vushtrri, ende kanë mbetur aspekte të ndryshme infrastrukturore për t’u përfunduar, ndërsa investimet në zonat në Suharekë, Frashër (Mitrovicë) dhe Rahovec kanë qenë shumë më të ngadalshme.
Drejtori i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat, Nol Buzhala, thotë se nëse “gjërat shkojnë sipas planit”, infrastruktura e zonave në Shirokë, Viti dhe Vushtrri pritet të përfundohet brenda këtij viti. Sidoqoftë, ai thekson se zhvillimi i zonave të mbetura do të marrë më shumë kohë, ndërsa përmend mungesën e buxhetit si arsyen kryesore për vonesat.
“Me rreth 1.2 milionë euro buxhet vjetor që ka Ministria për investime kapitale, përfundimi i infrastrukturës zgjat tre ose katër vjet”, thotë Buzhala. Në bazë të një përllogaritjeje, do të na duheshin 15 milionë euro për t’i përfunduar të gjitha zonat”.
Nol Buzhala, drejtor i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat në KIESA beson se zonat ekonomike paraqesin një nga historitë e pakta të suksesit ekonomik në periudhën e pas-pavarësisë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Sipas të dhënave që K2.0 ka siguruar prej KIESA-s — të cilat dallojnë nga të dhënat në webfaqen e saj — aktualisht në zonat ekonomike në Kosovë janë të vendosura rreth 130 biznese dhe 1,600 deri në 2000 punëtorë, varësisht nga stina.
Buzhala ngutas vlerëson se këto shifra paraqesin “një nga zhvillimet e pakta të prekshme ekonomike” në Kosovën e pas-pavarësisë. “Është histori e suksesit — aty ku më parë kishte djerrina, tani ka hapësira prodhuese”.
Një optimizëm i tillë kundërshtohet nga Mimoza Kusari Lila, udhëheqëse e partisë Alternativa, e cila u rizgjodh deputete si pjesë e listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme, të mbajtura në shkurt. Si ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë gjatë viteve 2011 dhe 2013, si dhe më pas si kryetare e Gjakovës, ajo ka qenë drejtpërsëdrejti e përfshirë në përpjekjet për materializimin e konceptit të zonave ekonomike.
Tani, ajo nuk heziton të kritikojë kur vlerëson se si ka shkuar i gjithë procesi.
“Janë dy dështime kryesore që i kanë shoqëruar zonat ekonomike përgjatë të gjitha qeverive deri më tani: politizimi dhe keqmenaxhimi”, thotë ajo. “Ka pasur keqmenaxhim në procedurat e prokurimit si dhe në zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve. Kjo e reflekton problemin më të gjerë me sundimin e ligjit në Kosovë”.
Mimoza Kusari Lila ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë në përpjekjet për zhvillimin e një zone ekonomike në Gjakovë sa ishte kryetare e qytetit, por thotë se angazhimi i saj ishte penguar nga keqmenaxhimi dhe politizimi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Për Kusari Lilën, mungesa e buxhetit nuk është përligjje e vlefshme e asaj çfarë ajo e cilëson si “sukses minimal i zonave ekonomike” në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. “Më shumë se buxhet të pamjaftueshëm, ka pasur mungesë të zgjidhjeve kreative, planifikimit të duhur dhe llogaridhënies. Nëse do të kishte pasur projekte novatore dhe vullnet politik, do të mund të tërhiqeshin më shumë fonde nga donatorët”, thotë ajo.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, pajtohet gjithashtu se zonat ekonomike nuk kanë arritur të ofrojnë mbështetje përmbajtësore për sektorin privat. “Përveç tokës dhe infrastrukturës themelore, aktualisht zonat ekonomike në Kosovë nuk ofrojnë përfitime të tjera për bizneset”, thotë ai.
Rukiqi shton se Kosova duhet ta shqyrtojë mundësinë e sektorializimit të zonave ekonomike si një mënyrë e nxitjes së kapaciteteve të veçanta sektoriale në krahina të caktuara të vendit. Shembujt e sukseshëm të zonave ekonomike në rajon, si Turqia dhe Maqedonia Veriore fqinje “kanë kombinuar shërbimet administrative dhe profesionale që thjeshtësojnë procedurat burokratike me lehtësi fiskale”, thotë ai.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se shembujt rajonalë mund të merren si mësim për përmirësimin e funksionimit të zonave ekonomike. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Me këtë mendësi kishte filluar procesi i themelimit të zonave të para të “lira” ekonomike në Mitrovicë dhe Gjakovë në vitin 2014. Zonat e lira ekonomike përgjithësisht synojnë të shkojnë më larg me përparësitë që ofrojnë për bizneset, duke krijuar lehtësi fiskale si lirim nga pagesa e detyrimeve doganore apo nga tatimi mbi vlerën e shtuar, përveç përfitimeve të rregullta infrastrukturore që ofron një zonë ekonomike.
