Siguria energjetike: zotimet e partive politike
K2.0 analizon programet zgjedhore.
Pasiguria e sektorit energjetik në Kosovë u bë temë sërish në fund të vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025, kur ndërprerjet e energjisë elektrike u kthyen.
Derisa u bë më i zhurmshëm së fundmi, ky diskutim e përcolli vendin përgjatë gjithë vitit 2024 për shkak të reduktimeve përgjatë stinës së verës, kur konsumi i energjisë u rrit shumë në krahasim me verat e kaluara.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mbetet qendror sa herë që flitet për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, pasi është kapaciteti bazë i gjenerimit të energjisë elektrike, me afër 90%. Kapacitetet tjera janë të energjisë së ripërtëritshme, që e mbulojnë konsumin e energjisë për vetëm 12%. Si të tilla, termocentralet, përkundër ndotjes së shumtë që e shkaktojnë, vazhdojnë të jenë bazamenti i sigurisë së furnizimit me energji. E kur këto dy burime të energjisë s’mjaftojnë, sidomos gjatë stinës së dimrit, importi i energjisë elektrike është i pashmangshëm për mbulimin e konsumit — ai mbuloi gjysmën e konsumit gjatë dhjetorit 2024. Lëvizjet e paparashikuara në bursën ndërkombëtare të energjisë bënë që çmimi i energjisë të importuar të bëhet pengesë për furnizim të qëndrueshëm. Nga 1 deri më 26 dhjetor, u importua 35 milionë euro energji.
Që prej pasluftës, nuk pati asnjë investim domethënës që do t’i mundësonte vendit gjenerim të sigurt të energjisë. Megjithatë, përgjatë dy dekadave, nëpër tavolinat e qeverive të ndryshme kanë kaluar plane të ndryshme që do ta zgjidhnin këtë çështje, por s’u realizuan ndonjëherë.
Prej fillimit të viteve 2000 e deri në vitin 2021, plani për termocentralin e ri, herë i quajtur “Kosova C”, herë “Kosova e Re” ka qenë pjesë e programeve qeverisëse. Secila qeveri ka dështuar ta zbatojë këtë projekt, në kohën kur institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore (BB), që ishte financues i këtij projekti, ende mbështesnin thëngjillin. Në vitin 2018, BB u tërhoq nga mbështetja e marrëveshjes për shkak të orientimit kah energjia e gjelbërt, e pas një sage të gjatë, diskutimesh pro et contra, në vitin 2021, edhe investitorët e kontraktuar të projektit “Kosova e Re”, biznes britanez për gjenerimin e energjisë elektrike “Contour Global”, u tërhoqën dhe paditën Kosovën për mos-respektim të kushteve.
Një mundësi e dytë ka qenë ndërtimi i një centrali me gaz dhe lidhja me gazsjellësin në Maqedoni të Veriut, por qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), u tërhoq nga ky projekt në vitin 2021 duke thënë se nuk është i favorshëm ekonomikisht.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2025, K2.0 analizoi planet e tri subjekteve politike më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate, partinë Forumi Intelektual E-30 dhe Listën Konservatore.
LVV nuk e ka publikuar ende programin zgjedhor, andaj, K2.0 shqyrtoi hapat që ka marrë gjatë qeverisjes së vendit në katër vitet e fundit dhe të shohë se çka mund të nënkuptojë kjo nëse nëse marrin një mandat tjetër.
Orientimi i LVV në katër vitet e fundit
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte në krye të qeverisë në katër vitet e fundit, sipas strategjisë së hartuar për energjinë që përfshin periudhën 2021-2023, nuk parasheh asnjë gjenerues të ri të energjisë me bazë në qymyr apo me gaz natyror dhe është zotuar për dekarbonizim të plotë deri në vitin 2050.
Ndërkohë, në Planin Kombëtar për Klimë dhe Energji (PKKE) në Kosovë, ende në nivel drafti dhe i kërkuar nga Këshilli Ministror i Komitetit të Energjisë, një organizatë ndërkombëtare që bashkon BE dhe shtetet që synojnë integrimin në BE për të krijuar një treg të integruar pan-evropian të energjisë, parashihet që energjia e bazuar në qymyr do të dominojë deri në vitin 2040, pa një datë të përcaktuar për largimin e tij. Por, synimet e qeverisë aktuale janë ta rrisin pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) në 32% deri në vitin 2030.
Si mbulohet prodhimi i energjisë elektrike dhe cilat janë synimet?
Në dokumentin që Kosova prezantoi në konferencën më të madhe globale kundër ndryshimeve klimatike, COP29, të mbajtur në Azerbejxhan, në nëntor të vitit të kaluar, u zotua të reduktojë 42% të emetimeve të karbonit deri në vitin 2030 krahasuar me vitin 2016. Megjithatë, për të arritur këtë objektiv, Kosovës i nevojiten 4.8 miliardë euro, prej të cilave i mungojnë 3 miliardë. Përveç sfidave financiare, burokracia e tepërt dhe vonesat në zbatimin e projekteve janë faktorë që po ngadalësojnë progresin. Në skenarin më optimist, viti 2050 mund ta gjejë Kosovën me ajër më pak të ndotur, por ende me qymyrin si burimin kryesor të prodhimit të energjisë.
Në katër vitet e fundit janë janë ndërmarrë disa hapa në sektorin e energjisë së gjelbërt. Në pjesën e parë të vitit 2024, Kosova përfundoi me sukses ankandin e parë për energji solare, për të instaluar një kapacitet gjenerues prej 100 MW. Përkundër këtij suksesi, puna në terren ende nuk ka filluar. Po ashtu, në dhjetor 2024, qeveria lansoi një ankand për 150 MW energji të erës, që do të zhvillohet në dy llote dhe do të jetë investim i përbashkët mes qeverisë dhe sektorit privat. Nëse procedurat për ankandin e erës përfundojnë deri në janar 2025, atëherë qeveria do të ketë realizuar vetëm dy ankande për energji të rinovueshme brenda katër viteve.
Krahasuar me projektet ekzistuese që gjenerojnë energji nga era dhe dielli, gjatë një viti këto dy kapacitete prej 100 MW secila, do të mund të prodhojnë optimalisht 8% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend. Pra, nuk kontribuojnë në mëyrë domethenëse në arritjet e caqeve për 2030.
Nga vjen energjia elektrike që e konsumojmë dhe cilat janë synimet?
Më 9 janar 2025, qeveria lansoi Parakualifikimin për Projektin e Ruajtjes së Energjisë përmes Baterive, që përfshin qytetet Ferizaj dhe Istog. Projekti do të përfshijë ndërtimin e kapaciteteve për bateri të energjisë elektrike, duke themeluar një ndërmarrje të re të quajtur Korporata e Ruajtjes së Energjisë. Kjo korporatë do të menaxhojë dy bateri me kapacitet prej 125 MW për dy orë secila (250 MWh), ndërsa KOSTT do të ketë në pronësi 45 MW për dy orë (90 MWh), që i bie se brenda një dite, kapaciteti i plotë që mund të ofrojnë këto bateri është 340MWh.
Ndërkohë, kriza energjetike që kishte kapluar gjithë Evropën, pas pushtimit në shkallë të plotë rus në Ukrainë, bëri që në fillim të vitit 2022, qeveria e Kosovës të lansonte masat e para mbështetëse për qytetarët, për të rritur efiçiencën e energjisë duke subvencionuar ngrohjen nëpërmes pajisjeve efiçiente. Pas kësaj, në vitet në vazhdim, qeveria ka mbështetur edhe disa masa përmes thirrjeve të hapura për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset që të pajisen me pajisje efiçiente, por edhe me ndihmë në instalim të ngrohjeve, apo ndryshim të dritareve dhe izolimit të shtëpive.
Politikat dhe veprimet e ndërmarra nga LVV gjatë këtij mandati sinjalizojnë që LVV do të vazhdojë të përqendrohet në tranzicionin energjetik të vendit drejt burimeve të pastra të energjisë. Por pa paraparë një furnizim të sigurt në këtë fazë tranzicionale, me pjesëmarrjen e vogël të BRE në prodhimin e përgjithshëm të energjisë — varësia ndaj importit do të vazhdojë të jetë esenciale. E krizat energjetike do të mund të vazhdojnë sa herë të rritet kërkesa.
Ndërkohë, programet zgjedhore të PDK, LDK dhe AAK, zotohen për ndërtimin e gjeneruesve të energjisë me bazë në gaz natyror.
Centrali me gaz dhe gazifikimi i vendit
Partitë më të mëdha opozitare e shohin gazin natyror si rrugën më të shpejtë për të arritur një stabilitet të furnizimit me energji elektrike.
PDK zotohet për realizimin e projektit të centralit me gaz me kapacitet 350MW, që do të pasohet nga tubacionet me Shqipërinë nëpër të cilën kalon gazsjellësi TAP, i cili ka një terminal në afërsi të Fierit. Gjithashtu tubacione për gazifikim planiifkohen edhe me Maqedoninë e Veriut, e cila veçse është në rritje të kapaciteteve për gazifikim për veten e saj. Por, Maqedonia e Veriut gjendet mes Kosovës dhe Greqisë, ku ndodhet Alexandroupolis LNG terminal, si burim i “gazit amerikan” që vjen në gjendje të lëngshme (LNG).
Sipas PDK-së, gazifikimi i vendit përfshin një rrjet të shpërndarjes dhe furnizimit në Kosovë, pa specifikuar se cilat pjesë do të gazifikohen fillimisht, por duke thënë se gjithçka do të paraprihet nga një studim i hollësishëm. Programi i tyre premton që furnizimi me gaz do të ulë koston e jetesës për qytetarët dhe bizneset.
LDK, ndërkohë, ka një program më të zgjeruar në aspektin e ndërtimit të centralit me gaz dhe gazifikimit.
LDK-ja zotohet në ndërtimin e centralit me gaz me kapacitet prej gjithsej 500 MW për sigurimin e energjisë bazë dhe për balancimin e sistemit duke mundësuar tranzicionin e largimit nga teknologjia e thëngjillit, dhe duke e mbyllur përfundimisht termocentralin “Kosova A”. Sipas LDK, ky projekt do të kushtojë rreth 500 milionë euro, përderisa periudha e ndërtimit do të jetë katër deri në pesë vite. Burimin e financimit për këtë projekt ata e shohin tek Fondi i Kursimeve Pensionale, që paraqet edhe një barrierë në përdorim të këtij fondi, pasi ligji aktual mundëson që ato të investohen vetëm në tregje financiare dhe jo në projekte të tilla.
Si vazhdimësi e centralit me gaz, LDK planifikon gjithashtu gazifikimin e vendit, nëpërmes një linje që do të kalonte nga Hani i Elezit deri në Mitrovicë, me një kosto prej 120 milionë eurosh, për të cilat nuk tregohet burimi i financimit. Megjithatë, brenda këtij plani thuhet se përmes qyteteve të afërta me këtë linjë do të mund të kyçen qytetarët dhe bizneset.
Koalicioni i udhëhequr nga AAK, në programin e saj gjithashtu zotohet për ndërtimin e centrali me 500 MW kapacitet, pa detaje shtesë. Por, në një postim që ka bërë në rrjete sociale, Ramush Haradinaj, kryetari i partisë, njëherësh kandidat për kryeministër nga ky koalicion, duket që bëhet fjalë për central me gaz. Gjithashtu edhe AAK parasheh ndërtimin e rrjetit të gazit, por kjo është e tëra. Asnjë detaj shtesë për mënyrën e financimit ose aspektin kohor nuk është i përshkruar, por qëndron si premtim i vetëm.
Centralet me gaz zakonisht shfrytëzohen në periudhën tranzicionale drejt energjisë së gjelbërt. Megjithatë, gazi natyror është burim fosil, ndonëse shumë më i pastër se thëngjilli. Por, ndërtimi i një centrali të tillë prej zeros — meqë Kosova nuk ka as infrastrukturë e as fuqi punëtore për të operuar me të — mund të marrë shumë kohë, që nënkupton se nuk është intervenim i shpejtë për sigurimin e stabilitetit energjetik. Po ashtu, rikthimi te burimet fosile mund të shënojë një hap mbrapa në agjendën e gjelbër të vendit, nëse nuk punohet njëkohësisht në ndërtimin e kapaciteve të reja nga BRE.
Krahas planeve për ndërtimin e kapaciteteve të reja bazë të gjenerimit të energjisë elektrike, në programet e tyre zgjedhore, partitë zotohen për rritjen e kapaciteteve në energjinë e ripërtëritshme.
Energjia e ripërtëritshme
LDK ka vendosur energjinë e qëndrueshme dhe investimet në burime të ripërtëritshme në qendër të programit të saj qeverisës, duke paraqitur një plan ambicioz për transformimin e sektorit energjetik në Kosovë. Sipas këtij plani, investimet në parqet energjetike do të realizohen kryesisht nga sektori privat, pas miratimit të një legjislacioni të posaçëm që stimulon investimet dhe krijon një mjedis të favorshëm për zhvillimin e projekteve të reja. Një nga qëllimet kryesore të programit të LDK-së është arritja e cakut prej 32% të pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtëritshme në bruto konsumin final të energjisë, brenda një periudhe afatmesme.
Pjesë e rëndësishme e këtij plani është edhe vetëqëndrueshmëria energjetike e institucioneve publike, ku parashikohet që mbi 70% e këtyre institucioneve të pajisen me panele solare. Ky hap do të reduktonte varësinë nga burimet tradicionale të energjisë dhe do të ulte ndjeshëm kostot operative të institucioneve, duke kontribuuar njëkohësisht në përmirësimin e qëndrueshmërisë mjedisore të vendit. Ky zotim vjen anipse instalimi i paneleve solare nuk e bën të vetëqëndrueshëm atë institucion, pasi energjia e gjeneruar nga panelet solare nuk është non-stop dhe varet nga kushtet atmosferike.
LDK gjithashtu ka premtuar se do të zhvillohet dhe studimi i fizibilitetit për ndërtimin e një hidrocentrali reversibil. Ky do të ishte një rezervuar bazë uji, i cili lëshohet në qarkullim me lëshimin e ujit në turbina kur ka nevojë për energji elektrike, kurse kur ka tepricë të energjisë, ai ujë dërgohet përsëri me pompa uji në rezervuarin bazë. Ky projekt ka kosto prej 200 milionë euro dhe parashihet të bëhet përmes partneritetit publiko-privat, ku 50 milionë euro do të investohen nga buxheti publik dhe 150 milionë euro nga investitorët privatë.
PDK në anën tjetër ka vënë theks të veçantë në krijimin e një agjencie të re në këtë fushë, të quajtur One-Stop-Shop.
Sipas tyre, kjo agjenci që do të përshpejtonte dhe lehtësonte procesin e dhënies së lejeve për investitorët privatë dhe qytetarët që dëshirojnë të investojnë në energjitë e ripërtëritshme. Kjo do të ishte një pikë qendrore ku të gjitha procedurat e nevojshme mund të përfundohen në një vend të vetëm, duke eliminuar burokracitë e tepërta dhe vonesat që deri më tani kanë qenë pengesë për zhvillimin e sektorit të energjisë së gjelbër në Kosovë.
AAK ndërkohë fut në lojë hidrogjenin si burim të energjisë. Koalicioni i udhëhequr nga AAK synon të promovojë zhvillimin e kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit të pastër si pjesë të strategjisë për një sistem energjetik më fleksibël dhe të qëndrueshëm. Kjo nismë ka për qëllim shfrytëzimin e energjisë së tepërt nga burimet e ripërtëritshme, si era dhe dielli, përmes elektrolizës për prodhimin e hidrogjenit. Hidrogjeni i prodhuar do të shërbente si zgjidhje për ruajtjen e energjisë së tepërt dhe për balancimin e rrjedhave energjetike, duke siguruar që furnizimet të jenë të qëndrueshme dhe të besueshme. Përveç kësaj, hidrogjeni mund të ruhet dhe të përdoret si lëndë djegëse ose si bartës energjie, duke kontribuar në fleksibilitetin e sistemit dhe në reduktimin e emetimeve të karbonit.
Kostoja e përafërt për ndërtimin e kapaciteteve të elektrolizës vlerësohet të jetë 1-1.5 milionë euro për Mw, ndërsa infrastruktura për ruajtjen dhe transportin e hidrogjenit, përfshirë depot dhe sistemet e shpërndarjes, kërkon një investim të vlerësuar prej 50-100 milionë eurosh. Për të optimizuar kostot dhe për të lehtësuar integrimin në rrjetin aktual energjetik, ndërtimi i këtyre kapaciteteve do të realizohet pranë termocentraleve ekzistuese.
Hidrogjeni në energji ende konsiderohet një inovacion, aq më shumë për vendet në zhvillim. Sfida kryesore mund të konsiderohen kostoja shumë e lartë e ndërtimit dhe zhvllimit të teknologjisë së nevojshme, por edhe përgatitja e kuadrit që do të merret me këtë projekt. Anipse do të ishte një projekt shumë i përparuar për Kosovën, që për të ardhmen e largët parashihet edhe në Strategjinë e Energjisë 2022-2031, dhe do të ndihmonte vendin për dekarbonizim, realizimi i tij duket i largët.
Aktualisht, në botë një teknologji të tillë e përdorin vende si: Gjermania, Norvegjia, Australia, Japonia, SHBA, Holanda dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Çka mund të nxjerrim nga këto programe zgjedhore
Dallimi kryesor mes qasjes ndaj këtij sektori nga partia në pushtet, LVV, dhe partive opozitare qëndron në faktin se, ndërsa LVV e sheh zgjidhjen plotësisht tek investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, partitë opozitare e shohin zgjidhjen tek ndërtimi i një centrali me gaz, paralelisht duke investuar në energjinë e gjelbërt.
Të gjitha zotimet, përfshirë edhe investimet e qeverisë aktuale në burimet e ripërtëritshme të energjisë , nuk pritet të ofrojnë stabilitet në furnizimin energjetik gjatë katër viteve të ardhshme, por vetëm në terma më afatgjatë. Ndërtimi i centraleve të reja mund të kërkojë mbi pesë vite kohë. Ndërkohë, me hapat e ngadaltë për gjenerimin e energjisë nga BRE, thëngjilli do të vazhdojë të dominojë për disa dekada si burimi kryesor i energjisë, duke përfshirë termocentralet e stërvjetëruara.
Asnjë nga partitë e mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje nuk ofron zgjidhje afatmesme për të siguruar stabilitetin energjetik gjatë katër viteve të ardhshme. Megjithatë, të gjitha partitë duket se po largohen nga thëngjilli në planet e tyre. Këto zotime përputhen me agjendat ndërkombëtare për dekarbonizim dhe investime në energjinë e gjelbër. Kosova është pjesë e disa marrëveshjeve rajonale dhe botërore në këto synime, që nënkupton se tashmë ka marrë obligime që duhet t’i përmbushë.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu/K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.