Një studim fizibiliteti kishte vlerësuar se komuna e Gjakovës — në jug, afër kufirit me Shqipërinë — dhe ajo e Mitrovicës — në veri, pranë kufirit me Serbinë — kishin potencial dhe kushte të përshtatshme për themelimin e zonave ekonomike. Të dy komunat ishin shumë të industrializuara gjatë periudhës së Jugosllavisë, kishin forcë punëtore industriale dhe gjenden në lokacione që konsideroheshin të favorshme për tregti ndërkufitare.
“Në moment të fundit, qeveria e udhëhequr atëherë nga koalicioni PDK-AKR, e përfshiu edhe Prizrenin në projektin e zonave të lira ekonomike, edhe pse nuk kishte analizë ekonomike për këtë komunë”, thotë Kusari Lila, teksa shton se kjo ishte bërë kryekëput për interesa zgjedhore.
Një raport i publikuar së fundi nga Instituti GAP për zonat ekonomike në Kosovë e reflekton një qëndrim të tillë, duke vlerësuar se procesi i krijimit të zonave të lira ekonomike u udhëhoq “nga partitë kryesore në koalicionin qeverisës dhe vendimet më shumë ishin për qëllime elektorale se sa që kishin arsye ekonomike”.
Në raport gjithashtu ceket një koncept-dokument i miratuar nga qeveria në vitin 2017 i cili kishte gjetur se ka mungesë të përkufizimit konkret se çfarë nënkuptohet me termin zonë “e lirë” ekonomike.
Deri më sot, asnjë nga zonat e lira ekonomike të shpallura nuk është materializuar në praktikë, dhe ndryshimet e propozuara në variantin aktual të projektligjit synojnë ta largojnë në tërësi përkufizimin e “zonës së lirë ekonomike”, duke i lënë stimujt fiskalë të përcaktuar vetëm sipas neneve ekzistuese në Kodin Doganor dhe të Akcizave .
Terren kontestimesh
Procedurat administrative për krijimin e një zone ekonomike i ngjajnë një maratone burokratike — lejet ministrore, plani rregullues urban komunal, studimi i fizibilitetit, dhe dëshmia mbi pronësinë apo posedimin e tokës, janë vetëm disa prej 20 dokumenteve që duhet t’i bashkangjiten kërkesës për aplikim.
“Është sikur të aplikosh për vizë”, bën shaka Nol Buzhala, teksa shpjegon rolin mbikëqyrës të KIESA-s në këtë process.
Në disa raste, marrja e dëshmisë mbi pronësinë apo posedimin e tokës është bërë pengesë e pakalueshme për komunat aplikuese, duke i kthyer mosmarrëveshjet pronësore në histori të ndërfutura në bisedat për zonat ekonomike.
Një përvojë të tillë e ka pasur Komuna e Prizrenit, e cila ka paraparë krijimin e një prej zonave më të mëdha ekonomike në vend, në një hapësirë prej 84 hektarësh. Megjithatë, që prej vitit 2019 është mbërthyer në një vorbull vendimesh, emailash dhe kërkesash të shkëmbyera ndërmjet ministrive relevante, qeverisë dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në lidhje me përgjegjësitë e tyre kushtetuese për bartjen e pronave të administruara nga AKP-ja në menaxhim të komunës.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Maskuka, tha për K2.0 përmes Zoom-it se procesi i transferimit të një sipërfaqeje prej 40 hektarësh në pronësi të komunës e ka bllokuar themelimin e zonës ekonomike. “Hapësira e pronës së ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë tashmë ka kaluar në menaxhim të komunës, dhe deri më tani kemi investuar mbi 1 milion euro në infrastrukturë”, thotë ai. “Problemi i vetëm i cili është duke na penguar që zyrtarisht ta krijojmë zonën ekonomike janë 40 hektarët ende të administruar nga AKP-ja”.
Teksa 20 biznese veçse kanë treguar interes për t’i vendosur kapacitetet e tyre prodhuese në këtë zonë, dhe me disa prej tyre që po tërhiqen për shkak të vonesave procedurale, Haskuka shpreson se qeveria e re do ta prioritizojë zhbërjen e kësaj bllokade për t’u hapur rrugë investimeve të reja të shumëpritura në mes të krizës së pandemisë COVID-19.
Prizreni nuk është komuna e vetme që ka hasur vështirësi me pronat e mëhershme shtetërore të gjendura në listat e privatizimit, në prag të formimit të zonave ekonomike. Gjatë mandatit të Kusari Lilës si kryetare e Gjakovës, ndërmjet viteve 2013 dhe 2017, hapësirat e tri ndërmarrjeve publike ishin cilësuar si të përshtatshme për zhvillimin e zonës ekonomike në këtë qytet.
Megjithatë, qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk kishte treguar gatishmëri për t’i tërhequr këto ndërmarrje — Virgjininë, Metalikun dhe Jatexin — nga procesi i privatizimit dhe për t’i bartur në menaxhim të komunës, kështu që projekti i zonës ekonomike në Gjakovë ende as sot nuk është materializuar.
Kusari Lila sjell ndër mend se ideja kryesore ishte vënia në përdorim e trashëgimisë industriale të Gjakovës si bazë ekzistuese për zhvillim të qëndrueshëm të qytetit. “Plani ishte të shfrytëzoheshin hapësirat e mëhershme industriale për interes të përgjithshëm duke vendosur kompani të reja aty. Konsideroj se pengesat kyesore për zbatimin e tij kishin të bënin me interesa të ngushta politike të qeverisë”, thotë ajo. “Kjo sërish do të mund të realizohej, pasi ndërmarrjet ende nuk janë privatizuar”.
Një nga premtimet zgjedhore të Vetëvendosjes, grupin parlamentar të së cilës aktualisht e udhëheq Kusari Lila, ishte shpërbërja e AKP-së dhe në vend të saj krijimi i një “Fondi Sovran” që do të administronte me asetet që ende nuk janë privatizuar. Tani me Vetëvendosjen në pushtet dhe Kurtin kryeministër, Kusari Lila sugjeron se shpërbërja e AKP-së duhet të bëhet paralelisht me rishikimin e Ligjit për Zonat Ekonomike.
“Një koordinim i tillë ndërmjet këtyre dy proceseve do të ndihmonte t’i jepej fund praktikës së ndërtimit të zonave ekonomike në toka bujqësore apo në prona të shpronësuara, dhe në vend të kësaj të shfrytëzoheshin asetet publike”, shton ajo.
Çështja e shpronësimit u bë veçanërisht temë e diskutimit në marsin e kaluar kur qeveria e parë jetëshkurtër e udhëhequr nga Kurti anuloi një sërë vendimesh nga vitet 2018 dhe 2019 që e shpallnin Malishevën zonë të interesit të veçantë me qëllim të krijimit të një zone ekonomike aty. Një ndër arsyetimet për shfuqizim ishte kostoja e lartë e shpronësimit, pasi qeveria e kaluar kishte planifikuar të paguante nga 807 euro për ar në pronat që ishin blerë me çmim prej 10 eurosh për ar në kohën kur ishin privatizuar.
Ajo çfarë e bëri vendimin për krijimin e zonës ekonomike në Malishevë edhe më kundërthënës ishte fakti se disa prej pronave të planifikuara për shpronësim shtriheshin në fshatin e Fatmir Limajt, i cili atëherë ishte zëvendës kryeministër, dhe se MTI-ja udhëhiqej nga një ministër prej radhëve të NISMA-s, partisë së drejtuar nga Limaj. Sipas analizës së GAP-it, ky është vetëm një nga rastet e dukshme ku “vendimmarrja për krijimin e zonave ekonomike është e bazuar më shumë në kritere partiake, krahinore e për qëllime elektorale, se sa në një analizë të mirëfilltë ekonomike”.
KIESA mohoi se ka pasur ndonjë rol në rastin e Malishevës, duke thënë se vendimet e qeverisë, në atë kohë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, përfshinin procedura fillestare për shpalljen e një zone të interesit të veçantë që më vonë do të çonte drejt themelimit të zonës ekonomike. “Ato kanë qenë vendime të qeverisë për shpronësim dhe KIESA nuk ka qenë e përfshirë në asnjë nga to; nuk ka pasur kërkesë zyrtare të dërguar në KIESA për krijimin e një zone ekonomike në Malishevë”, deklaron Buzhala, para se ta pranojë se “ka qenë paksa e paqartë se si ka shkuar e gjitha”.
Buzhala shtoi se aktualisht Skenderaj është komuna e vetme që ka filluar procesin e marrjes së lejeve dhe kompletimit të dokumenteve për aplikim për themelimin e një zone të re ekonomike, mirëpo kërkesa zyrtare ende nuk është dorëzuar. “Në bazë të komunikimit që kemi pasur, komuna është në fazën e fundit të plotësimit të aplikacionit dhe së shpejti do ta dërgojë kërkesën në KIESA”.
Nëse kërkesa përfundimisht pranohet, zona ekonomike në Skenderaj do të bëhej zona e 11-të e krijuar brenda një periudhe 11-vjeçare në Kosovë.
Me qeverinë e re e cila ka përcaktuar si prioritete kryesore drejtësinë dhe krijimin e vendeve të punës, mund të jenë pjekur kushtet për një vlerësim dhe reformë tërësore të qasjes ndaj zonave ekonomike. Deri atëherë, zonat do të vazhdojnë të lëkunden ndërmjet historive të suksesit sikurse ajo e vëllezërve Shabani dhe akuzave për keqpërdorim. K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’Angazhimi qytetar’’, që financohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian.